PASHTRIKU: MASHTRIMI DHE KORRUPSIONI NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS MBROHET ME KËRBAҪIN POLICORË!

Pashtriku.org, 29. 01. 2014 – Të pakënaqur me gjendjen e mjerueshme në Universitetin e Prishtinës dhe të vendosur për ta ndryshuar atë, dje më 28 janar 2014, Lëvizja Studentore për Barazi: Studim Kritikë Veprim, Klubi Politik i Studentëve, Grupi i Studentëve të Ulqinit në Prishtinë dhe shumë studente e studentë tjerë organizuan protestë paqësore në hyrje të Rektoratit të UP’s. “14 vjet nga çlirimi i Kosovës, Universiteti i Prishtinës as nuk u çlirua e as nuk ishte në shërbim të studentëve. Për më tepër, u kap nga dora e keqe e partitve në pushtet duke u shfrytëzuar për qëllime përsonale e klanore, sikur të ishte pronë private e tyre, e shpurës së tyre.”- thuhet në një komunikatë të lëshuar për midiet – nga këto organizata studentore.
Në vazhdim të komunikatës thuhet: “Sot, po reagojmë bashkërisht e shoqërisht kundër ngjarjeve të fundit në UP. Ngjarje që vetëm shpërfaqën mediatikisht atë që dihej moti dhe atë që ne, studentët, e kishim provuar moti kohë në lëkurën tonë: joprofesionalizmin, korrupsionin dhe krimin brenda UP-së.

Kërkesat tona janë:
1. Dorëheqja e mënjëhershme e Rektorit, Ibrahim Gashi;
2. Fillimi i mënjëhershëm i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës, dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë;
3. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nepërmjet heqjës së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës;

Meqë dorëheqja është akt moral, e këtë nuk e ka bërë e as nuk e ka ndërmend ta bëjë Rektori i pamoralshëm, ne luftojmë për këtë nepërmjet aktivitetit të drejtëpërdrejtë në terren, si formë përfillëse e serioze.
Universiteti i Prishtinës jorastësisht është ku është, i pari në rajon për nga niveli i degradimit, e i fundit për nga prodhimi i kuadrove e dijes. Jorastësisht edhe duhet të fillojë hetimi i ish-rektorëve e shpurës së tyre nepërmjet një mekanizmi verifikues të krijuar nga Senati, si dhe jorastësisht duhet të verifikohen titujt akademikë. Asnjë nga këto veprime nuk i konsiderojmë të rastësishme. Mashtrimet e abuzimet në këtë institucion ishin të mirëmenduara, prandaj i domosdoshëm është krijimi i këtij mekanizmi.
Që nga paslufta, ky institucion vazhdimisht ishte dirigjuar nga partitë në pushtet, nepërmjet zgjedhjës së Këshillit Drejtues nga qeveria, e ky këshill më pas zgjedh Rektorin. Duhet të këputët ky zinxhir i ndikimit të çdo pushteti, sepse për aq sa Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës zgjedhet nga qeveria, edhe rektoret e drejtuesit do të jenë marioneta të tyre. Ne do ta këpusim këtë zinxhir.
Ne, studentët e Universitetit të Prishtinës, si qenie politike në kuptimin e angazhimit për shoqërinë në përgjithësi e studentët në veçanti, jemi zgjuar nga kotësia e përgjumja, dhe si të politizuar, jemi duke i prirë sulmit ndaj korrupsionit e krimit në Universitetin e Prishtinës. Ne sot, jemi “bijtë e shekullit të ri”, të rinjtë migjenian, që “plakun e len në shejtninë” e tij. Nuk jemi shifër statistikore, as indiferentë. Nuk jemi një nga shumë të kokëulurit, por shumë nga të kryengriturit.
Ne, studentët nuk presim sepse nuk shpresojmë tek ju që na ngulfatët. Drejtësia nuk mund të vijë nga ata që shkaktuan padrejtësi. Ne shpresojmë tek veprimi ynë kolektiv. Si të përjashtuar e të pallogaritur, do të përjashtojmë Rektorin e do t’i prishim të gjitha llogaritë e bëra pa ne.” – thuhet në fund të kësaj komunikate.
Komunikata e dytë e organzatave studentore
MASHTRIMI DHE KORRUPSIONI MBROHET ME KËRBAҪ

Sot studentët e Universitetit te Prishtinës bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së duke e shpallur zonë të çliruar të studentëve prej krimit dhe korrupsionit. Të vendosur për të mos lëshuar pe në kërkesat tona, ne vazhduam së qendruari aty prej orës 07.30 gjer në intervenimin brutal të Policisë.

(PA KOMENT)

Duke sulmuar studentët e pambrojtur dhe duke mbrojtur rektorin e pushtetit, Policia tregoi se është vegël e këtij pushteti. Me këtë rast, Policia e Kosovës shkeli nenin 13, pika 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili thotë: “Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.” Gjatë intervenimit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë përdorur dhunë të shfrenuar mbi studentet e studentët protestues. Kur padrejtësia është mënyra normale e funksionimit të pushtetit, pushteti bëhet i dhunshëm në momentin e parë kur qytetari lufton padrejtësinë. Gjatë intervenimit të sotëm, duke mbrojtur Rektorin, e sulmuar studentët, Policia e Kosovës i ka lënduar rëndë aktivistët Alisa Hasani, Dardan Konjufca, Veron Hasani dhe Vigan Aliu. Ndërsa të arrestuar janë:
1. Shkodran Hoti
2. Veron Hasani
3. Luljeta Jasiqi
4. Valon Simnica
5. Leotrim Cakolli
6. Artan Gaxherri
7. Eroll Gashi
8. Valton Marku
9. Vesa Kelmendi
10. Alket Zeqiri
11. Gent Zhitia
12. Kadri Rrahimaj
13. Shkelqim Morina
14. Flamur Pireva
15. Egzon Balaj
16. Pajtim Demaj
17. Durim Jasharaj
18. Agnesa Kastrati
19. Ymer Fejza
20. Kushtrim Avdimetaj
21. Astrit Dehari
22. Endrit Shatri
23. Albion Rexhepi
24. Alban Makolli
25. Veton Dragusha
26. Agon Kastrati
27. Valdrin Ahmeti

Përmes kësaj komunikate, ne i ftojmë ndërgjegjies së të gjithë studentëve, nxënësve, të rinjve, profesorëve, figurave publike dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Ne i ftojmë ata në na bashkangjiten në protestën tonë paqësore. Edhe pas intervenimit brutal policor, ne po vazhdojmë të qëndrojmë para Rektoratit. Ne nuk do t’i ndalim protestat gjer në realizimi e kërkesave tonë të parashtruara. Ato do vazhdojnë çdo minutë, çdo orë e cdo ditë. Gjersa të fitojë e drejta.
Sot, studentët e UP-së treguan se janë zgjuar nga letargjia dhe janë ngritur në mbrojtje të Universitetit të tyre. Ne nuk frikësohemi dhe dhuna e egër policore.
Në emër të të gjithë studentëve kërkojmë edhe lirimin e 27 studentëve tonë aktivistë që po mbahen pa të drejtë nga Policia e Hashim Thacit. Në vend që të na bashkangjiten në dënimin e keqpërdoruesve, ata na sulmuan ndërkohë që ne po qëndronim qetësisht.
Lëvizja Studentore për Barazi: “Studim Kritikë Veprim”
Klubi Politik i Studentëve
Grupi i studentëve të Ulqinit në UP
Prishtinë, 28. 01. 2014

——————————–

Studentët përleshen me policinë!

Protesta e studentëve para Rektoratit vazhdoi deri në orët e mbrëmjes, me kërkesën kryesore: dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, pas skandaleve që përfshinë universitetin, për shkak të botimeve në një revistë të rreme indiane…

 ————————————————

(Përgatiti kryerdaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura