Tetovë, 30. 05. 2014 – (Vështrim rreth neoromanit ‘Lodrimi i madh i vdekjes’ të autorit gjirokastrit Kristaq F.Shabani) – Duke shfletuar këtë libër, sikur shfleton një fletë ditari, një fletë historie, një fletë lavdie, nëpër shekuj trimërie e krenarie. Shfleton një fletë jete të njerëzve të këtij nënqielli që vdiqën duke jetuar, dhe u ringjallën jetojnë për të jetuar. Fletë ditari të një historie të dhimbshme e të lavdishme të një lufte që pati trima e trimëresha nga të gjitha viset e gjeografisë shqiptare. Trajtohet vetëdija historike dhe ajo aktuale, autori ndërton një strukturë polifonike, ku gërshetohen shumë zëra e shumë probleme në trojet e copëtuara në shumë regjime e sundime.
“Lodrimi i madh i vdekjes” është një vepër që del jashtë modeleve tipike dhe nxjerr në pah individin në një shoqëri të krizës së paraluftës, të luftës, dhe të asaj më të vështirë të pasluftës, flet për rikthimin në identitet. Autori shpalosi të djeshmen e me ato kujtime të grimcuara të ruajtura diku në fshehtësi, e për të shpalosur të nesërmen nganjëherë me dhimbje e kujtime për atë të djeshme.
Nuk ka gabime nëse ndonjëherë mendohet e na duket sikur autori shprehet kundër perëndive. Ai nuk ka shkruar kundër perëndive. Ka shkruar kundër uzurpuesve të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, kundër atyre që kërkonin të ktheheshin në perëndi të gjalla në çdo detaj edhe kur në mënyrë të përnjëhertë pas furtunave që kalonin mbi kokë, improvizonin fatin apo fatalitetin e jetës së penguar në lëvizshmëri të qetë hapësinore, duke portretuar të gjallë shpirtin e trazuar të individit.
Kopertina e librit: ‘Lodrimi i madh i vdekjes’…
Shkrimtari – Kristaq F.Shabani
Autori kujton rrëfimet “Kur isha në Tropojë, nga kujtimet e shekullorëve, dëgjoja bëma të bëra nga serbët, deri tek ajo që përmenda më lart, shpime me bajonetë të grave të reja shtatzana, një nga torturat më të mëdha, të cilën vetëm egërsia shtazore mund t’i bëjë.”(f.22)
Historia e dhimbshme e familjeve shqiptare ndër vite të ndjekura nga barbaria serbe, ishin ngritur tanimë në legjenda e mite, ato jetonin në histori e barteshin prej njërit në tjetrin brez, si Shotat me flamurin e nënës u hodhën në sulmim për të mbrojtur nderin dhe respektin e familjes dhe pragut të shtëpisë.
Dhimbja është e madhe për të gjithë, ajo nuk pyet gjini por këtu në këtë vështrim këtë dhimbje do ta fokusojë përmes prizmit të gruas, bashkëshortes, nënës, motrës, nuses, vajzës, të dashurës. “Nënat e vjetra dhe të reja ndriten çdo vit afër kësaj gryke, pëshpërisin krenarisht: Këtu u mundën krajlët! Në vitet e ardhura, në përpjekje për jetën, Gryka s’la këmbë krali të vinte, asnjë copë toke s’u hoq nga kurmi… Pastërtore trimëria, si ujë kristali Valbone dhe gurët, fletët e ahut, fijet e barit kanë vlerë të pallogaritshme, në gushën e Grykës së bukur shpërthejnë sythet pranverave Lulëzon kjo Grykë historie… (f.29)
Nëna që i dha kuptim jetës, në kraharor mblodhi tërë dhimbjen, i dha vazhdimësi jetës, me shpresën e së nesërmes. Nëpër reshta shohim se nganjëherë në ç’gjendje të mjerë e të pafuqishme mezi gjallëron, del në sipërfaqe, nga ajo vuajtje duke ecur zvarrë e zvarrë, por kurrë nuk e humb ritmin, melodinë dhe të qenurit lokomotivë ndjenjash: lehtë, fluturueshëm duke parafytyruar notat nën apo mbi pentagramin e muzikës së quajtur shpresë e jetë. Tërsia e neoromanit, qoftë në imperativ, si mesazh, përshkrim, konstatim apo apel sovranitetshëm, ruan brenda vetes majën lirike, si një sintezë e një fenomeni të thellë social, antropologjik apo kulturor, si një kompas i domosdoshëm i orientimit brenda botës emotive, vlen shumë e mirë sidomos atyre që për një apo tjetër arsye bëhen gati të ecin damarëve të realitetit.
Rrëfim nëpër personazhë, taktikat luftarake, ndjenja e dhimbjes, trashëgimia, vazhdimësia e jetës, dhimbja e nënës, kur parasysh dalin skenat makabre të masakrimit në oborrin e shtëpisë, para syve të dalin skena të ndonjë filmi, që ende nuk është xhiruar, e jo skena jete që njeriu i ka kaluar nëpër duar, i ka përjetuar, e ka ndjerë atë dhimbje, nënë që e shpërlan oborrin e shtëpisë të bërë pellg gjaku, kur u largua, aty la më të afërmit e saj, përsëri shpresonte se meshkujt e asaj shtëpie janë larguar të gjallë nga ajo kasaphane dhe shpresa se një ditë do të dëgjojë zërin e djemve të saj që do të hynin nga dera, ajo shpresë nuk u shua edhe atëherë, kur ajo iku nga kjo botë.
“Bedrija, nëna ime, ka larë gjakun në oborr. Një shtëpi e ujitur me gjak. A e dini se çfarë do të thotë e lyer me gjak? Po një shpresë na mbante gjallë, kur dikush thoshte se i kanë parë djemtë që i kanë nxjerrë me duart lart. (Bedrija ishte gjyshja nga babai i dy nipave, e cila vdiq nga hidhërimi, si skelet i gjallë, ç’ është e vërteta. Kishte shpresa megjithatë.” (f.101)
Shëndrrohen në nyje, në boshte qenësore rreth të cilave ndërlidhen shtigjet e një kohe që përbëjnë konstatimin e shoqërisë, aktiviteteve njerëzore, të esencës së njeriut, paraqiten kthesa që në esencë përbëjnë kulmin e ngjarjeve të rëndomta të synimeve të akumuluara gjatë një periudhe dhe që shpërthejnë me tërë intensitetin duke bërë një dhimbje historie.
Dialogu me personazhët, fragmente jete kur ishin ende në jetë ky çift bashkëshortor, fragmenete jete që sot jetojnë me kujtimet e bukura të asaj kohe. Luljeta Sharani, bartëse e shumë ngjarjeve, kujtimeve të dhimbshme. Luljejta, një lule që kur nuk u përul në tufanin e furishëm të valëve të jetës, një lule që mbeti çdo herë lule, sibmol i jetës në kohën e luftës, por simbol i jetës edhe në kohën e paqes që po ndërtohet, simbol i lirisë në këtë pjesë të tokës arbërore.
E dhimbshme është ajo fotografi e zhvarrosjes së viktimave, të cilët u bënë dëshmi e pavdekshme e asaj çmendurie njerëzore që s’mund të quhet ndryshe, vetëm çmenduri serbe. Me rrëfimet e këtij libri do të ndihen krenarë, jo vetëm familjarët, por edhe legjendat, rrëfenjat, vetë historia e shekujve. Dashuria ndaj botës e jetës është një veti shumë e vlefshme që e bartin njerëzit, dhe frymëzimi i dashurisë ndaj bukurive të natyrës, ndaј çdo gjëje të bukur në jetë, madje edhe kur ajo sjell edhe situatë jo fort të këndshme, ajo përsëri ka dashuri dhe bukuri.
Narratorët në roman dukej sikur të gjithë kishin përfunduar një universitet, por ata kishin përfunduar dhe ishin diplomuar në universitetet e jetës.
Shkëpusim edhe një përkujtim të Luljeta Sharanit: “përshëndes gjithë stafin realizues të radios ‘Yjet’ si dhe dy ‘nuset’ e mia Yllkën dhe Meritën, vajzën time, Arjetën, të cilat qëndrojnë të forta dinjitoze e bujare, duke i pritur Valonin, Visarin e Skyfterin si dhe xhaxhallarët e tyre Tahirin, Mentorin e Isufin. Zoti i gëzoftë së shpejti! Liri për të gjithë!”
Sa shumë plane e projekte u hartuan e u përpiluan për shfarosje, por kurë nuk arritën në caqet e vëna nga ata hartues e përpilues, qëllimkëqinj, shumë territore spastruan, vranë e prenë, por historia nuk ndryshoi, mbeti Kosovë, histori Kosove.
“Vajzat mbetën të varura me shpresë se Visari dhe Valoni do të ktheheshin… Ato improvizonin dasmat e tyre, veshjet e bardha të nuses dhe, në krahët e tyre, bandillët, të bukurit e Sharanajve… Por kjo mbetej një ëndërr në presje …” (f.190)
Robëritë dhe pushtetet e egra ndaluan gëzimet e përgëzimet, sikur ishin harruar si duhet bërë dasmat, andaj fillimi i sulmeve të NATO’s mbi egersinë serbe, sikur ngjalli atë ndjenjën e festimit të dasmës, dhe atë natë u festua si në gëzime dasma, e ndjenin erën e lirisë, që po vinte bashkë me pranverën e vitit 1999. Në një trup 13 plumba, por fati i jetës deshi që jeta të ecë edhe më tej e mos të ndalet, 13 plumba në trup nuk ishin të mjaftueshëm për të shuar shpresën dhe dëshirën e jetës, plumbi i njerëzve dëshmi edhe në gjykatën e Hagës kundër barbarisë serbe që u hodh mbi popullin shqiptar.
Duke lexuar faqet e librit, lexon historinë e brishtë të fytyrave personazh, të gjallë pranë nesh që mbijetuan, përjetuan, gëlltitën dhimbje, Pranverë e vrarë, gratë e përdhunuara, nuk e njihnin vetveten, por jeta është jetë e jetëve që do të kërkohet në kompleksitetin e tërësishëm, sipas të cilit hapja e shtigjeve të reja dhe horizonteve paraqitet si një proces i natyrshëm, si një proces që rezulton si një domosdoshmëri nga konteksti i mbizotërimeve të reja njerëzore. Imagjinata krijuese artistike me këtë vizion për jetën, mbështetet në atë vizion dhe në ato ngarkime mbi të nesërmen. Dinamika e ndryshimit bëhet vazhdimisht më intensive edhe në sferën e fenomenit krijues artistik dhe do të ketë horizonte të reja përpara kërshërisë së mendjes artistike krijuese. Autori këtu nënvizon edhe bujën e bërë në atë kohë, tragjedia kosovare në skenën e artit të botës, shumë emra të njohur të skenës muzikore e filmike, emra të kulturës botërore shprehën gadishmërinë e solidarizimit me popullin shqiptar, në forma të ndryshme edhe ndihmën dhe mbështetjen e ofruar financiare.
Sa kohë koka e lundërtarit mbetet pas, udhëtimi nuk soset asnjëherë. Ky është fat i fatit të njeriut, është shtegtimi i përhershëm i truallit që nuk njeh plakje dhe mbart historinë mbi vete, apo një truall që dëshmon prej shekujsh udhëtimet në rrënjët e tij.
Sadije Aliti është shkrimtare, gazetare, publiciste – Tetovë.
* * * *
PRISHTINË, 25 NËNTOR 2012: FJALA E MBAJTUR NGA PRESIDENTI
LNAPSHA ‘PEGASI’ – KRISTAQ F.SHABANI, NË 100 VJETORIN E PAVARËSISË…
____________________________
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)