Prishtinë, 17. 06. 2014 – Babi, sot ti i mbush përplot 71 vjet. Këtë ditë nuk dua të të thurr vargje për kontributin tënd historik, por po të rikujtoj si fëmiu yt. Po e nisi me letrën e fundit që ma dërgove nga burgu i Dubravës, me rastin e ditëlindjes sime të 18-të:
“E di që nuk kam qenë baba i përkryer dhe prind që do të ndihmonte të ballafaqohesh me vështirësitë e jetës, por me rritën tënde besoj se, do e kuptosh se sakrifica për kombin kishte dhe një çmim të rëndë, e në këtë rast ishe ti, së bashku me vëllaun e motrën tënde. Nëse me rrjedhën e kohës nuk do arrish ta kuptosh këtë dhe nëse nuk do të na bie rasti të takohemi, të lutem që së paku të më pranosh dhe të më përkujtosh si një baba biologjik.
Të do përgjithmonë, babi!” – 08. 03. 1999
* * *
Babi nuk të kam harruar ndonjëherë! Përkundrazi më kujtohesh edhe kur ishe në humor të mirë, por edhe kur ndonjëherë nga nervoza më quaje “majmun”, por edhe kur përpëlitesha të ikja nga ti dhe “dashamirët” e tu. E kisha të vështirë që si fëmijë ta kuptoja se çka nënkuptoje me “sakrificën për kombin”, por me rritën time çdo gjë rreth teje filloi të merrte kuptim, përpos asaj se përse të tjerët vendosnin dhe paragjykonin mbi fatin tonë të përbashkët, e me theks të veçantë mbi TY.
Ukshin Hoti ( 17 qershor 1943 – ? )
– E di se tashmë ke një shtëpi ‘Muze’ që mban emrin Ukshin Hoti? Një projekt i filluar në mënyrë të përsosur nga ana e miqve të tu, por i lënë në gjysmë për shkak të shtyerjeve politike. Me siguri që e di… Kjo nuk do të thoshte asgjë me rëndësi për ty edhe sikur të të tregoja sy më sy.
– E di se tashmë ekziston Universiteti Publik i Prizrenit, që mban emrin Ukshin Hoti? E vizitova nga kurreshtja, por u dëshpërova kur pashë se Universiteti nuk kishte asnjë mbishkrim me emrin tënd, si dhe asnjë statujë tënden… Edhe kjo nuk do të thoshte asgjë me rëndësi për ty edhe sikur të të tregoja sy më sy.
– E di se në Universitet të Prishtinës, në fakultetin Filozofik libri yt ende ofrohet si literaturë për ta lexuar, e në anën tjetër askujt nuk i bie në mend që ky libër mund të shndërrohet në literaturë shkencore? Në këtë mënyrë, gjenerata të reja do ta mësonin filozofinë tënde politike dhe se çfarë roli ke pasë në shtetndërtimin e Kosovës… Por, ky veprim i cekët nga një Universitet i politizuar edhe nëse nuk do të thoshte asgjë për ty është me rëndësi kombëtare.
– E di se zbardhja e fatit tënd si i burgosur politik, së bashku me çështjen e të zhdukurve të tjerë është premtuar nga ana e Qeverisë në largim, se do të jetë parakusht për fillimin e negociatave teknike me Serbinë? Ata tani po arsyetohen me faktin se këtë parakusht e ka shfuqizuar ish Kuvendi i Kosovës, me anë të një rezolute të cilën nuk e posedoj. Por, duke e bërë një lidhje logjike se nga cili Lider qeveritar është premtuar zbardhja e çështjes tënde nuk është aq e vështirë të kuptohet se kush e ka votuar këtë rezolutë, përpos mazhorancës së partisë së këtij Lideri.
– Gjatë muajit mars (2014), Krushës së Vogël dhe Suharekës iu kthyen disa nga viktimat e gjetura në Rrashkë të Serbisë. Me gjithë respektin për të vdekurit dhe për të zhdukurit, kjo u bë në kohën kur Kryeministri në largim bënte fushatë parazgjedhore në mënyrën më të ulët njerëzore, duke mos e anashkaluar këtu as fondacionin e premtuar për fëmijët e sëmurë me leukemi. Mbase ky gjest i kthimit të viktimave ishte i rastësishëm, por ja që mua nuk më mbushet mendja se është kështu.
Aq më pak më mbushet mendja kur tani e di se kryesuesi i grupit të Zenicës Sinisa Petric, i cili e mban barrën kryesore të Masakrës së Dubravës është gjallë në burgjet e Serbisë. Mos ta harroj faktin se grupi i Zenicës në burgun e Dubravës është zhvendosur në prill të vitit 1999, përderisa ti u zhduke në mënyrë të mistershme në muajin maj. E pas teje ndodhi masakra.
Tani më jo që më mbushet mendja, por vështirë që i besoj dikujt. Uroj që mos të vie ndonjë ditë ndonjë politikan i yni në prag të ndonjë fushate zgjedhore të ma kumtojë lajmin se pas 16 a 17 viteve ka arritë që ta zbardhë fatin tënd!
***
Këtë ditë festive kam vendosur ta kaloj në banesën në Prishtinë, në dhomën e bibliotekës tënde e të mamit dhe me cingarellëkun tënd, me të cilin nuk e ndalje pirjen e duhanit, ashtu sikur unë që po bëj në këto momente.
Urime ditëlindjen babi!
Ti je i gjallë dhe afër meje, jo vetëm në mënyrë biologjike, por me çdo trashëgimi dhe tipar që e ke lënë pas vetes.
Të don, Erleta
Prishtinë, 17 Qershor 2014