Halil Alidema – Meteorë Lirie (12)

Halil Alidema – Meteorë Lirie (12)

Nga Sabit Alidema

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS NJË DITË DO TË DALË NË SKENË

Lili ishte kryetar i UNIKOMBIT. Ai preferonte bashkëveprim të të gjitha partive drejt një synimi e qëllimi të përbashkët – çlirimin kombëtar, qoftë edhe me luftë të armatosur, sepse deri më sot asnjë popull në botë nuk është çliruar pa luftë, pa gjak e pa viktima. Prandaj, edhe neve askush nuk na e falë lirinë, por ajo duhet të fitohet me luftë, me gjak e me viktima. Nuk ka nder më të madh sesa të vdesësh për atdhe. Nuk ka gjë më të shenjtë e më të shtrenjtë sesa të luftosh për popull e për atdhe dhe jetën tënde ta vëshë në themelet e lirisë.

                Duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, populli ynë i Kosovës, duhet sa më parë të rrokë armët në luftë kundër okupatorit shekullor serb.

                Mirëpo, meqenëse nuk u përkrah shpallja e luftës kundër okupatorit serb, UNIKOMBI si parti politike tani ishte në dilemë. ç‘të bëjmë më tutje? ç‘rrugë duhet ndjekur për t’u kuptuar drejt nga mbarë populli shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar?

                Meqenëse kjo parti u deklarua për luftë, projekti i kësaj partie nuk u pranua.

Ndërrimet rrënjësore po ndodhin brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të të gjitha partive shqiptare. Veçanërisht te disa parti shqiptare, ku filloi të formohet bërthama e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, e sidomos në Malet e Sharrit.

                Lili ishte në një dilemë të madhe në fillim dhe duke qenë autokritik, ai pohonte,

–              Ndoshta nuk e bëmë mirë analizën për shumë çështje shkencore kombëtare, ndoshta kemi kahje negative në fushën e vlerësimeve reale apo jo reale. Sidoqoftë qëndrimet tona më së miri do t’i vlerësojë populli dhe historiografia shqiptare.

Lufta është e pashmangshme dhe e domosdoshme. Lufta jonë është e drejtë, sepse është luftë çlirimtare, e cila synon të mbrojë dinjitetin njerëzor të çdo shqiptari dhe integritetin territorial të truallit shqiptar. Neve askush nuk mund të na akuzojë si terroristë, sepse ne po mbrojmë vatrat tona dhe vendin tonë.        Unë jam i bindur se deri tani na ka munguar organizimi. Mirëpo, në të ardhmen cilësia dhe aftësia jonë organizuese do të ngrihet gjithnjë e më tepër, ajo do të forcohet e pasurohet me forma të reja organizative të përgatitjes për rezistencë mbarëkombëtare. Si vit i fillimit të përgatitjes për rezistencë sipas mendimit tim duhet të merret viti 1982 e tutje.

                E vetmja shpresë për një të ardhme është rezistenca mbarëkombëtare e popullit shqiptar. Populli që reziston dëshmon se nuk pajtohet me statuskuonë, nuk pajtohet me gjendjen e robërisë, ndaj ai gjithnjë është vigjilent dhe përpiqet të gjejë forma organizimi për të rezistuar. Mirëpo, para se të rezistojë populli ka nevojë për unitet e për rirreshtim të potencialit kombëtar në luftë kundër amiqve barbarë. Kështu njëra ndër fomat e rezistencës kolektive ishte edhe zhdukja e hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, që filloi me aksionin e pajtimeve, duke u organizuar në një Lëvizje Gjithëpopullore.

                Tani po shohim konkretisht se bijt tanë, luftëtarët për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare po dëshmojnë se janë të denjë që për liri e pavarësi, për popull e atdhe janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e tyre. Ky shembull po nxit forcat tona kombëtare, nga njëra anë, mirëpo duke intensifikuar përgatitjen për rezistencë të armatosur po shtohet respekti ndërkombëtar ndaj synimeve e qëllimeve tona të drejta, nga ana tjetër.

                Evropa njohu Kosovën dhe luftëtarët e saj, të cilët po rirreshtohen në një ushtri të organizuar me oficerë të lartë dhe eprorë të të gjitha gjinive. Duhet respektuar rregullat ushtarake dhe duhet ngritur disiplinën në nivel të duhur në të gjitha fushat ushtarake. Kjo është evidente, sepse po punohet me instruksione, nga ekspertë. Mirëpo, duhet pasur kujdes të veçantë në ruajtjen e sekretit, duke punuar në konspiracionin më të lartë, të evitohen manipulimet e spekulimet e njerëzve të dyshimtë, që mund të infiltrohen nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm. Kjo ofron shpresë të madhe, sepse intelegjenca shqiptare është e angazhuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare, ndonëse të gjitha shtetet ballkanike pohonin se shqiptarët janë të ndarë dhe të përçarë, unitetit ynë kombëtar e demantoi bindjen e gabuar të shteteve ballkanike dhe të Jugosllavisë hegjemoniste. Prandaj, historia na mëson se vetëm të bashkuar edhe të pamunshmën mund ta bëjmë të mundshme, ndërsa të ndarë e të përçarë edhe të mundshmën e bëjmë të pamundshme, duke u larguar nga qëllimet tona, ideali ynë mund të dështojë.

                Neve nga gëzon fakti se aktualisht drejt realizimit të synimeve tona në këtë kohë intelektualët janë të bashkuar, sepse ata e kanë kuptuar se momenti i pikërishëm historik e kërkon këtë unitet. Uniteti ynë është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domodoshëm. Popullin tonë e bashkojnë edhe traditat kombëtare, folklorike e etnografike, gjuhësore e shpirtërore, synimet shekullore historike, madje edhe komunistët e dikurshëm të regjimit monist janë afruar me njëri – tjetrin, duke e parë se qerrja e tyre ka marrë teposhtëzen dhe po shpie drejt hendekut të dështimit, janë bashkuar me luftëtarët e lirisë. Edhe këto forca duhet pranuar e angazhuar në rrugën e realizimit të qëllimeve tona, sepse të ndarë e të përçarë bëhemi kafshatë e lehtë dhe e këndshme e gëlltitjes nga armiku ynë shekullor, ashtu siç veproi ujku me tre qetë, njëherë i ndau dhe përçau, e pastaj i hëngri një nga një. Prandaj, ka ardhur koha që të mbushemi mend njëherë e përgjithmonë. Jugosllavia titiste shpejt do të shpërbëhet. Sinjalet e para po duken në horizont, sepse shumë shtete të perëndimit po i mbyllin ambasadat e veta në Beograd. Mirëpo, Beogradi ka një strategji perfide, të cilën ai e zbaton ndaj Kosovës. Shih për këtë arsye, ne duhet të jemi shumë vigjilent në këtë drejtim dhe duhet të marrim masa sigurie. Meqenëse Drenica është etnikisht e pastër me popullatë shqiptare, dhe se këtu gjithmonë është bërë rezistencë ndaj pushtuesve të huaj; e veçanërisht kundër okupatorit serbo-malazez, në shkollat e Drenicës duhet propaganduar gatishmërinë e mbrojtjes së fshatrave të kësaj treve, sepse ato mund të jenë cak i sulmeve të paramilitarëve serbë. Këta janë organizuar në formacione të rrezikshme, si “Tigrat”, “Crna ruka”(Dora e zezë) etj.

Qëllimi ynë është që të kemi sa më pak viktima, ndaj në këto rrethana të pasigurisë ndoshta do të duhej strehuar popullatën, e veçanërisht gratë, pleqtë dhe fëmijët në ndonjë zonë më të sigurtë, sepse çdo pëllëmbë po kontrollohet hollësisht nga agjentët. Lili nuk u lëshua në komentime më të hollësishme. M’u duk sikur deshi diç të fshihte. Mirëpo, ai më tutje, në bisedë e sipër me mua pohoi, pavarësisht nga rrebeshi i rrezikshëm i paramilitarëve serbë, luftën e shenjtë e vendimtare për fitore janë duke e përgatitur luftëtarët e lirisë të organizuar me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që po përdoret me shkurtesën UÇK-ja.

                Prandaj, pavarësisht nga përkatësia partiake ka ardhur koha, ka rënë tiktaku i orës historike që shqiptarët si popull e si komb të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët.

                Janë të padurueshme dhuna, represioni e terrori i egër serbosllav mbi popullatën shqiptare, vrasjet e shpeshta e masakrimet, që po shtohen gjitnjë e më tepër. Ndaj këtij gjenocidi të paparë në historinë e njerëzimit, shqiptarët, intelegjenca, institucionet shtetërore e shkencore duhet të ndërtojnë strategjinë e tyre për të shënuar e grumbullar fakte e argumente kundër diskriminimit të çdo moshe e gjinie që Serbia po ushtron një terror të paparë shtetëror, grupor e individual ndaj popullatës shqiptare. Me këto argumente e fakte, shumë kriminelë serbë do të përfundojnë në Gjyqin e Hagës.

PARTITË NUK DUHET TË UDHËHIQEN NGA INTERESAT E NGUSHTA PARTIAKE

                Populli shqiptar i Kosovës, është popull i shumëvuajtur. Ai vazhdimisht në forma të ndryshme ka rezistuar kundër armiqve të vet shekullor. Ndërsa, këto njëqindvjetët e fundit, ai kurrë nuk u pajtua me robërinë serbosllave. Që nga viti 1912 kur u nda me forcë nga shteti ëmë, ai nuk e lëshoi pushkën nga dora. Është e njohur Lëvizja e Kaçakëve në krye me Azem Galicën e Shotë Galicën, lëvizje kjo që në mënyrë të organizuar, me luftë të vazhdueshme i bëri rezistencë hordhive të xhandarëve çetnikë të Serbisë, nga njëra anë, mirëpo, pati edhe kryengritje lokale dhe përpjekje personale të shumë trimave shqiptarë, e madje edhe të atillë që vuajtën dënime të gjata në burgjet serbosllave, nga ana tjetër, por ata kurrë nuk u nënshtruan para torturave të armikut shekullor.

                Ky popull përjetoi format më të egra të shypjes dhe të terrorit shtetëror serb gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë Serbo-kroato-sllovene, ku mohoheshin dhe shkileshin të drejtat kombëtare e personale të popujve tjerë.

                Edhe në korrik të vitit 1945 kur në Prizren u mbajt Mledhja e caktimit të fatit të Kosovës, e cila me dhunë iu aneksua Serbisë, të cilën delegatët që e kundërshtuan ose u likuiduan ose u dënuan me dënime drakonike, siç ndodhi me delegatin Ramiz Cernica1, i cili u dënua me 20 vjet burg të rëndë, vetëm përse kundërshtoi aneksimin e Kosovës me Serbinë.

Edhe Shaban Polluzha nuk u pajtua me një gjendje dhe ndarje të tillë politike, ndaj ai organizoi popullatën e Drenicës, duke krijuar një front të fort luftarak kundër partizano-çetnikëve serb zhvilloi një luftë të ashpër, që hyri në historinë tonë kombëtare si njëra ndër luftërat më të rëndësishme për çlirim kombëtar, për liri e pavarësi të Kosovës dhe për bashkim të saj me Shqipërinë Etnike. Mirëpo, meqë ishte i vetmuar, të cilit iu bashkuan Batalioni i Rinisë së Gjilanit i udhëhequr nga komandant Jusuf Gjilani dhe komesar Raif Halimi, të cilët sulmuan dhe likuiduan tërësisht Shtabin Partizan në Prekaz.

                Një kohë mbretëroi në Kosovë gjendja ushtarake, e cila vështirësoi qëndrimin e vullnetarëve luftëtarë të LNDSH-ës nëpër male dhe verprimtarinë e tyre të mëtejme si organizatë nacionaliste. Edhe gjatë Jugosllavisë Komuniste, ndonëse shqiptarët me përpjekjet e tyre të vazhdueshme realizuan disa të drejta kombëtare, kryesisht në hapjen e shkollave dhe arsimimin e popullit, megjithatë shtypja dhe represioni i UDB-ës e Rankoviqit me shokë, vazhduan në forma e mënyra edhe më perfide. E gjithë kjo pakënaqësi u akumulua dhe u shtresua tek intelegjenca shqiptare, punëtorët e fshatarët dhe ajo shpërtheu në demonstratat e vitit 1968 dhe të vitit 1981, duke lëkundur themelet e Jugosllavisë titiste moniste.

                Pas Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, kur u krijua një unitet kombëtar dhe në shenj revolte kundër padrejtësive që ashpërsoi edhe më tepër kryekriminelin Millosheviq, i cili ua mori kushtetutën e 1974 shqiptarëve, u falën në mënyrë masive, në tubime të mëdha popullore, shumë gjaqe, plagë dhe mgatërresa dhe u krijuan kushtet edhe për fomimin e shumë partive kombëtare shqiptare. Mirëpo, sipas mendimit tim këto parti ndonëse dallojnë nga programet e tyre, rrugët e realizimit, duhet të kenë një synim dhe qëllim të përbashkët, çlirimin e Kosovës nga robëria serbosllave, nga regjimi barbar millosheviqian.

                Partitë nuk guxojnë të flijojnë interesat e përgjithshme kombëtare për interesat e tyre të ngushta personale, grupore, klanore e partiake. Ata që ndjekin këtë rrugë që në fillim janë të gjykuar të dështojnë. Populli e historia do t’i gjykojë. Ndërkaq, një politikë e këtillë shkurtpamëse shkon në favor të armiqve tanë. Duhet shpallur luftë të pakompromis dukurive tona negative, egoiste, karrieriste, bajraktarizmit e korrupsionit. Qëndrimet dhe veprimet e këtilla u shërbejnë vetëm armiqve tanë shekullorë. Prandaj, jo vetëm duhet t’i nuhasim, t’i parandjejmë, por edhe t’i shohim këto veprime me gjakftohtësi e tolerancë ndërvëllazërore e demokratike. T’u kthehemi punëve tona të përditshme, sepse kemi shumë armiq edhe atë përballë tavolinës, pranë nesh, rreth nesh, përtej gardhit, të cilin e mbajnë shtyllat e forta, sepse po u hoqën shtyllat, gardhi do të bie për tokë. Çdo intelektual, çdo anëtar partie, çdo udhëheqës duhet të bëhet shtyllë e fortë drejt realizimit të synimeve dhe qëllimeve tona shekullore, çlirimin e Kosovës nga çizmja robëruese serbo-sllave dhe pavarësisë së Kosovës. Kështu ne duke mos luftuar në radhët tona, në radhët e çdo partie, karrierizmin, korrupsionin, malverzimet dhe intrigat ndërmjet nesh, ne nuk mund të ecim përpara as si individ, as si grupe e as si parti, por ç‘është më me rëndësi as si popull e si komb. Të gjitha partitë tona duhet të ndërlidhen ndërmejtveti ashtu siç janë të lidhura gjymtyrët e trupit, ku qarkullon gjaku, jeta e vitaliteti shëndetësor, ndaj edhe partitë tona duhet të ndërveprojnë e ndërplotësojnë njëra-tjetrën drejt një qëllimi të përbashkët. Ata duhet të veprojnë si gjymtyrët tona në një trup, duke iu kundërvënë armikut, duhet ta parandjejnë rrezikun e përbashkët, por edhe ta manifestojnë rezistencën e përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë mund të kenë edhe përkrahjen e plotë të popullit të tyre dhe vetëm kështu mund t’i kryejnë detyrat kombëtare dhe historike që parashtron momenti historik. Kështu njëkohësisht më fliste me vendosmëri dhe me bindje të madhe Lili (Halili).

UDHËTIMI IM ME LILIN NË SHARR

Takimet e mia me Lilin ishtin të shpeshta. Mirëpo, ai shpeshherë më njoftonte edhe me shokë të tij, veprimtarë të denjë të çështjes kombëtare, të cilët nuk pushonin për realizimin e qëllimeve të tyre.

Në bisedë konspirative, në dhomën e fjetjes, në shtëpinë e Lilit në Prishtinë, po bënim planet për një udhëtim në Malet e Sharrit. Në ndërkohë, në bisedën tonë, ku merrte pjesë edhe Tina(Teuta), ajo na freskoi me nga një kafe dhe shtroi pyetjen: – Nuk e di se si do të jetë e ardhmja e popullit tonë?! Mirëpo, me bindje e besim të plot ajo vetë iu përgjigj pyetjes së shtruar – ndonëse me sakrifica dhe humbje të mëdha që do të pësojë ky popull, e ardhmja e tij do të jetë e mirë, sepse të gjitha parakushtet zhvillimore të ngjarjeve që po ndodhin para syve tanë sinjalizojnë për një fitore të sigurt. Çdo perandori ka fundin e vet. Ky shekull do të shënojë fundin e Perandorisë komuniste jugosllave, mirëpo kur vërshon lumi merr çdo gjë që gjen përpara, duke sjell dëme të mëdha, ai patjetër do të tërhiqet në shtratin e vet.

Pra bisedën tonë sikur e pasuroi dhe e freskoi me ide të reja edhe Tina (Teuta).

Pas këtyre bisedave paraprake në Prishtinë, në shtëpinë e Lilit, në terrin e natës, u nisëm për Brezovicë të Sharrit, ku Lili kërkonte të vinte kontakt me një njeri, që unë nuk e njihja, me Fehmi Hoxhën, ndërsa në fshatin Biti të Sharrit, Lili u takua me një shok të tij, që i thonin Uka, kurse në fshatin Kashtanjevë shkoi me Ukën, ndërsa mua më la me Sylë Sylejmanin e Gjonajve. E gjithë kjo marshutë, gjithë këtë udhëtim e bëmë natën. Unë vërejta se Lilin e shoqëronte Nezir Neziri. Pas bisedave konspirative, kuptohet me qëllime të caktuara politike në shërbim të çështjes kombëtare dhe të mendimit politik, unë e Lili u kthyem, në Prishtinë, e pastaj unë vazhdova rrugën për Pozheran.

– VIJON –

_________________________ 

Sabit Alidema: Halil Alidema – Meteorë Lirie (11)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura