Prishtinë, 18. 07. 2014 – (Lesh arapi në Kuvendin e Hajkobillës) – Seanca solemne ku ishte paraparë të certifikoheshin deputetët si dhe të zgjidheshin kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit zgjoi interesim të madh për faktin se kjo ngjarje u shndërrua në një bast se kush kujt do t’ia thyej hundët apo se kush ka potencial më të madh për ushtrimin e dhunës duke u thirrur në praktikat e “mira“ që nuk kanë qenë të pakta në Kuvendin e Kosovës! Pastaj, se kush ku do të ulet dhe se duhej të bëhej luftë për ta mbrojtë, jo interesin e qytetarit (votuesit) por karriken, si pikënisje dhe pikësynim i realizimit të intereseve personale. Kisha mundësi, e që nuk e llogarisë as fat e as privilegj, sidomos pas mbledhjes së 17 korrikut të jem në sallën e Kuvendit dhe e pranoj se rrallë herë kam qenë në siklet më të madh.
Kam qenë i dënuar dy herë politikisht me gjithsej 15 vite burg. Herën e parë si student jam dënuar me 3 vite burg sepse kam kërkuar të drejtat e mia njerëzore, kombëtare dhe politike si dhe kam dalë në krahë të atyre që i kanë kërkuar këto të drejta. Herën e dytë, në një proces të montuar politik, gjykata Ushatarake në Zagreb më ka dënuar me 12 vite burg, së bashku edhe me 8 ushtarë shqiptarë të tjerë të cilët janë dënuar nga 2 vite deri në 12 vite burg të rëndë. Më kanë mbajtur 5 vjet e 6 muaj në vetmi, pa takuar njeri të gjallë përjashtuar policët që më ruanin dhe familjen që më vizitonte nga 15-20 minuta. Të gjitha vizitat me familjen e ngushtë janë bërë në prani të policëve shqiptarë të dërguar nga Kosova; të cilët i lexonin edhe letrat që ne i dërgonim por edhe ato që i dërgonin familjet tona.
====================================
PAMJE NGA SEANCA SOLEMNE E KUVENDIT TË KOSOVËS, MË 17.VII.2014.
SHIKONI VIDEOMATERIALIN:
(ILUSTRIMET JANË TË PASHTRIKU.ORG, SH.B)
=====================================================
Disa prej tyre janë munduar të na ndihmojnë ndërsa një numër i vogël bëheshin më serb se vet serbët! I kam takuar ata policë pas daljes nga burgu sikur që i takoj edhe sot dhe me të cilët bashkëpunoj në planin profesional. Në procesin para gjykatës Ushatarake në Zagreb kanë qenë 28 dëshmitarë shqiptarë, ushtarë dhe oficerë ndërsa hetimet i kryenin oficerët e KOS-it (Shërbimi kundërinformativ ushtarak) siç ishin krasniqët, zemajt, jasharët, kurtishët etj. Një numër i madh i ushtarëve shqiptarë në ish armatën jugosllave janë ekzekutuar për t’u kthyer si të “vetvrarë“ në arkivole të blinduara. Kontributin e madh për vrasjen dhe dënimin e ushtarëve shqiptarë e kishin dhënë, me shumë përkushtim, oficerët “shqiptarë” të KOS-it, mbiemrat e të cilëve i përmenda më lartë. Dëshmi për këtë e kam aktakuzën dhe aktgjykimin me të cilin jam dënuar nga Gjykata Ushtarake në Zagreb me 12 vite burg. Nuk kam dashur t’i hakmirrem edhe as një dëshmitari të vetëm për këtë arsye nuk kam përmedur kurrë emra. Ata që kanë dëshmuar rrejshëm janë këtu, në mesin tonë, mbajnë poste dhe janë të ambalazhuar si patriotë. Ata kanë prindër që i kanë shërbyer qençe UDB-së pjesë e së cilës edhe kanë qenë dhe në duart e të cilëve kanë vdekur atdhetarë shqiptarë nën torturën e tyre. Kam qenë kundër procesit të lustrimit sepse kam qenë i vetëdijshëm se dosjet e vërteta janë në Beograd apo ish republikat tjera jugosllave dhe se ato nuk hapen sepse ne duam. Ata i ruajnë dhe mbrojnë informatorët e tyre sepse ende i përdorin. Tash, fuqishëm jam për procesin e lustrimit dhe çdo njëri që ka bërë keq le të ballafaqohet me (pa) fytyrësinë e tij. Në mungesë të dosjeve, mund t’i bëjmë publike aktgjykimet tona me të cilat jemi dënuar! Sa për fillim!
***
Kur policët ndërkombëtarë, me përkrahje të heshtur dhe të zëshme të politikanëve kosovarë, të medieve të ndyra të atëhershme dhe shoqërisë civile të padinjitetshme, ekzekutuan dy protestues paqësorë dhe lënduan rëndë e lehtë mbi 100 protestues që kërkonin të drejtat njerëzore, kombëtare dhe politike, pa ua cenuar të tjerëve këto të drejta e që ishin organizuar nga LVV, për shkak të pafuqisë u pata ulur para dyqanit Riza Company dhe pata qajtur nga pafuqia në ndërkohë që policët italianë rrihnin me shkopinj dhe shqelma një të mitur shqiptar që brohoriste Vetëvendosje! Sot, disa prej atyre që e shanin VV dhe më sulmonin mua si përkrahës të VV janë në majat e kësaj lëvizjeje!
U pata ndjerë shumë keq dhe i turpëruar nga pafuqia kur u mbytën tre fëmijë shqiptarë në lumin Ibër të fshatit Çabër ndërkaq ndërkombëtarët thonin se:”hetimet po mbyllen sepse nuk është gjetur qeni që i ka frikësuar këta fëmijë e që pastaj kanë hyrë në lumin e rrëmbyeshëm ku e kanë gjetur vdekjen“. Poshtërim i skajshëm sepse shumica heshtën apo u heshtën më vonë! Jam ndjerë keq kur vriteshin dhe plaçkiteshin pleqtë dhe plakat serbe në emër të një patriotizmi të rremë nga plaçkitësit dhe kriminelë ordinerë e që për fat të keq ishin shqiptarë!
Dje, u ndjeva shumë keq dhe i turpëruar kur pashë se si alamet intelektualë turreshin prapa karrikeve duke u sjellur nëpër sallën e Kuvendit si të ishin palaço të cirkut! Se si zonja të rënda, të veshura firmato me flokë të rregulluara enkas për kanaxheqet e Malishevës, bënin lëvizje teatrale para medieve sepse, kështu mund të bëhen personazhe për një lajm të çastit në televizionet tona “kombëtare“ dhe atij publik! Lenka Quko e LDK-së, kohën më të madhe nuk e kaloi në karriken ku ishte ulur por para znj. Brovina dhe Rugova! Për lexuesit e brezave të rinj dua të sqaroj se Lenka Quko ka qenë anëtare e Polytbirosë të Partisë së Punës së Shqipërisë e cila ishte bërë anëtare e respektuar e kësaj Byroje Politike pasi ishte shpallur mjelësja më e mirë e lopëve në Shqipëri. Ishte aty edhe kësulkuqja e Dukagjinit të cilën në përrallë e kishte hëngër ujku. Te ne nuk e ha as dreqi! Meshkujt me muskuj dhe pa muskuj u koritën në pikë të ditës duke ua zënë dritën dy femrave që ishin kryesuese dhe që me asgjë nuk e kishin merituar të ishin aty. Kapiten K.pasi u liruan karriket e mesit, si strateg i shquar i luftës dhe i paqes dhe si ekspert i shquar për luftë pozicionale u bënte thirrje “bashkëluftëtarëve“ që të ripozicionohen duke i zënë karriket e mesit. Pastaj, edhe këta të pozitës me të dëgjuar se mund t’u rrezikoheshin karriket e mesit e dërguan “garden pretoriane“ në mbrojtje të karrikeve. Dy meshkuj dhe dy femra. Njëra prej tyre sipas detyrës, meritave dhe backgroundit ishte pashmangshëm Ganja Nacionale! Në pozitën më të rëndë ishte kryesuesja e seancës, një zonjë në moshë që mund të ketë edhe probleme shëndetësore por e cila nuk mund të rrezikonte të shkonte as në toalet sepse zonjusha tjetër, e re në moshë dhe sigurisht pa përobleme shëndetësore lehtë mund t’ia zaptonte karriken e kryesueses. Lenka Quko e LDK-së dhe Kësulkuqja e AAK-së e nxitnin që të ulej në karriken e zonjës Brovina për ta zgjedhur dajën Isë të Prapashticës kryetar të Kuvendit! Zonja Brovina, si ish e burgosur politike, pjesëtare e luftës ishte e ngarkuar nga partia që me as një kusht dhe me çdo sakrificë të qëndrojë në istikam (karrike të kryesueses).
A mund të besoni o njerëz se kujt i keni dhënë votën?
Se kush ju përfaqëson apo mbron intereset tuaja?!
A mund të besoni o njerëz se në mënyrën si janë sjellë këta deputetë do t’i turpëronin edhe fëmijët e enteve parashkollore. Gjatë qëndrimit tim në 13 llogore (burgje) të ish Jugosllavisë kam takuar me dhjetra mijra të dënuar që kanë bërë krime që mendja e shëndosh nuk i përthekon! Ka pasur të marrë, të çmendur dhe gjeni. Por, ju siguroj se, përjashtuar çasteve të krizave nëpë të cilat kanë kaluar, pjesën tjetër të kohës kanë pasur sjellje më sociale se një pjesë e deputetëve në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës! Prandaj, më duhet të mendoj disa herë nëse ia vlen të shkohet në Kuvend. Sidomos në mbledhjet inaguruese si kjo e 17 korrikut 2014 e që në fakt ishte promovim i vlerave të dredhisë, dyshimit, pabesisë, injorancës, lakmisë dhe grykësisë së pashembullt për pushtet. Në fakt, më shumë ishte mbledhje komemorative për mbytjen e çdo vlere të mirëfilltë që na e ka dhuruar Zoti dhe për të cilën na ka edukuar familja!
Çka më tutje?
Kam parashikuar që të drejtën për të kandiduar kryetarin e Kuvendit do ta ketë koalicioni parazgjedhor i udhëhequr nga PDK, sikur që kam qenë i sigurt se nuk mund t’i ketë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin pa një marrëveshje politike! E cila mungoi në këtë rast. Nuk e kam parashikuar që Jakup Krasniqi, për shkak të kapricieve personale të personifikuara si urrejtje ndaj Thaçit, do të bëjë një salto mortale politike duke u kthyer në pikënisje të karrierës së tij politike. Duke u rikthyer në LDK. Jakupi, si aktivist i hershëm i kësaj partie, si pjesëmarrës dhe njëri ndër bartësit e luftës u pastrua gjatë luftës dhe karrierën po e pëprfundon në një mjedis të kontaminuar kombëtar dhe politik! Nuk mund t’i ndihmohet në rastin konkret edhe po të doje sepse është zgjedhje e tij! Fatmir Limaj nuk më ka befasuar aspak sepse nuk ka mundur të vepronte ndryshe. Aq ka qenë mundësia për t’iu hakmarrë Hashimit dhe Kadrisë që i personifikon si shkaktarë të pësimeve politike dhe jetësore, pa u ndalur pak dhe të përballet me të vërtetën se cili ka qenë kontributi i tij për këtë gjendje. Ta shohim fundin.
PDK dhe Hashim Thaçi kanë mbetur të izoluar sepse u ka mjaftuar vetja e tyre dhe një grup antivlerash që i kanë promovuar si vlera po ua vënë lakun në fyt! Kanë rehabilituar spiuj dhe bijë kurvash të trishta politike dhe kombëtare duke bërë përpjekje që përmes instrumentalizimit të tyre të fitojnë statusin e të emancipuarve politikë! E bënë një fushatë të shkëlqyeshme, i fituan zgjedhjet pa problem dhe patën qëndrim të dinjitetshëm në seancën e 17 korrikut 2014, mirëpo hasën në kundërshtim të një blloku apo koalicioni joparimor që për bazë kishte urrejtjen dhe inatin dhe të cilët e kishin vetëm një slogan: “Për Hashimin e kallim Kosovën”. Duket se edhe ndërkombëtarët u treguan më pak të mëshirshëm ndaj Hashimit. Nuk ishte më benjamini i tyre! Duket Hashimi nuk nxori mësim të mjaftueshëm nga rajoni sepse nuk i respektoi vlerat dhe veprat. Mirëpo besoj se Hashim Thaçi edhe për një kohë do të jetë lojtar i fortë dhe i pashmangshëm në proceset nëpër të cilat do të kalojë Kosova e që do të jenë shumë të rënda dhe të dhimbshme.
AAK është parti minoritare që aktualisht po përfiton nga situata. Jo se ka vota apo ndonjë potencial intelektual apo professional për të ndikuar në procese. Ka një lider që e mbanë gjallë AAK-në dhe i cili ka vendosur të bëhet kryeministër qoftë edhe për 100 ditë! Dhe i cili nuk zgjedhë mjete as mënyra për t’u bërë kryeministër. I cili shkel mbi çdo gjë për postin e kryeministrit! Në pyetje janë dy gjëra që më intrigojnë:
E para se a ka Ramushi garancione aq të fuqishme nga ndërkombëtarët se do të bëhet kryeministër prandaj po sillet ashtu sip o sillet dhe,
E dyta se Ramushit posti i kryeministrit nuk i është bërë vetëm pasion por edhe fikcion! Fikcionin po e përdorë në kontekstin psikologjik. Ramushi, mjeshtërisht e përdori Albinin në kohën kur Albini mendonte se e përdorte Ramushin, duke e nxjerrë nga loja në momentin kur opozita, me përkrahjen e Albinit i siguroi votat. Me Albinin, Ramushi së paku u tregua korrekt sepse, pasi e nxori nga loja dhe kur më nuk i duhej më i tha se me LVV e kemi vështirë të arrihet një marrëveshje! Kështu e ka politika! I djeg të paditurit dhe manipuluesit.
LVV suksesin më të madh e arriti kur partinë e cila nuk u bë subjekt parlamentar përmes zgjedhjeve (FERR), si pjesë të koalicionit LVV-FERR e bëri parti parlamentare e cila ka më shumë deputetë se vet LVV. Gabimin e madh e bëri që tërë kohën e shpenzoi në përpjekje të rrëzimit të Thaçit (Thaçi 1, Thaçi 2 dhe Thaçi 3) në vend se të përqëndrohet në procesin e bisedimeve dhe ate të privatizimit ku do të gjente shumë përkrahës për faktin se këto dy procese e kanë dëmtuar shumë Kosovën. Duke hequr dorë nga të gjitha parimet e proklamuara, tash, edhe nëse e rrëzojnë Thaçin 3 për çka duhet të presin dhe nuk është e sigurt, Albini po e përkrah Ramushi 2 dhe Isa 0 të cilët nuk po dallojnë fare nga Thaçi sa i përket procesit të bisedimeve dhe atij të privatizimit. Sepse kanë qenë pjesë aktive e të dyja këtyre proceseve dhe nuk veprojnë kundër angazhimeve ku, me siguri kanë edhe përgjegjësi, qoftë si subjekte politike, qoftë si liderë politikë! Albini nuk i rezistoi tundimit ndaj pushtetit dhe qeverisjes, mirëpo pasioni i Ramushit ishte më i madh për momentin! Edhe për pushtet, edhe për qeverisje!
LDK nuk kishte çka të humbasë prandaj u bë kurtizanë që e shalon kujt t’i çohet. Ndryshe, si mund të ndodhë që me 30 deputetë, t’i dorëzoi postin e kryeministrit partisë me vetëm 11 deputetë. Arsyetimi se këtë e bënë pasi qenka parti e dytë do të kishte kuptim vetëm po të bënte koalicion me PDK që është fituese e zgjedhjeve. Isa Mustafa, me Çetën e Elefantëve ka luftuar dhe po lufton për mbijetesë politike. Personale dhe grupore. Jo për partinë. Ka shumë gjasa që posti i kryeparlamentarit të mbetet vetëm si një periudhë kohore e CV së Isës. Sa për të thënë se isha edhe këtu! Zgjidhja apo lindja e Isës si kryeparlamentar është bërë në kushte jonormale apo me prerje cezarike, prandaj do të mbetet në inkubator deri në vendimin e Prof. dr. Enver Hasani. I cili nuk është as gjinekolog e as mjekë për fëmijë por i cili, pa mëshirë i dënon sjelljet fëmijërore të politikajve kosovarë. Më parë, me një shpejtësi i pati rahatuar dy çuna të padëgjueshëm, Fatmirin (Sejdiun) dhe Behgjetin (Pacollin). As Isa nuk po del se është çun për së mbari!
E tmerrshmja e Kosovës është se përkundër faktit se në Kosovë me mbi 92 % shqiptarë, pakicat po janë përcaktuese për formimin, mbajtjen dhe rrëzimin e qeverisë dhe institucioneve tjera. Dje në Kuvendin e Kosovës vota përcaktuese për kryeparlamentarin ishte vota e Aleksandar Vuçiqit i cili e kishte njeriun e tij në Kuvendin e Kosovës, ndryshe deputet në Kuvendin e Serbisë! Votën e Aleksandar Vuçiqit po e kërkojnë edhe Haradinaj për t’u bërë kryeministër por edhe Thaçi për të mbetur kryeministër!
Përfundimisht ndërkombëtarët do të vendosin se a do të bëhet kryeministër Ramush Haradinaj apo do të mbetet Hashim Thaçi. Duket se hapin e parë e kanë bërë sespe po i përjashtojnë zgjedhjet që për momentin, në mungesë të një marrëveshjeje politike do të ishin zgjidhja më e mirë për Kosovën nëse jo edhe e vetmja!