Prishtinë, 30. 08. 2014 – Kosova si një vend i vogël me aq resurse njerëzore; pa industri e ekonomi të zhvilluar, pa investime, me papunësi e probleme sociale te 3/4 e popullsisë, me probleme të arsimit, shëndetësisë; me krim ekonomik e korrupcion të lartë (vendi i 110 në Botë) si një sëmundje kancerogjene; ende ka rreth 25% të territorit ku faktikisht nuk ushtrohet autoriteti shtetëror konform Nenit 1 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me çka rrezikohet të mbetet problem i pazgjidhur apo problem që rrezikon vetë Shtetin… asnjë shumë parashë që do shpenzohej për zgjedhjet e reja Parlamentare nuk do të jetë aq barrë e rëndë financiare sa dëmi përmes ngërçit politik e institucional që i shkaktohet shtetit të Kosovës.
Nëpërkëmbja e popullit
Tashmë dihet botërisht së shqiptarët, sipas prejardhjës, janë populli më i vjetër në Europë dhe shqipja një ndër gjuhët më të vjetra. Jemi: bashkëndërtues të qytetërimeve të lashta, pjesëmarrës në formimin e qytetërimit europianë dhe përqafuesit e hershëm të krishtërimit. Kemi patur libër e Bibël (Meshar) shqip, baras me popullin Gjerman. Kemi patur gjithmonë trima e familje bujare; kemi patur besën dhe heronjë me namë ndërkombëtare. Mundë të përshkruhen edhe shumë e shumë tjera për fisnikërinë e popullit shqiptarë, identitetin europian dhe kulturën e Krishterë, gjë që dëshmonë edhe historinë tonë të lavdishme dhe pasurinë tonë kulturore.
Kur isha i ri, sadoqë mezi siguroja para për të blerë ndonjë libër apo atë e siguroja nga ndonjë bamirës siç ndodhte me „Shejzat“ e Ernest Koliqit, kisha shumë problem të kuptoja lavdinë e shkruar në libra dhe nëpërkëmbjen e përbuzjen e popullit që i takoj. Nuk arrija të kuptojë: Si ishte e mundur të lexoja për një histori aq të lavdishme të popullit e Ne gjendeshim në robëri? Si ishte e mundur të mësoja për traditën, kulturën dhe shkrimet e herëshme, kurse në realitet shihja se ishim të varfër, të prapambetur e më të pashkolluar në Ballkan?
Në qarqet intelektuale dhe kulturore por edhe në Odat e burrave (kur ato qenë një Unieversitet popullor), krijohej bindja pothuajse e përgjithshme: fajin për këtë gjendje e kishin të Tjerët kurse Ne ishim viktimë e një padrejtësie historike! Shumë prej nesh fajin e kërkonte të komunizmi si një sistem që përvetëson pronën, centralizon ekonominë dhe cenon të drejtat e liritë e njeriut… Faji binte gjithsesi edhe mbi okupuesin e fundit – Serbinë e cila, de facto, sipas shkollës së sundimit kolonialist duke qeverisë me të dëgjueshmit (kjo madje u vërtetua botërisht dhe kur e aneksoj sërish Kosovën, sipas vendimeve të Kuvendit të Prizrenit me 8, 9 e 10 korrik 1945, të cilat vendime i morën përfaqësuesit shqipfolës në emër të popullit, patën dhe privilegje të mëdha ç`prej atëherë e deri sa jetuen, ndonjëri ende jeton dhe s`e turpëron vepra e bërë antikombëtare e as shpifjet që tërë jetën i bënë për të tjerët) në mënyrë sistematike kishte eleminu, shtypë, torturue e persekutue të ndërgjegjshmit e popullit.
Një pjesë jona në kërkimin e fajit (mëkatit) kishim krijuar bindjen, se faje kishte edhe Perandoria Osmane gjatë okupimit 500 vjeçar, e cila, kishte rrënuar kulturën tonë të lashtë, traditën pozitive kanunore dhe identitetin tonë si popull europian. Poashtu, sikur ishte e ditur, se periudha osmane kishte bërë dëmin më të madh historik ndaj shqiptarëve. Sepse, gjatë sundimit të saj shqiptarëve u mori gjithçka e nuk ua lejoj Shtetin si tjerëve dhe në fund të ramjës së asaj Perandorie, siç thotë historiani Skender Rizaj, „ua shitën tokat shqiptare sllavëve për një Pallat Mbretëror Ylli-Ylldis“! Ne na lanë në një gjendje aq të mjerueshme në Ballkanin e trazirave e coptimeve të tokave tona nga fqinjët serb, malazez e grek; na lanë në udhëkryq historik…
Si shumë të tjerë pikë referimi e frymëzimi kisha rilindasit të cilët përmes letrave – shkrimeve na mësonin se liria është gjëja më e shtrenjtë dhe dashuria ndaj atdheut është pasuria më e madhe për të cilat ide ia vlente të sakrifikohet gjithçka, dhe jeta! Frymëzoheshim edhe nga patriotë të cilët dergjeshin nëpër burgje e kazamate jugosllave, për shkak të idealeve rilindase; frymëzoheshim nga guximtarë të pathyeshëm që iu kundërvunë regjimit okupues të Serbisë, pa marrë parasysh pasojat. Ndihem krenarë që atyre ideve rilindase, si protagonsit aktiv i shumë zhvillimeve politike, u kam qëndruar pathyeshëm besnik dhe kam kontribuar për të mirën e popullit e vendit!
Rezistenca jonë, ku u përfshin të gjitha gjeneratat e popullit, pa dallim moshe e gjinie, pati 3 faza të shenuara: fazën e protestës studentore, fazën e rezistencës paqësore, fazën e luftës. Si njeri nga protagonistët bashkë me shumë tjerë jam nga ata që krenohem me popullin tim, i cili u bë unik dhe mblodhi forcë t`i mbijetoj rrebeshet e kohës, mbështeti bianko fijet e idealit rilindas; u mbijetojë padrejtësive, shtypjeve e persekutimeve, gjenocidit dhe nuk iu dorëzua armikut – Serbisë. Po ky popull lindi aq shumë njerëz të ndershëm me dinjitet e integritet të pa thyeshëm dhe dha aq shumë djem e vajza të sakrificës, që i lartësuan vlerat kombëtare në nivel vendi dhe ndërkombëtarë.
Në anën tjetër, jam dhe një dëshmitarë fatkeq si shumë shokë e miq të mi, i cili pa me sy, se si në veprimet tona për liri e pavarësi na ndiqte hija e zezë e pranisë së armikut përmes hijenave shqipfolëse në vend, Europë e deri në Amerikë. Burra të mëdhenj të këtij vendi, ishim miq por shumë prej tyre s’janë më në jetë (janë heronjë, martirë, prijës historik), më shumë duhej të ruheshim nga shqipfolësit mbase nuk dinim se çfarë krushqie kishin ata me okupuesin serbë (ishin dhëndurë, nipa, daj, të vëllaznuem, kishin kumari, ishin bashkëpunëtorë…) se sa nga vet serbët të cilëve u kishim dalë përballë: me paqë o me luftë! Shpesh herë hamendeshim mos vëhej në pikpytje çdo gjë që bënim, apo mos po ‘bënim çdo gja kot’? Ishin kohë të vështira të besoje apo të mos besoje asgjë.
Protestat studentore përfunduan pa sukses, humbëm dhe ekonominë, shkollimin cilësor, shëndetësinë, punën, sigurinë… Rezistenca jonë paqësore, po ashtu, mori fund keq, sepse: përjetuam turtura, vrasje, rrënime të ekonomisë familjare, dëbim nga trojet tona dhe gjenocid. Për ta ruajt substancën kombëtare dhe atdheun u dashtë të hymë në luftë kundër okupuesit – Serbisë, dhe me luftë ta fitojmë lirinë e pavarësinë, u ndihmuam nga miqtë Europerendimor dhe Aleanca Veri-Atlantike, NATO.
Hija e zezë e pranisë së armikut na ka shoqëruar edhe gjatë luftës 1998/99. Na munguan frytet e një rezistence të armatosur: pasi u fitua lufta mbetem pa Ushtri të rregullt, pa integritet territorial, pa administrim vetjak të shoqërisë në tërë territorin e vendit; mbetëm dhe pa pavarësi politike si një popull të cilin po duhej ta administronin të tjerët.
Falë SHBA-ve e Europës arritëm minimumin e synimeve shekullore për unifikim kombëtar; u detyruam të kemi “Ahtisarin 1”, ta shpallim “pavarësinë e cunguar”, pavarësisë t’i vihet Fusnota; integriteti e sovraniteti ynë edhe pas 15 viteve sërish diskutohen me Serbinë duke iu mundësuar minoritetit serb, rreth 5%, ta kenë “Ahtisari+” ose “Ahtisari2”. Mbase, Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund ti `detyrojë` shqiptarët politikbërës të kemi kufirin kulturorë, ekonomik e politik te Ura e Ibrit, kurse serbët të shtrihen deri në `Sharpllaninë`.
Shkaku i kësaj gjendje të identitetit tonë na del të jetë edhe e trashëguara shumë shekullore Otomane që në zemrat dhe mendjet tona ka kultivuar laramaninë e identitetit tonë; hilet e dredhitë i ka shndërruar në normë individuale dhe kolektive; ka kultivuar lakminë që ka përfshirë zemrat tona, sidomos tek klasa politike e intelektuale në vazhdimësi. Dhe aty do arrijë kulmin korrupcioni i zemrës – tradhëtia!
Shumëkush akoma mbanë shpresën për të kaluarën dhe të ardhmen europiane, kurse me kokë e zemër gjurmonë e gërmonë mos ndoshta do të gjejë ndonjë `vlerë` në errësirën e së kaluarës ose ndonjë `meritë` në gabimet dhe tradhtitë që u bënë shekuj më parë.
Ndër faktorë tjerë që patën ndikim do na dali dhe “shterpësia intelektuale” të cilën e prodhuan shkollat tona. Ajo `shterpësi` si produkt solli ”paaftësinë gjithëpërfshirëse”.
Këto realitete, me të cilat u përballëm si popull, sot, na dalin faktorë të degradimit tonë; na dalin faktor që kanë nëpërkëmbur identitetin, dinjitetin dhe integritetin tonë. Për pasojë, 15 vjet pas lufte, përvoje lirie e mundësie për të ngritur shtetin demokratik e ligjor, në vend që të kemi burrshtetas që adhurohen dhe meritojnë mbështetjen e besimin e qytetarëve që ta ushtrojnë pushtetin dhe ta drejtojnë shtetin, në vend që të kemi në pozita shtetërore, burrshtetas që luftojnë për drejtësi e mirëqenje të të gjithë qytetarëve dhe udhëheqin vendin drejtë përparimit e zhvillimit, ne sot kemi `burreca minipartishë` me begraund shumë të dyshimtë, të cilët kontrabandojnë, vjedhin e shesin vota për deputet e për pozita institucionale. Kjo gjendje sigurisht i kurajon dhe grupet e korruptuara, krimin e organizuar, organizatat e dyshimta islamike, shoqëritë civile që vjelin fonde të dyshimta dhe nuk u dihet roli që e ushtrojnë.
Kështu, Ministria e kulturës në vend se të hulumtoj trashëgiminë kulturore e cila padrejtësisht u rrënua nga armiqtë, në mënyrë që Ne ta rikthejmë identitetin tonë kulturorë, ajo është vërë në shërbim të ruajtures së trashëgimisë kulturore të okupatorëve të dikurshëm, duke u marrë me rinovime të kishave serbe-ortodokse, me restaurime të ndonjë Xhamie bejlerësh e pashallarësh apo ndonje Hamami turk. Me këso politikash institucionale rrezikohemi të mbetemi popull pa trashëgimi kulturore. Rrjedhimisht edhe çdo i huaj që viziton apo kryen punët e ngarkuara nga organizatat ndërkombëtare, si ndihmes për tu ngritë në këmbët tona, po mëson për këto `vepra` institucionale.
Akademia, Institutet dhe universitetet, në vend se të prodhojnë ide të çarta, për kulturën, historinë dhe të ushqejnë shoqërinë me dije per një të ardhme të popullit, ca nga ata ende ndahen në përceptime: Cili është identiteti faktik i shqiptarëve dhe sa nënidentitete na lanë okupuesit? A ishin Osmanët administrues apo okupues të tokave shqiptare? A duhet apo nuk duhet …
Në anën tjetër, ca opinionistët dokrragji, gazetarë fallexhinjë e hoxhallarë ekstremistë, kanë arritur ta indoktrinojnë e edukojnë gjeneratën e re dhe një numri të tyre ua kanë kthyer mendjen e zemrën në errësirën e së kaluarës. Degradues që mundëson indoktrinimin dhe edukimin asisoji pa dyshim na dalin dhe ca intelektual që për interesa personale vejnë dijen e tyre në shërbim të së keqes, ashtu që mashtrimi, gënjeshtra, hilet e dredhitë të mos mbeten lakuriq, por të mbështillen me firmën e dijes, duke u bërë servil të politikës, lakmues të posteve apo shërbëtorë të disa prijësve fetar sunnit. Ky soj i personave që unë do i emërtoj “intelektual prostitutë”, për përfitime personale e urdhëra të padronëve, është i gatshëm t`a gozhdoj të ardhmen tonë në shtyllën e së kaluarës, ashtu siç e gozhduan Jezusin në Kryq!
Mungesa e qeverisjes së drejtë me njerëz të dijes, me njerëz të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të popullit, e të gjitha qeverive të dala 13 vitet e fundit; mungesa e përhapjes së mendimeve dhe edukimit me njohuri shkencore; mungesa e paperspektivës së të rinjëve për një jetë normale na kanë prodhuar më në fund edhe xhihadistë e terroristë për Kalifatin Islamik, na kanë prodhuar celula ekstremiste që dëshirojnë të na imponojnë diktaturën e Sheriatit, që mund ta dëmtojnë të ardhmen tonë si popull (mjafton të shihen ca masakra që bëjnë pjestarët e Shtetit Islamik – IS-is në Siri, të publikuara përmes TV stacioneve perëndimore, dhe njohurive se sa qindra pjestarë të atyre formacioneve na janë edhe nga vendi ynë, rreth 40 prej tyre u burgosën këto ditë). Shtrohet pytja: A dinin qeveritë tona prej paslutës e këndej, se po ngriteshin celula vehabiste në Prishtinë e qytete tjera të Kosovës? A dinin se ato celula vehabiste po financoheshin përmes okupuesit të deridjeshëm – Serbisë, me qëllim që ta pengojnë apo çrregullojnë shtetin e Kosovës dhe ta bindin Botën se bëhet fjalë për një shtet islamik të krijuar padrejtësisht? A do ketë dhe kur do ketë përgjegjësi institucionale për krijimin e atyre celulave? Në gjithë këtë vorbull zhvillimesh aspak të parrezikshme nuk i shoh as “celulat servile ndaj Perëndimit” të cilat për interesa meskine janë në gjendje të bëjnë çdo gjë.
Zhvillimet politike
Kosova si një vend i vogël me aq resurse njerëzore; pa industri e ekonomi të zhvilluar, pa investime, me papunësi e probleme sociale te 3/4 e popullsisë, me probleme të arsimit, shëndetësisë; me krim ekonomik e korrupcion të lartë (vendi i 110 në Botë) si një sëmundje kancerogjene; ende ka rreth 25% të territorit ku faktikisht nuk ushtrohet autoriteti shtetëror konform Nenit 1 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me çka rrezikohet të mbetet problem i pazgjidhur apo problem që rrezikon vetë Shtetin.
Pakënaqësitë sociale mund të bëhen burim tjetër i mjaftueshëm për realizimin e qëllimeve të atyre interesave dhe të të gjithë atyre që dëshirojnë që ky vend dhe ky popull të mos jetojë në paqe e mirëqenje as me veten dhe as më tjerët në fqinjësi. Dhe lëvizjet tektonike të tipit “pranvera Arabe” mund të ndodhin dhe tek Ne.
Po dialogu që do vazhdojë bashkë me `Parkun e paqës` te Ura e Ibrit? Po Fundamentalizmi islamik në rritje që rrezikon të ardhmen tonë? E qarkullimi i lirë i njerëzve e mallrave? Po krijimi i Ushtrisë së Kosovës? E fëmijët tanë? Kush vallë do t’u jep përgjigje këtyre pytjeve.
Situata politike, sot: opozitë e `ngrirë` në një bllok dhe `pozitë` pa fuqi pushteti institucional, na del si pasojë e gjithë asaj që u tha. Mbase një qytetar i varfër i pa formuar intelektualisht dhe i indoktrinuar fetarisht (pa dallim përkatësie fetare) nuk mund të bënë zgjedhje sipas bindjes e besimit dhe as ta ruaj e ta ushtrojë pushtetin e votës së tij. Duke mos qenë të bindur kujt t’i ipet vota, edhe mëtutje, rrerth 60% e votuesve nuk arrin ta ushtrojnë të drejtën qytetare të votimit, ajo e drejtë që në tërë botën demokratike është fituar me shumë sakrificë. Nuk e ushtrojnë atë të drejtë sepse janë të dëshpëruar dhe nuk besojnë se vota e tyre do të shkoj tek ata që i votojnë.
Si rezultat të kësaj gjendje, edhe nga ata që votojnë, kemi vazhdimisht shkapërderdhjen dhe humbjen e fuqisë së votës “në parti e partiçka” siç thoshte Sali Berisha. Edhe sot mendoj se partitë politike duhet të rigrupohen sipas ideologjisë politike dhe programeve; edhe sot mendoj se na duhen më pak parti shqiptare, siç pata shkruar edhe para 10 vitesh. Shkapërderdhja e votës ka prodhuar dhe “ngërrçin politik e institucional”. Si pasojë: në njërën anë, kemi fitimtarë të pa fuqishëm me numra, mbase e kanë të vështirë ta realizojnë fitoren zgjedhore, e në anën tjetër kemi `bllokun` që konsideron se e ka të drejtën në anën e vet. Sidoqoftë, të dy palët daljen nga kjo gjendje tashme e kanë në letër, sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese dt. 26 gusht 2014.
Megjithatë, nëse partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit – PDK nuk arrinë të sigurojë shumicën e votave për të konstituuar një Parlament funksional dhe për të zgjedhë një Qeveri me kompetenca të plota, apo nëse nuk arrihen marrëveshje të reja mes shqiptarëve, dalja nga ky ngërç politik e institucional mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të reja Parlamentare. Asnjë shumë parash që do shpenzohej për ato zgjedhje të reja Parlamentare nuk do të jetë barrë aq e rëndë financiare sa dëmi politik e institucional që do i shkaktohet shtetit të Kosovës me këtë gjendje në të cilën është vënë.
Padyshim po u vazhduan këto politika edhe mëtej humbësi më i madh do jetë populli që barti sovranitetin e vet tek reprezentantët e papërgjegjshëm, tek ata që nuk e duan popullin e as vendin. Kurse, fitimtarë do na dalin: Pakica serbe e dirigjuar nga Beogradi, mbase faktorizohet mbi papjekurinë politike të liderëve shqiptarë dhe me kërkesat e reja krijonë mundësi për një “Ahtisari 3”; minoritetet tjera që u ofrojnë mbeshtetje shqiptarëve mbi baza të përfitimeve; islamikët në pushtet edhe pse në numër të pakët që do kushtëzojnë prapë politikën dhe qeverinë, duke ngritë tema për të drejtat e islamit, shamitë, Gjergj Kastriotin – Skenderbeun, Nënë Terezën ….
Po u vazhdua kështu, të paktën para historisë e cila do shkruhet si në kohën e rilindasve dhe para fëmijëve, mbase edhe ata do kërkojnë llogari, nuk do mbeten pa përgjegjësi të gjithë ata protagonistë, të gjithë ata njerëz të mirë të shpërndarë nëpër parti politike e shoqëri civile, por edhe ata ndërkombëtarë që kanë marrë të drejta të veçanta e përgjegjësi për ta bërë Kosoven shtet demokratik e ligjor.