Prishtinë, 02. 09. 2014: (Hyrje) – Poezia e sotme shqipe, e krijuar në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës, kishte raporte të çuditshme me censurën: herë i nënshtrohej asaj, herë e kundërshtonte, por vazhdimisht si hije ishte e përcjellë nga censura. Pas poezisë së viteve ’60, të cilës i dhanë tonin poetë si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., në dekadën në vijim, poezia e krijuar në Shqipëri bëri përpjekje të shkonte përtej; të bëhej zë i subjektit lirik i cili e shihte ndryshe botën. Deri në këtë kohë ky subjekt lirik veten e kishte parë përmes botës, pikëvështrim që me poezinë e të lartpërmendurve ishte kthyer në një klishe letrare, tani kishte ardhur momenti të bëhej e kundërta, pra bota të vështrohej përmes pikëshikimit të subjektit lirik. Kështu, në fillimvitet ’70 nisi të përvijohej një frymë e re që binte ndesh me frymën zyrtare të poezisë që ishte krijuar deri në këtë kohë, por edhe që vazhdonte të krijohej më tej. Poetët që e nisën këtë rrugëtim të ri dhe të cilët u ballafaquan me censurën ishin: Fatos Arapi, Moikom Zeqo, Thanas Dino, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Faslli Haliti, Viktor Qurku, Sadik Bejko etj. Në këtë kohë ka krijuar edhe Zef Zorba, por nuk ka botuar deri në vitet ’90. Kjo poezia, e shkruar në periudhën 1970-1973, është bashkëkohore me poezinë moderne, të krijuar jashtë Shqipërisë, por përpjekja e saj, që të tejkalonte praxisin e poezisë shqipe të deri kësaj kohe, që edhe ia arriti deri diku, ishte fatale, sepse dora e dhunshme e pushtetit e ndërpreu, duke mos e lënë të zhvillohej më tej.
Profili krijues i Moikom Zeqos
Para se të botonte ciklet me poezi moderne në vitet ’70, Moikom Zeqo kishte botuar edhe dy vëllime poetike, “Vegime të vendlindjes” (1968) dhe “Qyteti Feniks” (1970), në të cilat shpërfaqej individualiteti i tij i veçantë krijues, por i cili shpërthen kryesisht në poezinë që e shkruan pas tyre.
Poezia e Zeqos, e shkruar në këtë kohë, shkëputet nga poezia zyrtare së cilës edhe i dhe i kundërvihet; ngjyrat e errëta, ankthi, trishtimi krijojnë atmosferën e këtyre poezive; mitikja dhe modernia gërshetohen, ndërsa imazhet surrealiste, simbolet dhe metamorfozat janë disa nga veçantitë që e shenjojnë poetikën dhe estetikën e poezisë së tij. “Kualitativisht te kjo poezi janë ngjizur në mënyrë të pastër e origjinale tiparet e lirikës bashkëkohore evropiane, kategori estetike të imazhit dhe vizionit spektral, çka e bën këtë poezi të jetë, larg ajrit të vjetruar provincial”, 1 kështu e ka karakterizuar Agron Tufa, poezinë e Moikom Zeqos të viteve ’70.
Dr.Moikom Zeqo, në shtëpinë e poetit amerikan Aaron Page – në vitin 2007.
Zeqo i kthehet mitit kombëtar dhe baladave popullore, ai është poet i bregoreve të detit dhe i limonëve që i stolisin ato; poet i erës së jugut, por edhe i antikitetit. As subjekti lirik i poezisë së tij, po as gjuha, as figuracioni, as harmonia e tij me botën dhe shoqërinë, nuk janë të realizmit socialist. Shkurt, poezia e Zeqos është e krijuar sipas poetikës moderne. Të gjithë përbërësit e saj të çojnë në këtë konkluzion.
Përmbysja e estetikës së realizmit socialist
Në kohën kur poezia, po edhe krejt letërsia shqipe, ishte e mbushur me një fjalor pozitiv, me të cilin shprehej optimizmi për perspektivën e ndritshme të shoqërisë së re, ku hapësira dridhej nga zhurma e zërave të njerëzve, subjekti lirik i poezisë së Moikom Zeqos refuzon komunikimin me jashtë. Ai është një qenie anonime, jeton në një botë të padefinuar, ekzistenca e tij nuk ka qëllim etj.:
Është bota pa emra,
ku ti s’ke emër,
s’di pse ke lindur, ekzistencë pa qëllim.2
Ky subjekt mbyllet në vete, refuzon komunikimin me jashtë; në shenjë mospajtimi me të, por edhe në shenjë vetëmbrojtjeje nga rreziqet që i vijnë prej saj:
Mos më folë të lutem mos më folë!
Fantazma hamletiane më janë fjalët në ëndërr
(Mos më fol)3
Përse mbyllet në vete subjekti lirik i poezive të Moikom Zeqos, në kohën kur shumica e poetëve shqiptarë i këndonin kohës së madhe të partisë, zhvillimit të teknologjisë, arritjeve të reja në industrializimin e vendit? Arsyen e kësaj mbylljeje e zbulojmë përmes dekodimit të fjalorit shekspirian, personazheve të Shekspirit dhe shprehjeve që i hasim në këtë poezi, kryesisht ato nga tragjedia “Hamleti”, si: fantazma hamletiane, kumti i orakujve etj. Pra, Shqipëria e subjektit lirik dhe Danimarka e Hamletit këtu vihen përballë, ndërsa jeta e subjektit lirik të kësaj poezie zhvillohet në analogji me jetën e Hamletit.
Të gjithë e dinë fatin e Hamletit.
Hamleti bir mbreti, student i cili para vetes ka jetën, por që e gjithë kjo shprishet kur atij i paraqitet fantazma e babait të tij të vdekur, e cila i tregon se vdekja e tij nuk ishte e natyrshme. Ashtu si Hamleti, edhe subjektit lirik i poezisë së Zeqos, të gjitha ato që nuk i mëson nga realiteti, i mëson nga ëndrra, kur fjalët i shndërrohen në fantazma hamletiane. Kur i lexojmë këto vargje, nëpër kokë na sillen thëniet nga tragjedia e Shekspirit “Hamleti”: Të rrosh apo të mos rrosh, është çështja; bota që u prish dhe Hamleti duhet ta ndreqë etj. Këtu zotëron një realitet i rremë, i cili, për t’u shprishur, mjafton një shkëndijë; pra është i njëjti realitet me atë të tragjedisë “Hamletit”.
Pra, sikur në tragjedinë e Shekspirit, edhe në këtë poezi, dominon vdekja; kur ajo është regjisore e dramës që quhet jetë, dihet fati i personazheve të saj.
Si përfundim, nëse vepra prej së cilës i ka nxjerrë poeti këto figura që i përmendëm më lart është tragjedi, dihet fundi i subjektit lirik të kësaj poezie. Përfundimi me disfatë, është në analogji me fatin e Hamletit:
Me kafkën time në duar endem,
me ankthin sartrian e them dhe sentencën-
bëj të ringjallem e… abortoj vetveten!4
Në çdo varg të poezisë së Zeqos kemi një përmbysje të estetikës së realizmit socialist. Për subjektin lirik të kësaj poezie, pas ndarjes, “fjalët janë Afërdita të thyera, trena të përmbysur nga shinat” (Mbas ndarjes),5 por ky subjekt është edhe Krisht i fjalës:
Në kishën e artë e të pafund të vjeshtës
unë Krishti i fjalës kryqëzohem tani…
(Vjeshta e dhimbjes)6
Në poezinë e Zeqos, të krijuar në gjysmën e parë të viteve ’70, fjala është një kalë i cili ia merr kohës lëvizjen, për ta dërguar subjektin lirik te dritarja e yllit (Për të mbërritur).7
Subjekti lirik-identiteti
Ndërsa në poezinë zyrtare të kohës subjekti lirik identifikohet me klasoren, në poezinë e Zeqos ky subjekt identifikohet me kombëtaren. Ai botën e sheh përmes identitetit vetjak, i cili është edhe identitet i komunitetit të cilit i takon, identitet i popullit të tij. Shenja me të cilat identifikohet ky janë baladat, qytetet antike, Rozafa, e cila është “metaforë prej guri” etj.: “Metaforë popullore prej guri/ E gjakut tonë dhe jetës” (Rozafa).8
Ky subjekt është i lidhur me emrin e tij; është sa real po aq edhe mitik; lëviz në thellësi (në të shkuarën). Pra nuk është një qenie që lëviz në kohën e madhe të Partisë, nuk lëviz në sipërfaqe, po në thellësi:
Lëviz vertikalisht, emrin s’e jap,
se prapë i dyzuar ngrihem prej ëndrrës
gjigant i nëndheshëm legjende.
(Prej dheu jam)9
Ndërsa vazhdon jetën, ushqimin e merr nga vetvetja, pra është qenie që nuk ushqehet nga e huaja. Këtu “e huaj” mund të konsiderohet ideologjia që ishte në fuqi; ky subjekt lirik ushqehet nga vetja, nga e kaluara e tij, e cila përbën edhe trupin shpirtëror të tij:
Ushqehem për gjithë shekujt që vijnë
duke ngrënë e ripërtypur trupin tim!
(Vetëm)10
Vetmia, trishtimi, mërzia
Ky subjekt është dy herë i izoluar: ai, nga jashtë, jeton në një ishull të largët, por ai në të njëjtën kohë është i izoluar edhe nga brenda, pra dy herë i izoluar. Jeton në ishull, por edhe vetë është një ishull:
Dhe ti thinjesh si Robinsoni,
jo vetëm në një ishull të izoluar të largët:
po dhe brenda vetes tënde mbyllur.
(Shpjegimi i fjalës vetmi)11
I vetmuar si Robinsoni, me ankthin sartrian në shpirt, një fantazmë që sillet hamletiane ja “dekori” në të cilin gjendet subjekti lirik i poezisë së Zeqos. Ky subjekt lirik më shumë është Hamlet dhe Faust, në të njëjtën kohë, por edhe një Robinson i vetmuar:
Në sfond Sahara dhe piramidat
Jam vetëm. Më tmerron vetmia (bile më tepër
se vdekja)
(Kënga e Urës së Qabesë)12
Tonet trishtuese e përcjellin subjektin lirik të poezive të Moikom Zeqos kur trishtimi ishte i ndaluar zyrtarisht:
Ku të futem Trishtim? me lëkurën time
u bëj metaforave një çati!
(Çast në muzg)13
Po ashtu edhe grotesku zë një vend të gjerë në poezinë e Moikom Zeqos. Çamçakezi i reve që mbllaçitet nga yjet ose një botë që mbllaçit vetveten, duke u kthyer në një çamçakëz universal (Çamçakëz),14 ose një kohë e marrëzishme mbyt ditët si Medea fëmijët! (Koha).15 Në një poezi tjetër koha përfytyrohet si një shpend vigan:
Koha është një shpend vigan,
një krah i saj dita, tjetra nata.
Krau, klith – unë i jap mishin tim
ndryshe fluturimi s’vazhdon.
Krau, krau – një skelet në kozmos fluturon!
(Koha)16
Përfundim
Izolimi i letërsisë së krijuar në Shqipëri nga zhvillimet artistike bashkëkohëse jashtë saj, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, ka qenë më i theksuar se në kohën e sundimit otoman apo gjatë periudhës së monarkisë. Fare të paktë ishin shkrimtarët shqiptarë që kishin privilegjin të dalin jashtë shtetit, të takonin ndonjë shkrimtar të huaj, të gjallë, të merrnim në dorë botimet e letërsisë moderne.17 Megjithatë, në bibliotekën e Tiranës kanë ardhur botime të huaja, të cilat mund të lexoheshin me autorizime të posaçme.18
Poezia e tij është shumështresore. Kjo poezi edhe pse edhe sot e kësaj dite nuk është studiuar sa duhet, që në kohën e krijimit të saj është karakterizuar qartë, edhe pse armiqësisht, nga kritika zyrtare: “Tipar themelor dallues i këtyre krijimeve ishte largimi i patosit qytetar, zëvendësimi i heroit të ditës me një ‘un’ individualist, abstrakt e shoqërisht të papërcaktuar. (……) U botuan poezi (…..) me përmbajtje të errët (hermetike) apo pa kurrfarë brendie; filloi të ishte në modë tema e vogël individualiste, tema nostalgjike nga e kaluara e largët (qytete antike, statuja, zhvarrime antike)) etj. tema e mallit të trishtuar (për fëmininë, plazhet, fiqtë e detit, vjeshtën, dashurinë e humbur etj), apo tema filozofike abstrakte (koha, lëvizja, njeriu, jeta, vdekja etj.). disa poezi e humbën lidhjen me realitetin, ato u zhvilluan mbi një plan abstrakt, jashtë kontekstit shoqëror bashkëkohor. (…..) Figura humbiste karakterin konkret dhe lidhjet me logjikën e sendeve; fitoi terren animizmi i theksuar në ndërtimin e tyre”.19Të gjitha ato që kjo kritikë i regjistronte si vese të kësaj poezie, ishin pikërisht virtyte të saj, përmes së cilave krijuesit e kundërshtonin atë zgjedhë që i ishte vendosur artit të tyre. “Është hera e parë që poezia shqipe harmonizohet me koordinatat e bashkësisë së poezisë moderne. Është hera e parë që poezia shqipe universalizohet, duke sublimuar jo vetëm teknikat dhe poetikat e përparuara, por duke artikuluar fuqishëm edhe kredencialet kombëtare dhe shpirtërore”.20 Por ishte grushti i fortë i pushtetit ai që e ndërpreu prirjen moderne të poezisë shqipe, e cila sidomos në gjysmën e parë të viteve ’70 kishte dhënë shenja të fuqishme drejt ngritjes së saj dhe përballjes me letërsinë zyrtare të realizmit socialist.
Pas Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror (qershor 1973) ishte krijuar një atmosferë e rëndë, botoheshin vetëm vargje folklorike ose vjersha të thata për nga figuracioni dhe metaforzmi, sepse pas çdo fjale kërkohej ‘ujku ideologjik’, shkurt poezia ishte kthyer në vargëzim që s’kishte të bënte me poezinë.21
____________________
Literatura e shfrytëzuar:
1. Cituar sipas: Moikom Zeqo, Meduza. “Onufri”, Tiranë 1994, f. 168.
2. Moikom Zeqo, Meduza (Poezi 1970-1974). “Onufri”, Tiranë 1995, f. 12.
3. Po aty, f. 23.
4. Po aty, f. 23.
5. Po aty, f. 42.
6. Po aty, f. 91.
7. Po aty, f. 5
8. Moikom Zeqo, Brenda vetes. “Rilindja”, Prishtinë 1974, f. 13.
9. Moikom Zeqo, Meduza. “Onufri”, Tiranë 1994, f. 80.
10. Po aty, f. 105.
11. Po aty, f. 12.
12. Moikom Zeqo, Brenda vetes, f. 11.
13. Po aty, f. 105.
14. Po aty, f. 62.
15. Po aty, f. 150.
16. Po aty, f. 85.
17. Dr. Anton Papleka, Kodi i metaforave. “Globus R.”, Tiranë f. 108.
18. Po aty, f. 108.
19. Stavri Pone, ”Novatorja dhe pseudonovatorja”, cituar sipas librit “Probleme aktuale të traditës dhe të novatorizmit në letërsinë shqiptare të realizmit socialist”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1975, f. 128.
20. Moikom Zeqo, “Poezia e viteve ’70 në Kosovë ishte ndryshimi më i madh konceptual dhe shkëlqimi më i lartë estetik” (në librin “Pavdekësia e poetit” të Smajl Smakës, botoi “SMS”, Prishtinë 2012, f. 186.
21. Bardhyl Londo, Jeta që na dhanë, f. 184
………………………………………………
Arkeologjia e teksteve të Moikom Zeqos
Qëndrimi i tij për Letërsinë Shqipe të dy epokave
http://www.abcnews.al/speciale/speciale/1/361