ARBËR AHMETI: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT: ORGANIZIMI USHTARAK DHE SHEMBUJ TË LUFTËS SË SAJ(I)

Pashtriku.org, 09. 06. 2012 – (Në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) – Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878, dhe ishte fillimi i organizimit te vetëm mbrëkombëtar që nga koha e Skënderbeut. Rreziku që i kanosej shqiptarëve ishte jashtëzakonisht i madh. Lakmitë e shteteve shoviniste fqinje dhe fitoret e aleatës së tyre Rusisë mbi Turqinë përbënin rrezik për ekzistencën e Kombit Shqiptar. Ministri i jashtëm serb Ilia Garashanin hartoi dokumentin “Naçertania” më 1844, projekt që synonte rritjen e Principatës së vogël serbe në “shtet të madh sllav sipas shembullit të perandorisë së Stefan Dushanit”.
Poashtu edhe Greqia përmes programit të monarkut të saj Jani Koletit, hartoi programin i cili njihej me emrin “Megali Idea”(Ideja e Madhe) që synonte rritjen e mbretërisë së vogël greke në Perandori të madhe helenike me kryeqendër Stambollin. Në bazë të parimeve të këtij programi tërë Epiri deri në Shkumbin, dhe tërë Maqedonia deri në Korçë i takon Greqis. Po ashtu edhe Mali i Zi ëndërronte që për kryeqendër ta kishte Shkodrën, dhe kjo lakmi u tregua qartë me veprimet e Knjaz Nikollës kur vojvodët dhe bandat malzeze me ndihmën e turqve pushtuan Vraninën, ishull me pozitë strategjike në liqenin e Shkodrës i cili konsiderohet si urë për të marrë Shkodrën. Gjatë bisedimeve greko-serbe që u zhvilluan në Stamboll më 1861, Athina dhe Beogradi u pajtuan për ta ndarë Shqipërin mes tyre, madje ato si kufi mes tyre caktuan rrugën e vjetër Egnatia (Durrës-Elbasan-Ohër). Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete këto dy vende vazhdonin qëndrimin e tyre antishqitar.Këtë qëndrim për vitet që vijuan e shtjellon mirë profesori i nderuar Kristo Frashëri i cili në monografinë e tij për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit citon: “Më 1866, kur mardhëniet midis shqiptarëve dhe Stambollit ishin shumë të acaruara sa pritej,siç shkruante atë vit Dora D’Istria,që në rastin më të parë të ndodhin ndërlikim të rënda, Athina dhe Beogradi u vunë menjëherë në lëvizje për të shfrytëzuar momentin në interes të politikës së tyre ekspansioniste. Si më 1845 ashtu edhe tani,më 1866, banda andartësh grek hynë përsëri nga territori i Greqis në Vilajetin e Janinës për të ndezur flakën e kryngritjes antiosmane nën flamurin e Megali Idesë helenike. Në të njëjtën kohë, diplomacia serbe shpresoi se do të shfrytëzonte gatishmërinë e shqiptarëve për kryengritje antiosmane duke i premtuar njërit prej perfaqsuesve të fundit të feudalve separatist, Xhelal Pashë Zogut, krijimin e një shteti Shqiptar liliput në viset e Shqipëris qëndrore.”

_________________________

Më 1867 dy monarkitë ballkanike, Serbia e Greqia u ulën sërish pëball njëra tjetrës për bisedime, rezultat i të cilave ishte Traktati i Aleancës Greko-Serbe, i nënshkruar në Vëslau, i cili parashihte luftën e përbashkët kundër perandorisë Osmane, duke i shikuar Shqiptarët si ndihmesë të shkallës së lartë, por pa dalur jashtë kornizave të parimit të ndarjes së Shqipërisë të vendosur 6 vjet më parë në Stamboll.
Për 4 dekada rresht Lëvizja Kombëtare Shqiptare, punoi me vetëmohim për të vetëdijsuar popullin,dhe të rris gatishmërinë e tij për luftë kundër armikut. Tërë kryengritjet dhe revoltat (mbi 39 sosh) që ndodhën kundër Reformave të Tanzimatit dhe Pushtimit Turk gjatë viteve 1830-70, krijuan përvojën organizative – ushtarake, dhe pjekën kushtet për organizimin mbarëkombëtar që ndodhi më 1878 pë ti dhënë fund shtypjes shumëshekullore dhe tregtisë me tokat Shqiptare. Tërë ajo përpjekje u kurorzua më 10 qershor 1878, kur tërë populli shqiptarë iu përgjigj thirrjes për tu bashkuar në luftë për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës Shqiptare. Historiani amerikan Ferdinand Schevill, në veprën e tij “Ballkani-Historia dhe qytetrimi” për pozitën e Shqiptarëve në shek XIX citon: ”Duke qenë një popull analfabet dhe i paorganizuar, shqiptarët nuk mundën të krijonin një propagandë dhe njihnin vetëm gjuhën e revolës dhe pushkës. Megjithatë ata ishin shumë të aftë në përdorimin e këtyre mjeteve dhe shpesh u përdorën nga turqit meqë kishin të njëjtën fe me otomanët”.
Propaganda e jashtme shumë e mefshtë shqiptare, sillte krijimin e opinionit të gabuar, të ndikuar nga propaganda greke e sllave shumë e zhvilluar, gjë që qonte intelektualë gjer në atë pike sa ta quanin Shqipërinë “shprehje gjeografike”, siç ndodhi me Bismarkun. Përkundër propagandës së jashtme të pazhvilluar, Lidhja kishte propagandë të brendshme mjaftë të fuqishme, e cila ishte fryt i punës së Lëvizjes Kombtare Shqiptare, dhe populli nuk ndikohej fare nga njerzit me poste, apo shërbëtorët të portës, por u besonte trimave dhe mendjeve të shquara që prinin në çdo betej ndaj çdo armiku, u besonte bijve më të mire të kombit që dilnin nga gjiri i tij në ditët më të vështira. Jeta dhe vepra tre vjeçare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), është një nga epopetë më të mëdha të popullit dhe historisë shqiptare, dhe ishte organizimi i vetëm politiko-ushtarak mbarëkombëtar që nga koha e Skënderbeut, madje ajo finalizoi krijimin e kombit Shqiptar. Ajo ishte tregues i vetëdijes së lartë të popullit shqiptar, dhe vullnetit të tij për të jetuar një jetë të lirë dhe të dinjitetshme.
Vendimet dhe planet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit synonin organizimin tërësor të forcës luftarake të popullit shqiptar. Ndër sukseset e Lidhjes është se në kuvendin e saj përballoi me sukses sabotimet e sulltanit, i cili përmes feudalëve vendas mundohej të merrte të drejtën për mobilizimin e forcave luftarake vullnetare të vetëmbrojtjes të cilët nën hijen e flamurit perandorak dëshironte ti dërgonte në Bosnje, dhe ti përdorte për interesa të veta. Po ashtu Lidhja zbatoi masa për të paaftësuar dhe izoluar skemat dhe shabllonet e ngurta organizativo-ushtarake feudale, të cilat ishin pengesë sepse kufizonin si në numër dhe cilësi forcën ushtarake vepruese të Lidhjes. Megjithatë në shumicën e rasteve ata janë vënë në shërbim të Lidhjes, dhe kjo gjë dëshmohet nga procesverbalet e gjygjeve që janë bërë ndaj feudalëve pjesmarrës të Lidhjes Shqiptare, pas shuarjes së saj, ku këta feudal dëshmonin se nuk guxonin të mos bëheshin pjesë e Lidhjes ( flasim për procesverbalet që gjenden në Arkivin e Kosovës dhe të cilat janë studiuar dhe përkthyer).
Synimi i Lidhjes për aspektin ushtarak ishte të bënte organizimin e plotë ushtarakë dhe format e luftimit ti fuste në binarët e veprimtarisë së rregullt dhe ti ngrinte në nivelin strategjik, duke mos harruar format organizative popullore e tradicionale,dhe përvojën e mire luftarake të së kaluarës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e bëri planin e moblizimit dhe parashikimin e numrit të forcave të gatishmërisë që u bë në varësi me shkallën e rrezikut dhe mobilizimin e forcave armike që do të kalonin në agresion, si p.sh. Mali i Zi i cili vuri në gjendje gadishmërie të lartë gjithë forcën ushtarake (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria.
Mirëpo një faktë jo i ditur shumë është se kuvendi i Lidhjes Shqiptare (10 qershor 1878- korrik 1878) kishte ndodhur pas organizimit ne disa zona. E kemi si shembull zonën e Dibrës ku formacionet e ushtrisë jo të rregullt vullnetare Shqiptare u krijuan që në vitin 1877, dhe mbi këtë ngjarje na hedhë dritë Zëvendëskonsulli Anglez Eduard Barker ( Edward B. B. Barker) i cili në raportin dërguar Zotëri Layardit nga Selaniku më 22 shtator 1877 shprehet: “ Kam nderin ti raportoj Ekselencës Suaj se informatat, të cilat i ceka në mënyrë të përciptë në letrën time të dt. 18 të muajit të kaluar nëpërmjet të postës së fundit, u vërtetuan plotësisht. Selim beu udhëheqës, i cili ka pasurinë në Dibër, është angazhuar për të përgatitur trupin prej 4000 vetësh të ushtrisë jo të rregullt vullnetare Shqiptare për të qenë kufitarë në kufirin e Greqisë. Propozimi i tij është pranuar, dhe këta njerëz janë ndarë në 3 çeta prej 1.500, 1.300 dhe 1.200, duke marrë 3 drejtime të ndryshme (…) Këta Shqiptarë (gegë) janë raca më e rreptë e Shqiptarëve, dhe se mu për këtë arsye janë zgjedhur për t’u dërguar kundër invazionit të supozuar grek. (The British Museum, London, Accounts and Papers (37). 1878 LXXXII. 82, 285, 286)”. Si rrjedhoj shohim se Lidhja Shqiptare kishte formacione të gatshme të krijuara, pa marrë parasysh mënyrën e krijimit dhe ideatorin, ato forca kanë kryer detyrën patriotike dhe në momentet e duhura janë futur nën ombrellën e organizimit zyrtar te forcës së Lidhjes.
Ushtria e Lidhjes – Ushtria Kombëtare Shqiptare
Sistemin e plotësimit të rradhëve dhe mobilizimin Lidhja e ngriti në një shkallë më të lartë, të bazuar në kriteret zakonore krahinore dhe mbarëkombtare, pa harruar të servirej me metodat e përdorura në vendet e tjera. Lidhja vendosi kritere normative dhe rregulluse (“Kanuni i Lidhjes”-1 korrik 1878), duke krijuar një varg organesh për këtë qëllim (Komiteti i Lidhjes, Komiteti i Luftës apo siq quhet ndryshe Komiteti i Mbrojtjes). Mobilizimi shtrihej në popullsinë e Shqipërisë pa përjashtime. Hapi i parë i Lidhjes në këtë drejtim ishte regjistrimi i popullsisë, qëllimi i të cilit ishte që të dihej saktësisht numri i njerëzve të aftë për të mbajtur armë. Dëshmi janë raportet e konsullit austro-hungarez Lippih i cili nga Shkodra i raportonte më 20 korrik 1878 qeverisë së tij se komitetet e Lidhjes Shqiptare ne sanxhaqe, siç citonte ai, “po punojnë me zell për regjistrimin e të gjithë burrave prej moshës 15-70vjeç, pjesërisht për ti inkuadruar në milicinë efektive,pjesërisht për ushtrinë e saj rezervë”.

Ymer Prizreni

______________________________

Dëshmi tjetër për këtë është edhe një dokument tjetër i nxjerrë nga Lidhja i cili nëpër dokumente gjendet me emrin Talimat (rregullore, udhëzim, instruksion, Dekretligj), i cili ne Nenin III shprehet: “Çdo rreth (kaza) do ti marrë masat një orë e më parë dhe do ta hetoj numrin e njerëzve që janë të aftë ti përdorin armët, dhe ti dërgojn si ushtarë të rregullt, atje ku ta lyp nevoja, sipas urdhërit të kshillit qëndror (K.A. Dako, Liga e Prizrenit, Bukuresht,1922. A.K. Fondi L.P. fot. Nr. 1)”.
Lidhur me këtë përcaktohet me rregullore se kushdo që të jetë dhe pa marrë parasysh cilit besim e krahinë i takon, detyrohej ti përgjigjej në kohë thirrjes së atdheut. Rregull shumë e përdorur e mobilizimit ishte “një luftëtar për shtëpi”, mirëpo në raste të jashtëzakonshme në krahina kufitare, numri arriti edhe në “tre burra për shtëpi” e madje edhe gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, siç ndodhi në Malsinë e Madhe. Sipas regjistrimit që bëri Lidhja, në gjitha viset ky plotësim përfshinte rreth 260’000 veta, që ishte baraz me 15-16% të popullsisë.Vilajeti i Kosovës me Shkupin, Manastirin dhe rrethet nxirrte rreth 130’000 luftëtarë. Vilajeti i Janinës përfshirë Beratin, Prevezën,Artën, së bashku me rrethet e tyre arrinin shifren 70’000 luftëtarë. Shkodra me Shqipërinë e mesme deri në Ohër do të jepte deri 60’000 luftëtarë(Gazeta Ushtria).
Ndërsa prof. dr. Kristo Frashëri kur përmend dispozitata e Talimatit (Urdhërsë/17 qershor 1878) në të cilat Kuvendi i përgjithshëm synon të ngrijë në këmbë ‘një ushtri të rregullt të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme’ citon: “Forcat ushtarake të Lidhjes do të përbëheshin nga ushtarë të mobilizuar, të cilët do të qëndronin në frontin e luftës, dhe nga ushtarë rezervë , të cilët do të rrinin në gatishmëri pranë shtëpive të tyre. Si bazë territoriale për ushtrinë do të shërbente sanxhaku, kurse nga pikpamja operative, të gjitha repartet do të vareshin nga komiteti qëndror. Kuadrot ushtarake do të caktoheshin nga instancat eprore, por do të miratoheshin nga popullsia e bazës territoriale të repartit (nenet 2-15)” Sipas “Talimatit” njësia bazë ishte kompania prej 100 vetash me në krye një Kapiten. Do të kishte kompani këmbësorësh dhe kalorësish, të inkuadruar në batalione prej 500 vetash me në krye një Major. Disa batalione do formonin një regjiment (brigadë) me 2’000-2’500 luftëtarë të komanduar nga një Kolonel, ndërsa dy regjimente me rreth 5’000 ushtarë do krijonin një divizion të komanduar nga një Gjeneral (Kapedan). Njësia më e lartë do të ishte korparmata që do mbulonte një front luftarak, e cila do përbëhej nga një numër i caktuar divizionesh sipas rëndësisë së frontit.
Përshkrim edhe më të plotë të organizimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare na jep Xhafer Belegu ne verpën e tij kur citon dokumentet e botuara ne “Liga e Przrenit” të Kristo Dakos publikuar me 1922 në Bukuresht. Në pikën e 19 ku flitet pikërisht për organizimin ushtarak thuhet: 19) Në çdo vend ushtria do të ndahet në kompani; çdo kompani do të ketë 100 burra e do të komadohet prej nji kapidani, nji nëntogeri 5 aspirantave, 10 rreshtereve dhe nji llogaritari. Nji batalion formohet prej 4 kompanive këmbësorësh dhe nji kompanie kalorësish nën urdhërin e nji majori. Do të ketë nji imam, nji sekretar dhe në rasë nevoje dhe nji flamurtar. Nji batalion do të ketë 500 vetë, 4 bataliona do të komandohen prej nji kolloneli, e nji nënkolloneli me nji sekretar. Për çdo dy regjimente do të ketë nji gjeneral brigade… ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 38/ Trianë 1939) Moblilizimi u planifikua dhe u krye në periudha kohe të shkurtëra nga një deri dy javë, e në raste të jashtzakonshme edhe brenda 3-5 ditësh, siç është rasti i mbrojtjes së Hotit dhe Grudës(prill 1880).
Kufitarët e Lidhjes, Sistemi i Gatishmëris
Shifrat e mëposhtme janë të nxjerra nga studimi i dy ushtarakeve shqiptar me teme studimi “Çështje ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” . Sipas këtij studimi Lidhja planifikoi 25’000 luftëtarë për ruajtjen e kufirit shqiptar. Drejtimin Mal i Zi-Shkodër me 50-60km gjatësi forcat e ruajtjes apo mbrojtjes arrinin në 5000-6000 luftëtarë, dhe ishte drejtimi më i rrezikuar për shkak të mobilizimit të tërësishëm të Malit të Zi. Për ruajtjen e kufirit në drejtimet verilindore dhe lindore, përballë Serbisë dhe Bullgarisë, me gjatësi deri 200 km, u caktua një forcë prej 6000-7000 veta. Në drejtimin jugor, sektori i Prevezës dhe Artës, rreth 30-40 km i gjatë u parashikua ta mbronin forcat ekzistuse shtetrore, sepse eprorët dhe ushtarët ishin Shqiptarë dhe Valiu apo autoriteti i Portës së Lartë nuk kishte ndikim mbi ta si pasojë e dezertimeve që ndodhnin, por rasti i Vilajetit të Janinës qe diqka e veçantë sepse forcat ushtarake turke, që ishin të mbushura me Shqiptarë nuk patën nevoj të shpërbëhen për shkak të dezertimit, sepse ato u futën si tërësi organizative nën pushtetin e Lidhjes.
Forcat e ruajtjes dhe gadishmërisë morën forma të formacioneve të rregullta, dhe pikat e përqëndrimit i kthenin në kampe ushtarake, ku bëhej përgatitje dhe stërvitje ushtarake, pajisej, furnizohej dhe organizohej trupa etj. Sistemi i gatishmërisë i planifikuar nga “Komiteti i Luftës” (diku paraqitet edhe Komiteti i Mbrojtjes) i Lidhjes Shqiptare, kishte koordinuar futjen e veprimit të forcave sipas radhëve të caktuara. Duke u varur nga veprimet e kundërshtarit dhe largësisë së rajonit të grumbullimit të forcave, kategorizimin e rradhëve sipas studimeve të eprorëve të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë e bënë kështu:
– Të rradhës së parë ose sigurimit luftarak;
– Të rradhës së dytë ose forcat e mbrojtjes fillestare; dhe
-Të rradhës së tretë ose të mbrojtjes së plotë, rezervat apo përforcimet e mbrojtjes (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit).
– Forcat e rradhës së parë dilnin prej popullsive të rajonit kufitar, në brez kufitar të thellë 10-20 e më tepër kilometra. Ato nuk arrinin arrinin numër të lartë të luftëtarëve, për sektore shifrat e mobilizimit të forces luftarake vullnetare arrinin në nivelin e batalionit (200-500 luftëtarë). Në Plavë, Guci, Hot, Grudë dhe Ulqin për secilin sektor numri i forcës së armatosur arrin 300-400 vullnetarë. Në gjithë vijën e kufirit me Malin e Zi, numri i këtyre forave vullnetare të dala nga rradha e parë arrinte në 2500-3000 luftëtarë.
– Rradha e dytë përbëhej nga forcat e zonave më të thella të vendit, në një distance nga brezi kufitarë që fillonte nga 20km dhe shkonte deri në 80 km në thellsi.Krijimi i formacioneve të rradhës së dytë bëhej me urdhër të udhëheqjes qëndrore të Lidhjes.

_______________________________

____________________________

– Rradha e tretë ose forcat e mbrojtjes së plotë, rezervat dhe përforcimet e mbrojtjes, plotësohej nga forcat që vinin nga zonat më të thella të vendit. Të tilla ishin Dibra, Mati, Kavaja, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora etj. Disa nga grupimet apo formacionet e kësaj kategorie përbënin rezervat e mirfillta strategjike, të cilat parimisht do të përdoreshin si përforcime për formacionet e rradhës së dytë, dhe plotësim në forcat mësymse. Parashikohej se me rastin e luftës në veprim të forcave të rradhës së tretë raporti i forcave rritej së tepërmi. Sipas disa përllogaritjeve të përafërta,raporti do të arrinte në 1.5me1(1.5:1) ose më tepër në favor të Lidhjes Shqiptare, duke llogaritur vetëm forcën e gjallë, pa u llogaritur bateritë e artilerisë që parimisht në ato kohë një grykë topi rrahte 10 veta, pavarsisht se kjo qëndronte vetëm në teorin ushtarake sepse shpërndarja e forcave dhe vendosja e tyre në terren i pamundësonte artilerisë të bënte dëme të konsiderushme përveqse në rastet e mësymjes, kur forcat ekspozoheshin.
Forcat Mbrojtëse dhe Kundër – mësymse
Sistemi ushtarak i Lidhjes, duke u orientuar nga forca vullnetare dhe duke pasur mbështetje ekonomike të dobët, nuk mundi të formonte një ushtri të rregullt e të përhershme. Sipas programit të Lidhjes u realizua vetëm mobilizimi, plotsimi dhe organizimi pjesor për të kundërvepruar në drejtimet e kërcënuara e të veçanta(Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria). Po në të njëjtin dokument të përmendur më parë, lidhur me organizimin e trupës në terren dhe përbërjen e saj thuhet si më poshtë: 6) Prej Jenipazarit (Treut të Ri) do të formohet nji ushtri e pëtbërë prej 20000 Shqiptarësh .7) Në Kosovë do të formohet nji ushtri prej Shqiptarësh e cila do të mbrojë viset prej Mitrovice deri në Gillan ; Kjo ushtri në këto Krahina do të bashkohet me atë të shkupit dhe numri i saj do të arrij deri më 70’000 shiprtë. 8) në Shkup do të formohet nji ushtri e cila duke u-bashkue me ate të Kosovës, do të shkojë në Pallanka dhe në Vrajë… ( Xhafer Belegu – Lidhja e Prizrenit, fq. 39/ Trianë 1939).
Ndërsa në lidhje me organizimin ushtarak në pjesët Jugore të Shqipërisë, ky sektorë nxirrte mbi 70’000 burra nën armë. Madje Lidhja e projektoi një forcë e cila do ishte e gatshme për çdo rast. Kjo forcë do mblidhej nga kryetarët dhe anëtarët e degëve të Lidhjes. Personat që do kontribonin në organizimin e kësaj force ishin: Mustafë Pashë Vlona Kryetar i degës së Vlorës 10’000 shpirtë, Mehmet Ali Pashë Vrioni kryetar i degës së Beratit 3000 shpirtë, e anëtarët Hasan Bej Vrioni, 1000, Ymer Beu i Kahreman Pashës 3000, Telha Situmi 500, Emin Telha Beu 1000, Zeqi Hysen Plenotniku 5000, Rrustem Celo Picari 1000, Sabri Bej Gjata 1000, Hysen Beu 1000, Mehmet Beu 1000, Baba Mustafai 5000, Demo Likoja 500, të gjithë anëtarë të Lidhjes së Gjinokastrës, Baba Hysen Mamlia 5000, Myslim Ago Vasjari e të vëllaznit 3000, Latif Zeqi 1000, Kaso Tefiku 500, Osman Tahiri 1500, Ibrahim Bej Dragoti 2000, të gjithë anëtarët e Lidhjes në Tepelenë; Ahmet e Daljan Bej 5000, Abdyl Bej Frashëri 1500, Ymer Metko nga Luzati 500, Ismail Bej Velishti 500, Nexhip Aga 500, të gjithë anëtar% të Lidhjes në Përmet, Jahja Bej Zavalani 300, Iljaz Be Kolonja 3000 të Kolonjës; Myslim Gjoleka prej Kurveleshit 2000. Çamëria u zotue në rastë nevoje me ngritë 10000 burra. Me kto fuqina do të bashkoheshin edhe 4000 ushtarë shqiptarë të ushtrisë turke n’Epir e Thesali…. ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 149/ Trianë 1939).
Duke parë këtë program, të hartuar nga Lidhja, në bazë të parimit të vullnetarizmit, me suksesin e arritur në vetëdijsimin e Popullit, Ushtria Kombëtare Shqiptare do përbëhej nga “180’000 burra me 38 batalione (142000 kambësor dhe 38000 kalorës)”(Xh. Belegu-Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq.39/ Tiranë 1939). Por në mungesë të mjeteve ky program nuk u arrit të plotësohej tërësisht, dhe efektivi i vërtet i forcave ushtarake të Lidhjes nuk i kaloi të 25 mijë luftëtarët në tërë trojet e Shqipëris veri-lindore, dhe të 30 mijë luftëtarët në Shqipërinë e Poshtme. Nga këta vetëm disa mijëra u ndeshën (midis 10-15 mijëve) u ndeshën frontalisht me armikun në disa pika, në veri e veri lindje, ndërsa të tjerët u mbajtën rezervë ose në gatishmëri (Ligor Mile- Rreth Oreganizimit Politik, Pushtetor dhe Ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/Artikull).
Në përshtatje me mundësitë e mësymjes së armikut nga disa drejtime e gjithë fuqia e armatosur e Lidhjes sipas urdhëreses së saj do ndahej në pesë korpuse. Këto grupforca të mëdha ndërkrahinore të quajtura korpuse (ushtri krahë) ndahen: Korpusi i Kosovës, i Tregut të Ri, i Shkodrës, i Shkupit dhe ai i Janinës dhe këto ishin struktuarat më të avancuara të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për shkak se ofronin mundësinë e mësymjes. (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria).
– Korpusi i Kosovës do mund të përbëhej prej 70 mijë vetash. Ai do të kishte si detyrë të mbrohej ndaj mësymjes serbe, kurse në kuadrin e veprimeve mësymse për çlirimin e tokave të pushtuara prej Serbisë do përbënte forcën kryesore. Gjithashtu do të ndihmonte korpusin e Shkodrës dhe Tregut të Ri në luftën kundër Malit të Zi, dhe kjo gjë ndodhi madje z. Kirby Green i shkruan Kontit Granville më 29 korrik 1880 nga Shkodra i cili tregonte mbërritjen e një kontigjenti vullnetarësh nga Prizreni dhe thotë: “ …duke ju lajmëruar ardhjen e një kontigjenti vullnetarësh nga Prizreni, kam nderin t’ju raportoj se kjo forcë si thuhet përbëhet prej afro njëqind vetash nga çdo krahinë kryesore e Vilajetit të Kosovës, dhe se, ajo vjen si një lloj premtimi shqiptarëve të veriut pse Shqipëria Verilindore do t’i ndihmojë me gjithë forcë në momentin e nevojshëm.” (Public Record Office, London, F. O 195/ 1303) The British Museum, London, Accounts and Papers (43) 1880. LXXXII. 82, 582-583)
– Korpusi i Tregut të Ri do formohej nga 20’000 veta dhe përbënte forcën ndihmëse e përforcuese ndaj Malit të Zi dhe Serbisë.
– Korpusi i Shkupit përbëhej nga 40’000 veta dhe do merrej me mbrojtjen në drejtimin strategjik lindor.
– Korpusi i Shkodrës mund të arrinte deri në 60’000 luftëtarë por natyrisht duke u plotësuar nga rrethet e Tiranës, Elbasanit, Matit, Ohrit, Dibrës etj. Përbënte forcën kryesore për mbrojtjen dhe kundërmësymjen në drejtimin strategjik verior përballë Malit të Zi.
– Korpusi i Janinës formohej nga 25-30 grupe luftëtarësh që llogariteshin afërsisht 70’000 veta. Kishte për detyrë mbrojtjen ndaj agresionit grek.
Numri i njësive të secilit korpus ishte i ndryshëm. Në Korpusin e Kosovës dhe Janinës mund të formoheshin 15-18 regjimente(brigada) këmbësorie, në atë të Shkodrës prej 14-15 regjimente këmbësorie, në të Shkupit 8-9 regjimente dhe në atë të Tregut të Ri 5-6 regjimente këmbësorie. Korpusi si njësi strategjike mund të plotsohej në varësi me situatat. Duke i pasur këto struktura, në rastet e mësymjes do të bashkoheshin Korpuset që kanë përputhje të terrenit mes vete. Si shembull mund të marrim Korpusin e Tregut të ri të përbërë prej 20’000 trupash. Ai ishte si force përforcuese në rast mësymje, dhe mund të përforconte Korpusin e Shkodrës në rast ofensive ndaj Malit të Zi dhe Korpusin e Kosovës në rast ofensive ndaj Serbisë. Natyrisht që korpusi si njësi operative është shumë efektiv dhe funksional në mbrojtje, ndërsa në rast ofensive, korpuset do operonin të ndara në regjimente dhe divizioni, për arsye si të tilla do ishin më operacionale dhe efektive në terren në rrethanat e mësymjes.
Për mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe Hotit e Grudës u plotësuan 2-3 regjimente apo afërsisht një division në secilin drejtim. Formacionet e plotësuara në gjitha drejtimet marrur së bashku arritën afërsisht 40’000 veta prej të cilëve 9’000-10’000 në Plavë e Guci, deri 12’000 në Hot e Grudë, rreth 3’000 në Ulqin, 5’000 në Janinë, po kështu 7’000-8’000 në vitin 1881 në luftën kundër osmanve. Korpusi dhe njësitë taktike të hyra në varësi të tij ishin të përkoshme. Ato mund të plotësoheshin e të qëndronin në këto përmasa aq kohë sa do të zhvillohej lufta dhe me efektiv të zvogluar për periudhën sa do të vazhdonte kërcënimi dhe duhej mbajtur gatishmëria luftarake në drejtime të caktuara. Efektivi i regjimentit të përkohshëm (që do të plotësohej) do të ishte 2’000 veta ndërsa i divizionit 4’000 veta, në rast të ngutshme efektivi i njësive të plotësuara do të ishte më i vogël, i batalionit 200 dhe i regjimentit më i ultë se 2’000. Këtu shihet se Lidhja ka vënë themlet organizativo-ushtarake të rregullta dhe përgatitje e drejtim ushtarak me baza shkencore. (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria).
“Organi më i lartë i Lidhjes ishte Seksioni i Finanacave dhe Mbrojtjes i cili mori formën e një këshilli dhe Shtabi ushtarak madhor i cili si i tillë veproi deri në shtypjen e Lidhjes. Seksioni i mbrojtjes ishte ngarkuar me detyrat e hartimit të planeve dhe urdhrave për mobilizim të formacioneve të armatosura, të organizimit dhe kontrollit të gatishmërisë, dhe drejtimin veprimeve luftarake strategjike.” (Po Aty -Gazeta Ushtria). Ky organ kishte kryetar Sylejman Vokshin (kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes), pak anëtar dhe personelin. Edhe pse ishte organ i udhëheqjes qëndrore të Lidhjes mbeti në nivelin e grupit drejtues operativ. Organe drejtuese në shkallë më të vogël ishin “Komietet Mbrojtëse” të degëve të Lidhjes në sanxhaqe. Komitetet që paten funksione kryesisht ushtarake morën përsipër barrën e organizimit dhe drejtimit të luftës mbrojtse.
Doktrina e Mbrojtjes
Thelbi i konceptit strategjik që përcaktoi Lidhja, pëbënte kryesisht idenë e luftës mbrojtse dhe çlirimtare. Tipari kryesor mbrojtës do të ishte mbrojtja me këmbëngulje e çdo pëllëmbe toke. Për rrjedhoj skena të luftës do të bëheshin krahinat buzë kufirit dhe ato të afërta. Në kuadër të luftimeve mbrojtëse, përpos asgjësimit të forcave armike që mund të futeshin në brendësi të tokave Shqiptare, Lidhja parashikonte të ndërmerrte edhe veprime kundërmësymse, gjë që do të tregonte se mbrojtja nuk do të ishte aspak pasive mirpo plotësisht aktive. Duke qenë aktive në terren Lidhja do karakterizohej nga “vrulli dhe dinamizmi, nga tendenca për t’ia rrëmbyer iniciativën armikut dhe për ta mbajtur atë vazhdimisht për vete”. “Veprimet kryheshin ditën dhe natën, në mënyrë të fshehtë dhe të befasishme, dhe karakterizoheshin në veprime me reparte, nënreparte e deri në grupe të vogla, nga luftimi i afërt me armë zjarri dhe të ftohta, deri në luftimin trup me trup”. (Kadri Cenolli- Arti Ushtarak në Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren/Artikull ) Kolonat në mësymje shfrytëzonin terrenin, dhe gjatë sulmit përhapeshin në terren përgjat kurrizeve malore, pllajave dhe pjerrësive duke sulmuar me vrull armikun nga lart.Në mbrojtje formacionet e luftimit ndërtoheshin të thella, duke i vendosur forcat të shkallëzuara në një ose disa skalione, por gjithmonë duke mbajtur rezerva. Skalionet e dyta dhe rezervat përdoreshin për dhënien e kundërsulmit që zhvillohej gjithmonë nga lart poshtë (K.C.- Po aty ). Në përshtatje me terrenin, Lidhja Shqiptare, si veprimet ushtarake mbrojtëse edhe ato kundër-mësymse i kreu në praktikë me drejtime apo vija strategjike. Drejtimet strategjike kryesore të veprimeve luftarake ishin Mal i Zi-Shkodër, Mal i Zi-Rrafsh i Dukagjinit, Serbi-Tregu i Ri, Serbi-Fushë Kosovë dhe Greqi-Çamëri. Planet mbrojtëse të përpiluara me kujdes dhe nga ushtarakë të regjur paraqiteshin në programet politike e ushtarake të Lidhjes si në nivelin e udhëheqjes qëndrore ashtu edhe në ato të udhëheqjeve të degëve kryesore të Lidhjes (Komitetet që u vendosën pranë sanxhaqeve).
Mbrojtja e tërsisë territoriale të tokave shqiptare u vë në plan të parë në planet strategjike që hartoi Lidhja. Madje Lidhja krijoi edhe një forcë të llojit të Reagimit të Shpejtë që do ndërhynte menjëherë në drejtimin e sulmuar, pa pritur thirrjen për mobilizim që do bënin Komitet e Mbrojtjes pranë Sanxhaqeve. Këto forca u krijuan me vendim në fund të vitit 1878 dhe do përbëheshin nga tri brigada në krahinën e Matit dhe 5-6 brigada në krahinën e Dibrës (Kadri Cenolli- Arti Ushtarak në Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren/Artikull). Ndërsa menjëherë pas mbrojtjes së trojeve shqiptare si detyrë në planet e Lidhjes hynte çlirimi i tokave të pushtuara më parë, siç janë tokat e shpopulluara dhe pushtuara të Kosovës veriore e verilindore nga principata serbe dhe atyre të pushtuara nga Mali i Zi. Secila grupforcë (korpus) do mbronte e kundërsulmonte në drejtimin e caktuar në një front të gjerë prej 100 e më shumë kilometrash. Poashtu sipas planeve të Lidhjes u planifikua një mbrojtje në një front të përgjithshëm rreth 500-600 km të gjatë, vijë fronti e cila nuk kishte gjasë të mbulohej me forca në tërë gjatësinë e saj, për shkak të terrenit malor të ashpër e shumë të thyer, por natyrisht nuk ekzistonte as frika dhe mundësia e sulmit të armikut në një vijë të tillë.
Në këto plane strategjike të Lidhjes natyrisht shqyrtohej edhe vendosja e trupave në terren dhe në rajonet e duhura e sa më afër sektorëve të mbrojtjes. Rajonet e përqëndrimit të forcave kryesore shtriheshin në një brez kufitar të thellë që fillonte rreth 20 km pas vijës kufitare dhe nuk kalonte më thell se 50 km. Rajonet e grumbullimit të korpuseve veriore ishin: Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Mitrovica, Tregu i Ri dhe Shkodra, ndërsa në Jug ishin Janina, Preveza, Arta etj. Sipas planit strategjik të lidhjes organizimi dhe veprimet e shpejta të mbrojtjes me forca të mjaftueshme realizoheshin në një afat kohor të shkurtër prej 1-4 ditë.
Në aspektin e kundërmësymjeve të forcave të Lidhjes, ajo në fund të vitit 1880, parashikoi çlirimin e viseve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi para vitit 1878, duke specifikuar në programin politik e strategjik se nëse Serbia nuk do ti lëshonte trojet e pushtuara prej saj, atëherë ndaj saj do ndërmerreshin ekspedita ushtarake deri në çlirimin dhe zbrazjen e atyre viseve. Në të njëjtën mënyrë do të veprohej edhe ndaj Malit të Zi (Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri, Nënkol. Ahmet Leka-Ceshtje ushtarake te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit/Gazeta Ushtria).
Për tu arritur një gjë e tillë Qeveria e përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit hartoi një plan strategjik në bazë të të cilit për tu realizuar kundërmësymja për çlirimin e tërë viseve veriore dhe verilindore (këto të fundit ishin ende nën administratën turke) të Shqipërisë duheshin krijuar dy grupforca të mëdha me nga 40’000 ushtarë dhe një rezervë prej 20’000 vetash. Ky operacion i madh do fillonte me veprimin e dy grupforcave, njëra e përbërë prej 12’000 vullnetarësh që do marshonte në drejtimin Fushë Kosovë-Shkup-Manastir dhe tjetra njësi operacionale në drejtimin Dibër-Ohër-Manastir, gjë që do të shthurte administratën turke nga këto pjesë e sidomos nga Shkupi ku do fitohej përparsi se do mbyllej mundësia e një ekspedite turke të befasishme(pasi portat për hyrje në Kosovë konsiderohen Shkupi dhe Presheva) dhe njëkohësisht do krijohej mundësia për përballimin e ekspeditave turke në Shkup apo përgatitja e mbrojtjes në grykë të Kaçanikut (pa harruar të sigurohet lugina e Preshevës pasi shumëherë ekspeditat ndëshkimore turke janë ndarë në dy pjesë duke qarë drejt Rrafshit të Kosovës përmes këtyre dy drejtimeve).
Në anën tjetër forcat vullnetare të Kosovës në bashkëveprim me popullsinë e Tregut të Ri dhe Shkodrës do mësynin në drejtimin Shkodër-Podgoricë për të çliruar Ulqinin dhe Podgoricën nga pushtimi Malazez. Këto plane kundërmësymse që Lidhja i hartoi me një kujdes dhe seriozitet të veçantë nuk u realizuan për shkak të ngjarjeve të mëvonshme. Pengesë kryesore ishte sundimi osman edhe pse në pjesën më të madhe të vendit ishte i paralizuar përshkak të strukturave paralele dhe fenomenit të mbylljes së forcave turke nëpër kazemrma që ruheshin nga luftëtarë të Lidhjes. Po ashtu një ndër shkaqet janë edhe forcat reaksionare, shabllonet organizativo ushtarake feudale që në momente të caktuara me dredhi çorientuan dhe penguan forcat e Lidhjes për organizimin e mbrojtjes ndaj forcave osmane (Prill 1881).
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura