GJOKË DABAJ: ZOTËRINJ TË PERENDIMIT, KJO ËSHTË LUFTË ME ZJARR – NUK ËSHTË ‘LUFTË E FTOHTË’!

Durrës, 07. 09. 2014: Po dëgjohet gjithandej që “rifilloi Lufta e Ftohtë”. Rusia e pushtoi, e aneksoi Krimenë, bëri “Anshlucin” në Krime dhe kjo merret si “shenjë” që “rifilloi Lufta e Ftohtë”. Rusia thuajse e ka pushtuar, ose faktikisht e ka pushtuar Ukrainën Lindore, me “logjikën” që: “Ka edhe atje rusë”. “Ka rusë edhe në Ukrainë, prandaj ajo copë e Ukrainës duhet të jetë pjesë e shtetit rus.” Rusia, me po këtë “logjikë” nesër, pa u gdhirë mirë, do të mund të pushtojë edhe Moldavinë, ku gjithashtu ka një numër rusësh. Kolonistë apo jokolonistë, Rusia as që do t’ia dijë. Rusia mund të thotë që edhe në ndonjë nga shtetet e vegjël pranë Baltikut jetojnë nja 100 mijë rusë. Kolonistë apo jokolonistë, Rusia as që do t’ia dijë.
Me gjuhën që përdorej para disa dekadash, të këtillë veprime të Rusisë do t’i emërtonin si veprime IMPERIALISTË. Por sot nuk duan ta përdorin këtë shprehje, sepse do të na dilte që edhe SHBA-ja është një shtet imperialist, do të na dilte që edhe disa shtete të Evropës janë shtete imperialistë e kështu me radhë: Kina, Japonia, i quajturi Kalifat i ISIS-it, kushdo që e ndien veten sado pak të fuqishëm. A e patë çfarë harte kanë bërë ISIS-ët? Një imperializëm i mirëfilltë.

Samiti i NATO-s në Uells…

E gjithë kjo nuk është kurrsesi një “Luftë e Ftohtë”. Kjo është LUFTË E NXEHTË! Është luftë me zjarr: me tanke, me topa, me avionë, me raketa, me hanxharë, me thika.
Si “argument” propagandistik, mbushamendës, përdoren kryesisht 2 mjete për të mobilizuar mendjet naive të turmavet pa tru:
– Religjioni dhe
– Kombi.

Besimi në Zot, ashtu si ta duan udhëheqësit, dhe përkatësia nacionale, e fryrë me shovinizëm. Ndaj të 2-ja këtyre bindjeve, ndaj të 2-ja këtyre edukatave, turmat janë veçanërisht të ndijshme. Madje, jo vetëm turmat pa tru, por, krejt natyrshëm, edhe pjesët më të mençura të popujvet, dhe kështu bëhet i mundshëm MANIPULIMI.
Arsyet e vërteta, ndërkaq, janë thjeshtë MATERIALE. Kapitalistët kërkojnë pasuri e para, ata që ëndërrojnë për t’u bërë kapitalistë, kërkojnë rrugë për të vënë pasuri e para, në fund, krejt popullata kërkon të jetojë me sa më pak mundime. Së këndejmi kultivohen edhe FANTAZIRAT: “Të mos ishin këta që flasin gjuhë tjetër dhe që i luten Zotit ndryshe, do të jetonim më mirë. Ta kishim edhe këtë pjesë të planetit, do të jetonim më mirë. Ta kishim këtë bregdet, t’i kishim këta ishuj, t’i kishim ne në zotërim këta burime nafte.” Vjen puna që LUFTA IMPERIALISTE bëhet jo vetëm “e arsyeshme”, por edhe E DOMOSDOSHME.
Dallimi midis kësaj lufte dhe “Luftës së Ftohtë” është shumë i madh, por argumenti kryesor, që e pat bërë të pranueshëm përdorimin e kësaj shprehjeje, ka qenë se: BLLOKU KOMUNIST NUK DO TA SULMONTE KURRË I PARI BLLOKUN KAPITALIST. Kur ke përballë një armik që nuk të sulmon me armë i pari, vetëkuptohet që e ke shumë lehtë të zhvillosh një “luftë të ftohtë”.
Që Blloku Komunist, për aq sa ishte i tillë, nuk do të sulmonte me ushtri ndonjë vend të Bllokut Kapitalist, kishte 2 motivime, 2 arsye kryesore.
Motivimi i parë, arsyeja e parë, ishte se në teorinë marksiste-leniniste ekzistonte PARIMI I MOSEKSPORTIMIT TË REVOLUCIONIT. Komunizmi do të propagandohej, do të ndihmonte në krijimin e partivet komuniste në vendet kapitaliste, do të bënte propagandë kundër rendit kapitalist, do të pajisej me armatim e ushtri “të pathyeshme”, por ajo ushtri do të përdorej vetëm për vetëmbrojtje.
Në vitet e Revolucionit të Tetorit, V.I.Lenini i dha urdhër ushtrisë të mos përparonte më tutje, ndonëse, me atë vrull, ajo e kish mundësinë ta merrte edhe Poloninë, ku nuk aspirohej për komunizëm. Në vitin 1936 Bashkimi Sovjetik për një kohë të gjatë nuk i ndihmoi me ushtri luftëtarët prokomunistë të Spanjës. Vetëm nga fundi u dërguan disa avionë me pilotë sovjetikë. Në Luftën e Dytë Botërore, Ushtria e Kuqe marshoi drejt Perendimit, me qëllim për të zbrapsur e për të asgjësuar ushtrinë hitleriane, si dhe për t’i ndihmuar ushtritë nacionalçlirimtare që udhëhiqeshin prej komunistëvet vendorë. Pra, nuk sulmoi i pari asnjë shtet kapitalist. Konflikti në Kore solli ndarjen e Koresë. Në Vietnam u bë luftë çlirimtare kundër SHBA-së, por atje as ushtria kineze, as ajo sovjetike nuk morën pjesë drejtpërsëdrejti. Në Kubë N.Hrushovi i çoi raketat për të mbrojtur Kubën, por u detyrua që t’i tërheqë. Nuk duhet harruar që, si ngjarjet në Kubë, ashtu edhe ato në Hungari e në Çeki, kanë ndodhur në kohën kur BS-ja i pat humbur tashmë tiparet e një vendi komunist.
Motivimi, arsyeja e dytë, që është më drejt të quhet SHKAKU, që Blloku Komunist nuk do t’i sulmonte shtetet kapitalistë dhe, si pasojë, Perendimi mund të zhvillonte lirshëm një “luftë të ftohtë”, ishte se në gjysmën e dytë të shekullit XX rendi komunist dukshëm po dështonte. Një pjesë e madhe e popullsisë, por sidomos udhëheqja komuniste, nomenklatura komuniste dhe bijtë e ish-komunistëvet, nuk po mendonin më për komunizëm. Si mund të sulmonin ata vendet kapitalistë, për të çuar edhe atje komunizmin, kur kapitalizmi u pëlqente?! Mund të duket kontradiktore, por është dukuri reale: Vinte një kohë kur edhe bartësit më të flaktë të idealevet të komunizmit, me përjashtime fare të paktë, ua kish qejfi të bëheshin të pasur. Pra, ua kish qejfi të bëheshin kapitalistë.
Duke parë me mendje të kthjellët vetëm këta 2 motivime apo shkaqe, secili analist e ka të qartë që, në ato rrethana, vendet kapitalistë e kishin shumë lehtë të zhvillonin të quajturën “luftë të ftohtë” dhe të prisnin deri sa komunizmi të përmbysej vetëvetiu. Analistët dhe politikanët e atëhershëm nuk ishin të verbër. Ata e shihnin mirë se nga po shkonte historia.

Mirëpo, tani, me sa duket, për inerci apo prej konservatorizmit, por edhe nga hutia, Perendimi po e ka shumë vështirë ta kuptojë gjendjen e re. Ç’u bë kështu?! Ne s’pushuam së shari komunizmin, ndërsa na plasi në krahun tjetër! Vetë fakti që Perendimi po i quan ngjarjet më të fundit “rikthim i luftës së ftohtë”, tregon frikshëm se kjo kastë politikanësh dhe analistësh nuk po e sheh, nuk po e njeh dot realitetin në të cilin gjendet njerëzimi i sotëm. Po them FRIKSHËM, sepse të gabosh në vlerësimin e një stadi të ri historik, do të thotë t’i dorëzohesh stihisë, t’i dorëzohesh rrukullisjes dhe theqafjes.
Në samitin e Uellsit u vu re një lloj reagimi, një lloj përpjekjeje për t’u orientuar në situatën tashmë tepër të ngarkuar, por përsëri çdo gjë mbeti në po ato korniza siç është vepruar në të dikurshmen “Luftë e Ftohtë”. Të krijohet “një forcë specifike mbrojtëse”, të ndihmohet Ukraina, të “ashpërsohen” sanksionet, të mbështetet me bombardime lufta kundër Kalifatit. Kjo s’është tjetër, veçse një gërricje, një ngacmim nervash, në prag të një përballjeje për jetë a vdekje. Asnjë “forcë speciale” nuk mund t’i mbrojë Njujorkun, Londrën e Berlinin, nga një sulm atomik i rusëvet. E dihet që në luftën e ardhshme, aspak të ftohtë, DEL FITUES vetëm AI QË E SHKREH I PARI ARMËN GJITHSHKATËRRUESE. Asnjë lloj bombardimi nuk mund t’i detyrojë muxhahedinët ISIS të pushojnë së preri qafa gazetarësh, të pushojnë së shituri gra në kafaze hekuri dhe të pushojë së vrari turma fëmijësh të shtrirë përtokë.
Perendimi duhet t’i thërrasë mendjes. Jo t’i thërrasë mendjes së mykur e të sklerotizuar, por t’i thërrasë mendjes së kthjellët, për ta shpëtuar njerëzimin nga katastrofat që po i vijnë rrotull.
Shënim: Lexo për këtë problem edhe shkrimin e mëparshëm:

“Evropa përballë një sprove vendimtare”.
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=3083

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura