BESIM R.CENGU: POEZI E PULSIT TË KOHËS

Tiranë, 15. 09. 2014: (Rreth vëllimit poetik “E Bardha dhe të Zezat” e poetit Dedë Shkurti) – “…Kujdes, kujdes shumë për librin e dytë! Absolutisht, nuk ju lejohet të bini më poshtë se libri juaj i parë!”. Kjo porosi e një prej poetëve më të mirë e më të ndjeshëm të “brezit të artë” Ndoc Gjetja si një lejmotiv me peshë e ka detyruar poetin Dedë Shkurti të “hezitojë” për të botuar vëllimin e dytë poetik, pa qenë i sigurt dhe plotësisht i saktë se është pjekur e është bërë gati për publikim, se çdo gjë është në vendin e vet dhe zgjon interesin e opinionit publik.
Në realitet porosia e krijuesit të mirënjohur është vetëdije krijuese sa racionale, aq edhe kërkuese kundrejt fjalës artistike që artikulon ide që pretendohen të jetë jetëgjatë e frytdhënëse. Por ky thumb “porosie” e ka vënë edhe para sedrës artistike për rëndësinë që ka misioni poetik dhe pesha e fjalës në mjedisin artistik e social në përgjithësi.
Prandaj ky vëllim që titullohet “E bardha dhe të zezat” vjen pas 12 vjetëve mu në kohën e duhur, kur krijuesit të këtyre vargjeve i është mbushur mendja se vëllimi që do të shohë dritën e botimit është më i arrirë.
Kjo periudhë bukur e gjatë “hezitimi” e ka ndihmuar shumë autorin në shumë aspekte.
I ka kushtuar kohë që të gdhendë fjalën, ta peshojë atë dhe të lëmojë mendimin. T’i japë sa më shumë fuqi e forcë vargut poetik e të sistemojë idetë që ka dashtë për me përcjellë te lexuesi.

Poeti Dedë Shkurti

Shikohet ky latim vargu prej poezisë së parë e deri tek e fundit duke i dhënë mënyrës e teknikës së ndërtimit artistik një elekuencë dhe elegancë që rrallë e kemi parë vitet e fundit në prodhimet poetike.
Është me rëndësi të theksojmë se “porosia” e thukët e poetit duhet respektuar edhe për racionalitetin. Sa pak e sa urtë ka folë Ndoc Gjetja, por sa përshtypje e vragë ka lënë te laboratori krijues i Dedë Shkurtit. Shkurt puna redaksionale ka nisë dhe ka përfunduar me këtë sentencë, ndërsa ne vetëm do të ndalemi te analiza dhe vlerësimi i vargjeve.
***
“Sa herë më rrëmbente dëshira për të shkruar, më është kujtuar kjo porosi (porosia e Ndoc Gjetjes BC) dhe bashkë me të, më ka shoqëruar dyzimi…”, – dëshmon me sinçeritet autori i këtij vëllimi.
Pse kjo dilemë?
E shqetëson qenia në një profesion krejt tjetër! Por edhe na bën me dije se është zot i fjalës dhe gjykimit. Çdo kush që lexon poezitë e tij të botuara në vëllimin“E bardha dhe të zezat” dilemma që shfaq autori merret si modesti. Dhe në fakt modesti është.
Në poezitë e këtij vëllimi poetik vërehet mirëfilli hulumtimi tematik e forca e kërkimit të jetës deri në rrënjë. Kemi larmi ideore, por gjithësesi të sistemuar me orjentim që dëshmon kulturë e mision intelektual. Autori e kërkon idenë që në gjenezë të jetës, e këtë jo fort për kollaj e bën. Ai është në kërkim të vetvetes, në gjurmët e jehonës së genit që vjen prej para Homerit. Identiteti e shqetëson deri në fiksion filozofik, genetik, historik e kulturor. Ideja e vazhdimësisë së jetës dhe krenarisë së genit janë substanca e kreativiteti. Këtu duhet kërkuar identiteti sipas autorit, nga kjo thellësi e errët e jetës së vështirë e të ashpër. Për mit e për rrënjë të jetës ka malin, Malin Shenjt të Oroshit, Tomorrin, Gjalicën…
“…Po vjen Aleksandër Gjoni,
më i riu princ, me shpatën e zhveshur e të qarit,
Nga palca e një guri në Malin-Shenjt të Oroshit me emrin e tij,
Nga gjaku tomorrian, graniti i bedenave të Kalasë së Beratit,
Nga esenca vitale e jetës, blatuar me fytyrë Shqipërie!…”

E reja gjenetike vjen “nga esenca vitale e jetës, blatuar me fytyrë Shqipërie!”. Strukturalisht ky varg nga fjala e parë deri tek e fundit mbart mesazhin e jetës me të gjithë dimennsionet e saj, jetës thjesht shqiptare e substancialisht të veçantë.
Poeti e njeh shumë mirë fjalën artistike dhe di ta harmonizojë mrekullisht vargun me idetë, temat e mesazhet që përcjell.
***
Në krijimet e Dedë Shkurtit nuk ka vend inflacioni i fjalëve. Është i kursyer,
pasiqë e di se inflacioni i fjalëve e bën poezinë narrative që i ul bukur fort vlerën krijimit e vargut. Kërkesa ndaj vetes e vargut e ka bërë poetin që në secilin krijim të jetë racional dhe i kujdesshëm në zgjedhjen e fjalës si lëndë e rëndësishme për të ngritur kështjellën e krijimit.
Dedë Shkurti udhëhiqet nga parimi se sa më i fortë guri aq më e qëndrueshme kalaja. Ndaj shprehet:
“…Më shumë se shpatat dhe plumbat vret fjala
Kur pena vret, vetë fjalën, dhuna s’ka kufi
Thahet amësia, shkretojnë mrizet e zanave,
Ligjërimi jep shpirt nën thundër tiranie.”
(Fjalëprishësit)

Vetëdija krijuese dhe përgjegjshmëria për peshën që ka fjala vërehet si drita e diellit te kjo poezi. Mesazhi që percjell poeti është mbresëlënës. Ai gati sa nuk thotë se poezia o duhet të shkruhet siç del ajo vetë, o nuk duhet të shkruhet fare. Poeti nuk e thirr krijimin, por krijimi poetin. Kur ndodh kështu poezia është poezi, fjala rrjedh vetë e idetë sistemohen më së miri. Kur poeti e thirr krijimin në të shumtën e rasteve te krijime të kësaj natyre viher re menjëherë artificialiteti e inflacioni i fjalëve që esencialisht nuk shprehin qartë as mesazhin e as qëllimin se pse ka dalë në dritë kjo poezi e cili është misioni i saj.
Prandaj poeti është në dilemë të përhershme, pikërisht për shkak të kësaj përgjegjshmërie intelektuale dhe artistike. Te poezia “Grevë librash” poeti thotë:
“…Jemi çfarë jemi s’e dita, s’e di e s’do ta di,
Të matem, të mas e t’u mas:
Ende s’kam gjetur Njësi!”
“Grevë librash”

Në fakt Dedë Shkurti e ka njësitë e veta matëse poetike që realisht janë të staturës së lartë poetike shqiptare. Merr për masë Migjenin, Ndoc Gjetjen, Frederik Rreshpjen e Gjokë Becin. Mjeshtrat e mëdhenj të fjalës shqipe. Deda i ka bërë mirë llogaritë e krijimit. Ai është udhëhequr nga parimi se duhet të matesh me të madhin e duhet të rrish me të madhin, sië rrinte me Gjokë Becin, gdhendësin e pashoq të vargut poetik. Poeti është koshient se kështu “i vogël” nuk do të jesh asnjëherë.
Duke e konsideruar poetin si barometrin e shoqërisë autorin e shqetëson mungesa e ndjeshmërisë që po rrënon krijimin e vërtetë artistik, dukuri të cilën nuk e ka hasur te mjeshtrit e fjalës dhe fton poetin simbol, Migjenin me thirrjen esklamative:
“…Zgjohu, i Pavdekshëm! Po vdes poezia e vërtetë,
Në sanatorium, prej dekadash të tejmbushur
nuk shtrohen më, Poetë!”
(Për Migjenin)
Trishtimi poetik është real në fakt, real dhe i vërtetë deri në dhimbje, deri në tragjizëm.

Këtu e ka burimimin edhe përpjekja e poetit për t’i bërë “bllok” vdekjes së poezisë e mungesës së sakrifikimit për të, siç bënë Naimi e Migjeni, apo Pushkini dhe Esenini në Rusi, Shandor Petëf në Hungari, Mihail Eminesku në Rumani apo Smirnienski në Maqedoni apo Hristo Botev në Bullgari. Prapë poeti i kushton rendësi fjalës dhe rendësisë së saj biblike. Dhe fton në krijimet e veta fjalën e madhe, forcën e saj e rëndesën vragëlënëse:. detin, tokën, malin, zjarrin, benë, fisin, gjakun, genin, sepse beson se me këto ndërton vargun e gdhendur që mbart mbi shpinë idenë e mesazhin e madh. Pasioni poetic i nxjerr nga thellësia e shpirtit poetik vargjet:
“… I dhamë emrin Detit Mesdhe.
Të parët,
Për Fjalën dhe Zjarrin bëmë Be.”
(Barabar e barbarë)

Kjo kredo autorin e ngjiz me domethënien e jetës dhe dimensionet e pamata të saj. Logjikisht autori vargjet i lidh me praninë e domosdoshme të dashurisë në qenien e tij. Dashurisë që simbalizon jetën. Kjo ngjizje është jetësore, e pandashme dhe biblike, simbiozë e të vërtetës. Te poezia e titulluar “Biblike” poeti beson në një Evë të tijën, ashtu siç e do dhe aspiron vetë. Evë që është e prekshme dhe tokësore pa të cilën nuk mund të bëjë, nuk mund të jetojë ndaj e kërkon:
“…Vazhdoj të lutem si tutkun
Kur yjet fshihen pas një reje
O Zot, merr prapë dy brinjë tek unë
Një tjetër Evë më sjell pranë meje!”
(Biblike)

Kështu vargëzon dhe beson në atë që thotë. Poezia merr më shumë dritë e ngjyrim dhe bëhet edhe më e ndjeshme kur trajtohet tema e jetës dhe e dashurisë. Një prej krijimeve më të arrira është edhe “Babai i dy trëndafilave” poezi në të cilën muzikaliteti dhe mjeshtëriaa poetike ngrihen në përputhje me ndjeshmërisë.
Në poezi të të kësaj natyre autori dëshmohet si mjeshtër i përdorimit të fjalës në funksion të idesë që do të shprehë dhe këtë e arrin me shumë sukses.
***
Dedë Shkurti është poet i angazhuar dhe frymëzimin e vet e vë në funksion të trajtimit të shqetësimeve të ditës. Me lirshmërinë e gjykimit dhe guximin intelektual ai nuk rezervon askënd kur bëhet fjalë për marrjen nëpër këmbë të dinjitetit e lirisë njerëzore. “…Më një shkelje syri blen deputetin një prostituteë” (Pa çudi – çudira), – thotë poeti me përçmim kundrejt politikanëve e nëpunësëve perverse. Por në të njëjtën kohë është optimist dhe beson në vetvete dhe si një Sfinks ngrihet e deklaron: “… Do të vijë një ditë, do ta fitoj sfidën…” (Kolombase).
Duke ditur rëndësinë që ka liria, ai e karakterizon atë si “frymë” pushtuese, si “përmasë të munguar” gjithnjë “në kërkim”, por që për të “agimi i historisë na ka gjetur zgjuar”.(Meditim për lirinë).
Por liria, dashuria njerëzore, humaniteti, krenaria e genit ka një shtrat ku kultivohet rrënjët që zënë fill në malet. Autori insiston në këto rrënjë se këtu sheh qëndresën dhe jetesën e orjentuar deri në përjetësi për mijra vjet drejt Perëndimit:
“Malet e mia me fytyrë nga Perëndimi,
Në oqeanin e Botës përmjerrin tetë lumenj.
Shpinën ia kanë kthyer Lindjes
si hamenj.
Malet e mia – mendjemëdhenj!”
(Malet e mia)
Dhe nga brenda qenies së tij thirr:
“…Hyr, hyr, o Marë, brenda tek ky breg!
Unë t’u bëfsha gji, Ti, t’më bëhesh det!.
… … …
Vëri, mbjelli, Ndue, bregut këta ullinj,
Rrënjë edhe emër ngul në Labëri.
… … …
Përmbi trung mbështetmë, xhanin ma bëj prush,
Me njëmijë piratë këtë breg ta mbush.
… … …
Njëmijë shqipe deti, -Përmbi valë! – Djema!
Silljani këtij Bregu, njëmijë Helena!…”
(Vunoi dhe Himara)

Poezia vjen e merr përmasa dhe ideja e saj ushton si këngë majekrahu mal pas mali e lug pas lugu deri kur përplaset në det e shndërrohet në një jehonë të përjetshme. Prej këtij mesazhi të madh ky krijim mori çmimin e parë në konkursin poetik mbarëshqiptar në Prishtinë në muajin Korrik të këtij viti.
Me këtë vëllim poetik poeti Dedë Shkurti jo vetëm që e ka kapërcyer nivelin e krijimeve të vëllimit të parë “Me Zemrën u Zura Keq”, botuar para më shumë se një dekade, por ka sjellë një frymë të re poetike e një varg që dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një poet dinjitoz të krijimit poetik shqiptar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura