(Prishtinë, 13. 06. 2012) – Shqiptarët shënojnë sivjet 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Njëqindvjetori i Shqipërisë shtet është ngjarje madhore historike për shqiptarët kudo qofshin ata. Shqipëria shtet e ka bërë subjekt ndërkombëtar dhe historik Kombin shqiptar dhe ua ka siguruar qenien shqiptarëve brenda kufijve të saj. Por, Shqipëria shtet u ka bërë të mundshme të mbahen në histori edhe shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të saj. Në Shqipërinë shtetërore ata e kanë parë dhe e kanë gjetur shpëtimin sa herë ishin të rrezikuar në vendet e tjera ballkanike. Një epokë e tërë, që në historinë shqiptare quhet epoka e Rilindjes Kombëtare, u është kushtuar përpjekjeve për krijimin e Shqipërisë. Dhe, mbas të gjithë këtyre përpjekjeve të bëra me mendjen e intelektualëve dhe me armët e trimave, do të bëhet shteti shqiptar, Shqipëria, më 28 nëntor 1912. Shqipëria e 28 nëntorit 1912 do të jetë shtet që do ta gëzojë pa masë popullin shqiptar, por Shqipëria e 28 nëntorit 1912 do të jetë shtet që pa masë edhe do ta dëshpërojë popullin shqiptar! Dhe, do ta dëshpërojë pa masë për shkak se gati gjysma e trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë etnike dhe më tepër se gjysma e shqiptarëve do të mbesin jashtë kufijve të saj.
_______________________________
Luftërat që ka përjetuar Shqipëria
Të shumta, e të ndryshme do të jenë ngjarjet dhe të bërat, veprimet dhe veprimtaritë, politikat dhe ideologjitë, që do të përjetojë a do të prodhojë ky shtet.
Shqipëria shtet do të përjetojë dy luftëra ballkanike; mandej luftën e Vlorës; mandej dy luftëra botërore –të Parën gjatë së cilës një pjesë e saj do të jetë e pushtuar prej Serbisë, një pjesë prej Greqisë, kurse një pjesë prej Italisë dhe të Dytën gjatë së cilës në tërësi do të jetë e pushtuar prej Italisë fashiste dhe prej Gjermanisë naziste.
Prej vitit 1997 e deri në gjysmë të vitit 1999 Shqipëria do të përjetojë edhe një luftë: do të përjetojë luftën e Kosovës sado si shtet nuk do të marrë pjesë në të.
Trajtat shtetërore
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë Shqipëria do të ndërrojë disa rende politiko-shoqërore dhe kushtetutare-juridike: për nga mënyra e sundimit më së gjati do të jetë republikë e më së shkurti mbretëri. Për nga qëndrimi ndaj shoqërisë do të jetë më shkurt demokratike e më gjatë autokratike. Do të jetë e krijuar si republikë parlamentare,të cilën fuqitë e mëdha europiane shpejt do ta bëjnë principatë të pasuksesshme, prandaj edhe të përkohshme në krye me princin austriak, Vid; prej vitit 1924 e deri në vitin 1928 formalisht do të jetë republikë presidenciale; prej vitit 1928 e deri në vitin 1939 do të jetë mbretëri parlamentare, në të vërtetë despoti, kurse prej vitit 1939 deri në vitin 1943 do të jetë monarki e pushtuar me “bashkim personal” me Italinë, e sunduar prej të ashtuquajturës Mëkëmbësi e përgjithshme në krye me Mëkëmbësin e parë të mbretit Viktor Emanueli III; prej vjeshtës së vitit 1943 deri në vjeshtë të vitit 1944 do të jetë republikë e pushtuar prej Gjermanisë, ndërsa prej 29 nëntorit të vitit 1944 do të jetë republikë socialiste, totalitare. Prej vitit 1991 Shqipëria shpallet republikë demokratike.
Si kanë ardhur në pushtet sundimtarët shqiptarë?
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë sundimtarët shqiptarë do të vijnë në pushtet në mënyra të ndryshme: me zgjedhje, me kryengritje dhe me porosi prej shtetesh të tjera.
Ismail Qemali – babai i Shqipërisë, do të vijë në pushtet në sajë të vullnetit të popullit; Fan Noli do të vijë në pushtet me lëvizje popullore, në të vërtetë me revolucion demokratik; mbreti i ardhshëm, Ahmet Zogu, do të vijë në pushtet me dhunë – me ndihmën e Serbisë: me ushtarë të saj dhe me bellogardistë, që kishin gjetur strehim aty; Enver Hoxha me Partinë komuniste do të vijë në pushtet në sajë të luftës kundërfashiste dhe me zgjedhje, që aspak nuk do të mund të quhen të lira e demokratike. Pas rënies së komunizmit prijësit partiakë shqiptarë do të vijnë në pushtet me zgjedhje, që deri sot, asnjëherë, nuk i kanë plotësuar standardet evropiane.
Ideologjitë
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria do të provojë a do të zbatojë disa ideologji:
ideologjinë kombëtare të trashëguar prej Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila do të jetë ideologji, po thuaj, e gjithë popullit;
ideologjinë fashiste, të cilën do ta pranojë një pjesë e vogël e popullit, kryesisht një pjesë e klasës politike dhe e klasës intelektuale;
ideologjinë komuniste, të cilën do ta pranojë, po thuaj, pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore e në Kosovë, dhe ideologjinë demokratike, në Shqipëri e quajtur gjoja liberale, të cilën do ta pranojë, po ashtu, pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës.
Aleatët
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria do të krijojë lidhje politike, ideologjike, ekonomike apo edhe ushtarake me disa shtete. Me Italinë fashiste deri në vitin 1943; prej vitit 1945 e deri në vitin 1990 Shqipëria do të krijojë lidhje politike e ideologjike njëherë me Jugosllavinë – deri në vitin 1948, mandej lidhje politike, ideologjike dhe ushtarake me Bashkimin Sovjetik dhe me organizatën e tij ushtarake, Paktin e Varshavës, kurse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe daljes prej Paktit të Varshavës Shqipëria do të krijojë lidhje me Kinën komuniste; pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën Shqipëria komuniste do të jetë pa aleatë, kurse pas rënies së komunizmit, Shqipëria do të arrijë të krijojë lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
Përpjekjet për kthim në qytetërimin evropian
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria shtetërore do të bëjë përpjekje, kur më pak e kur më shumë të suksesshme, për kthim në gjirin e qytetërimit evropian. Në të vërtetë këto përpjekje në mënyrë të organizuar fillojnë në kohën e Rilindjes Kombëtare, përforcohen pas Luftës së Parë Botërore, veçmas në programin politik, shoqëror, kulturor të demokratit liberal, Fan Nolit, vazhdojnë në Mbretërinë e Ahmet Zogut, forcohen rishtazi në kohën e komunizmit, sado të mbuluara me ideologjinë leniniste-staliniste dhe me doktrinën e realizmit socialist.
Pas rënies së komunizmit përpjekjet shqiptare për evropianizimin e identitetit politik, kulturor, shoqëror dhe shtetëror shqiptar plotësohen edhe me disa përpjekje të disa vetjeve e organizatave politike e të tjera për evropianizimin në të vërtetë për kristianizimin e identitetit fetar islam të shqiptarëve.
Gjuha standarde
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, saktësisht në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, do të ndodhë edhe një ngjarje e madhe në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë, e rëndësishme për gjithë shqiptarët kudo qofshin ata: do të mbahet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në të cilin do të krijohet gjuha standarde shqipe, atëherë e quajtur gjuha e njësuar letrare kombëtare.
Shqipëria dhe çështja kombëtare
Gjatë gjithë 100 vjetëve si shtet, Shqipëria nuk ka pushuar të merret me çështjen shqiptare – me çështjen e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të saj, në mënyrë të veçantë me çështjen e shqiptarëve të Kosovës . Dhe, kjo çështje në vazhdimësi e ka munduar Shqipërinë. I mënjanshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj kësaj çështjeje shteti shqiptar do të tregohet vetëm në kohën e Mbretërisë shqiptare.
Kosova, shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës e në Çamëri
100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e kremtojnë sivjet në një gjendje në masë të madhe të ndryshuar të fatit të tyre politik, shoqëror dhe historik. Në sajë të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ndërhyrjes së forcave të NATO-s, domethënë të SHBA-ve dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian, Kosova është sot shtet i lirë dhe i pavarur. Historikisht shikuar pavarësia, megjithatë, nuk mund të quhet zgjidhje përfundimtare e çështjes së Kosovës: zgjidhje përfundimtare e kësaj çështjeje është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë Shtetërore.
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, mund të thuhet se në masë të madhe janë rritur të drejtat politike, kulturore, shoqërore, në përgjithësi kombëtare, të shqiptarëve në Maqedoni. Numri i shqiptarëve në përbërjen demografike të Maqedonisë, është i madh për t’u quajtur ata të kënaqur me statusin që kanë sot. Sjelljet që po bëjnë partitë dhe politikanët maqedonë ndaj shqiptarëve e shtojnë shumë pakënaqësinë dhe pasigurinë e tyre në shtetin maqedon.
Jo vetëm sjelljet e këtilla krijojnë bindjen, prandaj, se ndarja e Maqedonisë do të sillte zgjidhje të përhershme të çështjes shqiptare dhe të çështjes maqedonase.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë janë rritur pak a shumë edhe të drejtat politike, kulturore dhe në përgjithësi kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi, megjithatë as pjesëmarrja në jetën politike e shtetërore, as punësimi i tyre nuk është i barabartë me pjesëmarrjen e punësimin e malazezve. Fatin e shqiptarëve në Mal të Zi, ndërkaq, sikur e përcakton dëshpërueshëm procesi i pandalshëm i shpërnguljes së tyre në SHBA-të dhe në shtete të BE-së.
Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është një gjendje e veçantë, që mund të quhet e paqendruar dhe e pasigurt. Në disa nga mediat tona shkruhet se Republika e Serbisë vazhdon të mos ua pranojë atyre ato të drejta që i kanë apo i kërkon ajo për serbët në Kosovë, në mënyrë të veçantë për serbët në Mitrovicën Veriore, edhe pse në numër shqiptarët e Luginës së Preshevës janë dyfish më shumë se serbët e Mitrovicës Veriore. Në të vërtetë Serbia e synon spastrimin etnik të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës! Do ta arrijë këtë qëllim ajo në qoftë se Kosova nuk e mendon më mirë se deri tani politikën e saj ndaj kësaj Lugine shqiptare.
Siç nuk po e ndryshon Serbia politikën e saj tradicionale ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, madje, as ndaj çështjes së Kosovës a çështjes shqiptare në përgjithësi, ashtu as Greqia nuk po e ndryshon politikën e saj ndaj çështjes çame të krijuar me pushtimin e Çamërisë prej saj – prej Greqisë. Mjerisht, Shqipëria shtetërore nuk ka bërë në të kaluarën dhe nuk po bën as sot çka e obligon politikisht, moralisht dhe kombëtarisht të bëjë e drejta e çamëve për zgjidhjen e çështjes së tyre.
Shqipëria, Kosova, NATO, BE
Në 100 vjetorin e pavarësisë së saj, Shqipëria është anëtare e NATO-së.
Edhe Republika e Kosovës po bën krejt ç’mund të bëjë për t’u bërë sa më parë anëtare e këtij bashkimi ushtarak perëndimor.
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Shqipëria shtetërore, republika e Kosovës dhe shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi po bëjnë shumë përpjekje për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Do t’i bashkohen në qoftë se BE do të mbahet.
Shqipëria dhe shqiptarët sot
Megjithëse të ndarë edhe më tej në disa shtete, shqiptarët janë sot popull më i përparuar e më i zhvilluar se kurrë më parë si në Shqipëri e në Kosovë ashtu edhe kudo tjetër në Ballkan. Shqiptarët jetojnë sot më mirë, në shkallë më të lartë shoqërore, ekonomike, kulturore dhe demokratike se ndonjëherë në historinë e tyre. Në 100 vjetët e Shqipërisë shtet, shqiptarët kudoqofshin në Ballkan për herë të parë mund të komunikojnë lirshëm mesveti. Por, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, njëmendësia shqiptare ka edhe faqen tjetër të saj: ka të padëshiruara që nuk duhet të heshten.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, bashkëpunimi kulturor, arsimor dhe shkencor, dikur aq i dëshiruar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por aq i penguar prej Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, sikur është rrëgjuar në ato përmbajtjet e bashkëpunimit të viteve 1970-1980: në festivale muzikore e teatrore, në ndeshje sportive, në sesione shkencore, në takime zyrtarësh dhe në hartimin e një abetareje të përbashkët. Dhe, ky bashkëpunim sipërfaqësor bëhet zëvendësim i bashkëpunimit thelbësor, të bazuar në programe politike kombëtare larghedhëse, që sjellin institucione, veprimtari e vepra me rëndësi historike, siç janë institucionet e përbashkëta në disa fusha të jetës e të krijimtarisë, siç janë projektet e përbashkëta për historinë e popullit shqiptar, për historinë e kulturës e të qytetërimit shqiptar, për historinë e letërsisë shqiptare, për historinë e krijimtarisë popullore shqiptare, për historinë e të ardhmen e gjuhës shqipe, për enciklopeditë kombëtare të përgjithshme e të fushave të ndryshme hisorike, kulturore, shoqërore, politike. E të tjera.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, bashkëpunëtorë të lartë shtetërorë të pushtuesit italian e pastaj gjerman dhe ideologë të fashizmit, shpallen figura të mëdha kombëtare, nderohen me dekorata, me përmendore, me shtëpi muze e dëshmorët e kombit, të rënë për çlirimin e atdheut prej atyre pushtuesve, shpërfillen a përbuzen, ndërsa përmendoret e tyre nxirren në skaj të qytetit ku qytetarë qesin hedhurinat.
Kësaj shpërfilljeje nuk po i shpëtojnë as krijuesit e Shqipërisë, rilindësit e mëdhenj, atdhetarizmi dhe lavdia e të cilëve po bëhen përpjekje të mbulohen me namin e oxhakërisë tradhtare të kohës otomane.
Pse ndodh kështu, pse bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të mbetet sipërfaqësor, kryesisht argëtues dhe turistik, dhe pse krijuesve të Shqipërisë dhe dëshmorëve të rënë për çlirimin e saj prej pushtuesve ua zënë vendin bashkëpunëtorë të atyre pushtuesve, ndoshta nuk është shumë e çuditshme.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, siç s’ka ndodhur kurrë, janë përmbysur vlera dhe janë braktisur parime e bindje. I ka përmbysur dhe i ka braktisur kasta politike në luftën e saj të pamëshirshme për pushtet.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Shqipëri, vazhdon luftë politike qytetare midis forcave që quhen të djathta dhe forcave që quhen të majta. Ato tani e njëzet vjet nuk mund të krijojnë dakordësi për çështje themelore të shtetit shqiptar. Prijësit e tyre e fyejnë dhe e urrejnë njëri-tjetrin jo më pak se shtetarët e shteteve që bëjnë luftë njëri kundër tjetrit.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë këto forca politike nuk mund të pajtohen, madje, as se cilën ditë ta quajnë ditë të çlirimit të shtetit prej pushtuesit në Luftën e Dytë Botërore.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, po të gjykojmë varësisht prej emrave që u vihen sot atyre – emra arabë, turkë, iranianë, grekë, rusë, italianë, francëzë, gjermanë, anglezë, spanjollë, meksikanë, e të tjerë, e të tjerë, do të mund të thuhej se shqiptarët kanë mbi dhjetë identitete apo se nuk kanë një identitet të qëndruar! Fjalori i emrave të përveçëm historikë, kombëtarë dhe emrave të krijuar prej fjalësh shqipe nuk u hyn fare në punë atyre që bëjnë përpjekje të ikin prej identitetit të vet!
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët vazhdojnë të kenë mospajtime, madje ndarje, në lidhje me gjuhën standarde, domethënë në lidhje me gjuhën e njësuar letrare kombëtare.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ne po ndotim anërrugët, lumenjtë, liqenet, bregdetin – tokën tonë me gjithfarë lëndësh ndotëse; gjuhën e bukur e të pasur shqipe me fjalë të huaja të panevojshme; thuajse s’i duam as tokën, as gjuhën!
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët i vazhdojnë mospajtimet mbi rolin e përbërësve fetarë e kulturorë perëndimorë dhe të përbërësve fetarë e kulturorë lindorë në identitetin e tyre, me përpjekjet e disa vetjeve për mohimin a përçmimin e përbërësve lindorë, thuajse për Lindjen dhe për Perëndimin, për qytetërimet dhe për fetë e tyre edhe sot, në kohën e globalizmit, mund të flitet me kategoritë politike, mendore e morale me të cilat është folur në kohën e kolonializmit të shekullit XIX.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pas njëzet vjetëve të rendit demokratik, demokracia shqiptare vazhdon të jetë demokraci e fazës zgjedhore, e cila nuk mund të quhet as demokraci e gjysmëkonsoliduar.
Dhe, ndodh kështu, në radhë të parë, sepse Shqipëria është një shtet i partokratizuar, në të cilin, në vend të institucioneve shtetërore, sundojnë, punësojnë, çpunësojnë, privilegjojnë e ndëshkojnë partitë!
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, demokracia shqiptare nuk garanton barazinë e qytetarëve para ligjit dhe sidomos para gjasave!
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në jetën e shqiptarëve nuk ka barazi dinjiteti, nuk ka bindje të qeverisë para ligjit dhe gjyqësorit, dhe nuk është mposhtur dhuna e qeverisë në favor të respektimit të ligjit.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë, Shqipëria nuk mund të quhen as përafërsisht shtet i së drejtës në të cilën do të respektohej ndarja e tri pushteteve. Për trysnitë, pengesat dhe zhvlerësimet, që bën qeveria shqiptare ndaj Presidencës, Kryeprokurorisë dhe gjyqësorit janë në dijeni dhe faktorët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë institucionet e BE-së.
Në 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë nuk është institucion që rrezaton tolerancë, mirëkuptim, vlera shoqërore e morale evropiane, po konflikte e mosdurim në popull. Kuvendi i Shqipërisë është institucion në të cilin cenohet rëndë dhe pandërprerje kultura elementare e komunikimit të forcave politike!
Në 100 – vjetorin e pavarësisë, as njëzet vjet pas vendosjes së rendit demokratik, Shqipëria nuk ka krijuar sistem të qëndruar zgjedhor, prandaj edhe nuk ka mbajtur ende zgjedhje të lira dhe demokratike në të cilat do të plotësoheshin standardet që kërkon BE-ja.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë mediat shqiptare, të botuara dhe elektronike, janë vënë nën kontrollin e qeverisë a të partive kryesore, kurse i vetmi televizion publik, TVSH-ja, vazhdon të jetë i ndoruar, domethënë shërbyes ndaj qeverisë si në kohën e diktaturës komuniste.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, gënjeshtra, mashtrimi, shantazhi, cinizmi, ekzaltimet, teprimet, pasionet e fryra përbëjnë gjuhën mbizotëruese politike e publicistike, me të cilën mashtrohet dhe nënçmohet mendja e qytetarëve.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, krimi i organizuar dhe korrupsioni i shumëllojshëm e shënojnë jetën politike e shtetërore shqiptare dhe janë pengesë e madhe e ndërtimit demokratik të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në institucionet më të larta shtetërore e partiake gjenden edhe delikuentë, gënjeshtarë, mashtrues, të korruptuar e dhunëtarë – njerëz të rrezikshëm jo pse s’dinë të frikësohen, po pse s’dinë të turpërohen. Privilegjet e tyre të shumëllojshme, të paprovuara prej paraardhësve të tyre politikë e shtetërorë, pasuritë e tyre, të patundshme e të tundshme, të krijuara tepër shpejt e tepër lehtë, lejojnë të pohohet se pasuria kombëtare shqiptare, kurrë nuk është shpërdorur dhe nuk është plaçkitur siç po shpërdoret e po plaçkitet prej kastës së sotme politike e shtetërore. Në të vërtetë, si këta vetëm edhe Ahmet Zogu me mytesarifët e tij e ka plaçkitur Shqipërinë, kurse Nikolla Pashiqi me namesnikët e tij Kosovën!
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë prijësit e kësaj kaste politike janë bërë sundimtarë të përhershëm: të përhershëm në partitë e tyre dhe të përhershëm në pushtetin shqiptar, natyrisht duke e zëvendësuar njëri tjetrin në pushtetin shtetëror, por jo edhe partiak. Nuk duan ta dinë se kështu funksionon oligarkia, të cilën Platoni, në veprën e tij Shteti, e quan sistem më i dëmshëm se tirania.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, pjesëtarët e oligarkisë politike, pavarësisht sa shkelin ligje e Kushtetutë, mbesin të pandëshkuar. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse institucionet shtetërore të SHBA-së dhe BE-së flasin për kulturën e pandëshkueshmërisë në jetën politike shqiptare si për një të keqe të madhe që prodhon shumë të këqija të tjera. E është me rëndësi të madhe politike, shoqërore, kulturore, morale që në 100-vjetorin e saj Shqipëria të lirohet prej kësaj oligarkie partiake e shtetërore.
Në 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për të gjitha arsyet e sipërthëna, shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë paqen politike e shpirtërore dhe mirëqenien jetësore në botë, para së gjithash në vende të BE-së, në SHBA dhe në Kanada. Vetëm gjatë njëzet vjetëve të fundit atdheun e tyre, Shqipërinë, e kanë braktisur rreth 1 milion e 300 mijë shqiptarë, kurse Kosovën rreth 700 mijë! Hulumtimet e bëra tregojnë se numri i atyre që do të dëshironin të largoheshin prej atdheut është shumë më i madh se i të larguarve.
Në 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në jetën politike dhe shtetërore shqiptare ndodhin gjithë këto të këqija, kurse BE-ja, dhe SHBA-të vazhdojnë t’u shtrijnë dorën përfaqësuesve të kastës politike sunduese, që i prodhojnë këto të këqija, që popullin shqiptar e mbajnë në gjendje krize të përhershme sociale, politike e morale. Pse?
Po, ta përfundoj këtë fjalë.
Prej shtjellimit të sipërthënë mund të shihet, besoj, se Shqipëria në 100-vjetorin e pavarësisë ndodhet në kërkim të identitetit të saj politik dhe shtetëror. Dhe, këtë kërkim e dëshmojnë si të arriturat ashtu edhe prapangeljet e të këqijat e sipërtheksuara. Demiurgu i historisë dhe rrethanat ndërkombëtare ia kanë krijuar mundësinë asaj që ta bëjë realitet atë identitetin politik, shtetëror dhe qytetërues, dhe atë idenë e madhe të bashkimit kombëtar që e ëndërronin krijuesit e Shqipërisë: rilindësit e mëdhenj. Domethënë se shekulli XXI, ka filluar si shekull i përpjetëzës historike të popullit shqiptar: ai i ka krijuar atij gjasën që nuk e ka pasur kurrë në historinë e tij të re – gjasën e bashkimit kombëtar dhe të qëndrueshmërisë historike. A do ta shfrytëzojnë Shqipëria dhe Kosova, a do ta shfrytëzojnë gjithë shqiptarët këtë gjasë historike? Shpresoj – po.
Po të isha më i ri do të hyja në sheshin e betejave politike dhe do të bëja çmos për sendërtimin e atij ideali e të atyre vlerave. Kështu, në moshën në të cilën jam, s’më mbetet tjetër përpos të rri anash, të shikoj ç’bëhet, të dëgjoj ç’thuhet, të përimtoj ç’mendohet, të bëj krahasime e vlerësime, natyrisht me lapsin në dorë.
Ju falemnderit për vëmendjen.
Very shortly this site will be famous among alll blogging people, due to it’s fastidious content
Take a look at my homepage: https://Sites.google.com/view/start-playing-online-casino
Yesterday,while I wass aat work, my sister stole my
iphone and tested to see if it can survive a forty foot drop, just
so she can be a youtube sensation. My iPad is now destroyed and
she has 83 views. I know this is totally off topic but I
had to share it with someone!
Feeel free to visit my page: post453995
Wow, superb weblog layout! How long have you ever been blogging for?
you make running a blog glance easy. The overall look of your web ste is magnificent,as neatly as the content!
Also visit my site … post437175