Kujtesa e çasteve
Nga Prof. Enver N. Rexhaj, Prizren – 15 shtator 2026
Ka diçka magjike në mënyrën si lind dhe shuhet çdo çast. Ai vjen si një frymë, aq i shpejtë, aq i padukshëm dhe në të njejtën sekondë që ndodh, fillon të bëhet kujtim.
Koha nuk na jep asgjë që mund ta mbajmë për vete. Ajo është si një det që valëzon pandalshëm, dhe çdo valë që prek bregun, menjëherë tërhiqet përsëri. Ne mbetemi aty, duke parë pas, me shpresën naive se mund ta gjejmë sërish atë ndjenjë, atë pamje, atë dritë që na preku për një çast.
“Më kujtohet,” themi, por ajo që kujtojmë nuk është më vetë çasti, është hija e tij. Është si të përpiqesh të mbash një rreze dielli në pëllëmbë të dorës.
Kujtesa e njeriut nuk është një arkiv, por një përpjekje për t’i dhënë kuptim asaj që tashmë ka kaluar.
Dhe megjithatë, ndoshta në këtë kalim që s’mund ta ndalim, fshihet bukuria e vërtetë e ekzistencës. Po të ishin çastet të përjetshme, ndoshta do t’i humbnim pa e kuptuar vlerën e tyre.
Po të kishim mundësi të pyesnim njerëzimin gjatë gjithë historisë, për të na i saktësuar se çfar janë çastet?
Me siguri përgjigjen do ta merrnim me ngritjen e supeve.
Ato janë të shkurtra, por secila prej tyre mbart një dritë të vogël të përjetësisë – ndoshta vetëdijen tonë që po jemi, qoftë edhe për një frymë të vetme.
Njeriu jeton mes harresës dhe kujtimit, mes asaj që rrjedh dhe asaj që mbetet. Dhe ndoshta, vetëm kur ndalemi për ta vështruar këtë rrjedhë, kuptojmë se jeta nuk është një seri ngjarjesh, por një rrjedhjë çastesh që kthehen në ne, si një lugat i butë që na kujton se koha nuk kalon jashtë nesh, por përmes nesh.
————————–
SOKRATI NЁ TROJET SHQIPTARE