DR.MOIKOM ZEQO: ‘VDEKJA`E POLITIKËS’!

Pashtriku.org, 12. 11. 2014 – Asnjëri në Shqipëri nuk mendon se politika shqiptare është një politikë normale. Ka humbur në fjalorin e gjuhës shqipe pikërisht në sferën e politikës fjala “entuziazëm”, ose “logjikë”. Tashmë është bërë një përfytyrim popullor i vrazhdë, që artikulon për politikën konceptin e “të marrëzishmes” dhe “të anormales”. Gjithsesi, kemi një zhgënjim të shumanshëm nga politika. Gjithsesi elektoratet që përbëjnë popullin shqiptar nuk kanë më besim, ose u ka humbur besimi te politika. Jo shumë kohë më parë trumbetohej se vetëm politika mund të përbënte çelësin e Solomonit për zgjidhjen e problemeve, për të kyçur prapësitë dhe për të hapur shpresat.
• Shikoni politikat e partive,
• shikoni fjalimet elektorale kaq të bujshme dhe me stil barok,
• shikoni sloganet tingëlluese, por edhe fare të kota,
të gjitha këto ngjajnë me reklama për mallrat, gjoja më të mirat, por më të skaduarat. Secila parti i premton popullit drejtësinë dhe lumturinë, secila parti mëton të luajë rolin e kampiones së drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit. Por në të vërtetë, realiteti politik i shoqërisë shqiptare është krejt i ndryshëm. Tjetër gjë mendojnë njerëzit e thjeshtë dhe tjetër gjë dërdëllitin politikanët.

Karl  Popper(1902-1994),Erhard Eppler (1926 -)dhe Friedrich Dieckmann (1937-)

Pikërisht këtë gjë e kishte parashikuar filozofi Karl Poper, shkëputjen e humnershme midis elektorateve dhe partive, çka e vë në dyshim dhe nuk e bën efikas institucionin ndërmjetës dhe ndërlidhës të parlamentit, por edhe të ekzekutivit. Por, megjithatë nuk duhet menduar në mënyrë fatale. Situata të tilla janë përjetuar edhe në vende të tjera me tradita demokratike shumë herë më të mëdha. Për të bërë një ballafaqim të ideve dhe të realiteteve, duhet t‘i referohem njërit prej filozofëve më të njohur të politikës së ditëve tona, burrështetit gjerman dhe shkencëtarit dr. Erhard Epler, autorit të librit shumë të njohur, “Rikthimi i politikës”. Ky libër serioz bën analizën e dilemave. Analizat janë pa komplekse dhe realiste. Ato vlejnë jo vetëm në rrafshin europian, por ato përbëjnë edhe një koleksion të mrekullueshëm për Shqipërinë, ku politika ka një prapambetje të frikshme. Erhard Epler është autor i shumë librave për politikën.
Do të përmendja këtu librat:
– “Pak kohë për botën e tretë” (1971),
– “Fundi ose kthesa” (1975),
– “Rrugëdaljet nga rreziku” (1981),
– “Fjalime për Republikën” (1990).

Epler konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të spikatur në botë të politikës problematike dhe moraliste, ai kërkon ta kthejë politikën në një etikë të qëndrueshme dhe shkencore, pavarësisht plasaritjeve dhe shkatërrimeve gërryese të ideve dhe koncepteve kryesore të politikës.
Në mënyrë të veçantë, Erhard Epler analizon konceptin apo tezën e “fundit të politikës”. Janë të shumtë filozofët që kanë shpallur “vdekjen e politikës”. Këta filozofë thonë se politika nuk është më tashmë një veprimtari klasike dhe e domosdoshme, se politika nuk ka nevojë për profesionalizëm dhe për dituri të veçanta, se përfaqësimi politik nëpërmjet mekanizmit të zgjedhjeve elektorale tashmë është diçka e rëndomtë, parlamentarët mund të jenë njerëz të pakualifikuar dhe të çfarëdoshëm. Gjithashtu, ata i mëshojnë mendimit se vdekja e politikës përbën në vetvete një zëvendësim. Institucioni i politikës është zëvendësuar përfundimisht nga loja e lirë e ekonomisë, vetë ekonomia nuk ka nevojë për politikë, sepse është me rëndësishme se ajo. Kështu, në binomin e ekonomisë dhe të politikës, mbetet vetëm një gjymtyrë vepruese: ekonomia.
Po a është plotësisht kështu?
Erhard Epler mendon se ata që flasin për “vdekjen e politikës”, mistifikojnë faktet dhe fatalizojnë realitetet. Janë të gjithë këta personalitete të shkencës që ndoshta në mënyrë naive janë zhgënjyer nga politika dhe kanë shpallur rrënimin, duke menduar se mund të lëvizet më lirisht përmes gërmadhave të politikës, variant ky i tjetërsuar, gjoja i kohërave moderne.
Pse ka lindur një ide e tillë, a është kështu?
Dështimi i partive politike, mungesa e liderizmit (gjithashtu këtë gjë e ka parashikuar edhe Karl Poperi), lidhet me të ashtuquajturin koncept “të bllokimit të reformave”. Shpesh fjala “reformë” është një abrakadabra e politikës, një mjet specifik i alkimisë së saj.
– Kush ka të drejtë t‘i bëjë këto reforma dhe çfarë përfaqësojnë këto reforma?
– A mund t‘i realizojë apo edhe t‘i konceptojë reformat vetëm mazhoranca apo Njëshi i Ekzekutivit?
– Nëse reformat u përkasin të gjithëve, tërë shoqërisë, a mund të bëhen këto reforma duke përjashtuar opozitën, por edhe të tretët?
– A bëhen reformat vetëm për partinë fituese dhe elektoratin e saj?
– A mund të bëhen reformat në antagonizëm me opozitën dhe elektoratin e saj?
– Kush e përcakton drejtësinë dhe thelbin gjithëpërfshirës të reformave?

Duke folur për realitetin politik gjerman, Erhard Epler mendon se politika është degraduar për shkak se mazhorancat politike kanë shpallur përherë me nervozizëm se reformat i bllokon vetëm opozita. Nga ana tjetër, opozita bie në hullinë e gabimit, të mohimit gati total të çdo nisme për reformat që ndërmerr mazhoranca. Kështu, kemi një rreth vicioz të tmerrshëm dhe përthithës.
Pra, humbet kuptimi politik i çdo gjëje. Për Erhard Epler, tharja e politikës ka ndodhur sidomos pas vitit 1991, kur dështoi struktura ekonomike dhe ideologjike në kampin komunist dhe ndodhi shpërthimi i neoliberalizmit. Por u kalua në një skajshmëri të pabesueshme. Shumë elementë të kritikuar të neoliberalizmit, u morën të mirëqenë dhe të pakritikueshëm. Këtu fillon një nga gabimet më të mëdha konceptuale të politikës moderne, pas Luftës së Ftohtë. Erhard Epler citon dijetarin Fidrih Dikman (Friedrich Dieckmann), i cili në revistën “Mërkur” ka botuar një tezë befasuese. Sipas tij, politika ka hequr dorë prej vetvetes, ka eliminuar vetveten, në mesin e viteve ‘70 të shekullit XX. Erhard Epler dhe kryetarët e 7 qeverive të vendeve më të industrializuara shpallën synim të politikës së tyre atë çka në vitin 1972 studiuesit e Klubit të Romës e quajtën të rrezikshme dhe për një periudhë afatgjatë, madje edhe të pamundur, sipas motos së thjeshtë “edhe më tej, kështu”, të shoqërisë së rritjes ekonomike.
Dhe ja ç‘thuhet nga studiuesi Fidrih Dikman: “Që zhvillimi tekniko-ekonomik i nënshtrohet një ligji të tillë ekspansional, që sasia e prodhimit nuk rritet në mënyrë lineare, pra thjesht në mënyrë të njëtrajtshme, është konstatuar nga studiuesit e Klubit të Romës, si dhe nga liderët politikë të ekonomive më të forta të botës. Të parët e bënë këtë konstatim të alarmuar, ndërsa të dytët në mënyrë afirmative dhe arritën në përfundimin se pa një kuotë në rritje të zhvillimit ekonomik, ishte e pamundur të arrihej ekuilibri shoqëror në vendet e qeverisura prej tyre. Kjo do të thoshte se kushti i ekzistencës së shoqërive të industrializuara u shpall një formë e tillë veprimi, që përballë burimeve të kufizuara të planetit Tokë, u provua të ishte jorealiste, meqenëse asnjë kundërshtim nuk erdhi nga socialdemokracia europiane, kjo përbënte një ngritje duarsh përpjetë përballë humbjes në një politikë”.
Kjo çoi te mendimi se politika është thjesht një utopi e mjerë, e cila nuk duhet të ndikojë në ekonomi. Kështu, kemi të bëjmë me një fillim të fundit të politikës në Europë. Dikmani shkon edhe më tej, ai shpall “një fatalizim të qeverive”, që neoliberalizmi i ditëve tona i ka skualifikuar. Dikman thotë: “Fatalizmi i shpallur këtu, përforcon një rrymë neoliberaliste, e cila nga përjashtimi i mundësisë së një ndryshimi dhe nga pamundësia e një kthese tekniko-ekonomike, nxori përfundimin se ligji i tregut, i mundjes së më të dobëtit, qenka forma optimale e sjelljes shoqërore”.
Erhard Epler kundërshton: “Nëse politika hoqi dorë nga synimi, për t‘u kujdesur në mënyrë realiste për sigurimin e një jetese të denjë, e ardhmja e njerëzve përse të mos lihet thjesht në duart e tregut? Aty ku politika heq dorë nga vetvetja, mbetet megjithatë tregu. Aty ku kërkohen vetëm sasi të mëdha, padyshim që kemi të bëjmë me eliminimin e politikës. Aty ku një normë minimale rritje ekonomike bëhet çështje ekzistenciale e ekonomisë, një nga detyrat më të rëndësishme të politikës, mund të bëhet ndryshimi i frerëve të tregut dhe eliminimi i vetvetes, pra i politikës”.
Nëse tregu përcakton gjithçka, pa politikën, atëherë dalim në hullinë se nuk ka nevojë për politikanë. Për Erhard Epler, brezi i ri i politikanëve, mund të përfundojë në një qerthull të rrezikshëm. Sa më shumë të rinj hyjnë në rrugën e karrierës politike, si në çdo lloj tjetër karriere, aq më shumë dalin në plan të dytë dhe bëhen të çfarëdoshme përmbajtjet dhe synimet politike, një çështje profilizimi kjo dhe e gamës së ofertave në tregun e zgjedhësve. Por, sa më e paqartë të bëhet se çfarë mbrojnë politikanët, aq më të neveritur ndihen të rinjtë, të cilët me dëshirë do të mbronin një ideal të caktuar. Ajo çka mbetet, janë të lëvizshmit, ata që janë të gatshëm për përshtatje, ata që e zgjedhin politikën jo si profesion, por si karrierë. Por ata kujdesen që politika të kthehet në diçka të rrallë dhe të harruar.
Prandaj, Erhard Epler citon Conrad Adenahuerin, që bën një vërejtje të hidhur: “Të gjitha kthehen në një fiksion ideologjik, për të cilin ëndërrojnë vetëm fondamentalistët. Politika ngjan si një veprimtari që hap karriera të ngjashme, kërkon të njëjtën masë specializimi dhe shpërblehen të njëjtat veti si çdo profesion tjetër. Në vend që të bashkojë shoqërinë dhe të angazhohet me objektiva të përbashkëta, ajo nxit shpërbërjen”. Pra, politika mund të ringjallet duke u rikthyer në statusin profesional. Së pari, kjo kërkon një nivel më cilësor dhe sidomos kulturor të politikanëve.
Diletantizmi i politikanëve shqiptarë
Diletantizmi i politikanëve shqiptarë është i pabesueshëm. Krerët e partive me ndonjë përjashtim janë diletantë. Sidomos në rrafshin juridik. Kanë politikanizuar gjithçka, çka provon se nuk e njohin politikën dhe nuk besojnë në një ringjallje të politikës. Konceptet ekonomike i kanë të mjegulluara në kokë, improvizojnë në mënyrën më të frikshme situata nga më të çuditshmet, por të shkëputura nga statusi profesional i politikës. Madje edhe në politikën e jashtme, ku oponenca është më shtrënguese, për shkak të metropoleve të politikës botërore, manifestohen koncepte diletante, ose të muhabeteve të kafenesë. Kështu, kafetë kanë zëvendësuar parlamentin, duke falsifikuar strukturat përzgjedhëse. Kualifikimi i politikanëve shqiptarë, gati nuk ekziston.
Është e vërtetë se këto 18 vitet e fundit, shumë emra janë bërë publikë për shkak të politikës, por kemi të bëjmë me një mistifikim të medias, të formës së jashtme dhe jo të përmbajtjes. Erhard Epler synon që t‘i rikthejë dinjitetin politikës, duke ngulur këmbë në profesionalizmin e saj. Dhe në këtë katrahurë të sotme, mendon se strukturat universale të mediave “nuk pasqyrojnë realitetin”. Prandaj mediat bëjnë një publicitet të njerëzve të cilët nuk kanë në vetvete vlera të vërteta publike.
Erhard Epler thotë se “mediat prodhojnë realitetin e tyre. Shpeshherë e bëjnë këtë me ndërgjegje dhe jo pa qëllime politike. Mediat përcjellin jo vetëm politikën që bëjnë të tjerët, por bëjnë edhe vetë politikë, madje prodhojnë edhe ngjarje politike”. Por prapë jemi shumë larg statusit profesional të politikës. Që mediat ushtrojnë pushtet, kjo kuptohet vetvetiu. Kështu që pushtetarët kërkojnë të ndikojnë duke bërë kontrollin e mediave. Duke eliminuar autonominë e mediave, humbet aspekti kriticist dhe kontrollues i mediave ndaj gabimeve të pushtetit të politikanëve. Autonomia legjitime e mediave duhet të jetë reale dhe jo false. Shpesh mediat ankohen për zhbërjen e politikës, por ato nuk janë në asnjë mënyrë të pafajshme. Ato i imponojnë politikës kriteret e tyre, të cilat nuk janë aspak gjithmonë jopolitike, por kjo për ironi prapë nuk ka të bëjë me një politikë të shëndetshme dhe të ringjallur.
Erhard Epler është ndër të paktit, por jo ndër të vetmit, i cili beson në ringjalljen e politikës. Ai bën pyetje të shkathëta dhe shkencore për çështje të tilla të mëdha si
– raportet e administratës me politikën,
– mes utopisë dhe pragmatizmit,
– mes interesave dhe së vërtetës,
– mes moralit dhe politikës,
– çfarë është shteti, pushteti dhe dhuna,
– ç‘është ekonomia e globalizuar,
– ç‘është dogmatika neoliberale,
– ç‘është mjerimi i politikës etj.
Duke kërkuar me të drejtë një ringjallje të politikës europiane, Erhard Epler nënvizon tezën e një rikonceptimi të politikës për shkak se ka ndodhur një ridogmatizim i saj, pas situatave të reja pas Luftës së Ftohtë. Meqenëse kriticizmi ndaj praktikave të dikurshme politike sot është tepër i dobët, duhet bërë kombinimi i rrethanave të reja ekonomike me politika të reja adekuate. Por kjo kërkon besim te shkenca dhe sidomos në dimensionin e patjetërsueshëm moral. Nëse ekziston ekonomia e tregut, kjo nuk do të thotë që konkurrenca e pamëshirshme duhet të zhdukë humanizmin dhe solidaritetin. Nuk mund të kemi një shoqëri të zhvilluar, vetëm me disa elita, kurse të tjerët të vuajnë prapambetjen e moszhvillimit. Nuk mund të kemi politika të disave, por politika për të gjithë. Ekonomia e tregut mund të jetë një rregullator mekanicist, por humanizmi mund ta ringjallë politikën, për shkak se një ringjallje e tillë është absolutisht jetike dhe e domosdoshme.
Po politika në Shqipëri?
Është tepër e vështirë dhe tepër e dhimbshme të flasësh për të. Politika, e ashtuquajtur post-komuniste në Shqipëri, është e demonizuar. Dhuna verbale konvertohet edhe në dhunë fizike, siç ka pasur konkretisht shfaqje të tilla edhe në parlament. Në vend të integrimit të përbashkët, ka një polarizim të rëndë.
– A mund të shkohet kështu?
– A nuk duhet të besojmë te një ndryshim pozitiv i sendeve, njerëzve dhe situatave?
– A nuk vlejnë idetë e Erhard Epler si një leksion i dobishëm edhe për politikën shqiptare?
– A janë vallë aq të ditur shqiptarët sa të mos mësojnë dhe të mos kenë nevojë për të mësuar nga dituria e të tjerëve?
– A mund të integrohemi në Europë pa mësuar kulturën europiane të politikës?
– A mund të integrohemi në Europë pa u integruar më parë me njëri-tjetrin?
– A nuk duhet të përfitojmë dhe të vëmë në lëvizje mendimin tonë nga këto dilema të mëdha?
– A nuk duhet ta quajmë fatkeqësi paditurinë tonë, që ka lindur një kompleks të madhështisë së kotë dhe krejtësisht false?
– A nuk duhet të jenë më modestë politikanët tanë të bujshëm dhe patriarkalë?
Sa shumë kemi për të mësuar, sa shumë kemi për të kritikuar vetveten dhe për të gjetur rrugën e ndershme dhe të vërtetë.

Tiranë, 12. 12. 2009

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura