GJEKË GJONAJ: FRYMA BAMIRËSIE E FONDIT HUMANITAR ‘MALËSIA’

Ulqin, 26. 11. 2014 – Para 20 vitesh, saktësisht më 14 janar të vitit 1994 është themeluar Fondi Humanitar ”Malësia”, me seli në Nju-Jork. I njoh të gjithë vullnetarët malësorë, që me vite janë angazhuar dhe vazhdojnë të shërbejnë në këtë fondacion bamirës, të cilët kohën e tyre të lirë ia falin idealit humanitar, dhe mund të them se mishërim i tyre është mbi gjitha, frymëzimi për të ndihmuar shqiptarët në nevojë.
Puna vullnetare e këtij fondacioni është një kronikë suksesi në vete. Sot pas dy dekadash, themi me bindje të plotë dhe me krenari se ky fonadacion ka bërë punë të vogla me dashuri të madhe, të cilat i kanë përjetuar dhe i ndjejnë qindra familje malësorësh dhe jo vetëm. Veprimtaria e tij humane njëzetëvjeçare në kontinuitet i shërbeu, me nder e dinjitet në radhë të parë Malësisë dhe malësorëve.
Nuk ka asnjë dyshim se me shembullin e drejtuesve, anëtarëve dhe donatorëve të këtij fondacioni u tregua fryma e tyre e solidaritetit, e bamirësisë, e përkushtimit ndaj vendlindjes së tyre të cilën e duan me gjithë zemër dhe për të cilën shpeshëherë kanë derdhur edhe lotë nga malli i zhuritur që të sjell mërgimi.

Me veprimtarinë e deritashme të shkëlqyer, përmes formave të ndryshme në fushën e arsimit të të rinjve të Malësisë, zhvillimit kulturor të kësaj trevë, shkollimit të studentëve shqiptarë në Malin e Zi, ndihmës sociale, shëndetësore të malësorëve në nevojë, e shumë aktiviteteve tjera për t’i dalë zot çështjes shqiptare, treguan bujarinë dhe fisnikërinë e tyre të madhe ndaj popullit të vet.
Me këto veprime të tyre fisnike, ata po ngrehin lart dhe po e respektojnë emrin e tyre si malësorë, të cilët gjatë gjithë historisë sonë, i bënë ballë kohërave, dhe ia arritën me shumë sakrifica, të ruajnë nderin, besën, gjakun dhe burrërinë, mikëpritjen, gjuhën e bukur e të ëmbël shqipe, kulturën dhe traditën, virtyte këto që do të na i dëshironin edhe shumë popuj e kombe të tjerë.
Kështu Fondacioni Humanitar “Malësia” në rritën e tij të deritashme krijoi ndjenjën e bamirësisë dhe solidaritetit, duke vërtetuar thënien e moçme shqiptare: “Nëse dëshiron t’i ndihmosh vetvetes, atëherë ndihmoju të tjerëve, sepse kështu do të ndihmojë Zoti dhe të tjerët”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura