Hameln (Gjermani), 03. 12. 2014 – Çdo Nëntor na e sjell dhuratën më të mirë – Festën e Flamurit Kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Festa e Nëntorit të sivjetshëm, fëmijëve, të rinjve dhe familjeve shqiptare në mërgim, u sjell edhe një DHURATË shumë të çmueshme – pas afër dy vjet ndërprerjeje, na vjen numri i parë (i 95-ti me radhë) i revistës për fëmijët dhe të rinjtë në mërgim „Doruntina“, që do t´u shpërndahet GRATIS fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në mërgim. Kjo revistë u ndërpre së botuari para afër dy vjetësh. U ndërpre pas 17 vjet botimi. U ndërpre – sepse kështu deshi Ministria e Diasporës, në përkrahje të heshtur nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë të Republikës së Kosovës.
Në këtë informim solemn, në këtë festë, në këtë shkrim sihariq, nuk do të hymë për shkaqet dhe shkaktarët e ndërprerjes së revistës „Doruntina“.
Megjithatë, më këtë rast, gjithësesi duhet, t´ju informojmë se:
– KUSH E SOLLI „DORUNTINËN“?
Kadareja kësaj radhe jo.
As Konstandini, edhe pse nëse e pyesim Gjergj Stresin, ai do të thotë: Doruntinën e solli Konstandini, e solli fjala e dhënë.
Doruntinën e solli besa shqiptare, do të thonë moralistët.
Doruntinën e solli misioni i saj pakryer.
Nëse në këto pohime ka diçka të vërtetë, thelbi ende nuk është thënë: „Doruntinën“ e solli era e Rilindjes, era e furishme e ndryshimeve, tronditja e moralit të kësaj shoqërie që, për 15 vjet me radhë, përveç fitimit e përfitimit nuk njeh asgjë, fillet e rebelimit të mërgatës shqiptare, përpjekja e kësaj mërgate për të zënë vendin që i takon në këtë shoqëri e në këtë shtet, që e ngritem me gjekun e shekujve; përpjekja e këtyre mërgimtarëve për të mbërritur tek Shën Njeriu.
Atributi i ringjalljes kësaj radhe nuk ndodh në versionin biblik, por në versionin kombëtar.
Prandaj, kësaj radhe, ju themi dhe u themi se „Doruntinën“ e solli BESA, Besa e dhënë – Besa Foundation nga Munihu.
Besa e dhënë duhet mbajtur, sepse prej vitesh, por edhe para dy vitesh, fëmijëve mërgimtarë ua kishim dhënë besën se prapë do t´ua sjellim „Doruntinën“.
Po kush është „Besa Foundation“ nga Munihu që revistën për fëmijët dhe të rinjtë në mërgim e solli prapë në duart e lexuesve të saj?
Anton Krasniqi, kryetar e Ilir Seferi, zëdhënës për media, na thanë se „Besa Foundation“ është themeluar nga disa afaristë shqiptarë në Republikën Bajern të Gjermanisë. Ideja kishte lindur në vitin 2009 dhe u realizua një vit më vonë pikërisht më 25.10.2010.
Qëllimi i formimit të „Besa Foundation“ ishte dhe mbetet koordinimi i punëve dhe aktiviteteve të Bizneseve Shqiptare në Bajern, me theks të veçantë ndihma humanitare dhe ndihma për atdheun e rreth atdheut.
Afaristët shqiptarë në Bajern shumë shpejt e panë seriozitetin dhe kontributin e këtij Fondacioni, prandaj filluan të anëtarësohen në të njëri pas tjetrit, dhe sot ky Fondacion numëron bashkimin e aktiviteteve të 67 kompanive shqiptare nga Republika e Bajernit, si: arkitektë, inxhinierë, kompani ndërtimi, mjekë, gastronomë e të tjerë.
Këto kompani punësojnë diku mbi 3000 punëtorë.
Që prej themelimit, „Besa Foundation“ prioritet ka pasur aktivitetet humanitare e kombëtare, si në Kosovë, po ashtu edhe në Gjermani.
Në Kosovë janë ndërtuar disa shtëpi për familje me nevojë dhe me shumë anëtarë, sidomos fëmijë të vegjël, janë renovuar shkolla, kanë kontribuar në dhjetëra financime të operacioneve për të sëmurët, fëmijë e të rritur, në Kosovë, Shqipëri, Turqi e Gjermani, botime të veprave letrare e publicistike etj. Ndërkaq, në Republikën e Bajernit janë ndihmuar e përkrahur financiarisht shumë shoqata kulturore e sportive shqiptare.
Pra, për vetëm për 4 vjet, „Besa Foundation“ ka ndihmuar me disa qinda mija EUR, një kontribut madhor humanitar, kombëtar e kulturor.
Financimi i përgatitjes dhe botimit të revistës „Doruntina“ është edhe një kontribut kombëtar e kulturor i „Fondacionit Besa“, dhuratë shumë e çmuar për fëmijët e të rinjtë shqiptarë në mërgim, por dhe familjet mërgimtare e gjithësesi edhe kulturën shqiptare.
Një gjë e dinë kryesia dhe anëtarësia e gjerë e „Besa Foundacion“, e dimë edhe të gjithë ne, se veprimtaritë dhe kontributet kombëtare, kulturore e humanitare që zhvillohen në mërgatën shqiptare, janë vazhdimësi e veprimtarive kombëtare e kulturore të rilindësve tanë.
Po, sepse Rilindja Kombëtare Shqiptare ka filluar me një program të qartë për krijimin e shtetit shqiptar në kufijtë e tij natyror dhe do të mbyllet atëherë kur ky shtet do të formësohet në kufijtë e tij natyror historik.
(Kontakti me autorin – Ragip Ramaj: [email protected])