Prishtinë, 06. 12. 2014 – (Kadrush Radogoshi: “A devout session 2 – Seancë e përshpirtshme 2”, LSHK, Prishtinë, 2014) – Hyrje- Laureat i shumë çmimeve letrare, poeti, shkrimtari dhe kritiku letrar nga Kosova Kadrush Radogoshi, i cili nga 1 shatori i vitit 2010 jeton në Edmon të Kanadasë, po ia dhuron lexuesit anglishtfolës dhe shqipfolës librin e shtatëmbëdhjet letrar, gjegjësisht librin e nëntë poetik, i cili titullohet “Seancë e përshpirtshme 2”. Ky libër, si për nga tematika ashtu edhe për nga struktura, është vazhdimësi e veprës së tij pararendëse poetike me titull “Çabrat Antologjia”, me nëntitull “Seancë e përshpirtshme”, e cila u botua më 2008 nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Karakteristikë themelore e veprës më të re të tij është struktura ndjenjore, struktura semantike dhe figurative e saj, e cila tani pasurohet me percepcione të reja të subjektit lirik për përmasën e tragjikes që prodhon krimi i pandëshkuar dhe nevoja jetike për drejtësi në atdheun e paçliruar nga pikëllimi. Vepra poetike “Seancë e përshpirtshme 2” me temën e saj për fatin e personave të pagjetur dhe të vrarë në luftën e fundit në Kosovë është një ftesë që i bëhet lexuesit për të vendosur marrëdhënie reflektimi me realitetin e një bote të çarë njerëzore: midis të djeshmes dhe të ardhmes; midis pjesës shtazore dhe humane të natyrës njerëzore; midis fundësisë dhe pafundësisë së përjetimit të kuptimit të jetës që njeriu përpiqet ta ndërtojë.
Refleksioni estetik për krimin
Vepra e Kadrush Radogoshit, duke u bazuar në të dhënat empirike të realiteti ekzistencial të pasluftës në Kosovë, kuptimin etik për do ta pasurojë me dimensionin estetik të të kuptuarit të tij. Por kjo s’do të thotë që ai do ta estetizojë atë. Përkundrazi. Përfytyrimet e përfituara nga imazhet e nënave që kërkojnë bijtë e tyre rrugëve të Gjakovës e Kosovës menjëherë pas lufte (e edhe në ditët e sotme), si të dhëna tashmë të ndërgjegjes sonë etike, do të riaktualizohen, do të rikonfiromohen, do të problematizohen e rikonfigurohen me të dhënat e prodhuar prej ndërgjegjes estetike që jepen të materializuara në veprën “Seancë e përshpirtshme 2”. Të gjithë ata që i kanë humbur të afrimit, miqtë, shokët (në Gjakovë nuk mund të gjesh një njëri të vetëm që nuk e ka dikë të vrarë apo të zhdukur, apo nga personat që kanë qenë pengje lufte në burgjet e Serbisë, qoftë nga rrethi i ngushtë familjar, qoftë nga rrethi i gjerë familjar), vepra e Kadrush Radogoshit do t’i vendos në një situatë çarjeje epistemologjike për dhe rreth kuptimit etik dhe estetik të të keqes në rrafshin politik, historik, etnik e antropologjik të shfaqjes së saj.
Dr.Arben Hoxha (ulur) dhe autori i librit – Mr.Kadrush Radogoshi.
Kjo është kopertina e librit të nëntë poetik gjegjsisht të shtatëmbëdhjetit me radhë, i cili është dygjuhësh (Anglisht – Shqip) dhe tregon një séancë të përshpirtshme të dy nënave dhe të shpirtrave të eshtrave të kthyer nga varrezat masive dhe të rivarrosur në Kodrën e Çabratit në anën perëndimore të qytetit të Gjakovës.
* * *
A do të thotë kjo se veprës i mungon dimensioni universal? A do të thotë kjo se kjo vepër do të mbetet e huaj për ata qe nuk e kanë përjetuar krimin nga afër?
Pa dyshim se jo.
Vepra poetike “Seancë e përshpirtshme 2” është shkruar në dy gjuhë: në shqip dhe në anglisht. Karakteri bilingual, i cili shfaqet në rrafshin fizik të ekzistencës së saj, dëshmon se kjo vepër është etabluar mbi parimin e një modeli nevojash të hapur komunikimi ndërmjet sistemit të kulturës letrare shqiptare dhe atij anglo-sanson. Është dëshmi e vitalitetit shpirtëror dhe intelektual, kur në një proces përafrimi kulturor me veprimtarinë e tij krijuese do të ndërhyjë një autor, i cili para katër vitesh do të shpërngulet nga Kosova për në Kanada, pa njohurinë më elementare për gjuhën e mjedisit të ri ku do të vendosej, dhe pas katër vitesh, gjuhën (fillimisht kjo një pengesë e madhe për nevojat elementare komunikuese) me vullnetin e pathyeshëm për dije dhe punë, do të arrijë ta zotërojë në shkallën e përdorimit të saj si një mjet poetik për shpalosje dhe transmetim këndvështrimesh të reja dhe të thella kuptimore për ekzistencën dhe jetën njerëzore.
Të ekzistosh do të thotë të veprosh. Kadrush Radogoshi në Kanada do të veprojë jo vetëm për të ekzistuar, por për ta shfaqur një mënyrë ekzistence, të cilën do ta modelojë sipas ndërgjegjes estetike të tij dhe do ta objektivizojë në veprën e tij. Një poet grekë thotë se “atdheu është një plagë e madhe që të ndjekë nga pas ku do që të shkosh”. Me veprën poetike “Seancë e përshpirtshme 2” fati i të pagjeturve, kujtimi për të njohurit e vrarë, krimi i pandëshkuar, duket se për Kadrush Radogoshin do të mbeten plagë e Plagës së tij. Atdheu nën mengelet e fajit të pandëshkuar. Atdheu i gjymtuar mungese drejtësie. Si të gjendet kuptimi etik i ekzistencës në një botë ekzistence të çarë që e pamundëson bashkimin e njeriut me unin e tij? Si të arrihet uniteti i një bote ekzistence të ndërtuar mbi copash imazhesh pafundësie pikëllimi? Duke e zhvendosur atë botë jashtë atyre copave të imazheve apo duke i zhvendosur ato imazhe jashtë asaj bote? Këto janë dileme universale që e përbëjnë fatin e ekzistencës njerëzore.
Vëllimi poetik “Seancë e përshpirtshme 2” është një ftesë për nevojën e kapërcimit të një hendekut të tillë të hapur ekzistencial në një botë relativizmi etik, ku njeriu është i shtrënguar të jetojë në një dimension baraslargësie vlerore me të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të padrejtën.
Krimi në një botë relativizmi etik
Në vëllimin poetik “Seancë e përshpirtshme 2” shpaloset përmasa e strukturës së pikëllimit nëpërmjet aktit të përshpirtjes së të gjallëve për të vdekurit, për të vrarët, për të masakruarit dhe për të zhdukurit në luftën e fundit në Kosovë, dhe përshpirtjes së të vdekurve ndaj të gjallëve, të pamjeve që ata prodhojnë për të kaluarën tragjike që kanë pësuar në këtë luftë. Këtë dramacitet “ndërveprimi” seancash përshpirtjesh ndërmjet të gjallëve dhe të vdekurve Kadrush Radogoshi e realizon nëpërmjet “narratorit poetik” të gjithëdijshëm, i cili subjektivitetin e vet të të kuptuarit të përjetimit tragjik të jetës, të ekzistencës së të keqes në një hapësirë mungese lirie, drejtësie dhe përgjegjësie njerëzore për fatin e njeriut dhe të njerëzimit, e shpalos nëpërmjet dramës psikologjike të dy nënave, të cilat për çdo ditë i vizitojnë varrezat e viktimave civile, eshtrat e të cilave janë kthyer nga varrezat masive në Serbi. Në mesin e tyre janë edhe bijtë e tyre. Ato, në mungesë të së vërtetës dhe vendosjes në vend të drejtësisë, nuk arrijnë asnjëherë të dalin nga zona centrifugale e pikëllimit.
Libri “Seancë e përshpirtshme 2” është një vepër e cila, me sistemin e vet të figuracionit poetik, me argumentin poetik që prodhohet nga sintetizimi i përvojave të krijuara në hapësira të ndryshme kohore e vendore, na bën të reflektojmë për realitete të paimagjinueshme të rrezikimit ekzistencial të qenies njerëzore. Një vepër që reflekton për një situatë ankthi, ku liria – në mungesë të së drejtës dhe të së vërtetës – nuk arrin ta çajë zonën e pikëllimit dhe ku mbretëria e pikëllimit është hapësira absolute ekzistenciale e banimit të njeriut të dal nga një luftë barbare.
Sartri konstatonte se liria kalon nëpërmjet rrugës së ankthit. Çlirimi i Kosovës, si “liri pozitive” (I. Berlin), për shumë nëna që do t’u mungojnë të dashurit e tyre do të jetë një rikthim i akthit ekzistencialist, gjë të cilën ato e kishin përjetuar gjatë kohës së luftës. Çfarë është kuptimi i ekzistencës së lirisë, kur përmbajtja e saj zbrazet jo vetëm nga ideja për ndëshkimin e krimit, por shkohet edhe më larg – përmes saj mohohet vetë ekzistenca e qenies së krimit? Si të përkufizohet kuptimi i lirisë në një botë relativizmi etik, ku e mira dhe e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra, e drejta dhe e padrejta nuk kanë kufij ndarës ndërmjet vete? Si mund të ndërtohet një botë e qëndrueshme në mungesë të koncepteve të qarta për të mirën dhe të keqen, për të drejtën dhe të vërtetën? Kush është xhelati e kush është viktima?
Në librin poetik “Seancë e përshpirtshme 2” Sokrati si përfaqësues i flijimit për të vërtetën; dhe Laokooni, si përfaqësues i të vërtetës së vrarë nga gënjeshtra, veprojnë si arketipe brenda gjendjes mendore të të dy nënave që përballën me vështirësinë e zotërimit të kuptimit të ekzistencës së lirisë në kontekstin e mungesës së drejtësisë dhe të së vërtetës. Në qoftë se Dante – bazuar në konceptin paraprakisht të pranuar prej tij për të drejtën, të mirën, të keqën dhe të vërtetën – do ta marrë për ciceron Virgjilin me qëllim të ndërtimit të vizionit të tij poetik për botën të ndarë në tri pjesë: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsën; në “Seancë e përshpirtshme 2”, subjekti lirik me qëllim të shpalosjes vizionit poetik për një botë të paçliruar nga padrejtësia dhe nga e pavërteta, për ciceron do ta marrë Bodlerin e “Luleve të së keqes”, i cili udhëhiqet nga kategoritë negative të botëpërjetimit dhe botëkonceptimit të ekzistencës njerëzore, si: e shëmtuara, e ulëta, vetmia, tragjikja etj.
Ankthi ekzistencialist, si rrjedhojë e mungesës së drejtësisë, e ndëshkimit të krimit, e zotërimit të së keqes dhe të ultës, në këtë libër përbën botën e bashkëjetesës e të bashkëvuajtjes së të gjallëve me të vdekurit dhe të të vdekurve me të gjallët; të vuajtjes së të gjallëve për fatin e të vdekurve, për mungesën e vënies në vend të drejtësisë për ta, dhe të vuajtjes së të vdekurve për fatin e të gjallëve, ekzistenca e së cilës e zbulon kuptimin e qenies së tyre.
Të këtë libër të vrarët e kthyer në vendlindje (në Gjakovë) në trajtën e mbetjeve mortore, në monologët e tyre – duke i kënduar jetës dhe dashurisë -dëshmojnë jo vetëm për absurditetin e vrasjeve të tyre si rrjedhojë e veprimeve makabre të makinerisë ushtarake serbe, por edhe absurditetin e urrejtjes nacionale, e cila është shkaku i vrasjeve dhe krimeve të kryera ndaj popullatës së pafajshme. Rrëfimet e të vrarëve për jetën dhe dashurinë janë një akuzë e tërthortë për pjesën kafshërore të qenies njerëzore, por assesi shprehje e ndonjë urrejtjeje për Tjetrin, si realitet ekzistencial që e kondicionin idenë për vazhdimësinë e njerëzimit dhe të njerëzores në te.
Përfundim
Nëse themi se vrasja e të pafajshmëve nga makineria ushtarake serbe do të jetë mohim i përjetësisë së qenies njerëzore, Kadrush Radogoshi me “Seancë e përshpirtshme 2” dëshiron të na provojë pikërisht të kundërtën: shkëmbimi i përshpirtjeve ndërmjet të gjallëve dhe të vdekurve është prova e ekzistencës së përjetësisë njerëzore, dhe atë jo në kuptimin teleologjik e transcendental-religjioz, por në kuptimin e një humanizmi ekzistencialist, ku njeriu përmes të keqes, lirisë, drejtësisë, të mirës dhe të vërtetës, e shpalos unitetin e strukturës së kuptimit më të thellë dhe më të plotë që ai ka për qenien dhe ekzistencën e tij.
– Autori është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
***
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
MR.KADRUSH RADOGOSHI: GJAKOVA NË SHTRATIN E PROKRUSTIT SERB
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/index.php?kat=63&shkrimi=184
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/index.php?kat=63&shkrimi=185