Tiranë, 18. 12. 2014 – Mbylli sytë përgjithmonë Skënder Drini (më 16. 12. 2014). U mbyll saga e jetës së një njeriu të veçantë, që ishte një shkrimtar i shkëlqyer. Jeta fizike e tij mori fund në mënyrë të dhimbshme. Prej shumë ditësh i shtruar në spitalin e kardiologjisë, për t’u kuruar për koronaret, ai befas pësoi një atak hemorragjik dhe ra në koma të thellë. Parametrat e komës nuk tregonin asnjë mundësi përmirësimi apo për të dalë nga kthetrat e pamëshirshme të vdekjes. Ditën e parë që u shtrua në spital, Skënder Drini më telefonoi. Në orën shtatë të mbrëmjes shkova dhe e takova në spital. M’u duk mirë. Biseduam si gjithmonë, madje bëmë edhe humor.
“Jam shtruar për të bërë disa analiza, – më tha Skënderi, – por nuk besoj se do të rri gjatë këtu”. Ndodhi e kundërta. Erdhi në spital pikërisht për të mos dalë gjallë nga ky vend.
Gjatë ditëve të gjata që mjekohej me përkushtim nga mjekët, Skënder Drini u fiksua në komën e tij. Unë vija shpesh dhe e shikoja. Ai me sytë e mbyllura me portretin e tij fisnik dukej sikur flinte, ndërkohë që mjekra e tij e thinjur rritej dhe mua më krijohej një ndjesi e çuditshme që ky njeri tashmë ishte shndërruar në një qenie që ishte përtej jetës dhe vdekjes, ashtu siç janë në të vërtetë statujat. Tërë kjo agoni e gjatë në të vërtetë nuk ishte mbijetesa e tij. Në koma ai ishte teknikisht i vdekur, pra ky njeri e përjetoi ndarjen nga jeta më përpara se sa të quhet i vdekur. Kjo nuk ka shumë rëndësi. Të gjitha qeniet njerëzore janë të vdekshme pa përjashtim. Këtu është fjala për një shkrimtar të shkëlqyer dhe një njeri të madh si Skënder Drini, i cili përfundon jetën e tij për të kapërcyer pragun e Amshimit, për të kaluar në atë që romakët e vjetër e quanin “jeta e dytë”, domethënë atë substancë eterne që quhet “Kujtesë”.
Skënder Drini (09. 08. 1935 – 16. 12. 2014)
Vdekja e Skënder Drinit është padyshim një dhimbje e padurueshme.
Vdekja e Skënder Drinit është një humbje e veçantë në kulturën shqiptare. Shkrimtarët nuk janë njerëz të rëndomtë. Çdo njeri i rëndomtë ka vdekje që shkakton dhimbje për të afërmit. Vdekja e një shkrimtari si Skënder Drini shkakton një dhimbje kombëtare. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe e pamohueshme. Skënder Drini është një personalitet i madh i kulturës moderne shqiptare. Ai u formësua dhe u skalit si një profil i letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Talenti i tij nuk ishte i zakonshëm. Skënder Drini synoi gjithmonë diçka të epërme dhe një letërsi me një estetikë të lartë.
Veprat e tij të shumta dhe cilësore e bëjnë Skënder Drinin pjesë të kostelacionit të shkrimtarëve të shquar shqiptarë si Ismail Kadare, Petro Marko, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi etj.
Skënder Drini ishte një prozator i mirëfilltë dhe padyshim një mjeshtër i vërtetë. Ai ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër dhe mjeshtër i prozës së gjatë. Romanet e tij kanë hapur një hulli të re në letrat shqipe. Romani “Shembja e idhujve” është padyshim një nga romanet më të mëdhenj të letërsisë shqipe në të gjitha kohërat. Njohës i thellë i jetës, ai karakterizohet nga një humanizëm i pashoq.
Pas viteve ‘90 Skënder Drini ka një fazë të dytë të krijimtarisë së tij, ku ai ndryshe nga prozatorë të tjerë, që u plogështuan dhe u zbehën pati një shkëlqim. Po përmend vetëm dy romane të tij: “Nata e ka emrin grua” dhe “Korbi”. Për mendimin tim, këto dy romane janë dy romanet më të shkëlqyera të botuara këto njëzet vjetët e fundit. Skënder Drini ishte mjeshtër i rrallë i prozës moderne dhe i subjekteve të thekshme ekzistenciale. Ai botoi një numër të madh librash me prozë të shkurtër, që ishin gjithashtu të një niveli të lartë për letrat shqipe në këtë etapë.
Nuk duhet harruar edhe një tjetër dimension i tij, ai i mendimtarit dhe analistit politik për çështjen shqiptare kombëtare, që ai i përkushtoi qindra artikuj si dhe disa libra. Dhe pikërisht në këtë kulm të krijimtarisë, Skënder Drini ishte gati i harruar nga mediat, nga juritë idiote të Ministrisë së Kulturës, nga vlerësimet dhe çmimet kombëtare që u janë dhënë njerëzve që nuk i kujton më askush dhe që janë harruar përfundimisht.
Skënder Drini ishte një njeri mjaft i kulturuar, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe një lexues i madh. Ai ishte shëmbëlltyra e shkrimtarit që nuk bën kompromise dhe i shpërfill të gjitha klientelizmat politike.
Ai e përballoi me dinjitet dhe stoicizëm fatin e vet. Pa iu ankuar askujt, por pa folur asnjëherë për veten e vet. Ai jetoi një jetë me mundësi financiare të mjerueshme, por pa e humbur asnjëherë besimin e madh utopik dhe moral te letërsia e vërtetë.
Skënder Drini ishte një karakter i madh njerëzor. Duke pasur një njohje mbi 30-vjeçare me të, e kam njohur dhe admiruar nga afër tipin dhe ndershmërinë e tij të pashoqe.
Skënder Drini nuk dinte as të lajkatonte. Ai nuk dinte asnjëherë të gënjente. Ishte i drejtpërdrejtë, pra shumë i vërtetë si njeri. Karakteri i lartë i tij përbën një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. Asnjë njeri si Skënder Drini nuk ka qenë kaq krenar dhe i paepur përballë mediokritetit të së keqes. Ai ishte gati i pathyeshëm.
Një fjalë e urtë thotë “se vdekja ha gjithçka, përveç emrit të madh”. Vdekja përballë Skënder Drinit është e mundur përgjithmonë. Skënder Drini nuk ka të bëjë asgjë më vdekjen e tij fizike. Nëse një jetë njerëzore është e përcaktuar me limite kohorë, kjo gjë është e vetëkuptueshme deri në atë çast konceptual kur ne reflektojmë dhe kuptojmë se jeta e një krijuesi të madh si Skënder Drini në të vërtetë e kapërcen më në fund vdekjen.
Skënder Drini jetoi tërë jetën në Shkodrën, që Migjeni i madh e ka quajtur “dashnorja e shekujve”. Frederik Rreshpja dhe Skënder Drini janë padyshim dy shkrimtarët e mëdhenj kombëtarë më të shquar që lidhen pikërisht me Shkodrën. Janë të varfra fjalët përpara një personaliteti të tillë si Skënder Drini.
Dhe fjalët e mia janë padyshim të varfra. Jam i sigurtë se unë kam shprehur ndjesi apo përafërsime të asaj që lidhet me një lavdi dhe krenari që kultura i jep kombit.
Shkrimtarë si Skënder Drini i shtojnë vlerat në Panteon kombit shqiptar më shumë se sa emrat e politikanëve apo njerëzve të tjerë, të cilët përcaktojnë atmosferën apo spektaklet mediatike në këtë Shqipëri të demonizuar nga politika. Përtej politikës së çastit, emri i Skënder Drinit përshndrit letërkredencialet e kulturës dhe të artit shqiptar.
Amen!
———————————————–
LAMTUMIRË SKËNDER DRINI!
……………………………..
…………………….
(Ilustrimet i zgjodhi editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)