Durrës, 19. 12. 2014 – Kombi shqiptar është një komb evropian dhe, si i tillë, ai duhej përkrahur dhe duhet përkrahur prej të gjithë shtetevet të Evropës, si dhe prej të gjithë miqvet të Evropës. Nuk po them që popujt e tjerë të këtij gadishulli nuk duhein përkrahur. Edhe ata duhen përkrahur, por në të drejtën e tyre, jo në padrejtësi e në dëm të të tjerëvet. Kur them shtetet e Evropës, e kam fjalën, që nga Lihtenshtejni e San Marinoja, deri te Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Spanja, Italia. Që të gjithë duhej ta kishin përkrahur dhe duhet ta përkrahin kombin shqiptar, sepse është në interesin e tyre, dua të them, në interes të krejt Evropës. Kur them, miqtë e Evropës, kam parasysh këtu kryesisht Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Kanadanë, natyrisht, pa përjashtuar asnjë tjetër.
Fatkeqësisht, në shumicën e rastevet, kjo përkrahje ndaj shqiptarëvet nuk ka ndodhur. Kombi shqiptar është dëmtuar rëndë nga mospërkrahja, është dëmtuar rëndë dhe është vënë në rrëzik krejt gadishulli dhe janë dëmtuar e vënë në rrëzik vetë mospërkrahësit tanë.
Është detyrë e analistëvet të politikës, të diplomacisë, të ekonomisë dhe të kulturës, e historianëvet dhe e filozofëvet, që ta trajtojnë këtë, në mënyrë të gjithanshme dhe në mënyrën më objektive të mundshme.
Po përmend, në pjesën e parë të këtij trajtimi, krejt kalimthi, vetëm disa prej shembujvet nga e kaluara.
Në shekullin XV, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu bëri Luftën e Madhe kundër invazionit osman, Evropa nuk i përkrahu as përafërsisht aq sa duhej, as etninë e arbërvet, as udhëheqësin e kësaj etnie.
Në shekullin XVII arbërit, pjesa progresiste e tyre, kanë bërë shumë përpjekje për të siguruar përkrahjen e Evropës Perendimore, por Evropa Perendimore nuk i ka përkrahur ata as minimalisht, jo më aq sa duhej. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur libri i Marin Barletit për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, përkthehej në të gjitha gjuhët e Evropës dhe lexohej në krejt Evropën.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX Evropa u tregua armiqësore ndaj kombit shqiptar. Janë me dhjetëra letrat dhe promemoriet që iu dërguan fuqivet të atëhershme të Evropës, ku dëshmohej që shqiptarët ishin një komb shumë i lashtë, me vlera të çmueshme historike, etnike e kulturore dhe strategjike, por fuqitë e mëdha , në Kongresin e Berlinit, nuk u dhanë shqiptarëvet asnjë përkrahje. Evropa e gjymtoi, e sakatoi, e invalidizoi kombin shqiptar, por e dëmtoi rëndë edhe të ardhshmen e vet: Bëri që Ballkani të kthehet në fuçi baruti. Nuk do të ishte Ballkani fuçi baruti, në qoftë se shtetet e Evropës Perendoimore do të ishin treguar më syçelët, sidomos në lidhje me shqiptarët.
Në vitin 1913 Evropa Perendimore vërtet arriti të krijojë një shtet të vogël shqiptar, por kjo punë e saja ish aq e shëmtuar, sa mund të krahasohet me punën e një „kirurgu“, i cili, duke lëvizur bisturinë kuturu, nxjerr nga barku i nënës një foshnjë pa këmbë, pa duar, pa mëlçi, pa shpretkë, pa stomak e me gjysmë mushkërie. A quhet mjek apo kasap ky lloj „kirurgu“?
Të njëjtin qëndrim antishqiptar, realisht antievropian, mbajtën fuqitë e Antantës në vitet 1918-1920. Ato përkrahën kral Aleksandrin e Sërbisë, që ish një asgjësues, një vrasës i qindra mijë shqiptarëvet, dhe krijuan një mbretëri jugosllave problematike.
Në vitin 1924, kur forcat demokratike thelbësisht proevropiane krijuan një qeveri demokratike në Tiranë, Evropa Perendimore nuk e përkrahu atë qeveri. Nuk e njohu fare! Çfarë kërkonte Evropa Perendimore prej asaj cope Shqipërie të sakatuar?! Të mos kish ky vend një qeveri demokratike?!
Qëndrimi i Aleatëvet ndaj shqiptarëvet në Luftën e Dytë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe periudhat e mëparshme, kërkon analiza të hollësishme, por unë po prek këtu vetëm disa momente. Misioni anglez e informonte qeverinë britanike, që, këtu në Shqipëri, e vetmja forcë reale, që luftonte kundër Boshtit, ishte Ushtria Nacionalçlirimtare, e udhëhequr prej komunistëvet. Qeverisë britanike, dhe më vonë asaj amerikane, nuk u vinte mirë që në Shqipëri po e udhëhiqkan luftën komunistët dhe kërkonin aleatë të tjerë. Kërkonin zogistët, kërkonin ballistët, kërkonin bajraktarë e forca të tjera lokale. Atyre s’u vinte mirë as për luftën në Jugosllavi, që po e udhëhiqnin komunistët, por me komunistët jugosllavë anglo-amerikanët lidhën miqësi shumë konstruktive. Ata e ndihmuan komunistin Josip Broz Tito që të merrte shumë territore, nga ata që i kish pasur Italia deri atëherë (Vetëm Triesten nuk ia lanë ta merrte), por nuk bënë asnjë përpjekje që edhe komunistit Enver Hoxha t’i jepeshin tokat shqiptare dhe, në atë mënyrë, ta shëronin plagën e vitit 1913. A thua nuk do të pranonte Enver Hoxha të vihej në krye të një shteti shqiptar më të plotë, në shkëmbim të një aleance me Perendimin, ndaç quaje besnikërie?! Enver Hoxha i kish çuar divizionet e vet në Kosovë. Përse nuk ndërhynë anglo-amerikanët, që ata divizione të mbeteshin në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit dhe në trevat e Tetovës, ku komunistët e Svetozar Vukmanoviqit po bënin kërdinë? Enver Hoxha e kish krijuar batalionin „Çamëria“. Pse nuk ndërhynë anglo-amerikanët që edhe Çamëria të inkuadrohej në shtetin shqiptar, të qeverisur nga Enver Hoxha?! A thua grekët nuk do të mbeteshin miq të Perendimit edhe nëse atyre u hiqej Çamëria? A thua jugosllavët nuk do të mbeteshin miq të Perendimit, edhe nëse atyre u hiqeshin tokat shqiptare?!
Në vend që anglo-amerikanët t’i përkrahnin shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, ka ndodhur e kundërta. Avionët anglezë i bombarduan Ulqinin, Podgoricën, Pejën, Gjakovën. Nuk vranë as edhe 1 nazist gjerman, por vranë popullsi civile dhe nuk e di: A janë bërë ndonjëherë analiza në qeverinë britanike, pse ka ndodhur ashtu?
Sidoqoftë, bombardimi i popullsisë civile shqiptare, në Ulqin, Podgoricë, Pejë e Gjakovë, jashtë kufijvet të 1913-s, nuk mund të jetë shprehje e mospërkrahjes së komunistit Enver Hoxha, por është shprehje e mospërkrahjes së krejt kombit shqiptar nga ana e anglo-amerikanëvet. Pyetja e madhe që shtrohet, është kjo: Përse ishin përcaktuar anglezët dhe amerikanët kundë kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore?! Përgjigjja ime është kjo: Sepse ata nuk e dinin kush ishte miku i vërtetë i tyre në këto hapësira. Ata ishin dritëshkurtër në politikat e tyre strategjike.
Do të mund të thuhej që kjo mospërkrahje ka ardhur për shkak se ne, pjesa shqiptare që, deri në Luftën e Dytë Botërore, kishim qenë të pushtuar prej jugosllavëvet dhe prej grekëvet, i patëm konsideruar italianët dhe gjermanët si çlirimtarë. Por, a nuk mund të na mirëkuptonin anglezët dhe amerikanët për një qëndrim të tillë? Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste e kishin bashkuar në një farë mënyre Shqipërinë, duke e korrigjuar deri diku krimin që kish bërë Evropa ndaj kombit shqiptar në vitin 1913. Duke na mirëkuptuar për qëndrimin tonë ndaj Italisë Fashiste dhe ndaj Gjermanisë Naziste, anglezët dhe amerikanët do të mund të na thoshin: „Ata ju dhanë disa të drtejta, por ne do të ju japim edhe më shumë të drejta. Ne do të bëjmë të mundur që ju shqiptarët të rroni në demokraci, në një shtet të vetëm.“ Nuk thanë kështu perendimorët, por na bombarduan dhe, vetëm në Pejë, na i vranë 3000 banorë.
Madje, mbetet për t’u parë nëpër dokumente, nëse anglezët kanë qenë në dijeni edhe për masakrimin e shqiptarëvet, që u përgatit dhe u krye në Tivar. Mbetet për t’u parë kjo, sepse pjesëtarë të misionevet anglezë ka pasur, në atë kohë, thuajse pranë të gjithë formacionevet të ushtrisë jugosllave, e veçanërisht në brigadat që kanë vepruar në Tivar dhe në Mal të Zi, sepse aty ishte bregdeti dhe pritej një zbarkim i forcavet angleze. Është folur shumë për „fajin“ e qeverisë shqiptare në lidhje me atë masakër, aq sa është „harruar“ edhe faji i vetë jugosllavëvet, që e kanë kryer krimin, por nuk është përmendur në asanjë vend që aty mund të kenë pasur dijeni edhe oficerët e atyshëm anglezë dhe, nëpërmjet tyre, mund të ketë pasur dijeni edhe komanda e aleatëvet. Është pretenduar që ndërprerja e masakrës ka ndodhur pikërisht sepse andej paska kaluar „rastësisht“ një grup oficerësh aleatë, por nuk është thënë nëse ata oficerë dinin apo nuk dinin mbi përgatitjen e asaj masakre? E gjithë kjo duhet hulumtuar, ashtu si edhe masakrat mbi popullatën e Pejës, Podgoricës, Ulqinit dhe Gjakovës, për të cilat dihet se i ka kryer aviacioni anglez.
Të gjitha këto punë janë për t’u trajtuar e sqaruar, në mënyrë që të shikohet, jo vetëm, sa është dëmtuar kombi shqiptar, por edhe sa janë dëmtuar politika dhe interesat e vetë anglezëvet dhe amerikanëvet në këto hapësira. Cila do të ishte sot situata në këtë gadishull, nëse perendimorët do ta kishin përkrahur fuqimisht kombin shqiptar?!
Por, janë për t’u trajtuar e sqaruar me seriozitetin e duhur edhe qëndrimet e sotëm të krejt Perendimit ndaj faktorit shqiptar. A po luhet përsëri me fatin tonë, duke u matur e stërmatur: „T’i ndihmojmë apo të mos i ndihmojmë shqiptarët?!“
Greqisë ia falën 100 miliardë euro, ne s’na japin as edhe 1 miliardë, as euro, as dollarë. Në vend që të vijnë këtu, 10 miliardë euro apo dollarë, 20 miliardë, 30 miliardë, dhe të vihen në punë minierat, që nga ato të Trepçës deri në Memaliaj e më në Jug, në vend që të ndërtohen rrugë e hekurudha bashkëkohore dhe efikase, në vend që të vihet në rrugën e duhur bujqësia, në vend që të vihen në punë të gjithë kapacitetet turistikë, këtu sillen me pikatore e shumta nga 100 milionë euro, edhe ato, sa për të mbajtur më këmbë një administratë të korruptuar ndaj popullit të vet dhe servile ndaj këshilluesvet të jashtëm, si dhe një varg shoqatash, të kamufluara nën mjegull dyshimesh. Pritet të vijë Kina në vend të Amerikës. Le të vijë edhe Kina, por pse të mos vijnë, me investime më të mëdhenj e më gjendjendyshues, Evropa jonë dhe SHBA-ja?!
A është serioze kjo sjellje e Perendimit ndaj kombit shqiptar?! E kam fjalën: A e kupton Perendimi seriozisht ekzistencën tonë në këto hapësira, jetike për vetë Perendimin?! A e di Perendimi që, po të mos ishim ne këtu, deti i Mesdheut nuk do të ishte më, as i Italisë, as i Francës, as i Spanjës?! Unë nuk jam kundër asnjërit popull të botës, por jam kundër vuajtjevet të popujvet dhe kundër shuarjes së popujvet.
U bë ndërhyrja për pavarësimin e Republikës së Kosovës dhe, nëse nuk do t’i ishim mirënjohës Perendimit për çfarë u bë, ne nuk do të meritonim të quheshim pasardhës të denjë të të parëvet tanë. Jemi, pra, mirënjohës dhe kjo na bën të shpresojmë që edhe në të ardhshmen Evropën dhe SHBA-në do t’i kemi përkrah në të gjitha sfidat, që nuk duket se do të jenë të pakta.
Por, për të mos rënë edhe në të ardhshmen në gabimet, madje në fajet, që Perendimi i ka bërë ndaj nesh në shekujt e shkuar, unë e quaj të domosdoshme që t’i shikojmë me shumë vëmendje disa shenja jo të mira edhe të kohës sonë.
Puna e parë e keqe që ndodhi në Republikën e Shqipërisë, pasi populli i këtij shteti u deklarua pro rendit shoqëror perendimor, ishte shkatërrimi i ekonomisë. Nuk mund të jetë bërë kjo batërdi për inat të Enver Hoxhës. Strategjitë e shtetevet nuk ndërtohen mbi inate personash. Synimi aty s’ka qenë tjetër, veçse dobësimi i faktorit shqiptar, mundësisht shkatërrimi i plotë i tiji. Që Sërbia dhe Greqia janë “të interesuara”, edhe ato miopisht, për shkatërrimin e ekonomisë në Republikën e Shqipërisë, është shumë e qartë, madje ka edhe dëshmi. Që vetë shqiptarët, një pjesë e tyre, kanë qenë edhe më miopisht “të motivuar” për të shkatërruar ekonominë e vet, edhe kjo është qartësisht e vërtetueshme. Por, a ka dorë edhe Perendimi, dmth, shërbimet sekretë të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës etj, në shkatërrimin e kësaj ekonomie, e cila vetëm mirë do t’i sillte Perendimit, nëse nuk do të shkatërrohej?! Kjo mbetet për t’u hulumtuar dhe, ose vërtetuar, ose hedhur poshtë. Nëse del që Perendimi ka vepruar për shkatërrimin e ekonomisë shqiptare, edhe pas vitit 1990, kjo do të vërtetonte që Perendimi ka vepruar këtu miopisht kundër vetëvetes.
Sistemi i mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë ishte në nivelet që Perendimit do t’i interesonte në të njëjtën masë siç i intereson edhe sistemi mbrojtës i Izraelit. Mirëpo, u asgjësua krejt ushtria e këtij shteti, u asgjësuan tanket, aviacioni, flota detare dhe krejt logjistika.
Veçan të gjithavet, bie në sy shkatërrimi barbar i sistemit të fortifikimit. Bunkerët që ishin ndërtuar me aq sakrifica prej shtetit komunist, por që mbeteshin edhe pronë e shtetit kapitalist të restauruar, u shkatërruan tërësisht, në mënyrën më shkurtpamëse. Në histori njihet shkatërrimi i mbi 70 kështjellavet të Ilirisë Jugore, nga ana e ushtrisë pushtuese romake, në vitet 230 p.e.s. Kjo ka ndodhur, sepse romakët kishin frikë se mos rimëkëmbeshin ilirët dhe ia mësynin Romës. Njihet edhe shkatërrimi gjer në themele dhe lërimi me parmendë i Kartagjenës, po prej romakëvet. Por, a do të kthehej, në këtë rast, Shqipëria kundër Perendimit?! Kjo nuk mund të ndodhte kurrsesi dhe Perndimi duhet ta ketë ditur. Madje, as në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk do të ish vënë kundër Perendimit, nëse Perendimi do të qe treguar më largpamës, më i kujdesshëm dhe më dashamirës ndaj kombit shqiptar.
Që Sërbia dhe Greqia, dhe, më tutje Rusia, ishin të interesuara për të mos pasur Republika e Shqipërisë një sistem mbrojtës, kjo nuk do shumë zgjuarësi për ta kuptuar. Që një pjesë e vetë shqiptarëve janë treguar idiotë në punët e startegjisë së tyre ushtarake, (sepse çdo komb ka idiotë në gjirin e vet), as kjo s’do shumë zgjuarësi për t’u kuptuar. Por, enigma që nuk mund të zbërthehet pa pasur dokumente, është: A edhe strategët e NATO-s ishin po aq idiotë, sa edhe pushtetarët axhaminj shqiptarë, që të mos e kuptonin rëndësinë e atij fortifikimi?! Fortifikimet në Republikën e Shqipërisë do të mund t’i shërbenin NATO-s sa 20 apo sa 50 Bonstile të Ferizajit.
Orientimin drejt Perendimit dhe SHBA-së e tregoi populli që me ardhjen e Xh.Bejkerit këtu. Atë ditë që erdhi Xh.Bejkeri, Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ish i mbuluar me flamuj amerikanë dhe, puna e parë e qeverisë amerikane, pas asaj vizite, duhej të ishte: “Ta ndihmojmë Shqipërinë, sepse na duhet! Të mos lejojmë prishjen e asaj që është ndërtuar në Shqipëri, sepse një Shqipëri e fortë proamerikane i duhet Amerikës!” Në këtë pikë unë nuk shoh kurrfarë zgjuarësie në kastën e udhëheqësvet të SHBA-së dhe kjo më frikëson edhe për të ardhshmen, jo vetëm për ne si komb i rrëzikuar, por për krejt fatet e botës së sotme perendimore.
U shkatërua fortifikimi në Republikën e Shqipërisë, i cili, në mos për tjetër, për turizmin, do të kish vlera të paimagjinueshme. U shkatërrua krejt armatimi, madje edhe me demonstrime përpara kameravet, dhe nuk u zëvendësua as 5% e asaj që u asgjësua. Sikur të mos mjaftonte kjo, u bë çarmatimi i plotë edhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe i formacionevet të tjerë të ushtrivet çlirimtare shqiptare, kudo ku ato guxuan të shfaqen, sado që ato nuk shkelën as edhe 1 pëllëmbë toke të huaj. A nuk është ky një demonstrim dobësie të pafalshme i Perendimit ndaj agresorëvet të Lindjes, active, por edhe potencialë?! Unë nuk them që, me mosçarmatosjen e shqiptarëvet, duhej provokuar ose do të provokohej farë konflikti këtu në Ballkan. Por kam bindjen që pikërisht çarmatosja e shqiptarëvet i sjell më parë konfliktet në këto anë, madje edhe luftërat. Sa herë që Turqia, E SËMURA E BOSFORIT, i çarmatoste shqiptarët, aq herë sllavët dhe grekët bënin masakra mbi popullin tonë. Mos është kjo çarmatosje e shqiptarëvet një dëshmi që tashmë kemi të bëjmë me një TË SËMURË TË ATLANTIKUT?! Mos qoftë e vërtetë!
Duke e analizuar më tutje qëndrimin e Perendimit ndaj çështjes shqiptare, shohim prapë të tjera dobësi pikërisht të Perendimit. Ç’punë ka Kosova të quhet multietnike?! A është quajtur Sllovenia multietnike?! Pse të shkruhen tabelat në 2 gjuhë, shqip dhe sllavisht, nëpër Kosovë?! S’e kam fjalën për Leposaviqin. Atje le të shkruhen tabelat në 2 gjuhë. Por po them: Pse në krejt Republikën e Kosovës të shkruhen edhe sërbisht? Pasi Sërbia u çlirua prej Turqisë, në vitin 1814, a shkruheshin tabelat në sërbisht e turqisht nëpër Beograd?! Sërbë ka edhe në Hungari. A shkruhen tabelat nëpër Hungari hungarisht edhe sërbisht?! A e di Perendimi që sërbët janë një popullsi e ardhur në Kosovë?! A shkruhen tabelat edhe sllavisht në Zvicër, ku ka më shumë sërbë se në Kosovë?!
Kishat ortodokse nëpër Kosovë, që Perendimi i quajti, pa kurrfarë objektiviteti shkencor dhe krejt padrejtësisht, “kisha sërbe”, janë, në thelbin e tyre, antiamerikane dhe antievropiane. A nuk e dinë këtë pushtetarët e SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë?! Ç’rol po luan kisha ruse në Ukrainën Lindore?!
Si rezultat i bisedimevet Kosovë-Sërbi, që u nismuan, u kryen e po kryhen me ndërmjetësimin dhe nën mbikqyrjen e Perendimit, janë krijuar në territorin e Republikës së Kosovës, me lloj-lloj manipulimesh, 5 komuna me “shumicë” sërbe. Mos po ia shet Perendimi Kosovën Sërbisë?! Edhe i Sëmuri i Bosforit ia pat shitur, madje, ia pat falur Malit të Zi, Podgoricën, Tivarin, Plavën.
Pse nuk ka “asociacion komunash” shqiptare në shtetin e sotëm sërb?! Pse nuk ka “asociacion komunash” hungareze në shtetin e sotëm sërb?! Edhe autonominë, që e kishin Vojvodina dhe Kosova dikur, ua hoqi Sërbia, ndërsa Perendimi, në ata vite, dinte vetëm të heshtte. Për t’ia dhënë Kosovën Sërbisë, në vitin 1913, Perendimi ish më shumë se aktiv. Tani, për t’u dhënë sërbëvet të drejta përmbimaksimale në Republikën e Kosovës, prapë Perndimi është më shumë se aktiv. Po kur i hiqej autonomia Kosovës, pse flinin gjumë SHBA-ja dhe Anglia?! Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe e hidhur: SHBA-ja dhe Anglia nuk dinë t’i mbrojnë interesat e vet në Ballkan. SHBA-ja dhe Anglia i shesin interest e vet në Ballkan për një buzëqeshje à la Vuk Jeremiq në OKB.
Natyrisht, unë nuk do të doja të ishin të vërteta këto që i thashë këtu. Por, si t’ia bëjmë?! A të mos i themi, se na zemrohen ata që do të donim t’i kishim më të mirët miq?!