EJUP AJDINI: ZBRAZËTIRA KOMUNIKUESE ME VEPRËN E FISHTËS

Tetovë, 13. 01. 2015 – (Sa e dëshiroj atë njeri që është krenar për vendin e tij! Sa e dëshiroj atë njeri që jeton jetën në atë mënyrë që vendi i tij të jetë krenar për te! – Abraham Linkolln) – Nuk ka fenomen më tragjik se kur një populli i fshihet një pjesë e shpirtit – letërsia, ose kur njohja e saj kufizohet në dije parciale. Prandaj, çdo histori letërsie ka për detyrë parësore që të studiojë letërsinë e vet, duke ndjekur rrjedhat e saj në krijimtarinë e gjithë shkrimtarëve, të cilët krijuan e vepruan brenda kufijve shtetërorë dhe jashtë tyre. Për letërsinë shqipe studimi i saj ka qenë më i komplikuar, pasi dihet fati historik i padëshiruar dhe i padrejtë i popullit shqiptar, dhe i njëjti u shtrëngua të jetojë dhe veprojë brenda disa kufijve të ndryshëm administrativ shtetëror në Ballkan, duke përjetuar kufizime e ndrydhje të lirisë së vetëdijes kombëtare. Për të njohur prodhimin e letërsisë sonë, më parë duhet të njohim historinë e kësaj letërsie, e cila ka kaluar një rrugë mjaft të vështirë, edhe pse gjithnjë ka ekzistuar një dëshirë dhe krenari për të ardhmen e saj. Ajo ka qenë e lidhur ngushtë dhe drejtpërdrejt me rrethanat politike dhe historike të popullit tonë. Një konsolidim më të mirë letërsia e jonë artistike e arriti gjatë shekujve, pavarësisht nga ironia dhe trysnia e pushteteve.
Nga personalitetet letrare më i ekskomunikuar ishte Gjergj Fishta, poet e dramaturg, përkthyes e militant dhe i pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmimin Nobel. Zbrazëtira komunikuese gjysmëshekullore pa veprën e Fishtës ishte një fatkeqësi më vete. Edhe sot e kësaj dite është e pakapshme se si lindi ideja për një ndalesë aq të egër ndaj Fishtës dhe veprës së tij, pasi jeta dhe vepra letrare e tij nuk i ngjajnë askujt, dhe nga ana tjetër, ai ishte sinonim i poetit më të madh që sintetizon qëndresën heroike të popullit shqiptar për çlirim. Në veprën e tij dukej qartë synimi për jetë më të lumtur, dëshira për vend të lirë, e veçmas dashuria për atdhe e ideale të larta. Ai me veprën e tij ,,Lahuta e Malcis” u bë krijuesi i epopesë kombëtare, pastaj dramaturg, poet satirik, prift e diplomat i devotshëm dhe kudo që kishte nevojë populli i tij, ai ishte aty, qoftë në kulturë, në fe, apo në diplomaci; qoftë edhe në themelimin shoqërive kulturore, revistave, qoftë në krye të Kongresit të Alfabetit dhe kudo që ndihej nevoja. Atëherë çfarë logjike mund ta arsyetoj zbrazëtirën komunikuese gjysmëshekullore të veprës së Fishtës?!

Numri i shkrimtarëve të ekskomunikuar në të dy krahët e kufirit ka qenë i madh dhe i thellë gjatë periudhës komuniste që kishte një logjikë antologjike, pasi sllavet e jugut në ish-federatën jugosllave e ndiqnin çdo veprimtari politike, kulturore, e letrare të shqiptarëve, pasi antilogjika e tyre e quante të rrezikshme çdo lëvizje progresive të shqiptarëve për shtetin e përbashkët të Jugosllavisë e veçmas për ,,Vllaznim- bashkimin”. Nga ana tjetër, në Shqipërinë socialiste, këto vepra progresiste i quanin të dëmshme për vlerat e internacionales dhe kinse e dëmtonin imazhin e Shqipërisë Socialiste. Mirëpo, ndalesa e veprave të Fishtës nuk përshkruhet dhe nuk mund te arsyetohet me asnjë logjikë, pa qoftë edhe ndonjë mendim “antologjik”. Siç duket, kjo u bë për të kënaqur apetitet e ndonjë shteti ,,mik” të Shqipërisë së asaj kohe.
Këto trauma kulturore erdhën ndoshta nga ndarja e padrejtë territoriale e trojeve shqiptare dhe plagët e rënda që barti në trupin e vet shqiptari me shekuj dhe kjo ndikoi që ekskomunikimi kulturor dhe letrar i Fishtës të jetë shumë i theksuar dhe me pasoja, që të mos njihet e studiohet sa duhet tërë prodhimtaria letrare e artistike e tij, duke përjetuar kështu diferencime nga më të ndryshmet.
Kësaj mosnjohje të tërësishme, mosstudimi dhe mbizotërimi, të kufizimit e të lëvrimit të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare në tërësi, duke e ngritur në sistem fenomenin e ekskomunikimit dhe me plot zbrazëtira komunikuese, i dhanë mbështetje edhe ideologjizimit politik shtetëror, qoftë në Shqipëri, qoftë në ish-Jugosllavinë federale. Kjo politikë synonte ta lërë në errësirë deri në harresë të plotë Fishtën dhe një varg shkrimtarësh me frymë nacionaliste, patriotike e demokratike, si: Ethem Haxhi Ademi, Rexhep Voka, Sef Skiroi, Josif Bageri, Bilal Xhaferi, Sadudin Gjura, Kasam Tërbeshina e shumë të tjerë.
Gjatë viteve ‘70 në trojet etnike shqiptare të ish – Jugosllavisë doli një parullë me dy tehe, kinse Gjergj Fishta ka thënë: ,,le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta më s’është shqiptar”. Kjo parullë përdorej nga njerëz të rëndomtë që nuk merreshin me shkencë e as letërsi. Tehu i parë i parullës ishte që të krijohej një urrejtje ndaj Fishtës, kurse tehu i dytë ishte që, derisa Fishta mohon kombin e tij, atëherë pse shqiptarët e kësaj ane mos orientohen nga sllavizmi dhe pse të kultivojnë ndjenjën nacionale. Si për çudi kjo nuk ndikoi te inteligjenca shqiptare, pasi shqiptarët i kuptonin prodhimet që dilnin nga kazanët sllave. Këto marrëzira edhe vetë Fishta dikur i quante:
Pse ndër ne kjo kohë ka ardhë
Qi nji e zezë me u thirë e bardhë
Përkundrazi, interesimi për veprën e Fishtës rritej gjithnjë e më tepër. Edhe pse një numër i vogël, vepra e tij kalonte fshehtas prej dore në dorë dhe lexohej tinëz. Nga ana tjetër vepronte edhe realiteti tjetër se Fishta e ka dashur Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se çdokush tjetër. Kjo vulë e lavdërimit kalon në fushën shpirtërore të identitetit kombëtar. Sot kur veprën e kemi të lirë, e njëjta dëshmohet te vjersha ,,Gjuha shqipe”:
Porsi kënga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim t’prillit
……………………………………
Njashtu a gjuha jonë shqiptare.

Në kohën e sekuestrimit të veprës së Fishtës, nga të paktët lexues të veprës së tij shpërthenin zërat se Fishta është më i madhërishmi në botën shqiptare, dhe se ai porosit që të mos i nënshtrhemi kurrën e kurrës shkaut, se robëria e tij është më e rëndë se guri i varrit. Tani, e njëjta duket qartë te vargjet:
T’u biej ndër mend, se fortë ma e rand asht thëmra
E shkjaut kokëtrashë, se guri i varrit n’krye.

Fyerjet, sharjet, ekskomunikimet, dënimet e persekutimet kanë filluar shekuj më parë edhe te popujt e tjerë. Për këtë flet edhe profesor Qosja që ,,Prej Dantes e këndej, krijues të mëdhenj janë fyer prej mediokriteteve të letërsisë e kulturës dhe asnjë pushtet me shërbëtorët e vet nuk ka qejf të jenë të kritikuar, aq më tepër prej njerëzve të mençur…” (Ai foli me klishetë staliniste, Fakti, 18.11.2006, faqe 13)
Zbrazëtira komunikuese gjysmë shekullore me veprën e Fishtës ishte sa e dhembshme, po aq edhe e dëmshme, pasi ajo nuk pati mundësi të studiohet në nivel institucional, prandaj edhe sot ekzistojnë mjaft antagonizma rreth vlerave ideo-estetike të kësaj vepre. Kjo sjell dilema edhe te shkrimtari dhe studiuesi i madh i letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ngul këmbë në një vlerësim negativ për veprën e Fishtës, duke u mbështetur më tepër nga veprimtaria politike e shoqërore e tij, sesa në vlerat artistike. Sot me siguri edhe Kadareja ka ndërruar mendim, pasi mbi të gjitha, kjo vepër përmban vulën e ideologjisë së Rilindjes Kombëtare, prandaj kësisoj u ndërtua edhe personaliteti i Fishtës në tërësi.
Edhe pse Ismail Kadare është shkrimtari ynë më me autoritet dhe studiues i pamohueshëm i historisë së letërsisë shqipe, i cili ndër të parët inicioi çështjen e ekskomunikimit për Fishtën, pikëpamjet e tij për të u dukën mjaft të çuditshme. Ai këtë kolos të madh të letrave shqipe e quan njeri që i mungon talenti i nevojshëm, pastaj “Lahutën e Malcis” e quan monotone, një kronikë sterile, moralizuese e didaktike dhe se himnizohet Shqipëria e prapambetur, kanunore e mesjetare. Përveç tjerash, poezinë e Fishtës e quan të cunguar, pasi nuk ka shkuar më tej konfliktit ndëretnik midis shqiptarëve dhe sllavëve dhe se nuk ka bërë dallim midis popujve sllav e shovinizmit sllavomadh. Ky nënvlerësim i veprës së Fishtës nga Kadare nuk qëndron në ditët e sotme, pasi këto vlerësime janë të njëanshme dhe pa u vlerësuar në kontekstin social, kulturor e estetik për kohën kur jetoi dhe veproi Fishta. Vlerësimet e këtilla dhe të tjera të ngjashme, si këto nga ndonjë studiues tjetër vijnë si rezultat i zbrazëtirës komunikuese gjysmëshekullore me veprën e Fishtës, me lexuesin dhe kritikën institucionale. Vepra e Fishtës duhet kuptuar si krijimtari letrare me vlera jo të njëjta nga fillimi e deri në fund, por ajo arin edhe majat më të bukura të poezisë sonë: “Gjuha shqipe”, “Hymni”, etj. Kuptohet që ka vargje edhe që nuk mund t’i rezistojnë kohës. Por, ai nuk mund të mohohet vetëm për arsyen se pas vitit 1947, nga qarqet politike shtetërore të kohës u quajt “shovinist antisllav”. Kjo logjikë antologjike e politikës shqiptare, për t’i ruajtur marrëdhëniet e mira me shtetet komuniste sllave e bëri kurban Fishtën dhe krijimtarinë e tij letrare. Nga ana tjetër, pala jugosllave asnjëherë nuk e vuri në diskutim shovenistin e përbetuar antishqiptar Ivo Andriqin, i cili, përveç tjerash, bëri edhe elaborate për zhdukjen e shqiptarëve, edhe atë nëpër qendrat evropiane. Përkundrazi, veprat e tij “Ura e Drinës” dhe “Oborri i mallkuar” u bënë liktyra të obligueshme në tërë shkollat e ish – Jugosllavisë, por më ironikja ishte ajo se edhe në shkollat shqipe të asaj kohe ne Jusllavi, ky autor u bë i obligueshëm për lexim.

……………………………………………..

Gjergj Fishta – material i rrallë video më 1937

Zbrazëtira komunikuese e veprës së Fishtës bëri që ajo të dukej anakronike, por në të kundërtën anakronike ishin mendimet që “Lahutën e Malcis” e vishnin me një lloj shovinizmi, që s’kishte të bënte fare me një ideologji të tillë. Për çudi, si u hesht vepra edhe nga njerëzit më eminentë të kohës dhe s’doli kush të thotë se si na qenka shoviniste: pse këndon për luftërat e drejta të shqiptarëve kundër sllavëve të jugut, që bënin një luftë agresive në trojet arbërore. Sidomos kur dihet se gjatë historisë sonë kombëtare kemi luftuar vetëm për liri e pavarësi dhe asnjëherë nuk kemi uzurpuar ndonjë vend apo popull të huaj. Për veprën e Fishtës mund të themi vetëm se është me motiv më të thellë, apo me të theksuar patriotik. Kjo mirëfilli dihet se rilindësit e kanë pasur vështirë që t’i ikin idealizimit, himnizimit e veçmas motivit patriotik, pasi kjo ishte rruga e vetme që të vihet deri te realizimi i dëshirave shekullor edhe qëllimit madhor për liri e pavarësi te plote të shtetit shqiptar.
Qëllimi dhe ndjenja e thellë për liri dhe çlirim kombëtar ndjehej me të madhe edhe në folklorin tonë kombëtar, prandaj edhe Fishta ishte i lidhur ngushtë me folklorin popullor dhe traditat, ku gjente shtysa dhe forcë për t’i krijuar vargjet me motive patriotike. Në veprën e tij ka të përfshirë edhe material folklorik nga lirika dhe satira, që do të thotë se nuk shkruan kudo njësoj.
Etiketimi i Fishtës si ,,Shovenist” nuk qëndroi. Kjo u vërtetua më së miri më 1999, kur edhe bota u bind se ku qenka pjella shoviniste e Ballkanit dhe për këtë, kjo botë që me vonesë i kupton realitetet e hidhura të këtij ishulli, u detyrua që gjarprit t’i bie në kokë.
Kjo periudhë e moskomunikimit me veprën e Fishtës mbeti një plagë e llojit të vet, qoftë për Fishtën dhe veprën e tij, qoftë edhe për moskomunikimin tonë në tërësi. Kjo logjikë antologjike, e cila mund të vlerësohet si antikombëtare, bëhet edhe më e rëndë sepse nuk filloi komunikimi i këtyre veprave me lexuesin shqiptarë në mënyrë graduale, së paku brenda kufijve administrativ shqiptar, kuptohet, veçmas pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me ish- Jugosllavinë, veçmas me ish-Bashkimin Sovjetik. Së paku kjo të ishte bërë në formë graduale duke filluar me vjershat me motive patriotike dhe me ato të shkruara në formë të himnit, pasi burrërore është edhe kur pranohen gabimet. Kësisoj, gradualisht do të dilte në shesh se të gjithë poetët e botës i thurin himne trimërisë, i shkruajnë gjuhës dhe mallkojnë armiqtë dhe tradhtarët.
Për të rënë teza e keqe për Fishtën dëshmon dhe ndihmon poezia e tij satirike, ku i dënonte dhe i qeshte veset e ulta edhe të njeriut shqiptar që jetonte dhe vepronte në kohën e Fishtës. Kjo dëshmi duket sidomos te ,,Anzat e Parnasit” dhe ,,Gomari i Baba Tasit”, ku sulmon qeveritarët, fajdexhinjtë, tregtarët e pandershëm, injorantët, që pa merita sulen pas pushtetit etj. Sipas logjikës së atëhershme Fishta do të duhej të quhej ,,Shovinist antishqiptarë” pasi me poezinë e tij satirike lufton dobësitë e ulëta edhe të njeriut të vet dhe me ironinë therëse i vë në spikamë veset e dobëta të disa pushtetarëve:
Ka ministra batakçi
Njerëz kopuk t’pa fare kulture
Zemrën lepur ment kobure

Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm studiuesish, Fishtën e ngrenë në piedestalin e letërsisë sonë. Alfred Uçi thotë se disa poezi të Fishtës gjithmonë do ta kenë vendin nëpër antologji. Kuptohet, disa nga poezitë e tij nuk mund t’i rezistojnë kohës. Agim Vinca thotë se Fishta është nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe një nga figurat më komplekse të kulturës shqiptare. Sipas Eqrem Çabejit, ngjarjet e rëndësishme përbëjnë bazën historike për veprën epike të Fishtës dhe këtu qëndron merita e tij artistike gjatë bërjes së një epopeje kombëtare. Pra,vlerësimet e llojllojshme për Fishtën erdhën si rezultat i atyre pak studimeve të papërgjegjshme të kohës së diktaturës, qofshin ato të ngutshmet në këto dy dekadat e fundit, sepse ky autor pati mungesë komunikuese gjysmë shekullore. Një shkrimtar i madh si Fishta, me një kulturë kaq të gjer, me veprimtari letrare e pulitke dhe me një kohëzgjatje ekskomunikimi kaq të gjatë, vështirë është të plotësohet me një, apo dy dekada komunikimi të lirë.
Njerëzorja fshihet te mirëkuptimi, prandaj është e natyrshme që nganjëherë t’i rikthehemi vetes për të perfeksionuar mosnjohjen e tërësishme dhe mbizotërimin kufizues të lëvrimit të letërsisë sonë kombëtare në tërë etnikumin shqiptar, duke e ngritur në sistem fenomenin e mosnjohjes, dhe ekskomunikimit i dha mbështetje edhe ideologjizmi politik shtetëror, qoftë ai në Shqipëri, qoftë në Ish- Jugosllavi.
Ndoshta ndarja e padrejtë territoriale, shtrirja e gjerë dhe plagët e rënda që mbarte me vete populli ynë nëpër shekuj ndikoi që ky fenomen të jetë i thellë dhe me pasoja për kulturën tonë kombëtare, siç ndodhi me Fishtën që të mos njihet e studiohet sa duhet veprimtaria e tij, ose duke u studiuar në forma parciale dhe me diferencime të ndryshme mjaft të dukshme. Mund të themi që kjo zbrazëtirë komunikuese brenda sfondit e historisë së letërsisë tonë kombëtare një kohë të gjatë mbeti një tabu temë, pasi vepra e Fishtës nuk pati fatin të jetë në lidhje të rregullt me rrjedhat e kohës. Ajo nuk pati fatin e botimeve e ribotimeve që me kohë të binte në duart e lexuesve e studiuesve që t’i ikte këtij izolimi dhe sekuestrimit të skajshëm.
Marrë në tërësi, edhe pas këtij izolimi të gjatë, vepra e Fishtës përsëri u bëri ballë stuhive sekuestruese e shkatërruese. Vetëm shkrimtarët me vlera të mëdha krijuese u bëjnë ballë të gjitha stuhive dhe mbeten pjesë e pandarë e tërësisë së kulturës kombëtare.
Këto vonesa është e udhës që të motivohen për vlerësime dhe rivlerësime më të shpejta e më të sinqerta, kështu që secilit autor të mund t’i jepet vendi i merituar, sepse ka nevojë për një rivlerësim real të letërsisë sonë kombëtare. Kjo s’do të thotë që të kalohet prej një ekstremi në një tjetër, duke u mbështetur në bindjet politike ditore,e qëllimisht t’i mohojmë vlerat letrare të atyre që qenë më të privilegjuar gjatë të kaluarës, pasi atëherë do të bëjmë të njëjtat gabime dhe s’bëjmë asgjë, vetëm mund të përsëritmi rreth historisë së vlerave tona të mirëfillta historike e letrare.
###
SHERADIN BERISHA: SI PO SHKATËRROHET SHTËPIA E HOMERIT SHQIPTAR – AT GJERGJ FISHTA?!
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=953

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura