SABIT ABDYLI: KUJTIME E MALL PËR ATDHEUN

Pashtriku.org, 01. 03. 2014 – Sabit Abdyli u lind në vitin 1946 në Kabash të Vitisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Viti. Studimet i bëri në Shkup e Prishtinë. Shkruan poezi e prozë. Artikujt për migrimet e shqiptarëve në Zelandë të Re janë përmbledhur në librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010”. Ka botuar edhe librin dokumentar “Ankthi i Pranverës ‘99” për ngjarjet gjatë luftës së vitit 1999 në katundet e Vitisë (Prishtinë 2004). Poashtu ka botuar edhe monografinë “Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997”, pastaj “Kohë e lumtur Prishtinë 2005 (Përmbledhje me poezi), “Na Kabashi jem t´ndam një zjarrmi”, “Letra, anektdota, aforizma” Gjilanë, 2013. Në vitet 1991-1999 ka punuar si përgjegjës dhe mësimdhënës në paralelet e gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Kabash. Sabit Abdyli nga viti 1999 jeton dhe vepron në qytetin e Aucklandit të Zelandë së Re. Atje vazhdon të shkruaj poezi, anekdoda, aforizma e letra, dhe është shumë aktiv në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në aktivitete kulturore etj.

* * * * * * * * * * * *

LEXONI NJË PËRMBLEDHJE ME POEZI TË SABIT ABDYLIT:

KUJTIME E MALL
Shtëpia ime këngë
jashtë e brenda xham
fjala gur stralli
mbuluar gjelbërim
pemë frutore mollë kumbulla qershi
zëra e qeshje fëmijësh
kohë tjera erdhën
të rrethuan me ndërtesa betoni
të ftohta të babëzitura
metamorfozë kohe e ligë
njerëz urë e vig
Janar, 2014

***
KAQ MALL

Po mësoj e nuk mësoj
pse kaq mall për kullat
në këtë vend
pa ëndrra
juga e veriu ndryshe fryn
lejlekët dallëndyshet
në kohë tjetër shkojnë e vijnë
në këtë vend
kaq mall …
Janar, 2014

***
DËSHIRË

Do të doja të jesh qiell
diell që ngrohë freskon
erë pranvere në vapë vere
me hije dreke matur
mall pa hile
më këmbë në tokë të jesh
mendjen si kallinj gruri plotë
ta kesh
Janar, 2014

***
KËNGË KURBETI

Gurit i bie vala.
guri kryeneç,
s’lëkundet dot nga vendi,
i fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir, vala nuk e njeh,
kurdo e fut në thellësi,
kurdo e përplasë në breg.
Shkurt, 2014

***
ECË E ECË

Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!
Auckland, tetor 2013

***
PËRDITË

Përditë rritemi,
plakemi.
Përditë mësojmë,
harrojmë.
Përditë qajmë,
qeshim.
Përditë vdesim,
lindim.
Përditë blla blla,
përsëritje.
Përditë për diçka,
në pritje.
Nëntor, 2013

***
POETI

Vdes e ngjallet
për një fjalë
për një varg
për plis e për fis
Auckland, maj 2013

***
DITË E PËRDITË

Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem femërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë
Mars, 2013

***
NËNËMADHJA

si shtëllungë leshi në furkë
të tashmen tjerrë
një nga një kujtimet
në bosht mbledh e dredh
end qilima kuq e zi
të dorës së parë
me këngë aromë ftoi e molle
përkund e rritë ardhmërinë
nënë
nënëmadhe
e derës së parë.
Auckland, 27 janar 2013

***
FLAMURI

U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.

Auckland, 2010

***

FUNDI I PËRRALLËS
Motit të trazuar si askund
Përmes klithmash të pafund
Të përzunë
Dallgët e kreshpëruara
Të bardha si retë
Të prunë
Me vaj në buzë
Buzë gremine
Biçim njerëz
me përralla mbretërish
Erdhën
Me bisht ndër shalë
E shkuan
Janar, 2011

***
PORTERT NJERËZISH TË MUNGUAR

Asnjë herë nuk harron emrin
Në gurrën e tij etjen shuan
Nuk shtiret
Nuk shitet
Nuk blihet
Nuk di kleçka ç’është
Cicërimë e zogut e shqetëson
Me zemër flet e dashuron
Auckland, korrik 2011

***
KULLA

Në kohë furtunash
Kulla gostiti horra, u vuri plisa të bardhë
Miladinit, Mugoshës …
Me ta në krye
thyen rrugë
u thyen
kullën me çati të kuqe mbuluan
zogjve ua ndrydhën këngën
për të kënduar thanë; ne këndojmë
Auckland, korrik 2011

***
PRISHTINA’81

Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje korzosë së ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy…
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji
Auckland, mars 2011
KAPRICIOZE

Korba të zinj
Në eter mprehin thinjtë
Oxhak i shtëpisë tymos
me blozë
të zinjtë e zogjve kombçar
Majë lisave poshtërisht lëshohen
Me thonj e me sqepa
drejt shkëmbit të Prometheut
Shpendët sa grima
si të ishin kafshë nate
I kashaisa
I zhvesha mitesh me blozë
E ngura dot s’u hiqej
erë shurre kundërmojnë

***
EMRAT PA EMËR
Kalërojnë ligjet
Emrat pa emër zvarranikë
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë
synojnë maje
të etur kroje shterojnë
grigja me gishta n’gojë
hajt bir
Shkurt, 2012

***
KRIMBAT

Krimben krimbat
me të mirat e gjithë punës në vite
me të mirat e mbi tokës e të nëntokës
në të gjitha kohet
krahësh të djathtë e të majtë
ndryshojnë vetëm në ngjyra
brejnë e krimbin njësoj
krimbin zvarget
krimbat
4 prill 2012

***
NJË HERË PËRKULET BURRI

Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi …
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12

***
ALI PODRIMJES

Vargu i tij
etjen i shuan tokës
deri te Mollë e Kuqe
e përtej saj
latoi gurë shtigjesh e urash Dardanisë
ligjëroi si hisja të mos na shuhet
e shkoi mbas Lumit tij
22 korrik 2012

***
QULLASHËT

Qullashët qullashë
në ditët e agut
çdo gjëje i dalin “zot”
shtetit, politikës
Sofrës së begat
hanë me dy lugë
se një u duket pak.
Janar, 2012

***
LUTJE E KOHËS

Nga pushtetarë mujsharë
injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
dhe
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv
runa Zot!
Auckland, gusht 2012

( Kontakti me autorin: [email protected] )

*****************************************

………………………………………

(Përgatiti për botim – kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura