ISMET SYLEJMANI: NË 31 VJETORIN E RËNIES SË REXHEP MALAJT E NUHI BERISHËS NUK PATI NDERIM ZYRTAR SHTETËROR! MUNGONTE QEVERIA E KOSOVËS! A KËSHTU DUHET TË NDEROHET GJAKU I DERDHUR PËR LIRI A?!

Gjilan, 13. 01. 2015 – Më 11 janar 2015 në varrezat e të rënëve për liri në Gjilan u bënë homazhe në nderim të 31-vjetorit të rënies titanike të heronjve të Kombit,Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Që nga 11 e 12 janari i vitit 1984, atëherë kur forcat ushtarako-policore të pushtuesit dhe tradhtarët, pas një qëndrese të pashembullt të liridashësve, i vranë luftëtaret e lirisë, të pavdekshmit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, gjithmonë janë nderuar në përvjetorët e tyre të rënies nga familjarët, shokët, bashkëveprimtarët e nga pjesëtarë të popullit shqiptar. Para luftës ishte pushtuesi serb ai që pengonte dhe pjesëmarrja e vogël në përvjetor edhe mund të arsyetohej, sepse ishim në luftë dhe mund të zbuloheshin veprimtarët dhe ata pjesëtarë të popullit që i mbështesnin proceset e mirëfillta kombëtare. Po tash pas përfundimit të luftës për liri e çlirim nga Serbia pushtuese dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, a do të duhej të ishin masive e popullore nderimet dhe përvjetorët e heronjve dhe dëshmorëve të Kombit? Përgjigjja është se nderimet do të duhej të ishin masive e popullore, politike,kombëtare e shtetërore! Në ditën kur vjen përvjetori dhe duhet të bëhet nderimi për heronjtë Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, por edhe për Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun e Fadil Vatën, por edhe të rënët gjatë luftës së UÇK-së, e veçanërisht përvjetorët e komandantit Gjeneral Fehmi Lladrovci me bashkëshorten, heroinën Xheva Lladrovci, gjeneralët e Haradinajve e shumë të tjerë, duhet të bëhet organizim i madh dhe të jetë nderimi jo vetëm i dinjitetshëm, por edhe masiv e popullor! Duhet të jetë shteti dhe mekanizmat e tij relevantë, ata që merren me mbarëvajtjen e tërë ceremonisë nderuese e përkujtuese!



A kështu duhet të nderohet gjaku i derdhur për liri a?

Po kthehemi edhe një herë te 11 janari 2015 në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan. Atë ditë ishte përvjetori i rënies së Rexhepit e Nuhiut. Ishte dite dimri sikur gjithherë. Ishte numër shumë i vogël pjesëmarrësish. Kishin ardhur familjarët e dëshmorëve dhe një grup i vogël shokësh. Nuk kishte nderim zyrtar shtetëror. Mungonte Qeveria e Kosovës? Mungonte Ushtria e Kosovës? Nuk kishte pjesëmarrje të përfaqësuesve të lartë të pushtetit lokal dhe atij qendror. Nuk kishte ekzekutim as të himnit kombëtar as shtetëror. Kishte vetëm një minutë nderimi-heshtjeje. Vendosje kurorash me lule, përshëndetje me familjarët e të rënëve dhe një fjalë modeste e shkurtë e Ahmet Isufit dhe Binak Ulajt. Kaq. Nuk kishte më shumë. Përfundoi nderimi. Nuk kishte shumë pjesëmarrës, një grusht njerëzish… Nga fotot shihet qartë se sa pak njerëz kishte. Kjo pjesëmarrje e vogël, ky mosnderim shtetëror e institucional, duhet të ndëshkohet e të mos përsëritet më në të ardhmen! Kjo mënyrë e pahijshme e mosnderimit meritor, edhe mund të përsëritet, por e ndershme nuk është! Ne vend se të kishte flamuj të shumtë kombëtar e tepih të kuq në nderim të gjakut të derdhur për liri, aty kishte dekorim nga natyra dhe borë e akull, asgjë e pastruar nga dora e njeriut dhe mekanizmave të shtetit! Nuk kishte ekzekutim të himnit kombëtar, as muzikë të tingujve funebër, e as muzikë heroike kombëtare, folklorike e popullore!
A kështu duhet të nderohet gjaku i derdhur për liri a?
A kështu e kryejmë obligimin politik, kombëtar e shtetëror ndaj të rënëve për liri a?
A i këtillë duhet të jetë mesazhi për gjeneratat e reja se kush vdes për liri, as nuk nderohet e as nuk i përjetësohet emri në asnjë institucion relevant shoqëror,arsimor e shtetëror?!
Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, edhe pse kanë jetuar në Gjilan, asnjë institucion edukativo-arsimor nuk mban emrin e tyre! Sikur të kishte shkolla e institucione të tjera qytetare që mbajnë emrat e tyre,ndoshta edhe nderimi për ta do të ishte më masiv e më popullor! Me këso nderimesh e me këso respektesh, pjesëtarët e familjeve kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer e të thyer, madje edhe të pakënaqur me rënien për Atdhe të baballarëve e të parëve të tyre! Me mosnderim shtetëror e kombëtar meritor të gjakut të derdhur për liri, gëzohen pushtuesit gjakpirës dhe tradhtarët!
Si ka mundësi që në ditën kur duhet të kujtohet e të nderohet për rënien e tij për liri,heroi i Kombit Rexhep Malaj e heroi i Kombit Nuhi Berisha, të ketë kaq pak njerëz, të cilët vijnë për t’i nderuar udhëheqësit e luftës për liri?
Pse te shtatoret e tyre të mos vendoset flamuri i ri kombëtar e të mos pastrohet nga bora e akulli vendi përreth saj?!
Pse të mos ndriçohet me reflektorë vendi ku është shtatorja jo vetëm në kohën kur është përvjetori, por përgjithmonë?!
Po kjo është bërë traditë e keqe, nderimi meritor e ndriçimi, nuk bëhen edhe kur është përvjetori i rënies për liri, apo edhe kur heronjtë e kanë ditëlindjen, ose edhe kur ka festa kombëtare e shtetërore! Ky mosnderim e mosorganizim me dinjitet shtetëror e ushtarak në përvjetorin e 31-të të rënies së Rexhepit e Nuhiut, është shumë i hidhur kur shohim se si një Francë e tërë është ngritur në këmbë për t’i nderuar viktimat e pafajshme e të ekstremizmit fetar, kurse të rënët për liri të shkaktuara nga fashizmi serb në Kosovë, 15 vjet pas çlirimit, përkujtohen zbehtë, shumë zbehtë! Përkujtohen me anemi politike e kombëtare! Kujt i bën nder ky realitet i hidhur e tragjik? A i konvenon ndokujt ky mosnderim shtetëror e politik gjakut të derdhur për liri, përpos ish-pushtuesve?! Do të ishte mirë sikur në përvjetorët në vazhdim të mos përsëritet ky organizim jo në nivel të duhur, ndryshe do të na mbulojë turpi dhe përgjegjësia para atyre që derdhen gjakun për liri dhe përpara brezave që do të vijnë?
Shteti duhet të veprojë, sepse e ka për obligim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura