Shkup, 29. 01. 2015 – (STEMA E SHTETIT TË ARBËRIT) – Principata e Arbërit ose Arbëria (1190-1255) ishte shteti i parë shqiptar gjatë mesjetës. Shpallja e shtetit feudal të Arbërisë, në veri të Shqipërisë, me Krujën si kryeqytet u zhvillua më 1190. Si themeluesi të këtij shteti është e njohur Progoni dhe më vonë Gjini dhe Dhimiter. Nderfandina është e njohur si qendra më e rëndësishme e kësaj principate. Për këtë ishte folur në mënyrë të qartë nga stema e Arbërit e gjetur e gdhendur në gur në Kishën Katolike të Shën Maria. Pas rënies së Dinastisë së Progonit, principata u vendos nën Grigor Kamona dhe Gulamin e Shqipërisë. Së fundi Principata u shkri në vitin 1255. Periudha më e mirë e principatës ishte nën udhëheqjen e Dhimitër Progonit.
Ndër gjetjet më me vlerë, jo vetëm të Mirditës, është Stema e Arbërit e zbuluar në Gëziq, në rrënojat e kishës së vjetër të Ndërfanës. Stema është një shqiponjë me një kokë, me vështrim djathtas. Sipas të dhënave është simbol i Dukagjinëve. Së bashku me këtë, është gjetur dhe Mbishkrimi epigrafik i arkitraut të Bazilikës së Shënpremtes së Ndërfanës. Dokumentet, sëpari përmendin Progonin, i cili kishte hedhur themelet e shtetit që në fund të shekullit XII dhe kishte sunduar Arbërinë për 9 vjet, deri në vitin 1199, kur do t’ia linte drejtimin e shtetit djalit tij të madh Gjinit, i cili për gjatë 8 vjetëve sundim do t’a konsolidonte këtë shtet. Më pas është Dhimitri, që po 8 vjet do të jetë në krye të shtetit, deri në vitin 1215, në kulmin e lulëzimit të tij.
Ku e kishte selinë Shteti i Arbërit? Të dhënat e derisotme janë në favor të Ndërfanës, pasi në këtë kohë ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe mbishkrimi i gjetur mund të hedhë dritë mbi princët e Arbërisë dhe epiqendrën e shtetit të tyre. Arbërit dhe territoret që zotëronin shpesh u bënë lakmi e interesave të Perandorisë Romake të lindjes dhe princëve të ndryshëm të perendimit, por dhe e mbretrive të sllavëve të jugut. Lufta me pushtuesit Anzhuinë ishte fillimi i një lufte të re, që do të ndiqej nga pushtime të tjerë. Viti 1279 është viti i humbjes së parë për arbërorët, pasi humbën në luftë dy përfaqësues të shquar të dy dyerve të mëdha të kohës: Vlad Blinishtin dhe themeluesin e derës së Dukagjinëve, Duka Gjin Tanushin.
TOPIAJT 1274
Familja princore Topia është e hershme dhe më kryesoret. Përmendet për herë të parë më 1274, si aleate me Anzhuinët e Napolit. Qendra politike dhe administrative e saj ka lëvizur nga Kruja në Durrës, duke sunduar gjatë shekujve XIV-XV. Më 1444 Andrea Topia bashkë me dy djemtë e tij: Komin dhe Muzakë Topia, si dhe nipin e tij Tanush Topia morën pjesë në Lidhjen e Lezhës. Stema e hershme e Topiajve është e kaltër me një Luan të artë, të ngritur në dy këmbët e pasme, i cili mban një shpatë po të artë ngritur lart. Në këndin e djathtë të ballit është një zambak i argjendtë. Karl Topia është figura më e shquar e Topiajve, gjatë sundimit të të cilit Principata e Topiajve arriti kulmin e lulëzimit të saj, me qendër në Durrës.Më 1386 Republika e Venedikut e quan “Karollus Topie, princeps Albaniae”(Karl Topia, princ I Shqipërisë). Papa Gregori XI I njeh titullin “ Kont i Madh I Arbërisë ”, më 1374. Karl Topia njihet në dokumentet e kohës dhe me titujt: “Sundimtarë i gjithë tokës së Arbëreshëve”, “Dukë i Shqipërisë”.
JONIMA 1208
Familja princore shqiptare Jonima është nga më të hershmet në Shqipëri. Përmenden si Sevastë që më 1208 dhe qendrën e tyre politike dhe administrative e patën në Sebastë, në lindje të Laçit. Emrin e familjes Jonima e ndeshim edhe në trajtën Gjonima, Jonema e Gonema. Ndër figurat më të shquara, përmendet bujari Dhimitër Jonima, i cili, më 1389 bashkë me Gjergj II Strazimir Balshën merr pjesë në Betejën e Kosovës. Pas pushtimit Osman, një degë e Jonimajve u vendos në qytetin bregdetar Parga, asaj kohe nën Republikën e Venedikut. Në shek XVI Jonimajt i gjejmë në Librin e Artë të familjeve fisnike të ujdhesës së Korfuzit. Armori i Jonimajve është: i kaltër me një luan të artë dhe të kurorëzuar, ngritur në dy këmbët e pasme, me të përparmet mban një kullë po të artë. Kjo emblem u punua nga H.Ströhl më 1908.
GROPAJT 1258
Familja princore Gropa është një nga familjet më të mëdha dhe më të dëgjuarat në Shqipërinë Lindore, gjatë shek. XIII-XIV. Principata e Gropajve u shtri kryesisht në Dibër, Ohër, Prespë, Pelister(mal) me qendër politike dhe administrative në Ohër, rreth viteve 1258-1334 dhe 1355-1394. Gropajt ishin të lidhur fort me Papatin. Ndër figurat më të shquara të kësaj familjeje njihet sevasti Pal Gropa, të cilit, më 1273 iu përfshinë në Principatën e vet edhe fshatrat rreth Radikës. Në gjysmën e dytë të shek. XIV shquhet Andrea Gropa, i cili pret dhe monedhat e veta. Më 1389 Gropajt morën pjesë në Betejën e Kosovës. Më 1480 territoret e Principatës së Gropajve dhe të Kastriotëve kryesisht u përfshinë në sanxhakun e Ohrit. Armori i Gropajve është i artë me një luan të kaltër ngritur në dy këmbët e pasme. Pas 1417 emblemës së Gropajve i shtohet një shqytëz i kuq me një kolonë të argjendtë dhe të kurorëzuar, të cilën e mban si mburojë luani I kaltër. Ky ndryshim lidhet me mbrojtjen që gëzonin Gropajt nga Papa Martini V (Kolona), stema e të cilit është e kuqe me kolonë të argjendtë dhe të Kurorëzuar.Përshkrimi i emblemës së kësaj periudhe të dytë jepet nga T.Amayden, por i pashoqëruar nga ndonjë paraqitje artistike. Pas vitit 1467 Gropajt emigrojnë në Romë, duke marrë një mbiemër të ri, Ҫioki, për shkak të opingave të tyre karakteristike Dibrane. Trashëgimia e familjes Ҫoku (Qoku) i rendit Gropajt, paraardhësit e tyre, si familje arhondësh që më 1218. *( A.Alean)
STEMA E DURRËSIT – 1350
Stema e Durrësit është e artë, me një luan të kuq ngritur mbi dy këmbët e pasme. F.Heyer stemën e Durrësit e paraqet në blazon dhe e shoqëron me një kurorë të madhe mbretërore,vendosur sipër ku shkruan ,,Königreich Albanien,,. Durrësi ishte qendër politke dhe adminis- trative e “Mbretërise së Arbërise”, nën Karlin I Anzhu. F.Heyer nuk ka lënë shënim se simbolet e cilit qytet paraqet kjo stemë. Stemat e qytetëve shqiptare në albume heraldike paraqiten nën emërtimin “Albania”; tek F.Heyer ato paraqiten me emërtimet: “Königreich Albanien I” (për Beratin) dhe “Königreich Albanien II”(për Durrësin). A.Matovski në punimin e tij “ Stemat shqiptare në të kaluarën” shpjegon për stemat e paraqitura nga F.Heyer se “ato janë stema të vjetra që kanë hyrë në koleksionin e ri” (më 1873). Nuk mund të thuhet me siguri se në cilen periudhë u përdor kjo embleme. Durrësi më 820 bëhet qendër e ndarjes administrative bizantine të Themës së Durrësit. Në krye të pushtetit qendror qëndronte një strateg (duke). Në vitin 1350 Durrësi fiton autoniminë, duke u bërë Komunë qytetare (Comuna Civitatis), e tipit të Republikës së Raguzës. Në këtë periudhë qyteti ka organet e veta politike, legjislative e gjyqësore. Në krye të pushtetit qendror qëndronte një kont. Më 1368 Durrësi bëhet qendër politike dhe administrative e Principates së Topiajve me Kontin e Madh të Arbërisë, Karl Topia, e cila kulmin e lulëzimit të saj e arriti rreth vitit 1388. Më 1392 Durrësi i kaloi Republikës së Venedikut , i cili i regjistron statutet dhe vulat (me stemen e qytetit), në senatin e Republikës së Venedikut.
STEMA E KASTRIOTËVE (varianti i parë)
Se varianti i parë i stemës së Kastriotëve përbëhej nga një shqiponjë dykrenore, krahëhapur me yll gjashtë cepësh e vërteton vula e Skënderbeut, kurse përsa u takon ngjyrave të stemës së Gjergj Kastriotit bazohemi në pohimin e Barletit se Shqipja e zezë qëndronte në sfond të kuq. Pastaj edhe vula “sekrete” e Skënderbeut ishte në dyllë të kuq, e cila kishte formë elipsoidale me zhvillim nga poshtë-lart. Në të paraqitet një grua, (mbretëresha Leda), e mbështjellur me pëlhurë dhe në të majtë ka një mjelmë. Vula nuk qarkohet me ndonjë mbishkrim, siç ishte e zakonshme në atë kohë, gjë që tregon se kemi të bëjmë me një formë të hershme vule. Vulën e ndeshim në dokumente të firmosura nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu që në v. 1458. Perkrenarja e famshme e Skenderbeut , ju dhurua atij nga Duka Sforza i Milanos si simbol i luftes kunder turqve, praktikisht Skenderbeu nuk e vuri ndonjehere ne koke si helmete apo kurore (ato jane legjenda dhe fantazi piktoresh apo skulptoresh).
STEMA E KASTRIOTËVE (varianti i dytë)
Emblemën e Kastriotëve, përveç stilit që është i njohur ndër shqiptarët, e hasim edhe në një stil të dytë që është shumë pak i njohur tek ne. Kjo emblemë është gjetur në miniaturë me ngjyra në një libër Uratash, i cili u punua për t’iu dhuruar Skënderbeut nga ana e Alfonsit V të Aragonës dhe të Napolit. Viti i punimit dhe i dhurimit të këtij libri lidhet me vitin 1451 kur në Gaeta (Mbretëria e Napolit), u nënshkrua një traktat aleance midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit. Fusha e stemës është e ndarë në ngjyrë të artë dhe të kaltër. Mbi pjesën që eshtë me ngjyrë të artë eshtë e vendosur një shqiponjë e zezë, dykrerëshe e kurorëzuar dhe krahëhapur. Lartë eshtë vendosur një trekëndësh i kaltër me yll të artë, tetëcepësh. Mbi pjesën e kaltër është luani i artë i ngritur në dy këmbët e pasme, i cili mban lart një shpatë po të artë. Në këndin e djathtë-lartë, eshtë një zambak i argjendtë. Ky kombinim simbolesh me siguri se eshtë lidhur edhe me Topiajt, si Principatë më e hershme se Principata e Kastriotëve. Këtë lloj steme të Kastriotit, ku shqiponja eshtë bashkë me luanin e Topiajve e hasim edhe mbi varrin e Konstantin Kastriotit, nipit të Skënderbeut, në varrezat e kishës Santa Maria La Nova në Napoli të skalitur në vitin 1500 nën kujdesin e gruas së Skënderbeut, Donika Kastrioti. Emblemën e gdhendur në dy anët e monumentit mortor e ka analizuar dhe botuar studiuesi italian, Padilione në vitin 1870 dhe më vonë arbëreshi Zef Skiroi në Palermo në vitin 1904. Për këtë stemë e kishte fjalën edhe profesori i nderuar Pëllumb Gjufi e që futi huti të paparë tek historianët shqiptarë në Maqedoni. Mendoj se ky model i stemës se re të Maqedonisë mund të jetë i pranueshëm për shqiptarët por do të kundërshtohet nga VMRO shkaku i shqiponjës e cila aqë shumë i pengon, edhepse shqiponja dykrenare eshte simbol edhe i kishës rusëve, serbëve po edhe i kishës sllavo-ortodokse.
STEMA E FISIT MUZAKA
Gjon Muzaka në librin e tije “Storia e Genealogia della casa Musacchia”, shkruar në emigracion, i përshkruan simbolet e kësaj steme “….Qysh nga kohët antike stema e derës sonë ka qenë një burim i gjallë, i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë dhe ky ishte burim i Epirit, për të cilin kanë shkruar shumë autorë, që njëri shuan një pishtar dhe tjetri të shuarin e ndez”.
Stema e Muzajkave Faza e dytë.
Armori i Muzakajve gjatë kohës së lulëzimit të tyre në Shqipëri është i kuq, me një shqiponjë të artë, dykrenore krahëhapur dhe e kurorëzuar. Në ballë një shqytëz trekëndor i kaltër me një yll të artë gjashtëcepësh. Stema e Muzakajve, ndonëse ka simbole të njëjta me atë të Kastriotëve, ka ngjyra të tjera , gjë që sipas rregullave heraldike përbën një stemë krejt më vete. Këto simbole iu njohën despotit Andrea II Muzaka nga perandoi i Konstandinopojës, Johani V Paleologu. Këto simbole i gjejmë dhe në stemën e Muzakajve, që gjendët e skalitur në gurë, në Kishen e Santa Maria della Misericordia, në (Brindizi – Itali). Shqyti është në të kuq dhe në të kaltër. E para, në të djadhtë, mbi të kuqe një shqiponjë e artë, dykrenore, krahëhapur dhe e kurorëzuar, në ballë një shqytëz trekëndor i kaltër me një yll të artë gjashtëcepësh. E dyta, në të majtë, mbi të kaltër me një luan i artë, ngritur në dy këmbët e pasme, i cili mban lart një shpatë po të artë, në ballë, nga e djathta, një zambak i argjendtë.
STEMA E DARDANISË
Stema e Dardanisë, marrë nga Стематографията на Павле Ритер Витезович, 1701; Стематография на Христофор Жефарович – 1741 г.
Studiuesi shqiptar në fushën e gjurmimeve të heraldikës shqiptare dhe të etnokulturës, Jaho Brahaj, autor i shumë veprave dhe punimeve shkencore, në mesin e të cilave “Emblema shqiptare-gjurmime heralgjike” 1997, thotë se në traditën tonë kombëtare të heraldikës e kemi të njohur shumë herët Luanin si emblem, në disa familje feudale shqiptare; dhe një paraqitje grafike për formacionin politiko-administrativ të Dardanisë ku si emblem paraqitet Luani. Kjo stemë e Dardanisë ruhet në një dorëshkrim të shekullit XVI. Jaho Brahaj përmend edhe familjen e njohur feudale shqiptare nga Pollogu, e udhëhequr nga princi shqiptar, Gërgur Tribaldi – e cila familje si emblemë të dokumentuar historikisht ka pasur Luanin, në pozicionin me dy këmbët e parme të ngritura lart dhe që mbanë në dorë një shpatë. Kjo emblemë heraldike më vonë, kur Tribalët e Pollogut, nga shkaku i sulmeve osmane, u vunë në shërbim të mbretërve të Napolit, ka shtuar në stemën e tyre edhe një zambak, shenjë e varësisë nga mbretërit e Napolit me gjak francez. Kjo familje shqiptare në Italinë mesjetare përmendet edhe me emrin “Atribala” nga ku vjen Vjosava, nëna e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
SKËNDERBEU TË KISHA ORTODOKSE E NEREZIT-SHKUP
Skenderbeu i pikturuar në kishën ortodokse në Nerezi të Shkupit. Maqedonët pretendojnë se në pikturë është Leka i Maqedonisë, por nuk mundet të jetë e vërtetë sepse Leka ka ndërruar jetë në moshë të re dhe nuk ka mbajtur mjekërr.
STEMA TJETER E ENGJËLLVE- ENGJËLLI
STEMA E ARIANITËVE