Zofingen (CH), 31. 01. 2015 – Një vështrim i shkurtër i titulluar: NJË MONOGRAFI, ME PLOTË HISTORI, lidhur me përmbajtjen e librit të shkrimtarit Shefqet Dibrani: ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS” monografi me rrëfimet jetësore, të përfshira dhe mbarështruara me shumë kujdesë në katër kapituj lidhur me: Pinjollët e Rrustem Llukës – Dem Ali Pozharin – Kosharen dhe Lirinë… Një punë e çmuar dhjetë vjeçare, në realizimin e projektit me rëndësi të veçantë publicistiko-historik, u kurorizua me shumë sukses, me botimin e monografisë, shkruar nga autori Shefqet Dibrani: ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS”, bazuar në rrëfimet e pasardhësve nga trungu familjar i familjes së Rustem Llukës, siç janë: Avdyl Shala, Shpend Shala etj. , botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” Prishtinë 2014. Një vështrim, sado i shkurtër të bëhet, rreth monografisë publicistiko-historike, ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS”, të autorit Shefqet Dibrani, për t`i vlerësuar në mënyrë të gjithashme, të gjitha përpjekjet e autorit në punën e tij hulumtuese afatgjate prej dhjetë vitesh, përmes një vështrimi prej 5-10 minutave, realisht s`është edhe aq punë e lehtë, prandaj, jemi të vetdijshëm se, do t`i mbesim borxh autorit, për një vlerësim gjithëpër- fshirës në hollësi e thellësi, me rastin e përurimit të monografisë, por me besim, për mirëkuptim.
Autori, jep dëshmi të mjaftueshme, për punën e tij krijuese, si në sasi dhe cilësi, pa lënë anash edhe përvojën e krijuar dhe përgjegjësin profe- sionale, që mund të vrehet në tëre materialin e grumbulluar mirë e me kujdes, të studijuar, përpunuar dhe mbarshtruar në monografinë e shkruar kushtuar, Familjes së Rrustem Llukës dhe pasardhësve të kësaj familje, që janë edhe rrëfyesit kryesor për trungun familjar, dhe gjithë atë që lidhet me historinë e kësaj familje në Dukagjin.
PUNA HULUMTUESE E AUTORIT
Është me rëndësi të veçantë, mënyra dhe metodologjia e punës, që au- tori e ka kryer në terren. Gjurmimi i vazhdueshëm për grumbullimin e të dhënave, përmes pyetjeve të parashtruara e të përsëritura qëllimisht, për të ngacmuar bashkëbiseduesin, që të mendoj mos ka harruar diçka ose për t`i rikujtuar ndonjë lidhje apo drejtim e rrugëtim, deri te ndonjë burim i të dhënave të reja plotësuese, lidhur me ngjarje të ndodhur, në kohë dhe hapë- sirë, që ka të bëjë me grumbullimin e të dhënave lidhur me monografinë.
Shpend Shala, si tregues i ngjarjeve, ka pasur një ballafaqim të vazhdue- shëm me kërkesat gjithnjë në rritje, nga autori Shefqet Dibrani, i cili ka vrejtur se Shpend Shala dhe i ati i shpendit, Avdyl Shala, janë një gurrë e pa shterrshme me të dhëna për historikun e familjes së Rrustem Llukës, por që kanë lidhshmëri shumë të rëndësishme, me të gjitha ngjarjet historike dhe kulturore të çështjes kombëtar, sipas kujteses lidhur me ngjarje nga më të ndryshme familjare, shoqërore dhe kombëtare, që autori i ka përfshi me mjaft kujdes dhe mjeshtri në katër kapitujt e monografisë ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS”.
Po të lexohet me vëmendje monografia kushtuar historisë familjare të Rrustem Llukës dhe pasardhësve të kësaj familje, përmes rrëfimeve që ka shpalosur Shpend Shala, si gurrë që jep vazhdimisht freski me të dhëna familjare, të lidhura e të pa shkëputura nga ngjarjet historike, që autori Shefqet Dibrani, i ka mbledhur të dhënat me kujdes, sikur bleta nektarin, ku përmes monografisë së shkruar ua ka ofruar mundësin lexuesëve të interesuar, ta shijojnë edhe shijen e mjaltit, por edhe të pelimit…!
Sepse, kështu kanë qenë ballafaqimet jetësore në kohë dhe hapësirë, i familjes së Rrustem Llukës, por edhe farefisi kudo që janë shtrirë në hapësirat e atdheut deri te lidhshmëria e pashkëputur me fatin e atdheut, që për liri dhe pavarësi kanë dhënë gjithë ate që kanë pasur e mundur, brez pas brezi.
Monografi ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS” Shpend Shala: Rrëfimet për jetën, Pinjollët e Rrustem Llukës, Demë Ali Pozharin, Kosharen dhe Lirinë…
DEMË ALI POZHARI (15.4.1905 – 26.4.1975)
Monografia ka 496 faqe, ku përfshihen edhe albumet me fotografi dhe dokumente tjera si dëshmi plotësuese dhe 615 burime nga janë marrur e bazuar të dhënat(referimet) dhe katër kapitij me tituj e nëntituj.
1. Kapitulli i I . ka 32 tituj
2. Kapitulli i II. ka 58 tituj e nëntituj
3. Kapitulli i III. ka 3 tituj
4. Kapitulli i I V. ka 24 tituj me përmbajtjen.
MERITA E AUTORIT
Është meritë e veçantë e Shefqet Dibranit, që përmes këtij libri në kohë dhe hapësirë, me dëshmi e plotë të dhëna hitorike, i ka dhënë vendin dhe rolin e merituar familjes shqiptare, përmes monografisë kushtuar familjes së Rrustem Llukës, ku lexuesi ka aq shumë të dhëna lidhur me rrënjet dhe tungun shekullor të kësaj familje që edhe mund të mirret si shembull i qëndresës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri e pavarësi të atdheut.
Autori i ka mbarshtruar ngjarjet historike, përmes rrëfimeve shumë interesante të Shpend Shalës lidhur me Kullën e stërgjyshit të tij Rustem Llukës që ka shërbye si për organizimin e jetës familjare, për pritje dhe përcjellje për mysafirë, miqë e dashamirë, organizator dhe luftetar për liri e pavarësi të atdheut, ku janë mbajtur takime, këshillime dhe kuvende me rëndësi, marrur edhe vendime, janë bërë edhe organizime për mbrojtje e vetmbrojte të trollit arbror, po edhe qënen bilogjike dhe kombëtare, në periudha të ndryshme historike të rrezikuara në vazhdimsi nga pushtuesit sllavë dhe grek, që për fatin e keq të shqiptarëve vazhdon një rrezik edhe në ditët e sotme nga ni njeti armik, sepse siç thot edhe një këngë e rapsodit popullor : ” …qysh se e kemi dreçin kojshi, gjithnjë kemi një rrezik të zi…”
“ …N`Verra t`Llukës janë mbledhë n`kuvend,
Për shqiptari po bajnë dert…” fq.30 *A. Molliqi
Vargjet e këngës, tregojnë për Kuvendin te Verrat e Llukës dhe kryengritjen gjatë pranverës më 1910. Në këtë Kuvendin e Verrave të Llukës u ba edhe pajtimi i gjaqeve dhe hasmërive, ku morren pjesë të gjithë krerët që përfaqësonin katër Vilajetet e Shqipërisë ku lidhën besën duke thirrur s`bashku ”Besa-Besë” * që të bashkoheshin në kryengritje që kishte fiilluar, për të ruajtur tërsin teritoriale të Shqipërisë historikisht natyrale me një sipërfaqe prej : 90270 km² ndërsa vilajetet kishin këtë sipërfaqe:
1. Vilajeti i Kosovës përfshinte 32900 km², sot njifet Kosva e rrudhur si shtet i pavarur vetem në 10908 km²,
2. Vilajeti i Shkodrës kishte 10 970 km²,
3. Vilajeti i Manastirit kishte 28 500 km² dhe
4. Vilajeti i Janinës kishte 17 900 km².
Autori Shefqet Dibrani s`bashku me rrëfimet e Shpend Shales, sodisin me ngjarje historike në të gjitha Vilajetet e Shqipërisë historikisht natyrale hiq më pak se tue përfshi dy shekuj me ngjarje dhe beteja të ndryshme të cilat edhe janë kënduar nga rapsodet popullr brez pas brezi.
Rilindja Kombëtare, i ka lidhjet dhe rrënjët e saja edhe në oborrin e Kullës së Rustem Alisë qysh në kohën e Turqisë në vitin 1900 u ndërtua MEJTEPI I LLUKËS, në të cilën Tahir Efendi Lluka (i cili kishte bashkëpunim të ngushtë me Hasan Tahsinin në Stamboll) *, hapi shkollën shqipe për edukuimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, ku mësohej shkrim leximi shqip me shkronja arabe, por aty mësohej për veq mësim besimit edhe për gjuhën dhe kulturën shqiptare, historin dhe origjinen e kombit shqiptar, aty gatuhej dhe piqej atdhedashuria për trojet arbrore lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë…
RRËFIME DHE DËSHMI PËR DEMË ALI POZHARIN
Rrrëfimet e një pasnjëshme sa interesante aq edhe rrënqethëse të Shpend Shalës, që përfshihen në kapitullin e dytë të monografisë, ku bëhet fjalë, për DEMË ALI POZHARIN, shkrimtari Shefqet Dibrani me një mjeshtri të rrallë, i ka përfshi e përshkruar për mrekulli, të gjitha rrëfimet e Avdyl dhe Shpend Shalës, gjithnjë tue i plotësuar e pasuruar ato me të dhëna e dëshmi tjera, të marrura nga literatura dhe shtypi i kohës, që me shumë pofesionalizem i shënon në monografi, kështu, që i jep librit edhe një vlerë më të madhe se sa publicistiko-historike.
Lexuesi i kujdeshëm, gjatë leximit të monografisë, nëse thellohet në numrin e madhë të personazheve të përfshira dhe zhvillimin e ngjarjeve të ndërlidhura me to në kohë dhe hapësitë, në dy shekujt e fundit, të përmble- dhura e mbarshtruara me mjeshtri dhe profesonalizem të autorit, do të bie në hamendje, dhe dyshim, se a po lexon monografi, publicistiko-historike, apo roman historik, apo mos po shiqon një film dokumentar apo film arti- stik me përmbajtje historike…?!
Në rrëfimet për Demë Ali Pozharin, lexuesi mund të hasë në shumë emra veprimtarësh, organizata dhe formacione ushtarake dhe politike, vendtakime, Kuvende, rrethime, shpërthime rrethimesh, luftrash dhe të dhëna të shumta për gjenocid dhe masakra të kryera nga çetniket serb dhe partizanët komunist nga pushtuesit sllavo-komunist, kudo dhe kah do në trojet arbrore, ku autori të gjitha i ka përmbledhur në 58 tituj e nëntituj, ku secili titull apo nëntitull, rrëfen nga një histori në vete me pesonazhe të lidhura me ngjarje, organizime, veprimtari e ndodhi, rreth e përqark trojeve shqiptare, të gërshetuar me emrin e atdhetarit Demë Ali Pozharin familjen dhe farefisin e tij, si dhe me bashkëluftëtaret e tij nga të gjitha anët e atdheut.
HAKMARRJET…
Hakmarrjet e pushtetit komunist ndaj familjes së Demë Ali Pozharit ishin makabre dhe s`kishin të bënin asgjë me njerëzoren. Kjo më së miri dëshmohet me pjesë të shkëputura nga monografia në vijim:
“ Më 1 qershor 1946 në shenjë hakmarrjeje do t`ia djegin shtëpinë dhe do t`ia konfiskojnë tërë pasurinë, kurse më se 50 anëtarë të familjes do t`ia burgosin në burgun famkeq të Gjakovës i cili gjindej në “ Rrugën e Shijkeve”, disa prej te cilëve do ti mbajnë deri në muajn prill 1948. Gjatë këtyre viteve (qershor 1946-prill 1948) familja e Demë Ali Pozharit do të torturohet vazhdimisht nga njerëzit e OZNA-s famkeqe, kurse disa anëtar të kësaj familje do të likuidohen në rrethana të dyshimta…” * f.194
Tmerret e përjetuara në burgun e Gjakovës i ka rrëfyer shumëherë në familje nëna e Shpend Shalës, Zylihaja e cila edhe gjatë tërë jetës ka pasur pasoja nga pamjet makabre të torturave dhe vrasjeve që i bënin komunistët luftëtarëve dhe të lirisë që për ta ishin ballist dhe armiq të popullit. Në vijim rrëfimi i Zyliha Shales , vajza e atdhetarit Demë Ali Pozharit e cila ishte në burg në moshën 15 vjeçare me 50 anëtarët e tjerë të familjes:
“Gjatë qëndrimit në burg, Zylihaja sëmuret nga ato përjetime të tmerrshme në atë burg aq famkeq. Ajo ka treguar se si i kanë torturuar, pastaj ka treguar se si komunistët i vrisnin njerëzit e Ballit Kombëtar, se si i përplasnin para dritareve për t`i trishtuar e terrorizuar të burgosurit, sidomos gratë dhe fëmijët, madje vazhdimisht duke ju thënë: kështu do t`ua vrasim edhe juve prindërit, edhe Demën e kemi vrarë kështu, e bënin forma të tjera presionesh prej më të shëmtuarave” f.197* “Zylihaja, sa herë tregonte, i bëhej se po i shihte përseri ato skena të…. llahtarësisë e sikur i shihte me sy përsëri. Lëshonte thellë një ofshamë, i mbyllte sytë e thoshte, siç kanë pas thënë plakat e moçme: ”Mos raftë me u harrue!” f.198 *
Kulla e familjes së Demë Ali Pozharit, shërbeu edhe si shkollë e parë shqipe nga viti 1915-1918, si kullë e qëndresës, e kuvendeve dhe takimeve të krerëve të organizatave dhe lëvizjeve me rëndësi kombëtare. Për këtë arsye është djegur katër herë.
1. “Më 1912 nga njësitë e ushtrisë serbo-malazeze të udhëhequra nga Stefan Dragoviqi dhe Kostë Peçanci.
2. Herën e dytë u dogj më 1918, sërish nga ushtria serbe.
3. Herën e tretë u dogj në nëntor të vitit 1944 nga njësitë partizano-çetnike.
4. Herën e katërt u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit, në shtator të vitit 1998 “
“Edhe Dema ,ashtu sikurse i ati Ali Mehmeti, e vazhdoi veprimtarinë kombëtare ku përgjatë dy shekujve vazhdimisht kanë luftuar për mbrojtjen e atdheut. Ali Rexha (stërgjyshi) bashkë me të vllain Bekë Rexhën, u vranë te Kalaja e Nishit më 1876 …” f.235 *
“Demë Ali Pozhari, ishte përgjegjës për organizimin e luftës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë (1941-1944) dhe për rajonet e rrafshit të Dukagjinit …si dhe pjesëmarrëja e tij në komisionin për ndriçimin e Masakrës së Bihorit… ”
Aautori Shefqet Dibrani, bazuar në rrëfimet për Demë Ali Pozharin, përveq trajtimit të jetës dhe vepres atdhetare të luftëtarit të lirisë, jep mjaft të dhëna edhe për rrethinë familjar e farefisin, dhe jetën dramatike familjare dhe të Demali Pozharit deri në kalimin e tij në amshim.
MASAKRA E BIHORIT
Teksti si foto është marrë nga Monografia e autorit Shefqet Dibrani. PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS fq.156
Shpend Shala, rrëfimet e tija i lidh ngusht me vendlindjen dhe Kosovën, si në shtrirjen gjeografike dhe historike të gërshetuara me ngjarje dhe ballafaqime nga më të ndryshmet, që nga lindja në gjirin familjar deri në ditët e sotme, ku jeton me familje në kurbet-Gjermani.
Janë gjithëpërfshirëse rrëfimet e tija në monografi, që nga mosha si nxënës, si kadet në Akademin Ushtarake në Sarajevë, si pjesëmarrës i luftës dhe rrëfimet e tija për betejen e Koshares, si aktivist i LDK-së që nga theme- limi, si dhe pikpamjet e tija politike para, gjatë dhe pas lufte.
Shpend Shala gjatë rrëfimeve të tija, flet haptas qoft për anët pozitive dhe ato negative, me emër e mbiemer, në të gjitha periudhat për të cilat shpalos rrëfimet e tija, dhe të njejtat janë publikuar edhe në shtyp.
Pikpamjet dhe bindjet e tija politike po edhe ato profesionale i shpreh dhe paraqet haptas kurdoherë. Sidomos lidhur me organizimin e Sistemit të Mbrojtjes, FARK-së, për personalitetet politike, kudrat ushtarake, para, gjatë dhe pas lufte.
Vzhdimish ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve jo të pakta politike, në kushte dhe rrethana të dyshimta, tue përmend emra dhe mbiemra si të dyshuar si dhe subjekte të ndryshme politike si pararojë e këtyre vrasjeve, që ende kanë mbetur të pa zbardhura nga Drejtësia në Kosovë e cila s`ka bërë asgjë në këtë drejtim deri më tani.
Si përfundim:
SHPEND SHALA,
stërnip i Rrustem Llukës, pinjoll i Kullës së Rrustem Llukës, nipi i Demë Ali Pozharit, rrëfen për familjen, për jetën e tij dhe për të gjitha ngjarjet dhe përjetimet që ai i shpalos në hollësi, sipas pyetjeve të njëpasnjëshme të pa- rashtruar nga autori i monografisë, Shefqet Dibrani, i cili gjatë bashkëbise- dimeve të shpeshta dhe të gjata, ku në bazë të pergjegjeve me shumë të dhë- na e dëshmi, dëshmohet një punë e bashkrenditur mirë, në mes Shpend Shalës si furnizues me rrëfime, dhe autorit Shefqet Dibrani, si grumbullues dhe përpunues i rryer e me përvojë profesionale të gjitha rrëfimeve, dhe si rezultat i kësaj pune të përbashkët është monografia: ”PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS”, si frytë me shije për çdo lexues, dhe një pasuri me vlerë kombëtare.
SHEFQET DIBRANI
U lind më 1960-08-03 në fshatin Gërdoc, bashkia e Podijevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme teknike drejtimi kimi-teknologji në Kastriot (Obiliq) ndërsa SHLP drejtimi biologji-kimi në Gakovë.
Ecajaket e tija jetësore deri më tani, kanë lënë gjurmë në fushën e krijimtarisë letrare, gazetarisë, publicistikës dhe kritikës letrare.
Shefqet Dibrani, me veprat e shkruara në prozë dhe poezi, tani më është i mirënjohur në mbarë hapësirat shqiptare të Shqipërisë Natyrale dhe në gurbet, si shkrimtar jeton dhe vepron në qytetin St.Gallen në Zvicër.
Vepprat Letrare të botuara:
„Larg pikon hëna“, poezi Tiranë 1994.
« Pse e urrej Kadaren dhe poezi të tjera“, poezi, Prishtin 1996.
« Qershia e pikëlluar », vjersha, Prishtinë, 1997.
« Ditar mërgimi », poezi, Prishtinë, 1998.
« Strehët e gjakut », poezi, Prishtinë, 2000.
„ Libra dhe mbresa“, kritikë letrare .St.Gallen-Zvicër 2005.
„Zhgënjimi ballkanik I“, publicistikë, Prishtinë, 2005.
„Zhgënjimi ballkanik 2“, publicistikë, Prishtinë, 2006.
„Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër“, poezi, Podijevë 2007.
„Letrat e Agimit“, Letërkëmbim, Prishtinë 2008.
„Virtyte e visarë“, publicistikë, Prishtinë 2010.
« 11 Minuta para orës 00 ose mirazhi i suksesit të LDK-së », aanalizë politike, Prishtinë 2011.
« Roli historik i LDK-së … », punime të konferencës, (02.06.2013), St.Galen-Zviccër,Prishtinë 2013.
« Anatomia e e brymës », poezi e zgjedhur, Prishtinë, 2013.
„Sfidë për demokracinë I“, monografi, Prishtinë 2014.
„Sfidë për demokracinë II“, monografi, Prishtinë 2014.
„Pinjollët e Rrustem Llukës“, monografi, Prishtinë 2014.
Shefqet Dibrani, në krijimtarin e tij letrare, në poezi e prozë po edhe në drejtimin e publicistikës, gazetarisë me shumë sukses ka bërë lidhshmërin e rrjedhave jetësore, politike dhe historike në kohë dhe hapësirë, në atdhe dhe kurbet, me të dhëna e dëshmi të datave, vendeve dhe personazheve, të cilat me shumë kujdes i ka trajtuar në veprat e tija, si në të kaluarën dhe tani, në veprat e shkruara e të botuara deri tani, me të cilat ka pasuruar thesarin e artit, kulturës dhe arsimit kombëtar.