Pashtriku.org, 27. 02. 2015 – Këto ditë pritet të themelohet Gjykata Speciale për “krimet dhe gjenocidin” e kryer nga UҪK’ja gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), ndërsa edhe pas 17 vitesh nga masakrat e kryera në Likoshan e Qirez të Drenicës (dhe qindra maskra të tjera anë e këndë Kosovës), nga forcat policore-ushtarake e paraushtarake serbe – krimet mbeten akoma të pandëshkuar! Kriminelët shëtisin të lirë, dhe askush nuk merret me ta, as Policia e EULEX’it, as Policia e Kosovës dhe as prokuroria e gjyqësia vendore e ndërkombëtare!
Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, më 28 shkurt 1998 te gjashtë lisat e Likoshanit, forcat serbe pësuan një goditje të rëndë nga njësitë e UҪK-së, dhe më pas forca të shumta ushtarake-policore serbe, në shenjë hakmarrje, vranë dhe masakruan dhjetra civilë shqiptarë të paarmatosur, në Likoshan të Drenasit dhe në Qirez të Skënderajt. Likoshani shtrihet 12 km në verilindje të Drenasit. Është vendbanim kodrinor, malor e fushor, i ndarë në dy lagje. Likoshani para luftës kishte 187 shtëpi me 1086 banorë shqiptarë. Gjatë luftës (1998 – 1999) janë djegur dhe shkatërruar 181 shtëpi si dhe shkolla e fshatit. Më 28 shkurt dhe 1 mars 1998 janë vrarë e masakruar 10 anëtarë të familjes Ahmeti dhe një mysafir. Ndërkaq, gjatë viteve 1998 – 1999 janë vrarë 34 banorë civilë dhe kanë rënë dëshmorë katër ushtarë të UҪK-së, ndërsa janë të zhdukur tre banorë. Qirezi, shtrihet rreth 15 km në juglindje të Skënderajt. Është vendbanim kodrinor e fushor dhe ka disa lagje. Para luftës fshati kishte 130 shtëpi, me 1280 banorë shqiptarë. Gjatë luftës u dogjë tërë fshati, dyqanet zejtare, kooperativa bujqësore, ambulanca, dy objekte të shkollës, zyra e vendit, Biblioteka dhe Xhamia. Më 28 shkurt në këtë fshat dhe në fshatin Likoshan u vranë 24 banorë të paarmatosur. Gjatë luftës gjithsejt u vranë 45 banorë civilë dhe gjashtë luftëtarë ranë dëshmorë, ndërsa një banor është i zhdukur.
SI NDODHI MASAKRA NË LIKOSHAN DHE QIREZ
Forcat e armatosura serbe, nga janari 1998, kur eskaloi kriza në Kosovë dhe mori përmasa të luftës të armatosur, kanë bërë ekzekutime arbitrare e masakrime në masë duke mos kursyer, madje, as gratë e fëmijët, as pleqtë e të sëmurët. Vrasjet masive të shqiptarëve filluan në fillim të këtij viti në Likoshan dhe në Qirez të Drenicës. Më 28 shkurt në këtë rajon të Drenicës u organizua një sulm i kombinuar i forcave serbe që zgjati 24 orë, me ç’rast u angazhuan një numër i madh i policëve, i paramilitarëve dhe i ushtarëve serbë të maskuar. Në atë sulm është përdorur edhe armatim i rëndë dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopterë u sillte ndihmë forcave serbe, që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare. Civilët shqiptarë janë vrarë e masakruar në shtëpitë e tyre, mosha e të cilëve sillet prej 16 deri në 70 vjeç. Policët janë futur në familjen 36 anëtarëshe të familjes Ahmetaj në Likoshan, ku i kanë detyruar të gjithë, burra, gra e fëmijë, të shtrihen përtokë, i kanë ndarë meshkujt, i kanë nxjerrë jashtë dyerve të oborrit, i kanë rrahur dhe i kanë masakruar një nga një në mënyrën më barbare, aq sa vështirë është bërë identifikimi i tyre.
Nga kjo ekspeditë shfarosëse në Likoshan janë vrarë 10 anëtarë të familjes Ahmeti, si:
1. Ahmet Ahmeti (50),
2. Gani Ahmeti (46),
3. Elmi Ahmeti (44),
4. Hamëz Ahmeti (44),
5. Driton Ahmeti (23),
6. Naim Ahmeti (22),
7. Lumni Ahmeti (20),
8. Shemsi Ahmeti (19),
9. Basri Ahmeti (19),
10. Elhami Ahmeti (16), si dhe
11. Behram Fazliu nga Gradica, i cili kishte qëlluar mysafir në familjen Ahmeti.
Ndërkaq në Qirez janë vrarë e masakruar:
1. Beqir Sjediu (31),
2. Nazmi Sejdiu (1975),
3. Bedri Sejdiu (1975),
4. Bekim Sejdiu (1974),
5. Xhemshir S.Nebihu,
6. Ilir Nebihu
7. Rukije Nebihu, (e cila ishte shtatzënë!)
8. Rexhep Rexhepi,
9. Beqir Rexhepi,
10. Ibish Rama
11. Muhamet Gjeli (70), nga Likoshani
12. Behram Fazlia nga Gradica,
13. Naser (Muhamet) Gjeli (37) nga Likoshani,
14. Rexhep Ajeti (60), dhe
15. Smajl Behrami nga Baksi, i cili ishte fëmija i vetëm në familje, që pos dy prindërve të tij ai kujdesej edhe për axhën dhe gruan.
***
Këto ditë pritet të themelohet Gjykata Speciale për “krimet dhe gjenocidin” e kryer nga UҪK’ja gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), ndërsa edhe pas 17 vitesh nga vrasjet e kryera në Likoshan e Qirez të Drenicës (dhe qindra masakra të tjera anë e këndë Kosovës), nga forcat policore-ushtarake e ‘paraushtarake serbe’ – krimet mbeten akoma të pandëshkuar! Kriminelët shëtisin të lirë, dhe askush nuk merret me ta, as Policia e EULEX’it, as Policia e Kosovës dhe as prokuroria e gjyqësia vendore e ndërkombëtare!
LIKOSHANI, SI FILLIM, 17 03 2014
NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 1 000 MIJË FJALË!