VALBONA BAJRAMI: NJË SHEKULL DISKRIMINIM NDAJ GRAVE – MJAFT MË! /FOTO/

Prishtinë, 26. 03. 2015 – “A lindi çikë ?- mbyte ma mirë.” Ishte ky një togfjalësh i lokeve tona që bukur shpesh i kritikonim përse e thonin, pa e kuptuar rrënjën e domethënjes. Ajo gjeneratë iku për t’ia liruar rrugën gjeneratave të reja, që prap i rrinë stoik Kanunit.
Grua, të përbuzën përgjatë historisë, gjithmonë në emër të burrnisë, sepse ti duhej të ishe vetëm hije: pa t’u ndje zëri, pa i kërkuar të drejtat elementare të njeriut, pa lëvizë pluhun – edhe pse ti ishe në dijeni që nuk meriton poshtërim deri në këtë masë. Epo, kujt i bëhet vonë kur edhe Shota vdiq e çnjerëzuar nga pushteti “burrnor“ i Ahmet Zogut? Sot, Zogu mban çmimin “Nderi i Kombit”, i dekoruar nga demokratët e Shqipërisë. Shumë afër Fushë-Krujës ndodhet një bust simbolik i Shotë Galicës, e injoruar nga çdo pushtet burrash në Shqipëri, sepse nuk e kap dot me sy nga therrat që e kanë mbuluar. Në një editorial të shkruar nga publicisti Mehmet Bislimi, ai thekson se Shota po vdiste urie bashkë me fëmijët e saj nga moskujdesi i pushtetit zogist. Pas gjithë kontributit që i dha tokave shqiptare, Shota e detyruar nga kushtet e mjerueshme ekonomike i drejtohet mbretit të vetëshpallur Zog:
“Unë jam Shote Galica – gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim” (Qerime Shotë Galica).

– Shote Galica –

Burrat e kohës nuk e kursyen nga ofendimet që i lejonte Kanuni: “e përdala që kuvendon me burra”. Në oda ku burrnia matej me tym duhani përlyhej emri i Shotës, përderisa ajo mbante koburën në brez në mbrojtje të Lëvizjeve Kaçake për çlirimin e trojeve shqiptare nga Serbia, Austo-Hungaria dhe Bullgaria. Shotën nuk e vrau asnjë plumb i okupatorit. Me 1927 e vrau pushteti zogist me metoda më çnjerëzore që mund të kap kapaciteti trunor i njeriut- vdiq nga uria!

– Nëna Terezë – 

Nëna Terezë, e vetmja figurë shqiptare që njihet ndërkombëtarisht për bëmirësi, e vetmja Nobeliste shqiptare, ndërsa sot i lakohet emri nga “burra” që tërë jetën e tyre ia dedikojnë një libri. Madje i’u lejohet të mbajnë ligjërata kundër saj bazuar në citate fetare, duke bashkangjitur terminologjinë më të ligë të mundshme: “kuçk, gërrgjulk, vdiq n’gjeti…”. Ndërsa kritikët dhe shkollarët botëror e kanë konsideruar si figurën më bëmirëse në historinë e Krishterizmit, madje më bëmirëse se secili Papë. Disa “burrave” u lejohet të lakojnë emrin e saj sepse burrninë e paskan fituar me lesh fytyre, sepse Kombin nuk e njohin, ata flasin shqip por fantazia e çrregullimeve mentale ju ka fluturuar në kulturën e Lindjes së Mesme. Gonxhja vdiq me 5 Shtator 1997, ku aso kohe ky lajm u përcoll me pikëllim në pothuajse të gjithë globin. Ndërsa në kohët aktuale, përfaqësues fetarë marrin guxim për të njollosur emrin e saj, e hiearkitë politike heshtin. Ky injorim të krijon bindje se edhe ajo shtatore që i’u ngrit në qendër të Prishtinës, reflekton kamuflimin në sy të botës se gjoja krenohemi me veprën e saj.

– Motrat Savesti dhe Parashqevi Qiriazi –

Savesti Qiriazi ishte pioniere e edukimit të gruas shqiptare. Lindi dhe u rrit në Manastir, ku dhe filloi veprimtarinë e saj për inkuadrimin e grave në shoqërinë shqiptare. Ishte grua e edukuar në “Robert College,” ku në vitin 1891 dha kontributin e saj për hapjen e shkollës shqipe në Korçë, në fokus edukimin e grave dhe vajzave. Savesti dha kontribut për përgaditjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe që përpiloheshin në Kongresin e Manastirit. Bashkë me familjen e saj emigroi një herë në Rumani, më pastaj në SHBA. Disa vite më vonë, gjegjësisht me 1920, u kthye prapë në Shqipëri për të dhënë kontributin e saj, ku dhe themeloi institutin e grave “Kyrias”, bashkë me të motrën Parashqevi Qiriazi. Të dy motrat u burgosën e u deportuan në kampin Nazist “Anhalteleger Dedinje” në Beograd. Në New York të SHBA-ve funksionon shoqata “Albanian American Womens Organization Motrat QIriazi” ku si mision kjo organizatë ka fuqizimin e gruas shqiptare në disporë. Për ironi, trojet shqiptare u stërmbushën me shtatore burrash, sa nuk gjetën dot një pëllëmbë tokë për të nderuar veprën e motrave Qiriazi.

– Marie Shllaku –

Marie Shllaku një figurë emblematike si studente e filozofisë, kishte studiuar të gjitha rrymat politike dhe psikologjitë e të ashtuquajturave turmave të kohës. Një shkodrane e lindur me 22 Tetor 1922 që u flijua për bashkimin e trojeve shqiptare. Fliste rrjedhshëm: shqip, frengjisht, italisht, gjermanisht, latinisht, dhe gjuhën e vjetër romake. Nga kontributi i saj voluminoz, vlen të theksohet vënia në detyrë në Ministri – sektori për rrugë – e emëruar nga Idriz Mati. Me 1942, Maria kishte pranuar detyrën për të kontrolluar të gjitha dokumentet sekrete të Qeverisë, dhe pastaj ato dokumente ti aprovonte si dispozitive ndaj grupit pro-anglez të Bari Carit. Marie Shllaku ishte pajtuar me kohë se shqiptarët duhet të bëjnë luftë në dy fronte paralele për të mbrojtur kufinjtë etnik, dhe kundër fashizmit. “Pse partitë e asaj kohe nuk e zbatuan këtë filozofi historike, një ditë historia do ti gjykojë të gjitha. Një heroinë si Maria meriton të konsiderohet si Mnemozinë e ndërgjegjës dhe e historisë shqiptare, sepse jetën ia dha Kosovës e gjakun Shqipërisë” (Bajrami, Marie Shllaku-Jetën Kosovës gjakun Shqipërisë, dorëshkrim -1986,148:160). Maria, kishte çarë rrethimin e pushtuesve sllav, por për fat të keq ndeshet me Xhemë Bajramin e Açarevës, që pabesisht dorëzon Shllakun në duart e strukturave të OZN-ës. Asokohe prokuror i përgjithshëm ishte një burrë shqiptar i quajtur Ali Shukriu, që me 29 Qershor theksoi dënimin e 27 të akuzuarve shqiptarë, ndër ta edhe Marie Shllaku. Gjatë marrjes në pyetje nga strukturat e UDB-së Maria kishte deklaruar:
“Po, që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria ime për atdheun, përpjekja ime qysh se di për vete për një Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë” (Marie Shllaku).
Sipas hulumtimeve të historianes Sabile Keqmezi-Basha, Shllaku u dënua me pushkatim me 24 Nëntor 1946 bazuar në nenin 3/1-2/2-4/2 të asaj kohe. Emri i saj sot theksohet si monument i gjallë në zemrat e shqiptarëve, por për çudi as për të nuk u gjetën dy pëllëmbë tokë për ti ngritur një shtatore.

– Hyrie Hana –

– Marte Tunaj –

Pas vitit 1946, një fat të përafërt me Marien e provuan në supe edhe shumë gra nga Kosova të cilat ishin organizatore demonstratash dhe aktiviste për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serb. Gratë e ilegalës u dënuan nga strukturat e UDB-së, ku shumë prej tyre rrojnë edhe sot, por fatmjerisht i ka mbuluar pluhuri i harresës. Si është e mundur të mos dekorohet kontributi i shumë grave, emra të mëdhenj si Shukrie Gashi, e shumë gra si ajo që kaluan pjesë të jetës së tyre prapa grilave të okupatorit serb. Edhe pse gjatë viteve të 80-ta studentët shqiptar konsideroheshin inferior nga pushteti Jugosllav, Shukria po vazhdonte studimet në drejtësi, deri sa u arrestua nga forcat serbe në vitin 1980. Ajo konsideron këtë periudhë si agjendë të lëvizjes për barazi gjininore përmes çlirimit kombëtar (Krasniqi, ProFemina, 2011: 99-104). Pra, lëvizja studentore e asaj kohe nuk kishte për qëllim vetëm idealin e çlirimit, por edhe idealin e edukimit të brezave pasardhës pa dallim gjinie. Figura grash që u flijuan me pushkë apo me pend, sot nuk nderohen për sakrificën që i dhanë Kosovës. Ku mbeti kontributi i Hyrie Hanës, Nurie Zekës, Xhevë Lladrovcit, Ylfete Humollit, Shqipe Dumoshit, e shumë të tjerave? Varret e tyre u mbuluan me therra e u vunë në harresë, ngjashëm me shtatoren e Shotës që gjendet afër Fushë-Krujës.

– Xheve Lladrovci – 

Në një komunikim me aktivisten Shemsie Elshani, ku rrjedha e bisedës mori kahje të ngrohtë private për shkak të thjeshtësisë dhe bujarisë që ajo shpreh, isha kurreshtare të di se përse ajo nuk është aktive; si rron, ku rron, a bart ndonjë dekoratë nga shteti i Kosovës? Zonja Elshani më kthen përgjigje me modesti e maturi që me pak fjalë por qartë më këshillon dhe mua si gjeneratë më e re të qëndroj brenda kornizave në përputhshmëri me gjenezën e problemeve që gratë kanë hasur gjatë historisë.
Pyetjeve të mia ajo iu përgjigj:
“Jo, nuk kam marrë asnjë dekoratë. Jo vetëm unë, por edhe shumë gra të tjera që kontribuan për çlirimin e Kosovës…Të them të drejtën më shumë brengosem për mos pjesëmarrjen e gjeneratave të reja të grave në jetën publike, se sa që kontributi ynë u harrua. Atë që gjenerata ime dha, ia dha Kosovës. Aso kohe nuk pretendonim për dekorata, përveç prioritetit tonë për të parë Kosovën e lire. Ndërsa për gjendjen ekonomike kujdesem vetë, meqë jetoj larg Kosovës. Mua më brengos tej-mase gjendja socio-ekonomike e grave të tjera që jetojnë në Kosovë, që dikur ndanim së bashku një ideal, ndanim edhe grilat e burgut…” (Shemsie Elshani, aktiviste dhe e burgosur politike gjatë viteve të 80-ta).

– Shemsie Elshani dhe Rukie Ajvazi –

– E unë, stepem! – më vie vrull të ‘shaj’ të gjitha strukturat e pasluftës që nuk përfshinë kontributin e grave paralel me burrat, që dekoruan me çmime megalomane edhe UDB-ash e zogist-kryesorja, duhet të shfaqet krenaria e partiarkatit me figura burrash. Zonja Elshani është rritur në një familje shkollarësh, e edukuar me ide patriotike për çlirimin e Kosovës. Në vitin 1978 u bë pjesëtare e celulave ilegale në Therandë, ku më vonë, gjegjësisht në vitin 1981, u arrestua nga strukturat e UDB-së për një vit e gjysmë. Kjo periudhë kishte krijuar konfuzitet te Zonja Elshani, sa që si shprehet ajo, veprimtaria patriotike më nuk njihte kufi meqë aso kohe fenomeni i patriotizmit ishte shndërruar në proces natyral, sa që kontributi për çlirimin e Kosovës ishte bërë proces elementar jetik.

– Mimoza Shala –

Vala e harresës e mori edhe Rukie Ajvazin, e cila aktualisht jeton në fshatin Bellopojë-nahi e Llapit. Rukia si vajzë e re që ende nuk i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat u arrestua nga strukturat e UDB-së dhe vuajti dënimin për më shumë se një vit. Zonja Ajvazi kujton se gjatë vuajtjeve të dënimit, ajo bashkë me të burgosurat e tjera mbështesnin njëra-tjetën moralisht duke kënduar. Kënga ishte arma e vetme për të mposhtur maltretimet nga strukturat e UDB-së. Pas lirimit, ajo u deprivua edhe nga e drejta e arsimimit sepse strukturat e UDB-së kishin vënë barriera për të. Për shkak të presionit, Rukia detyrohet të ndërpresë shkollimin, gjë që do ti kushtonte edhe pas viteve 1985 e ironikisht edhe pas viteve të luftës (Rukie Ajvazi, e burgosur politike gjatë viteve 1983-85). Asaj nuk i trokiti askush në derë për ti ofruar një punë, apo të paktën ti ofronin një mirënjohje për kontributin që i dha Kosovës.

– Dile Lohaj dhe Shukrie Gashi – 

Shumë gra që vuajtën dënim nëpër burgje u mbuluan nga pluhuri i harresës, emra si: Dile Lohaj , Florije Hajrullahu, Trendelina Labinshti, Saime Isufi, Teutë Hadri, Mihane Sadiku, Teutë Bekteshi, Qefsere Mala, etj, të cilat dikur ishin fanare të çlirimit të vendit, ishin motiv për brezat e ri, ishin emblemë e idealit “Kosova Republikë“. Për ironi, ishin dikur, ndërsa sot edhe pse janë gjallë nuk janë më! Askush nuk i nderoi këto gra të paktën me një mirënjohje – ato i mbuloi pluhuri i harresës.
***
Etapa e grave të ilegales u mbyll, për ti hapë rrugë vajzave të reja që gjatë luftës së fundit iu bashkangjitën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kush rrumbullakson imazhin e rolit të grave në luftën e UÇK-së më mirë se Mimoza Shala? Në moshë të mitur kur ishte në bankat shkollore, Mimoza ishte frymëzuar për të iu bashkangjitur forcave të UÇK- së. E gjendur përballë peripetive dhe tytave të okupatorit serb, Mimoza u plagos në Gjakovë. Falë ndihmës që i ofroi zonja Drita Sada, sot Mimoza frymon. Frymon dhe dëshmon si ishte modeli i ushtareve të UÇK-së. Ishte e vetmja nga bashkëluftëtarët e saj që mbijetoi duke u përballur me plagën e saj e vetme, e vetmja që mbeti dëshmitare e gjallë që përcolli poezinë e Yllka Domit tek ne, të cilën e kishte shkruar dy ditë para se të vritej nga okupatori serb: “Nuk dua përmendore, dua të fluturoj me dallëndyshe…”. E kush do i përcjellë Yllkës mesazhin se pothuajse asnje gruaje nuk iu ngrit përmendore? – përveç një busti që iu ngrit Xhevë Lladrofcit në shkollën e fshatit të saj. Si duket Yllka e paska ndjerë diskriminimin ndaj grave, prandaj na e la amanet që mos të na vëj në siklet. Po, Mimoza mbeti gjallë, i përballoi çdo sfide të pas luftës. Ajo është aktiviste uragan që ngre zërin për të drejtat e njeriut. Mimoza vazhdoi rrugën e Shotës, rrugën e Marie Shllakut, dhe ndoshta ndër të vetmet që po përcjellë historinë e ushtareve të UÇK së, ndryshe nga pikëpamja tradicionale mashkullore. Sot, ne jemi dëshmitare të gjalla që e shohim Mimozën në protesta ku sulmohet brutalisht nga forcat e rendit, e ajo vazhdon të qëndroj stoikisht duke mbrojt idealet dhe duke luftuar për qëllime të larta -déjà vu- pas pothujse një shekulli, Mimoza sulmohet ngjashëm si Shota e Maria.

– Trëndëlina Labinishti, Mihane Sadiku, Saime Isufi dhe Shemsie Elshani –

Roli i grave në shoqërinë shqiptare është shndërruar në civilizim sipërfaqsor para syve të botës, kinse ne jemi të civilizuar. Asnjë gruaje të ndonjë pushtetari nuk ua dëgjon zërin të prononcohen para kamerave, madje as përgjatë fushatave zgjedhore. Ato i sheh si “kukulla të teleisura,” të ulura në rendin e parë të evenimenteve zgjedhore, sepse burrat e tyre shpalosin gjentilesën vetëm gjatë fushatave. Shumë sosh prej tyre, gra të shkolluara që fshihen pas petkut të burrit, pa ua dëgjuar zërin askush. Burra pushtetarë, ky fenomen në botën e qytetëruar përkthehet si “Rrethi i Kontrollit Psikologjik” që ka nevojë për kurim.

– Teuta Bekteshi dhe Teuta Hadri –

Tendenca për të kontrolluar gratë dhe veprimet e tyre del edhe jashtë mureve të shtëpisë, kur një njeri shpalos ideologjinë e kontrollit, dhe injoron gratë kolege në publik. Në vitin e kaluar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në foltoren e Parlamentit kritikonte punën e deputetes Vlora Çitaku, duke i kaluar përmasat e etikës. Ai tha se Çitaku nuk po bën asgjë, por vetëm po përqafet me burra të huaj nëpër takime jashtë vendit. Pas deklaratës së tij ishin vetëm deputetet gra që i dolën në mbrojtje Ministres Çitaku, të cilat braktisën seancën e Kuvendit. I vënë në siklet, deputeti Gashi kërkoi falje me një fjali që nuk të krijonte përshtypje që ndjente keqardhje. Ai theksoi se qëllimi i tij nuk ishte që ta fyente askënd, por ishte thjesht diskutim politik. Për çudi shumica e burrave parlamentarë nuk u solidarizuan me gratë, që nënkupton se indirekt mbështesin ide dhe fyerje të ngjashme për gratë. Asnjë ndëshkim ndaj deputetit Gashi nuk u ndërmor, përderisa në vendet perëndimore një deklaratë e tillë do ti kushtonte në karrierë. E grave tona aq iu jepet hapësirë – ndoshta të protestojnë vetëm, por pluhur nuk duhet të ngrisin. Si rezultat i heshtjes dhe zvogëlimit të problemeve, sot kemi një numër simbolik të grave në Qeveri, me nën 20 përqind. Ky vendim të krijon përshtypje se edhe ai njëzet përqindësh është emëruar vetëm për sy të ndërkombëtarëve. Deputeti Gashi, mirë do të bënte të hulumtonte veprimtarinë e Vlora Çitakut, e cila që nga mosha 16 vjeçare ka dhënë kontributin e saj, atëherë kur emri Arben Gashi nuk njihej për publikun.

– Saime Isufi dhe Qefsere Mala –

Pre e sulmeve verbale ra edhe Presidentja e vendit Atifete Jahjaga. Edhe pse shumë ishim kritikë për mënyrën e zgjedhjes së saj, a e pyetëm ndonjëherë veten për emrin e përfolur për President vendi, Behgjet Pacolli? Pse nuk u morrët me artikulimin e fjalëve të tij, aq sa u morrët me zonjën Jahjaga? – Presidentja e vendit të paktën nuk ka të kaluar diskutabile. Përvec mirënjohjeve që mori nga Departamenti i Shtetit Amerikan, ishte e vetmja që mori iniciativë të takohej me fluksin e të ikurve nga Kosova, përderisa pushtetarët burra hodhën kritika ndaj popullit me statuse nëpër rrjete sociale, direkt nga kolltuqet e tyre. Madje profesionistët e mirëqenjës sociale e vunë si prioritet procesin e vizave para mirëqenies ndaj njeriut. Kur të mendosh këto hipokrizi “burrash” pushtetarë, nuk gjen dot terminologji adekuate që rrumbullakson deklaratat e tyre antinjerëzore.
Reflektimi i diskriminimit ndaj grave shfaqet në çdo sferë të jetës: një këngëtar që shfrytëzon figurat e Kombit, në mes recitimit të vargjeve merr guxim ta fyej deputeten Alma Lama; sulmohet verbalisht deputetja Margarita Kadriu; publikohen fotoshope të Erleta Hotit, se kinse paska qenë e dhunuar; Vjosa Osmani si aktiviste më e zëshme në strukturat e LDK-së, ndëshkohet me mos pjesëmarrje në Qeveri sepse kundërshtoi Kryeministrin Mustafa. Ky i fundit nuk u ngop me aq, sa që disa ditë më vonë doli para kamerave duke potencuar se LDK-së do ti bashkohen “shumë njerëz dhe femra”. Ideologjia e tij e patriarkatit u shpalos në një fjali, duke klasifkuar gratë nga njerëzit.

– Ylfete Humolli –

Hipokrizia vazhdon në pothuajse secilin panel televiziv që trajtojnë problemet e përditshme, ku kryesisht kuvendojnë burrat sepse ata na qenkan ekspertë të çdo lëmie. Të nderuar burra, edhe nëse e ndjeni veten analist meritorë, a e keni pyetur veten se ç’profesioni i takoni, apo të tregoni modesti kur merrni ftesë për debate televizive? Nuk mbet problem social, debat politik, apo eveniment publik pa e analizuar – përderisa profesioni i juaj i takon vetëm një dege. Edhe profesionistëve iu ipet hapësirë ti kundështoni, sidomos kur keni përballë një grua. Kujtoj në një panel televiziv në KTV, derisa sociologia Sibel Halimi po sqaronte shkencërisht faktorët e problemeve sociale- gjithmonë brenda etikës që i lejon profesioni – një tog-burrash bashkëpanelist nuk mund t’i kontrollonin reagimet e tyre, duke i ndërhyrë zonjës Halimi në pothuajse çdo fjali. Vërehej edhe në gjestikulacionet e tyre se nuk ndjehen rehat kur një grua ua bën “shah-mat”. Për ironi, asnjëri nga ta nuk ishte sociolog që të argumentonin deklaratat e tyre në përputhshmëri me perspektiva dhe teori sociale që mbështeten shkencërisht, ashtu si i faktonte zonja Halimi.

– Yllka Domi –

Burra të nderuar: figura publike, analistë, apo politikanë, tregoni burrëri modeste duke qëndruar brenda profesioneve që keni, sepse nuk mund të jeni ekspert totalitar të çdo lëmie. Madje, “totalitarizmi i dijes” po ju bën të dukeni si palaço. Dhe nuk çuditesh kur edhe zotësinë e grave e dekoroni me fjalën “burrneshë,“ sepse domosdo, ato qenkan të zonjat kur iu vihet ‘pak yndyrë burri’. Jeta Xharra, Arbana Xharra, Mimoza Shala, e shumë të tjera janë gra-jo burrnesha. Arbana Xharra u dekorua nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përderisa grupe burrash në Kosovë e padisin për të vërtetat e aferave të pista që zonja Xharra ka publikuar në media.
Patriarkati merr kahje edhe më të rreptë për gratë që nuk janë fytyra publike. Këtë e dëshmon rasti i familjes Berisha nga Suhareka, që është vetëm një pikë uji me atë se çka ndodh në Kosovë me trashëgiminë e pronës. Për hirë të vëllazërisë djem që e kanë shkelur moshën e pjekurisë ia dhanë vetës epitetin “burrë” që ende jetojnë nën hijen e prindit. Ka që punojnë fort, e e lënë “asht e rrasht” të djersës, por nuk e dinë se ku ju mbetet pasuria e patundshme pas gjysmë shekulli. Në viset shqiptare këtë fenomen e quajnë moral – burrë është ai që punon bashkë me bashkëshorten, e të gjitha investimet duhet të regjistrohen në emër të babës, ose të ndonjë burri të fisit. Për çudi ky mentalitet vazhdon të përceptohet si moral, edhe pse jemi në dijeni që shumica e kacafytjeve kur zgjërohet trungu familjar bëhen për çështjen e trashëgimisë. Burra të nderuar, nuk ju ngritet morali në rast se djersën e juaj dhe bashkëshorteve tuaja ia dedikon më të vjetrit në familje për hirë të normave sociale. Trashëgimia vazhdon të mbetet temë tabu, përderisa gratë heshtin sepse ashtu ka urdhëruar dikur Kanuni.

– Shyhrete Berisha –

Kanunin nuk e kemi vetëm normë sociale, gjersa i ka futur rrënjët edhe ne gjygjësor. Aktualisht, gjyqësori udhëheqet nga “tog-burrash” të cilët janë edukuar në frymën e patriarkatit, e lejojnë të shtyhen seancat për hirë të “burrërisë” dhe urdhërave kanunore. Madje burra profesionist me edukim superior, që i ofrojnë mundësinë palës së paditur të ofrojnë oferta shpirtërore të bazuara në Kanun. Ka shumë njerëz që po e mbështesin zonjën Shyhrete Berisha vetëm për hirë të tragjedisë familiare që i ka ndodhur nga dora e paramilitarëve serb, po nuk e mbështesin rastin e këngëtares Safete Mustafa që ka si thelb pothuajse të njejtin skenar. Te ne, plot gojën e kemi Bashkim Ndërkombëtar, edhe ligjet i kemi plagjiaturë nga BE-ja, pa u bazuar në asnjë normë sociale në vend dhe historikun e tyre – prandaj dhe lëndët në gjyqësor lirisht mund ti konsiderojmë si antikitet. Së fundi, gjykata rrëzoi edhe kërkesën e grave për kuotë në qeverisje, gjë që ishte e pritshme. Në bazë të rrjedhave të politikëbërjes, pa bërë asnjë hulumtim, ne lirisht mund të konkludojmë se mbi nëntëdhjetë përqind e vendimmarrësve ishin burra.
Sa e sa raste të tjera janë që opinioni publik nuk është i informuar me padrejtësitë që iu bëhen grave shqiptare nga njerëz që e quajnë veten burrë, e që pretendojnë se jemi duke lëvizur në drejtim të botës së qytetëruar. Përderisa në botën e qytetëruar ky grup njerëzish quhen qyqarë, ose “i përkëdheluri i prindit” – asnjëherë “burrë“. Për ironi, rasti i zonjës Berisha ende qëndron pezull, e njerëzve të vullnetit të mirë iu mbetet vetëm të urojnë që gjyqësori të theksojë verdiktin në favor të saj. Në fillim të ketij viti, zonja Berisha u dekorua nga Lëvizja Qytetare FOL me “Çmimin për Guxim Qytetar”.
Trusnia dhe abuzimi psikologjik vazhdon edhe për gratë e dhunuara gjatë luftës. Burra, ku ishit ju 20.000 ushtarët e UCK-së që nuk iu dolët në mbrotje këtyre grave? Imoralitet quhet fryerja e numrit të veteranëve, kur jemi në dijeni se as përafërsisht numrat nuk përkojnë – jo dhuna ndaj grave që ishin viktima të luftës. Turpi arrin majat kur në Parlament kërkuat që gratë viktima të luftës të ekzaminohen, prandaj dhe ato janë të detyruara të dalin me fytyrë të fshehur nga publiku sepse ju direkt dhe indirekt i fajësoni ato – madje ato fajsohen edhe nga vetë burrat e tyre. Burra të nderuar që vazhdoni të krenoheni me hierarki, ekzaminoni strukturat e “veteranëve të UDB-së“, numrin e fryer të ushtarëve të UCK-së, që sipas të dhënave ne do t’i çlironim tokat shqiptare deri te Molla e Kuqe – jo një grua si Marte Tunaj që mori guximin të publikojë historinë e saj të dhimshme. Të jesh e dhunuar nuk është imoralitet – imoralitet treguat shumë sosh nga ju që me krekosje keni zënë vend në Parlament e heshtët për turpet historike, kur faktet tregojnë se në ulëset e Parlamentit ka edhe ish-bashkëpunëtorë të UDB-së.
Epo, kush do të thoshte se loket tona kishin të drejtë? Ato u diskriminuan historikisht sa që vuajtjet dhe ndikimin e patriarkatit e përshkruan me një fjali, sepse aq guxonin të flisnin: “A lindi çikë – kape mbyte”. Fatmjerisht ky trend vazhdon edhe në vitin 2015, ku gratë dhe vajzat nuk guxojnë të lëvizin lirshëm në rrugë, ose në orë të vona, sepse shumë prej jush “burrërinë“ e juaj e masni me ngacmime seksuale dhe verbale ndaj grave dhe vajzave të reja. Dëshmitë tregojnë se sektori publik disfavorizon gratë në punëdhënie, pastaj shumë ndërrmarje nga sektori privat urdhërojnë gratë dhe vajza të mitura të vishen në mënyre provokative për të joshur klientelën. Me patriarkat vazhdoni të edukoni edhe gjeneratat e reja që nuk kanë faj pse statusi i tyre i lindur është varur nga normat që i kanë strukturuar “burrat”, ku vëllau merr përgjegjësinë e motrës, burri të gruas, hierarkitë e pushtetit vënë një numër simbolik të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje- pa i dëgjuar asnjë herë se a pajtohen ato me vendimet e juaja. Dhe nuk çuditesh kur në jetën e përditshme dhe në rrjete sociale has në konkludime si: “janë tranuar gratë“. Jo-burra-jo, juve që thirreni pas këtyre ideve ju ka “tranuar” historikisht patriarkati dhe Kanuni – pajtohuni me fakte:
• Shota vdiq nga uria!
• Emri i Nënës Terezë po lakohet në mënyrë çnjerëzore nga vetë burrat.
• Motrave Qiriazi e Marie Shllakut nuk iu gjetë një pëllëmbë tokë për një shtatore.
• U vunë në harresë emrat e Hyrie Hanës, Shukrie Gashit, Shqipe Dumoshit, Shemsie Elshanit, Rukie Ajvazit, Saime Isufit, Qefsere Malës, Teuta Hadrit, Teuta Bekteshit, Trëndëlina Labinishti, Mihane Sadikut, Dile Lohajt, Saime Isufit, e shumë aktiviste të tjera që kontribuan për çlirimin e vendit.
• Sulmuat verbalisht Vlora Çitakun, Alma Lamën, Margarita Kadriun, Nazlie Balën, Erleta Hotin…
• Sulmuat direkt dhe indirekt kontributin e Arbana Xharrës, Jeta Xharrës, dhe shumë gazetare të tjera.
• Aprovuat tekste shkollore për mosha minorene me tituj të kalibrit “Djali është djalë“.
• Aprovuat tekste psikologjike me citate si: “… truri i burrit është për veprim, ndërsa truri i gruas për të folur”.
• Njollosët gratë viktima të përdhunuara gjatë luftës – i latë në mëshirë të fatit dhe pa trashëgimi, edhe ato që i mbijetuan masakrave të paramilitarëve serb.
• Vazhdoni të mbroni idetë se gratë nuk duhet të dalin në orë të vona pa shoqërimin e një burri.

*) Kjo listë është vetëm gjenerale nga diskriminimi gjinor që gratë hasin në shoqërinë shqiptare.
***

Meqë të drejtat e grave po hasin në vesh të shurdhër, e kontributi i tyre po mbulohet me pluhur të harresës, nuk mbetet gjë tjetër veç se gratë të përcjellin thënien e famshme të njërës ndër nismëtaret e lëvizjeve feministe, Gerda Hedvigu Lerner, e cila citon:
“Askush nuk na dha neve asgjë … historia e gruas është treguar nga pikëpamja mashkullore. Dhe historia e vërtetë është se përkundër këtyre qindra viteve të diskriminimit dhe harresës, gratë ngulmuan se ato kanë një histori, dhe ne u desht të fitonim çdo hap të rrugëtimit. Neve na është dashur të fitojmë të drejtën të tregojmë tregimin tonë ” (Lerner, 2012).
Sipas rrjedhave dhe diskriminimeve, ndoshta ka ardhur koha që edhe gratë dhe vajzat shqiptare të ngulmojnë për të treguar historinë nga pikëpamja e tyre, meqë për qindra vite hasën në vesh të shurdhër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura