ISH’USHTARI I UҪK’së, JANUZ JANUZAJ – NUK E PRANON STATUSIN E VETERANIT!

Pashtriku.org, 16. 04. 2015 – Januz Januzaj, ish-ushtar i UÇK-së, Brigada 133 “Adrian Krasniqi”, nëpërmjet një kundërshtimi të hapur ka kërkuar nga Komisioni për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, që t’ia heqin emrin dhe mbiemrin në renditjen: Zona Operative e Dukagjinit, Brigada 133 “Adrian Krasniqi” – veteran, numri rendor 212. Januz R. Januzaj – 039108, me arsyetimin se nuk do ta pranojë kurrë asnjë përfitim dhe nuk mund ta marrë asnjë detyrim.
Ja letra e plotë e Januz Januzajt:
KUNDËRSHTIM I HAPUR!
Në jetën time jam përpjekur të punoj pa bërë dallime në pikëpamje, në përkatësi gjaku, gjinie, race, ngjyre a feje. Secili njeri jeton, punon dhe përcaktohet ndaj atdheut, kombit sipas edukimit, bindjeve, fuqisë dhe guximit. Puna e bërë për liri mund edhe të ndahet në periudha dhe në forma.
Lufta për çlirimin e Kosovës e ka moshën dhe luftëtarët e vet; secili sipas mundësive individuale dhe qëndrimeve të përgjithshme.
Për vitet e luftës në Kosovë askujt të mos i humbet edhe një pikë uji e dhënë për liri dhe të mos i shtohet, asnjërit, qoftë edhe një fjalë e vetme, e mirë apo e keqe.

Vetëm përzierja e interesave individuale e grupore, shkelja e rregullave elementare ligjore e morale, grumbullimi vëllazëror, familjar e miqësor, lënia anash – harrimi i gjakut të gjallë të shuar, i cili hesht me shikim habitës që flet, afrimi i njërit dhe largimi i tjetrit, marrja e ndarësit dhe largimi i bashkuesit, ulja e atij “pa krah” dhe ngritja e atij “me krah”, pranimi i pasurisë dhe mohimi i varfërisë, shkurt, përzierja e marifetit dhe medetit në shpalljen e emrave të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, nuk e tregojnë, jo, historinë e jetuar dhe përjetuar të luftës në këto anë, por, mjerisht, për së gjalli e gatuan një ushqim me të cilin nuk mund të pajtohen të tashmit dhe, po ashtu, brezat që vijnë nuk mund të rriten me të.
Nuk dua ta mbroj askënd! As nuk përjashtoj njeri!
Për punë dhe lëvizje të njëjta gjatë luftës, pjesëtarët e UÇK-së janë vendosur në pozita të ndryshme! Për kohë të njëjtë, dikush ka përfituar e tjetrit i është mohuar! Për disa që kanë qenë jashtë Kosovës, janë gjetur vende brenda në renditje të listës! Një ditë a një javë është barazuar dhe ka dalë – veterani! Është bërë ndërrimi i gjeografisë, i kohës dhe i historisë!
Ai, i cili është plagosur pas luftës dhe ka hyrë në renditjen e invalidëve të luftës, nuk mund ta ndryshojë historinë, por vetëm ka provuar ta vjedhë atë.
A ka gjë më të rëndë sesa në shpinë të dëshmorit të kombit, familjari i tij të hyjë në listën e veteranëve të UÇK-së!
Nuk mund të jetoj, as edhe një ditë më, se ky shtrembërim i periudhës më të lavdishme të historisë sonë do të na zvetnojë, dhe po ta heshtim, do ta paguajmë me të tashmen e me të ardhmen e kombit tonë.
Historia as nuk vidhet as nuk rrëmbehet. Ajo e ka rrugën e vet me njerëzit e vet. Kush përpiqet që ta shtrembërojë atë udhëtim, mbetet vetëm një dështim i provuar për të s’di satën herë.
Nuk mund ta pranoj, as edhe si formë, emrin dhe mbiemrin tim në renditjen: Zona Operative e Dukagjinit, Brigada 133 “Adrian Krasniqi” – veteran, numri rendor 212. Januz R. Januzaj – 039108.
Kërkoj hapur që Komisioni të ma heq emrin tim prej asaj liste: Unë nuk pranoj, kurrë, asnjë përfitim dhe nuk mund ta marrë asnjë detyrim.
Januz Januzaj, ish-ushtar i UÇK-së
Brigada 133 “Adrian Krasniqi”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura