PROF.DR.EJUP AJDINI: SADUDIN GJURA DHE REXHEP VOKA ISHIN DHE DO TË MBETEN BURIM FRYMËZIMI PËR GJENERATA TË TËRA

Pashtriku.org, 19. 04. 2015 – Klubi i Shkrimtarëve OENEUM – Tetovë, në bashkëpunim me Bashkësinë vendore të Shipkovicës, organizuan Akademinë përkujtimore “Kujtojmë yjet letrare”, kushtuar Rexhep Vokës dhe Sadudin Gjurës, e cila u mbajt më 18 prill 2015, në Shipkovicë. Pas akademisë përkujtimore u mbajt edhe një orë e madhe letrare, ku poezitë e tyre i lexuan një numër i konsiderueshëm poetësh nga Tetova dhe nga vise të tjera. Referat për jetën dhe veprën e Rexhep Vokës paraqiti prof.dr. Vebi Bexheti, ndërsa referat për jetën dhe veprën e Sadudin Gjurës paraqiti prof. dr. Ejup Ajdini. Përveç tjerash, një diskutim të shkurtë për figurat e këtyre atdhetarëve mbajti edhe prof. dr. Zeqir Kadriu, ndërsa për vuajtjet e Sadudin Gjurës nëpër kazamatet jugosllave foli edhe prof. Xhevxhet Ameti. Familjarëve të këtyre dy kolosëve ju ndanë mirënjohje nga Klubi i Shkrimtarëve OENEUM – Tetovë dhe nga Bashkësia vendore e Shipkovicës. Në vijim lexoni referatin e prof.dr.Ejup Ajdinit:
PROF.DR.EJUP AJDINI: SADUDIN GJURA DHE REXHEP VOKA ISHIN DHE DO TË MBETEN BURIM FRYMËZIMI PËR GJENERATA TË TËRA
Midis dy luftërave botërore, popullata shqiptare në Maqedoni pati fatin e keq të përjetojë e dhe një robëri të tipit sllav, që ishte shumë më e zezë e më mizore sesa ajo e sundimit pesëshekullor turk. Populli ynë bëri përpjekje të gjejë rrugëdalje, falë figurave të shquara që sakrifikuan mundin dhe jetën për idetë e shtrenjta kombëtare. Figura të tilla do të shfaqen menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishin të frymëzuar nga premtimet boshe të platformës së rrejshme të Partisë Komuniste se të gjithë popujt do të kenë të drejtën e vetëvendosjes dhe të gjithë do të jenë të lirë në planin kombëtar, kulturor dhe në atë social e politik. Mirëpo, këto ideale do të dështojnë edhe pas luftës, pasi një numër i intelektualëve, politikanëve dhe letrarëve e njerëzve të zgjuar, do të gjenden pa arsye në bankat e të akuzuarve, vetëm e vetëm pse kishin orientim kombëtar, e jo me ide të bashkimit jugosllav. Të tillë fat pati edhe Sadudin Gjura, i cili u zhduk në rrethana tejet misterioze dhe me metodat më perfide që mund të ketë një shtet me ligjet e veta shkatërruese.

Në mbarë letërsinë shqiptare, Sadudin Gjura ka dramën e tij tragjike, jeta e të cilit përbën një tragjedi më vete, një nga tragjeditë më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare, edhe pse natyra e fali më të bukur, më të ndërgjegjshëm dhe ndër më të zgjuarit e kombit tonë në këto anë. Ky rast është pa precedent në botë. Këto ishin kohë kur dominonte jonjerëzorja, e shëmtuara dhe hipokrizia, si kundërvlerë për shkatërrimin e të bukurës, veçmas vepronte shovinizmi i tepruar sllav, i cili ka rrëmbyer kokat e njerëzve më të mirë të kombit, figurat më të bukura dhe më të shtrenjta që kemi pasur.
Gjura u lind më 15.03.1926 në Shipkovicë të Tetovës dhe vdiq më 25.02.1960, në mënyrën më mizore, që nuk i ngjante as luftëtarit në fushën e betejës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, të mesmet në Tetovë, kurse studimet e gjuhës ruse në Shkup.
Ishte bir i Abdullahut, njeri me autoritet dhe i njohur për besë e krenari, dhe i nënës Sadie, e njohur si grua tepër bujare. Kjo familje ishte në zë në malësinë e kësaj ane. Sadudin Gjura ishte një muzë e idealeve kombëtare. Të gjithë bashkëkohanikët e tij flasin fjalët më të qëlluara për të, thonë se ai ishte njeri hyjnor, tejet i bukur, me sy shqiponje, i lartë, pedant, i jashtëzakonshëm dhe njeri më i adhuruar në mesin e intelektualëve, shokëve dhe miqve të vet. Ai ishte profesori i parë i Pollogut dhe i Malësisë së Sharrit. Por, mbi të gjitha, ishte poeti i parë shqiptar, i atij krahu të shkëputur të atdheut. Ishte edhe pishtar i arsimit, punoi si mësues në shumë fshatra dhe në vitin 1951 nisi të punojë si profesor i Shkollës Normale të Tetovës. Ishte me karakter të çeliktë dhe asnjëherë nuk e njohu nënshtrimin. Vija e tij ishte e drejtë dhe e kulluar kombëtare.

Sadudin Gjura (1926 – 1960)

Kur pa se politika e kohës mashtroi gjatë luftës dhe eci mbi gjakun e bijve dhe bijave shqiptare, Sadudin Gjura formoi Organizatën “Liria” me shumë shokë dhe vendosën që të shkojnë deri në fund, për ta mposhtur tradhtinë që iu bë popullit shqiptar në përgjithësi. Dhe vërtet shkoi. Pasi u zbulua nga organet sekrete të shtetit, ai u sekuestrua dhe u diskreditua deri në fund.
Në vitin 1952, profesorin do ta nxjerrin nga klasa kur ishte duke zhvilluar mësimin dhe nxënësit prej asaj dite nuk e panë kurrë më. Në burg pëson trauma psikike nga torturat e shumta që i bëhen si dënim për atdhedashurinë që kishte. Vdekja e tij mbeti me dekada enigmatike, deri në ditët e sotme dhe nga më të dhimbshmet në historinë e njerëzimit. Gjatë dimrit të madh, në malet e Sharrit, humbet Sadudini, në periudhën kur lëshohet nga burgu i paaftë për jetë dhe në pranverë atë kurm e gjejnë barinjtë e Sharrit, që një dimër të tërë kishte ngelur nën borën e madhe të Sharrit. U gjet në qershor të vitit 1960. Sadudinin e dënuan dhe e masakruan përfaqësuesit e bolshevizmit në kohën e Informbyrosë.
Ishte poet dhe dramaturg i martirizuar. Mbeti nga figurat më të dhimbshme të letërsisë shqiptare dhe nga më të ekskomunikuarit deri më sot, pasi askush nuk ka mundur ta përmendë për shkaqe politike. Emri i tij ishte një dridhmë e madhe politike. Pushteti ishte i vetëdijshëm se aty kishte bërë krimin më të madh antinjerëzor. Zhduku birin më të shtrenjtë të një kombi, profesorin, poetin, dramaturgun dhe figurën më të pëlqyer pas luftës në Maqedoni, mësuesin e dashur e patriotin që s’dinte kompromise kur ishte fjala për çështjen kombëtare.
Me Sadudin Gjurën filloi vezullimi i rrezeve letrare në ato anë. Por, fati i keq bëri që në moshë të re të zhduket një yll letrar dhe të thyhet një penë që posa kishte nisur t’i jepte frytet e veta letrare e estetike. U gjet i vdekur kur priste të shijonte pranverën e 35-të. Për të s’u bë asnjë ceremoni varrimi. Barinjtë e Sharrit lajmëruan në fshatin e tij të lindjes dhe imami i xhamisë së katundit, Haxhi Muhameti, me disa njerëz të familjes së tij, shkuan deri në vendin e ngjarjes, i bënë një gropë, pikërisht në atë vend dhe e varrosën ashtu siç ishte e asgjë më tepër, sikur të ishte një luftëtar i humbur në fushë të betejës. Prej asaj dite, sharrjanët atë vend e emëruan “Te varri i Sadudinit”. Pas ardhjes së demokracisë, bashkëvendësit e tij e ngritën kurmin nga bjeshkët dhe me nderime madhështore e bënë rivarimin e tij nën hijen e flamurit kombëtar, të cilin e deshi më shumë se jetën e vet.
Edhe shumë gjëra kanë mbetur të paqarta për jetën dhe veprimtarinë e tij. U dënua me 14 vjet burg, por qëndroi vetëm 8 vjet dhe pastaj doli i sëmurë dhe tepër i paaftë për jetë. Vuajti shumë nëpër burgjet e errëta dhe kazamatet jugosllave të asaj kohe, në Idrizovë dhe Goli Otok. Dënimi i tij ishte më kapitali dhe më i vrazhdi ndaj të gjithë të tjerëve që kaluan nëpër ato dyer. Pasi ishte më udhëheqësi i organizatës “ Liria”, e cila kishte ofruar në rrathët e veta mbi 1000 anëtarë nga Maqedonia dhe Kosova. Për këtë ia shkatërruan shëndetin me metoda speciale dhe më perfide dhe pastaj për ta liruar nga burgu si Zhan Val Zhanin, që si i sëmurë të komprometohet para rrethit të vetë dhe të përhapet frika në popull. Por, këtë e dinte mirë popullata. Përkundrazi, dhembja dhe revolta për Gjurën rritej vazhdimisht, atëherë e sot.
Shqiptarët që mbetën këtej kufirit, përjetuan jo vetëm tmerret e luftës që ua kishte marrë bijtë më të mirë, por edhe pas luftës filloi një gjenocid i paparë kundër atyre pak intelektualëve që kishin mbetur. Këtë gjendje e kuptoi Sadudin Gjura dhe iu kushtua arsimit dhe krijimtarisë letrare. Shkroi një varg të tërë poezish, por thuajse shumica prej tyre humbën ose u sekuestruan nga pushteti. Mbeti vetëm një poezi e gjatë, me 50 vargje, në “Jeta e re” Prishtinë (1952) dhe disa vargje të vjershave që i ruajtën të afërmit, aq sa mundën të mbajnë përmendësh.

Kur doli nga burgu, kushëriri i tij Nexhbedin Hazir Gjura arriti të ruajë vetëm 4 vargje të poezisë “Vaj si qenka ba Tetova”. Më 18.07.1996, arritëm të zbulojmë 4 vargjet më të bukura poetike me titull: “Marshi i normalistit”, shkruar më 1950, të cilën e kishte ruajtur me adhurim të veçantë ish-nxënësi i tij në Normalen e Tetovës, Remzi Qoku nga Struga. Profesori i muzikës, Gani Jahja, i kompozoi këto vargje në këngë dhe notat e kësaj kënge edhe sot e kësaj dite gjenden diku në Belgjikë.
Sadudin Gjura shkroi edhe poezinë ”Kënga e punëtorit”, për të cilën dëshmon Remzi Qoku që i din vargjet përmendësh:
Sa e dhimbshme është kanga e punëtorit,
që buçet thellë si n’tunel
dhe kërkon dritë,
bukë,
paqë
dhe liri.
As dritë,
as bukë,
As paqë
As liri,
Përsëri
Mbetet n’tunel.

Sadudin Gjura mbetet emër letrar i kësaj ane, veçmas me dramën “Lalë Bajrami”, që arritëm ta ndriçojmë në verën e vitit 1996, që dëshmon për një krijim të shkëlqyer artistik, veçmas kur kemi parasysh kohën kur është shkruar. Aty vjen në shprehje drama e hidhur e kurbetit ndër shqiptarë, e cila i ka përcjellë gjatë shekujve e që ka sjellë deri te rinjoha e nënës me të birin, motrës me vëlla, apo burrit me gruan dhe anasjelltas. Pastaj shkroi dramën “Fejesa në djep”, prej të cilës arritëm të gjejmë vetëm disa pjesë. Kolegia e tij Shazije Hoxha, dëshmon se Sadudin Gjura kishte shkruar edhe dy drama të tjera: “Shqipja e malit” dhe “Dervish Cara”, të cilat ende nuk na kanë rënë në dorë.
Veprimtaria letrare e Sadudin Gjurës ende nuk njihet plotësisht. Por, këto që përmendëm mjaftojnë për të dëshmuar njërën nga figurat e para letrare që s’u përmendën fare brenda dekadave komuniste edhe pse shumë intelektualë të kohës dhe nxënës të S. Gjurës dëshmojnë për një numër të konsideruar të vargjeve të tij poetike. Për fat të keq, siç e thamë, janë gjetur fare pak, aq sa nuk e rrumbullakojnë numrin prej 100 vargjesh.
Ato vargje që kanë ngelur deri më sot dëshmojnë për një natyrë të thellë artistike, për një personalitet të pamposhtur, për një mendje të mprehtë dhe me ndjenja të thella shpirtërore. Dëshmojnë për një temperament kryengritës, që nuk di të shkruajë me urdhra kohe, por, drejtpërsëdrejti ashtu si ia ndjenë shpirti. Me pak poezi të shkëputura nga dhëmbi i keq i kohës, mbeti një poet i frymëzuar dhe njeri që kërkonte një shoqëri të re me drejtësi të natyrshme dhe barazi të plotë kombëtare. Ai s’kërkonte asgjë më tepër, veçse lirinë që u duhet të gjithëve. Për këto ndjenja, ai atë botë shkroi poezinë më të bukur prej 50 vargjesh “Jeta e re e njerëzimit po agon”, ku shihet qartë një shpirt i lartë poetik dhe mjaft i dëlirë. Kjo poezi është e ndarë në tri pjesë. Tërë poezinë e përshkon ndjenja e lirisë, pa asnjë ngarkesë jashtë humanes. Poezia bulon nga një shpirt, sikur del nga një burim i pastër i maleve të Sharrit, që jep të kuptosh një det ndjenjash të mbushura me lot, që kalojnë nëpër zemrën e tij dhe përmes syve i lëshon lot pas loti, pasi jeta në syrin e robit s’ka kuptim, jetë e cila s’duhet jetuar.
Sa e madhe asht në sy të robit t’shkelun
Kur e peshon me lot gjakun e robnisë!…
…………………………………………………………….
kur syni i përlotun veç vaj e zi shikon
mbi dhe t’shkelun pikon loti i lirisë!

Ky poet është shembull i veçantë i revoltës ndaj jetës me diktate e pa liri. Poeti sapo jepte provat e para poetike, me një natyrë patriotike të drejtë e me shpirt revolucionari, ia vunë prangat dhe nisi vuajtja e një odisejade deri në zhdukjen e parakohshme të një pene të mprehtë, që sot me siguri do të ishte më e ndritura e këtij nënqielli poetike letrar.
Edhe në rrethanat e burgut, ai do të qëndrojë besnik deri në fund, i pathyeshëm. Krijon vargje me ato mundësi që kishte. Këtë e dëshmon Nexhbedin Haziri, pasi Sadudini kur doli nga burgu, i hendikepuar fizikisht, këndonte një poezi të cilën me siguri do ta ketë shkruar atje. Për fat të keq s’ka mundur ta shënojë në përgjithësi poezinë e tij të gjatë që e këndonte si këngë “Vaj si qenka ba Tetova”. Ai mundi të ruaj vetëm 4 vargjet, ku përsëri vijnë në shprehje vuajtja, dhuna dhe skëterra që kanë kapluar Tetovën dhe shqiptarët e shkëputur nga shteti amë nga një politikë antishqiptare:
Vaj si qenka ba Tetova
S’lanë askund me marrun frymë
Jetën time në burg e çova
Dhe më shtypën mu si krimb.

Periudha e pasluftës ishte mjaft e mjegulluar dhe sikur dielli e kishte humbur rrugën e vet. Drama e këtij shpirti kaq të shqetësuar dhe të vuajtur do të kërkojë diellin e dritës kombëtare përmes shkollimit, që sa më parë të zhduket injoranca; në vend të armëve të kapen libri e pena dhe vetëm me punë të ndershme një ditë do të ecet përpara.
Në kohën kur ishte profesor i Normales (1951-52), shkroi këngën poetike “Marshi i normalistit”, të cilën e kompozoi me nota muzikore profesori i muzikës së asaj kohe, Gani Jahja, njëherit edhe koleg i Sadudinit. Kjo këngë u bë marsh për të gjitha shkollat shqipe në Tetovë, edhe pse Sadudin Gjura nuk mundi ta shijojë fundin e saj, pasi u gjet në bankën e zezë të të akuzuarve. Në marshin e tij, që u përhap nëpër shkolla, te nxënësit dhe mësuesit, shihen qartë idealet e tij:
Armët tona janë libri e pena
N’luftë përballë injorancës shkojmë
Errësira, padija s’na kanda
Si ithtarë nëpër to ne marshojmë.

Poezitë dhe dramat e ti, që sadopak dalën në dritë pas një ekskomunikimi kaq të gjatë e të thellë, dëshmojnë për zërin e një krenarie të veçantë të popullatës shqiptare të kësaj ane, të cilat tingëllojnë bukur edhe për kohën tonë. Jehona që sjellin ato e që u përhap në Shipkovicë, në Tetovë e më gjerë, bëjnë që figura e tij të zërë vend në fondin e krijuesve të denjë të letërsisë sonë.
Figura letrare dhe kombëtare e Sadudin Gjurës dhe e Rexhep Vokës qenë, janë dhe do të mbeten burim frymëzimi për shumë e shumë gjenerata. Lavdi.

Tetovë, 18.04. 2014
– Kontakti me autorin: [email protected].

…………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura