VESHJET TRADICIONALE TË GJIROKASTRËS DHE MUZIKA POLIFONIKE

Pashtriku.org, 28. 04. 2015 – Gjirokastra ndodhet në luginën e lumit Drino, i cili rrjedh mes maleve madhështore të Lunxhërisë në lindje dhe Malit të Gjerë në perëndim. Qyteti me popullsi 35 000 banorë, është qendra ekonomike e administrative e rrethit me të njëjtin emër, që përfshin edhe qytetin e Libohovës, si dhe komunat Antigone, Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm, Lazarat, Lunxhëri, Odrie, Picar, Pogon, Libohovë Qendër dhe Zagori. Rrethi i Gjirokastrës karakterizohet nga një pasuri e madhe kostumesh, traditash muzikore dhe zakonesh popullore. Rrethi është i famshëm për përpunimin e drurit dhe të gurit, për prodhimet blegtorale dhe rakinë.
Gratë shqiptare janë të njohura për aftësitë që kanë për punimet e dorës, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Kostumet lokale janë tradicionalisht të zbukuruar me qëndisma të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza që prodhohen me lesh natyral lokal. Të famshme në të gjithë vendin janë dantellat e Gjirokastrës; po ashtu punime me grep dhe qëndismat. Burrat përpunojnë drurin dhe gurin.

Veshjet tradicionale popullore të grave ishin të pasura me qëndisma që zbukuroheshin me fije metalesh të çmuara; ato të Lunxhërisë dhe të Dropullit mbahen nga më të bukurat. Kostumet tradicionale të burrave përfshijnë poture të bardha leshi, të gjëra në bel që përfundojnë të ngushta tek këmbët dhe shoqërohen me dollakë tek pulpat ose fustanellat e bardhë me pala, të shoqëruara me jelek dhe opinga me xhufka. Në kokë mbahej një kapllak i gjatë i zi, prodhuar me lesh qengji ose një qeleshe prej shajaku me majë.
Muzika iso polifonike
Muzika tradicionale polifonike shqiptare mund të ndahet në dy grupe të mëdha stilistike: ajo e luajtur nga gegët e Shqipërisë së veriut dhe ajo e toskëve dhe Labërisë në pjesën jugore të vendit. Termi iso lidhet me ison e muzikës kishtare bizantine dhe i referohet sfondit zanor mbështetës koral, që shoqëron këngët polifonike. Ky sfond krijohet në dy mënyra: duke kënduar në mënyrë të vazhdueshme me zanoren “e” përmes frymëmarrjes së valëzuar ose duke u kënduar me ton ritmik, sipas tekstit të këngës. E interpretuar më shumë nga burrat, muzika tradicionalisht shoqëronte një varg të gjatë ngjarjesh shoqërore e familjare si dasmat, funeralet, festat e korrjes, festimet fetare dhe festivalet siç është i mirënjohur festivali folklorik kombëtar i Gjirokastrës. Muzika iso-polifonike shqiptare është njohur më 2005 nga UNESCO si “trashëgimi kulturore e paprekshme.” /sh.b/

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura