Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – (Me 5 nëntor 1992 në Prishtinë, organizuar nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, u mbajt një tryezë e rrumbullakët kushtuar çështjes shqiptare në raport me faktorin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Autori i këtij shkrimi mbajti njërën nga fjalët hyrëse.) – Politikën e drejtojnë interesat dhe jo emocionet – Me gjithë diferencat me një pjesë të intelegjencisë politike në Kosovë dhe përkundër konsekuencave që për shkak të tyre akoma po i bart, oferta që të paraqisja njërën nga fjalët hyrëse në këtë tryezë të rrumbullakët më gëzoi, jo vetëm sepse nuk u humb respekti, por edhe sepse rëndësia e çështjes dhe serioziteti i çastit e hodhi në rend dite me gjithë ashpërsinë e vet luftën me argumente, nevojën për kristalizimin e mëtejmë të gjërave dhe jo mjegullimin e tyre, dhe sidomos jo argumentimin me luftë.
Ndërkaq luftën me argumente mbi çështjen për të cilën bëhet fjalë, çështjen shqiptare në raport me faktorin kombëtar dhe me ambientin ndërkombëtar – e vështirësuan emocionet. Megjithatë doemos duhej të vinte momenti kur gjërat duhej shikuar me arsye, kur duhej të mbisundonte rezonimi logjik dhe kur në ftohjen e plotë të emocioneve duhej gjetur rrugëdalja. Politikën e komandojnë interesat dhe jo emocionet. Atë e udhëheq arsyeja dhe jo instikti dhe politika e vërtetë është një kalkulim matematikor i pikave tangjente të rrymave të ujit me akullin mbi të. Për momentin e tanishëm dhe për nevojat tona, politika është raport midis revolucionit dhe institucionit – sepse gjërat, ashtu siç janë të institucionalizuara, si përmbajtje të status-quo-së politike në të gjitha dimensionet e veta, nuk mund të qëndrojnë edhe më tutje.
– Ukshin Hoti –
Gjetja e rrugëdaljes, nga ana tjetër, e presupozon elementin e prognozimit. Henri Kisinxheri, ish-sekretar i shtetit të SHBA dhe njëri nga autoritetet më të mëdha në rrafshin e teorive mbi politikën e jashtme në Amerikë, do të thoshte se prognozimi është «aspekti më i vështirë, vërtet më tragjik i politikës së jashtme të shtetit». Për ta ilustruar tragjizmin e çështjes ai merr një shembull morbid, se sikur të ishte prognozuar p.sh., më 1936 për Hitlerin si për një maniak dhe jo si për një nacionalist, në vitet 1941-45 do të kishin shpëtuar 100 milion koka njerëzish. Me këtë ai do të thotë se elementi i prognozimit në politikën e jashtme lidhet me fatin e njerëzve. «Kur hapësira për veprim është e madhe, njohuria për ta mbështetur aksionin përkatës është e vogël ose e dyshimtë. Ndërsa kur njohuritë rriten, aftësia për të influencuar ngjarjet zakonisht është minimale»- konstaton ai me pesimizmin e tij karakteristik viteve të fundit të karrierës së tij politike. Megjithatë, Kisinxheri vëren me saktësi të plotë se «elementi i prognozimit dhe i nevojës së përshtatjes së aksionit ndaj ndonjë vlerësimi i cili në atë moment nuk mund të argumentohet si i vërtetë – nuk është kurrë më krucial e më me rëndësi kyçe se sa në periodën revolucionare. Atëbotë duket e qartë se rendi i vjetër është duke u dezintegruar përderisa forma e zëvendësimit të tij është tmerrësisht e pasigurt. Për këtë shkak çdo gjë varet nga një koncipim i së ardhmes. Mirëpo struktura të ndryshme të brendshme me lehtësi të madhe mund të prodhojnë vlerësime të ndryshme mbi rëndësinë e trendeve ekzistuese, dhe ajo që është më e rëndësishme – ato prodhojnë edhe kritere të kundërta e konfliktuoze për zgjidhjen e diferencave. Kjo është dilema e kohës sonë»- përfundon Kisinxheri. Ne do të shtonim se dilema nuk mund të ketë në përcaktimet tona kapitale – për demokraci, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, për problemin shqiptar dhe për format demokratike të luftës.
Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Dhe çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë problemin shqiptar në nevojën për barazimin e shqiptarëve me popujt tjerë në çdo aspekt, por mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit. Nevoja e tillë mund të jetë artikuluar në Republikë brenda-jugosllave, si Republikë e pavarur dhe sovrane, apo si Shqipëri e barabartë me popujt tjerë të Evropës së Bashkuar. Në rrafshin teorik, megjithatë, dilema mund të kishte rreth prioritetit të çështjeve: problemi apo çështja shqiptare; Republika apo bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet shqiptar! Cila do të duhej të ishte e para? Mirëpo, dilema nuk pati jo vetëm se çështjet ishin delikate dhe nuk mund të diskutoheshin hapur, bile as në shtetin shqiptar, por pse mendimi politik shqiptar ishte vazhdimisht i influencuar, qoftë me trendet aktuale të mendimit letraro-romantik, qoftë me influencimin e drejtpërdrejtë të interesave jashtë-shqiptare. Ajo që me siguri mund të konstatohet rreth mendimit politik shqiptar gjatë një periode më të gjatë, ishte interpretimi në shumicën e rasteve i njëanshëm i kontekstit ndërkombëtar, sidomos për shkak të ngarkesave ideologjike dhe të mangësive në njohuritë mbi proceset reale ndërkombëtare politike. Historiografia enveriste në Shqipëri dispononte instrumente dhe njohuri të duhura mbi këto procese por ishte e shtrënguar ideologjikisht. Fitohej përshtypja se mendimi politik shqiptar i kësaj periode zgjidhjen e çështjes shqiptare ia kishte nënshtruar interesave të revolucionit permanent klasor në përmasa botërore.
Mirëpo atë që mendimi teorik politik për shkaqe të ndryshme, kryesisht objektive, nuk kishte mundur ta shtronte me kohë e në mënyrën e duhur e bëri vetë jeta në mënyrë dramatike, fare origjinale, dhe me seriozitet të plotë. Në fillim çështjen e shtroi si kërkesë për statusin e Republikës së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë, duke menduar se Republika e tillë në raportet Jugosllavo-Shqiptare do të duhej ta lozte rolin e faktorit të sigurisë dhe jo të urës kaluese midis këtyre dy vendeve. Më vonë (me 1991), gjithnjë në përcjellje të trendeve aktuale politike gjithë-Jugosllave, kërkesa e tillë u artikulua si kërkesë për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, që u sanksionua edhe me Kushtetutën e Kaçanikut dhe u aprovua unanimisht me referendumin gjithëpopullor. Pavarësisht nga konotacionet «e pavarur» dhe «sovrane», të dy kërkesat, edhe ajo e vitit 1981 e më heret, por edhe kjo e vitit 1991, esencialisht e artikulonin kërkesën për barazimin e shqiptarëve brenda raporteve gjithëjugosllave. Nëse do të ishte e mundur zgjidhja definitive e çështjes shqiptare atëherë supozohej me bazë se kjo çështje mund të zbërthehej vetëm në harmoni me trendet aktuale dhe afatgjata të politikës globale së cilës i prinin amerikanët. Në fillim, pjesa më e madhe e forcave të brendshme politike faktorin e jashtëm e konsideronin si unik dhe të pakundërthënie. Andaj ishte e natyrshme që në euforinë e krijuar nacionale brenda tyre filloi lufta për pushtet dhe më pak për shtet (d.m.th. për republikë). Fatkeqësisht, në këtë luftë të tyre jo të hapur për pushtet asnjëra nga palët nuk ishte e liruar nga recidivat e përvojës historike dhe asnjëra nga ato nuk i koncipoi drejtë as proceset integrative të Evropës dhe as rolin e aktorëve të veçantë të këtyre proceseve. Bashkimi i Gjermanisë, p.sh., u përjetua si fitore e gjermanizimit të mundshëm të Evropës e jo si evropeizim i Gjermanisë; politika globale amerikane u përjetua si antisllavizëm i theksuar kurse rënia e Bashkimit Sovjetik gati u barazua me eleminim total të faktorit sllav nga skena politike e Evropës dhe e botës. Të gjitha këto u manifestuan në lëvizjet e brendshme të lëvizjes kombëtare përgjithësisht si mbështetje e tepruar, gati ekskluzive, në faktorin e jashtëm, me të gjitha konsekuencat e mundshme që i bart në vete një dukuri e tillë: prej ekskluzivitetit të mendimit, njëlloj topitjeje të elanit të lëvizjes, e gjer te urrejtja latente dhe potenciale e bartësve të ndryshëm të mendimeve të kundërta.
Ndërkaq problemi qëndronte gjetiu. Që nga luftërat prusiano-franceze të vitit 1871 dhe që nga formimi i shtetit gjerman, skenën politike të Evropës vazhdimisht e cilësonte grupimi bipolar i fuqive i cili reflektohej fuqimisht në faktorin politik shqiptar. Grupimi i tillë bipolar i fuqive u shpreh edhe në Kongresin e Berlinit por edhe brenda Lidhjes së Prizrenit; pastaj u artikulua në formë të boshtit tri-partitësh dhe të aleancës. Më pastaj, në forma të lidhjes së fuqive të boshtit dhe të Ententës dhe më në fund si Pakt i NATO-s dhe i Traktatit të Varshavës. Gjatë Luftës së I-rë Botërore, grupimi i përmendur i forcave në faktorin politik shqiptar u reflektua si vështirësi në formimin e qeverisë dhe në konsulidimin e shtetit shqiptar. Sindromi esadist dhe kompleksi i Prishtinës ishin nus-produkte të presionit të jashtëm por edhe i vlimeve përbrenda faktorit politik shqiptar. Shqiptarët, me fjalë të tjera, për shkak të pozitës së tyre gjeopolitike -në dyert e Otrantit, vazhdimisht ndodheshin nën presionin e synimeve strategjike të dy grupacioneve të popujve: sllavëve dhe të italo-gjermanëve që e synonin Persinë (Iranin) si treg dhe Adriatikun si rrugë.
Shqyrtuar nga një aspekt global (i përgjithshëm), interesat politike shqiptare esencialisht e impononin nevojën për tejkalimin e ndasive politike të shkatuara si nga presioni i jashtëm ashtu edhe nga interesat e veçanta të shtresave të ndryshme të popullsisë, por kjo gjë nuk ishte as e lehtë dhe as e shpejtë. Dukej se proceset integrative të Evropës më në fund e mundësonin një gjë të tillë.
Të udhëhiqemi me atë që është progresive
Në përfundim të kësaj fjale dhe në kontekst të përfundimeve të propozuara, nuk mund të mos e ngris zërin kundër disa tendencave të devijimit të praktikës politike në ambientin gjithëshqiptar, për të cilat qëllimisht nuk fola në mënyrë të konkretizar por që fare mirë do të mund të konkretizoheshin brenda suazave të shtruara teorike. Në luftën tonë për Republikën e Kosovës, për unitetin kombëtar dhe për transformimet demokratike të shoqërisë, ne jemi zotuar se asnjëra nga këto, sado që mund të përjetohen në mënyrë traumatike, sado që mund të nxisin emocione kaherë të fjetura; sado që jemi të rinj dhe të papërvojë në këto procese, ne jemi zotuar se gjithmonë do të ecim dhe do të shikojmë përpara, se do të udhëhiqemi me atë që është progresive në shoqëri dhe se nuk do të biem në grackën e revanshizmit politik, jo vetëm se kjo gjë nuk të çon askund, por edhe sepse një dukuri e tillë është reaksionare për të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha kohërat. Andaj e ngris fuqimisht zërin kundër praktikës së denigrimit dhe të ostracizimit të intelektualëve të mirëfilltë si në Shqipëri ashtu edhe këtu. Mendoj se është e pavend dhe e pahijshme burgosja e Ramiz Alisë, se është koha tashmë që të marrë fund odisejada nëpër katakombet e burgjeve e një gruaje plakë si Nexhmije Hoxha, dhe të liderëve të ish-sistemit komunist. Përse Shqipëria do të pretendojë që të jetë e veçantë edhe në sistemin demokratik si dikur në sistemin komunist? Përse do të duhej ta nënçmonim demokracinë me një praktikë të tillë devijante? Demokracia ka lëshuar rrënjë të thella dhe tani është e fuqishme. Nuk mund të bëhet fjalë për rrezikun nga kthimi i komunizmit por as që mund të pajtohemi me format kaherë të mundura ekstreme të saj. Në thelbin e çdo lloj demokracie ndodhet debati dhe dialogu. Këtë e vërtetojnë 2.500 vjet të historisë së saj. Andaj debati dhe jo burgu, ostracizmi e denigrimi do ta revalorizojë të kaluarën dhe do ta begatojë demokracinë. Uroj që të begatohemi edhe në këtë drejtim edhe me ata që ngulin këmbë në aprovimin e të drejtave të njeriut dhe qytetare duke i mohuar ato kolektive dhe nacionale, për derisa e dijnë edhe vetë se është fjala për kushtëzimin reciprok dhe dialektik të të dy kategorive; fjala është që të heshtin armët dhe të ndërpritet tallja me popuj.
Krushë e Madhe, 4 nëntor 1992