UKSHIN HOTI: MBI TË GJITHA NDERIMI I VETVETES. KOSOVA NUK ËSHTË E LIRË! POPULLI VUAN, POR ME VUAJTJE KA VENDOSUR TË FITOJË!

Pashtriku.org, 16. 05. 2015 – (Intervistë e Ukshin Hotit dhënë Radio Tiranës, më 6.III.1991 për emisionin “Për shqiptarët jashtë atdheut”)- Në fillim dëshiroj t’i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Tiranës të emisionit “Për shqiptarët jashtë atdheut”. Ka shumë kohë që jam i njoftuar me punën e dobishme të emisionit tuaj për informimin e bashkatdhetarëve shqiptarë, por edhe të miqve të huaj të Shqipërisë, me këndvështrimin dhe qasjen e saj origjinale ndaj problemeve të ndryshme të botës, dhe mbi vlerat e krijuara materiale dhe shpirtërore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në tërësi që ky emision i prezentonte sidomos përmes këngëve dhe melosit të bukur shqiptar.
Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo është hera e parë qysh nga viti 1981 që i drejtohem opinionit përmes një mediumi masiv duke filluar me këtë bisedë përmes Radio Tiranës. Do të dëshiroja t’ia kisha filluar përmes Radios apo Televizionit të Prishtinës, por ato tani nuk punojnë. Janë suprimuar nga forcat policore serbe. Megjithatë, fakti se kjo bisedë po zhvillohet nga një qytet jugosllav (Lubjana) në Slloveni me Radio Tiranën në Shqipëri, që në praktikën e djeshme politike anatemohej si emër i padëshirueshëm për jugosllavët dhe i rrezikshëm për shqiptarët, e tregon gjithë dramaticitetin e rrethanave të ndryshuara në drejtim të demokratizimit të jetës politike në raportet jugosllavo-shqiptare dhe në drejtim të kristalizimit gradual të rolit të Kosovës në zhvillimin e këtyre proceseve. Meqë me punën dhe me jetën time që në fillim kam qenë i përfshirë në këto procese dhe i kam kontribuar fuqimisht zhvillimit të tyre pozitiv, e falenderoj gazetarin, zotin Alfred, dhe miqtë e tjerë, për faktin se u kujtuan që të zhvillojnë një bisedë të vullnetshme dhe jo obliguese me mua për Radio Tiranën.

– Ukshin Hoti – 

Ju tashmë jeni të informuar me situatën politike ndër ne dhe me gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Shkurtimisht dhe në vija të përgjithshme atë do ta ravijëzoja kësisoji: Kosova nuk është e lirë. Ajo është e okupuar nga forcat speciale të policisë serbe. Një pjesë e njerëzve e kanë braktisur punën sepse nuk u pajtuan dot me imponimin e dhunshëm të shtetit juridik serb dhe me shkeljen e vrazhdë të autonomisë së Kosovës, të identitetit dhe të vetëqenies kombëtare. Një pjesë e inteligjencies, kryesisht ndjekës të politikës së vjetër të para vitit 1981, u vendos në Zagreb e Lubjanë. Një pjesë tjetër, kryesisht protagonistë të proceseve politike nga vitet ’80, u largua në Perëndim. Partitë politike që u formuan në Kosovë këto vitet e fundit, ose nuk kanë kushte pune, ose nuk u lejohet të punojnë. Sidoqoftë, ato në programet e tyre, në planin nacional, ndonëse në mënyra të ndryshme u deklaruan për akceptimin e Republikës së shpallur të Kosovës në shtator të vitit të shkuar nga deputetët e kuvendit në një sallë rrëzë grykës së maleve të Kaçanikut, nuk i kanë përpunuar dhe definuar qartë akoma qëllimet nacionale dhe mënyrën e realizimit të tyre. Ndërkaq, populli ndodhet në një gjendje të rëndë ankthi. Me fjalë të tjera, populli vuan, por me vuajtje ka vendosur të fitojë.
***
DEA (Demokracia Autentike) është një gazetë e pavarur e një grupi të vogël intelektualësh shqiptarë që gjer më tani vepruan nga Lubjana, kurse tani kanë vendosur të kthehen në Kosovë dhe të veprojnë atje.
DEA, për ndryshim nga faktorët tjerë politikë e publicistikë kosovarë, ka program dhe orientim të qartë politik që nga fillimi, d.m.th., që nga viti 1981, pasiqë pjesa më e madhe e redaktorëve dhe e bashkëpunëtorëve të saj këto qëndrime i kanë mbrojtur nëpër burgjet jugosllave duke i vuajtur edhe dënimet për to.
DEA e akcepton Republikën e Kosovës si fillim të zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi. Në formulimin e kërkesës për regjistrim – në fillim, dhe me akceptimin e shpalljes së Republikës, jemi nisur nga këto tri premisa qenësore:
1. Se në këtë mënyrë nuk do të shkaktohej acarimi i tepruar i raporteve Kosovë – Jugosllavi;
2. Se ky do të ishte një solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, pos për shovenizmin serbomadh, të cilin do të duhej ta luftonin vetë serbët. Mdërkaq, me këtë nuk do të rrezikohej pavarësia e shtetit shqiptar dhe paqja në Ballkan; dhe
3. Se një solucion i tillë nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve në funksion të interesave të huaja globale apo regjionale.
Ne me këtë shpresonim dhe e dëshironim sidomos mos-rrezikimin e veprimtarisë së shtetit shqiptar. Ndërkaq, në planin e brendshëm, në atë të Republikës së Kosovës, gjithnjë duke i akceptuar premisat e njëjta, por duke pasur parasysh edhe faktin se në Shqipëri, Kosovë dhe Jugosllavi u zhvilluan dikur, gjatë Luftës së Dytë, revolucione autoktone dhe me forcat e veta, ne jemi deklaruar për një demokraci që do t’i nënkuptonte të gjitha parimet e saj universale (zgjedhjet e lira, sistemin shumëpartiak, parlamentin, ndarjen e pushteteve, etj.) por e cila do të kishte kujdes për kushtet dhe rrethanat e veçanta, (siç është p.sh. pazhvillueshmëria), dhe ato autentike, të mentalitetit kolektiv shqiptar; për përbërjen ndokund të përzier nacionale dhe për veçori të tjera. Shkurt, gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi kundër importimit dhe kundër imponimit të modeleve të huaja të demokracisë. Konsiderojmë se demokracinë në Kosovë e lindën vetë shqiptarët dhe nuk e importuan nga jashtë. Për ndihmën e jashtme shqiptarët kanë pasur dhe gjithmonë do të kenë konsiderata të larta, por ata nuk mund ta lejojnë humbjen e identitetit të tyre për hir të kësaj ndihme. Në natyrën e shqiptarëve ka qenë gjithmonë nderimi i miqve, por para së gjithash nderimi i vetvetes.
Proceset e demokratizimit në Shqipëri i kemi vështruar dhe i vështrojmë nga dy aspekte:
a) – e para, kemi qenë ndoshta ndër të rrallët që kanë konsideruar se socializmi radikal apo militant (siç e quante ndokush) në Shqipëri, ka qenë në funksion të zhvillimit dhe të bashkimit. Ishte pikërisht ky shkaku i mbrojtjes sime të hapur që i bëra Shqipërisë me 1981, duke e rrezikuar veten me burg, ndërsa më vonë edhe me izolimin 9-vjeçar, me etiketimin si “i kuq”, dhe me shpifje të tjera përcjellëse. Sot realizimi i qëllimit të parë akoma nuk është kompletuar. Për këtë jemi të vetëdijshëm. Por t’i mohohet Shqipërisë çfarëdo arritje, madje edhe në planin e kulturës e të arsimit, s’mund të jetë më pak se idiotizëm politik. Në këtë kontekst, s’mund të arsyetohen assesi sjelljet primitive dhe vandaliste të disave, rrëmbimet e anijeve dhe ikjet në masë jashtë kufirit, rrëzimi vandalist i statujës së Enver Hoxhës dhe ankesat poshtëruese nëpër shtetet e Perëndimit. Duke i akceptuar motivet e brendshme të mospajtimit të mundshëm të këtyre njerëzve me një sistem të caktuar politik, si është e mundur vallë që ata ta harrojnë dinjitetin e të qenit shqiptar dhe vetëdijën e tyre politike se i takojnë një shteti, pavarësisht nga mospajtimet me regjimin? Shumë kohë më parë, qysh me 1912, një kryeministër serb, Nikolla Pashiqi, në një bisedë me Hartvigun, i deleguar i carit rus në Ballkan, i pati thënë atij: “S’ka komb shqiptar, ka vetëm fise shqiptare”. Tërë historia e kombit shqiptar ndërkaq e demanton këtë pohim të tij të motivuar nga qëllime imperialiste. Ndërkaq sjelljet e këtyre njerëzve sot nuk janë në harmoni as me vetëdijën politike shqiptare dhe as me shpirtin kombëtar. Ato sjellje na lënduan. Ngushëllohemi me faktin se euforia – si veti e papjekurisë politike, është një fenomen që mund të ngjajë kudo.
b) Me shpalljen e Republikës së Kosovës është bërë një realizim i mundshëm i qëllimit të dytë nacional – atij të bashkimit. Natyrisht, një realizim jo i plotë, por duke filluar nga vlerësimet reale mbi veten, mbi kontekstin real të forcave, jemi të mendimit se proceset integrative të Evropës do t’i ndihmojnë zgjidhjes adekuate të çështjes shqiptare. Është me rëndësi se hapja e kësaj çështjeje tani e ka eliminuar nevojën e militantizmit socialist dhe i ka hapur rrugë demokracisë në Shqipëri. Për këtë shkak ne i përshëndesim proceset demokratike në Shqipëri dhe urojmë që demokracia të jetë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të mëtejshëm të popullit shqiptar në Shqipëri dhe në përgjithësi.
c) Duke i përshëndetur të gjithë shqiptarët, të gjithë dëgjuesit e emisioneve tuaja, dëshiroj t’i përshëndes përzemërsisht ata me të cilët i kalova vitet e burgut, që tani ndodhen dhe veprojnë jashtë vendit, shumica brenda LPRK-së, por edhe ata që dikur i takoja nëpër Evropë dhe Amerikë. Dëshiroj t’u them se rënia e ideologjisë dhe akceptimi i demokracisë i ka bërë të pavlefshme zënkat e tyre të brendshme. Të jeni të gjithë gjelozë në ruajtjen e pavarësisë shqiptare, se ajo është themeli i identitetit kombëtar. T’ia keni besën proceseve të demokracisë, pavarësisht nga vështirësitë. Politikisht të vetëdijshëm për qëllimet tona, uroj të delni faqebardhë si gjithmonë nëpër tallazet e jetës së këtij populli të stërvuajtur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura