Pashtriku.org, 02. 06. 2015 – Më 23 maj 2015, Shoqata e Artistëvet dhe Intelektualëvet ART-KLUB në Ulqin organizoi promovimin e librit „E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”. U shpërndanë ftesat: në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Podgoricë, në Shkodër, në Tiranë. U njoftua edhe me rrjetet socialë në mënyrën dhe në kohën e duhur. Natyrisht, nuk mund të pritet, as të pretendohet që, në një eveniment të kësaj kategorie të të vijnë të gjithë. Pat shumë nga ata që dëshironin të vinin, por nuk erdhën dot për shkaqe të ndryshëm. Mjaft prej tyre telefonuan dhe shprehën keqardhje që nuk mund të vinin.
Megjithkëtë, promovimi u realizua me një pjesëmarrje impresionuese, aq sa një pjesë e të pranishmëvet nuk patën karrike ku të uleshin dhe qëndruan gjithë kohën në këmbë.
Por, 2 ishin mungesat që nuk mund të mos i binin në sy cilitdo pjesëmarrësi të vëmendshëm: Mospërfaqësimi institucional i klerikëvet dhe mosprania e mediavet qendrore.
Titulli i librit “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit“ do të ishte i mjaftueshëm për t’i motivuar këta 2 subjekte për të marrë pjesë të paktën përfaqësimisht apo pjesërisht. Titullarët e Arqipeshkvisë së Tivarit doemos duhej të ishin aty, qoftë edhe sepse bëhej fjalë pikërisht për institucionin e tyre. Por, në vend të pranisë INSTITUCIONALE, madje me kumtesa, aty erdhën vetëm 2 priftërinj të thjeshtë, me sa duket, dashamirës të Dom Gabriel Grabanicës, njeriut që e kish mundësuar me shumë përpjekje botimin e këtij libri.
Nuk erdhën françeskanët e Shkodrës, nuk erdhën jezuitët e Shkodrës, nuk erdhën salezianët, nuk erdhi askush nga Arqipeshkvia e Tiranë-Durrësit, nuk erdhën klerikët e Tuzit. Ishte, pra, një BOJKOT i qartë dhe dukshëm flagrant pikërisht prej atyre që u ka takuar ta shkruajnë vetë një libër të këtillë.
Mediat e Podgoricës, Shkodrës dhe Tiranës kanë qenë posaçërisht të njoftuara për këtë ngjarje jo të parëndësishme. Vetë autori i librit ua ka dorëzuar ftesat TV Klanit, TV Top-Çenëllit, TV Ora-Njuzit dhe TV Skanit, me kërkesën për të çuar në Ulqin nga një ekip xhirimi. Nuk erdh asnjeri prej tyre. A thua qenë aq shumë të ngarkuar me punë, psh, me rastin e grabitjes së një kazinoje apo me interesimin, ç’do të thoshte Tomë Doshi për zgjedhjet lokale?! Apo këta njerëz të mediavet as që ia kanë haberin ç’do të thotë të shkruhet e të botohet një libër për të kaluarën E VËRTETË të Arqipeshkvisë së Tivarit?!
Të shkruarit e këtij libri autori e ka filluar qysh në janar të vitit 2010. Ka punuar në të 6 muaj pa ndërprerje, pa kurrfarë financimi dhe pa kurrfarë përkrahjeje, vetëm me dëshirën që historia 1000-vjeçare e kësaj pjese të Arbërisë Veriperendimore të mos shtrembërohet e tjetërsohet.
Është shkruar kjo vepër në 2 gjuhë, pra në 2 libra me nga mbi 250 faqe, dhe u është paraqitur për botim 2 institucioneve që e kishin detyrë ta publikonin: Arqipeshkvisë së Tivarit në Tivar dhe Institutit të Historisë e Gjuhësisë në Tiranë. Asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ka bërë asnjë vërejtje të qenësishme, madje as që i është drejtuar autorit me ndonjë përgjigje të shkruar, por vetëm gojarisht i është thënë, psh, prej Institutit të Historisë, se “nuk ka referime të mjaftueshëm, prandaj nuk mund ta botojmë”. Nuk paska referime të mjaftueshëm, kur as edhe 1 faqe e këtij libri nuk është shkruar pa iu referuar të paktën 1 burimi dhe kur vetëm indeksi i tij përmban 964 emra të përveçëm!
Atëherë, cila është arsyeja që promovimi i një të këtillë libri bojkotohet prej 2 institucioneve të sipërpërmendur?!
Le ta theksojmë këtu që ky libër, me një varg pengesash, një pjesë ndoshta objektive, por shumica subjektive, ka qëndruar në shtypshkronjë më shumë se 15 muaj, kur dihet që të shtypurit e një libri 250 faqesh, në kohën e sotme, nuk do më shumë se 15 ditë punë. Gjithë puna e përgatitjes dhe e “të shtampuomit” të “Mesharit” të Gjon Buzukut, në shekullin XVI, nuk ka zgjatur më shumë se 10 muaj, ndërsa vetëm të shtypurit e një historie të po asaj arqipeshkvie ku është krijuar “Meshari”, zgjati, në shekullin XXI, më shumë se 15 muaj dhe kjo, pasi pat ndenjur 3 vjet në kompjuterat e Arqipeshkvisë.
Po i lëmë mënjanë durimin dhe ecejaket e autorit në relacionin Durrës-Tiranë-Ulqin-Tivar me dhjetëra herë. Po i lëmë mënjanë ripunimet dhe rishikimet me dhjetëra herë. Por nuk mund të lëmë pa vënë në dukje këtu, me të madhe, këmbënguljen, vendosmërinë dhe përpjekjet vetëmohuese të famullitarit të Braticës, Don Gabriel Grabanicës, i cili, me një akribi shembullore gjonbuzukiane, punoi me muaj të tërë, si për mbledhjen dhe plotësimin e shumës së nevojshme, ndër mërgimtarë halleshumë në Zvicër e Gjermani, ashtu edhe për t’i ndenjur më këmbë punës në shtypshkronjë gjatë gjithë 1 viti e gjysmë, deri sa libri doli më në fund në dritë.
Në fund, nuk na mbetet tjetër, veçse të pyesim: Si do të vlerësohen pas 20 vjetësh apo pas 2 shekujsh bojkotimet që i bënë promovimit të këtij libri Arqipeshkvia e Tivarit dhe media e këtyre hapësirave?!
Gjokë Dabaj, Durrës 25 maj 2015