XHEVAT BISLIMI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVES NUK ËSHTË THEMELUAR NGA NDONJË HASHIM POR NGA LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS (DOKUMENTE ARKIVORE)

Viti, 29. 06. 2015 – Në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga goja e Hashim Thaçit, shqiptarët dëgjuan edhe një “perlë”, një të pavërtetë të madhe (mahi a mashtrim) publike…! Ai mori përsipër (përvetësoi) hiç më pak se themelimin e FAMËMADHES, – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…!!! Mirëpo, për fatin e madh të Kosovës dhe të kombit shqiptar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ishte vepër (nuk u themelua) nga ndonjë individ-person (nga ndonjë Hashim…) apo nga ndonjë grup aventurierësh, por nga një organizatë politike, kombëtare, dhe çlirimtare, nga Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila ishte vazhdimësia e përpjekjeve, e mundit, e flijimeve dhe e luftrave për liri e bashkim të kombit shqiptar. Lëvizja Popullore e Kosovës “urdhërin” për themelimin e UÇK-së e mori nga ndërgjegjia e kombit, e mori nga ata dhjetra mijëra dëshmorë, atdhetarë, veprimtarë e luftëtarë të pathyeshëm për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin e tyre në një shtet, në një Shqipëri, e mori nga populli që e lindi dhe e mbajti në gjirin e tij. Kjo ishte dëshira, ky ishte vullneti suprem (i padiskutueshëm) i një kombi dhe i një vendi të copëtuar dhe të pushtuar nga shtetet fqinje… Kjo ishte edhe dëshira, ky ishte edhe vullneti i shtetit shqiptar (një e katërta e Shqipërisë) dhe e popullit të tij… Kjo ishte POROSIA (amaneti) e shenjtë e dëshmorëve dhe atdhedashësve të të gjithë brezave shqiptarë. Nga kjo dëshirë dhe nga ky vullnet, i përfshirë edhe në programin e LPK-së dhe të UÇK-së (shih BETIMIN e UÇK-së), udhëhiqej Lëvizja Popullore e Kosovës. Kjo ishte ideja e madhe e saj, kjo ishte ideologjia, kjo ishte partia, kjo ishte krahina dhe kjo ishte feja (religjioni) i saj…

Hashim Thaçi, nga foltorja e Kuvendit të Republikës, deklaroi edhe një të pavërtet tjetër: “UÇK-ja, tha ai, është krijuar në vitin 1992” (kuptohet prej tij!). E vërteta është se Sektori i Veçantë i LPRK-së (nga Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, LPK), me vendim të Kryesisë së LPRK-së, është krijuar në vitin 1991. Qëllimi i këtij SEKTORI ishte përgatitja e organizatës dhe e kombit për luftë të armatosur kundër Serbisë pushtuese dhe pushtuesve tjerë të viseve shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia (më vonë RSFJ). Përgjegjës të këtij sektori ishin zgjedhur-emruar Xhavit Haliti (jashtë vendit) dhe Xhavit Haziri (Brenda vendit). Por, akoma nuk mund të flitej për UÇK. Shqiptarët që luftuan dhe ranë me armë në dorë kundër forcave të pushtuesit dhe kolaboracionistëve “jugokosovarë” kishte edhe para këtij viti, por vendim historik, vendim politik të një organizate apo të ndonjë grupi për luftë të organizuar nuk kishte akoma. Madje, në OMLK qysh në vitin 1985 kishte Sekretar për çështje ushtarake (ishte Heroi i Kombit, Fehmi Lladrovci), ka qenë edhe Partia e Luftës, etj. Xhavit Haziri, Ahmet Haxhia dhe Xhavit Haliti në vitin 1991 ishin takuar edhe me Kryetarin e shtetit shqiptar, Ramiz Alia, dhe kishin marrë mbështetje për luftë të armatosur kundër Serbisë… Lufta e armatosur si mjet dhe formë për çlirimin e Kosovës doli edhe në Konferencën Konsultative të LPRK-së në Kërçovë (Kollare). Por, vendimi historik e politik i përmasave kombëtare për Luftë të Armatosur Çlirimtare u mor nga Mbledhja e IV e Përgjithshme e LPRK-së (më 28-29 korrik 1993, në Prishtinë), e cila që nga kjo Mbledhje do të quhej LPK. Pra akoma nuk flitej për UÇK, edhe pse në këtë kohë kishte Këshilla të LPK-së që qysh nga viti 1991 (kur u krijua Sektori i Veçantë i LPRK-së) ishin ndarë, sipas porosive dhe vendimeve të organizatës, në krah politik dhe në krah ushtarak… Më vonë, dihet kush e propozoi dhe kush e miratoi emërtimin e krahut të armatosur të LPK-së në Ushtri Çlirimtare të Kosovës, kush e propozoi dhe kush e themeloi Fondin “Vendlindja Thërret”, kush e bëri dizajnin dhe kush e punoi emblemën e UÇK-së, kush, kur dhe ku e shkroi Betimin e UÇK-së, etj.

Dihet që “shefi” i LPK-UÇK-së në Kosovë ishte Xhavit Haziri. Pastaj Nait Hasani, pastaj Shtabi Qendror i UÇK-së, pastaj Shtabi i Përgjithshëm, etj. Pra, nuk ishte Hashim Thaçi, por LPK-ja dhe organet e saj. Pak para Konferencës së Rambujes dhe pak para përfundimit të Luftës u krijua Drejtoria Politike (jo nga LPK-ja dhe organet e saj) për ta “zëvendësuar” dhe “mohuar” LPK-në. Dihet edhe kjo se si është bërë… Në këto përpjekje të LPK-UÇK-së dhe të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës vend të merituar, mbase edhe qendror, ka shteti shqiptar dhe populli i asaj pjesë të lirë të Shqipërisë. Kjo është e vërteta e vetme historike dhe politike e LPK-UÇK-së dhe e Luftës Antipushtuese-Çlirimtare të kombit shqiptar për Kosovën. Kjo e vërtetë nuk përjashton, nuk mohon dhe nuk nënvlerëson meritat individuale-personale të askujt, por ato merita janë të lidhura ngushtë dhe përjetësisht (të pandashme) nga emri LPK-UCK-së. E thash edhe më lartë se pati persona që, pas themelimit, organizimit dhe strukturimit të UÇK-së, sidomos pasi Ajo fitoi namin dhe përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës demokratike, u përpoqën të iknin nga LPK-ja dhe ta ndanin UÇK-në prej saj, duke falsifikuar “atësinë” e UÇK-së…! Janë këta që po rrahin gjoks si “themeluesë” privat të UÇK-së, janë këta që po hiqen edhe si “etër” të Pavarësisë dhe të lirisë së Kosovës, duke harruar përpjekjet, mundin, luftën dhe gjakun e dëshmorëve të të gjithë brezave, të LPK-UÇK-së dhe të mbarë kombit shqiptar, brenda e jashtë atdheut! Janë këta që po hiqen edhe si “pronarë” të Kosovës, me të cilën, sipas tyre, mund të bëjnë ç’të duan vetëm e vetëm për t’i ruajtur dhe fuqizuar pozitat dhe fitimet (pasuritë) e tyre të paligjshme…
P.S.
Më poshtë po sjell për lexuesin pjesë nga Deklarata Politike e LPK-së (Mbledhja e IV e Përgjithshme), të botuara nga gazeta e LPK-së, “Zëri i Kosovës” (Ribotuar nga Pashtriku.org). Nuk janë botuar ato pjesë që flasin hapur për luftë të armatosur, por edhe nga ky tekst vendimi i LPK-së për luftë të armatosur dhe e drejta për vetëvendosje është i qartë…
ZËRI I KOSOVËS Nr.14, 1.09.1993 – DEKLARATË POLITIKE E MBLEDHJES SË KATËRTË TË PËRGJITHSHME TË LPK-së. ÇELËSI I ÇLIRIMIT TONË KOMBËTAR ËSHTË NË VEPRIMTARINË TONË TË GUXIMSHME KUNDËR PUSHTUESIT
(Pjesë nga Deklarata Politike)

LPK, rithekson edhe një herë se çelësi i çlirimit tonë kombëtar nuk është as në Konferencat ndërkombëtare e as në rezolutat e panumërta, po në duart tona, në unitetin tonë dhe në veprimtarinë tonë të guximshme kundër pushtuesit.
LPK, afirmon qëndrimin e njohur se, përkundër forcës ushtarake e policore të pushtuesit serb, fitimtar do të dalë forca e popullit të organizuar dhe të vendosur në realizimin e vullnetit të tij për çlirim, jetësimin e Republikës së Kosovës dhe bashkimin e viseve të banuara me shqiptarë.
LPK, do t’i orientojë dhe do t’i vërë të gjitha energjitë dhe forcën tonë në shërbim të realizimit të këtij vullneti të popullit, pa realizimin e të cilit nuk ka asnjë perspektivë për popullin tonë.
LPK fton të gjitha forcat që janë të interesuara sinqerisht për çlirim, të kontribuojnë për krijimin e frontit të përbashkët çlirimtar popullor.
LPK, fton komunitetin ndërkombëtar të njohë Republikën e Kosovës dhe të drejtën e popullit të robëruar shqiptar për vetëvendosje.

(Autori është magjistër i diplomacisë, gazetar, publicist, politikan…)
– Kontakti me autorin: [email protected]

=============================
 …………………………………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SISTEMI I DREJTËSISË AKTUALE NË KOSOVË

Analiza Sistemi I drejtesise aktual në kosovË SISTEMI I DREJTËSISË AKTUALE NË KOSOVË  Afërditë Bekteshi                                                                             afë[email protected]                                                                                                                   Mob.:  (+386)…