(Tiranë, 13. 07. 2012) – Është tejet interesante dhe deri-diku pozitiviste të studiohen në rrafshin e mirëfilltë shkencor këto 20 vitet e fundit të asaj që e mbiquajmë politika shqiptare.Kjo s’ka lidhje të shkurtër me diletantizmin që bën kërdinë me këtë politikë të brishtë dhe të luhatur majtas dhe djathtas verbalisht, por jo substancialisht. As me grigjën laramane të opinionbërësve të pafund.
Na duhet një politikologji shkencore dhe bashkëkohore patjetër. Një dije e studimit kirurgjikal më tepër e dukurive se sa e emrave. Një optikë shkencore larg emocioneve dhe klientelizmit marramendës, që ka kontaminuar mediat dhe mendjet. Në politikë ka ngjarje të vërteta dhe ngjarje virtuale. Kjo duket gati aksiomatike dhe e pakundërshtueshme logjikisht.
Cilat janë ngjarjet e vërteta të politikës në këto 20 vjet në Shqipëri?
E kam fjalën për ngjarje kryesore, për ngjarjet matricë. Për mendimin tim, tri janë këto ngjarje përcaktuese në thelb, që kanë modeluar dhe modelojnë politikën shqiptare ende dhe sot.
E para është legalizimi zyrtar i pluripartizmit shqiptar në 1991. Pa vdekur ende strukturat e shtetit diktatorial monist u zyrtarizua e drejta demokratike e krijimit të partive politike, pra vetë PPSH zyrtarizoi vdekjen e saj përfundimisht dhe zhbërjen nga skena historike. Një akt politik gati surrealist, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të diktaturës, pra diçka, pafundësisht përjashtuese. Akti funeral i një epoke plot përvoja shtrënguese, etatiste, ideologjicentriste dhe tragjike. Ky është fakt. S’e mohon dot askush. Me konotacion global të rënies së botës komuniste të eksperimentimit të inxhinierisë sociale në afro gjysmën e njerëzimit. Diçka krejt e pashmangshme.
………………………………………..
Dëshmi: Hysen Shoshori – Në ’75-ën Sali Berisha më tha: ‘të varet në litar’
…………………………………..
Ramiz Alia – Sali Berisha, takime në dhjetor 1990!
…………………………………………….
Zhvillimet e reja demokratike nisën pa një klasë adekuate politikanësh dhe kjo qe një mangësi serioze, e kushtueshme. Kjo përcaktoi konvertimet kryesisht të ish-komunistëve dhe të krijimit prej tyre të partive politike në substancë antikomuniste. Pra utilitarizmi konvertues, mungesa e formimit vizionar të botëkuptimit demokratik bëri një amalgamë të çuditshme, shpesh kontradiktore, të skajshme të formësimit në një proces të vështirë të profileve të politikanëve kryesorë që kanë zotëruar skenën e politikës shqiptare këto 20 vjet pa pushim.
Kjo duket te të gjithë aktorët e politikës qoftë të së djathtës, apo të së majtës, apo edhe të qendrave konvencionale dhe më tepër të vetëshpallura. Nisi kështu një epokë paksa kaotike, e rrëmujshme, por që solli ndryshime të mëdha konceptuale dhe fillimin e integrimit me botën.
Por gabimet kishin kosto të tmerrshme.
Kjo etapë vlen të studiohet me gjakftohtësi, për të treguar pse ndodhi kështu.
Ngjarja e dytë është viti 1997, kriza e piramidave financiare, mafioze, shkatërrimi i shtetit, rebelimi anarkistoid, vdekja e mijëra shqiptarëve si në një ritual absurd të pashembullt në histori. Konceptualisht kjo ngjarje ka lënë gjurmë të rënda kudo, po asnjëherë nuk u analizua në formë dhe në përmbajtje dhe ajo më e tmerrshmja, nuk u mbajt nga askush përgjegjësi politike, morale dhe sidomos juridike.
Kjo e shkëputi politikën nga juridikja dhe bëri një humnerë midis tyre. Kjo humnerë nuk është mbushur akoma dhe sot. Kjo ngjarje e kërkonte një katarsis, por më tepër një triumf juridik të drejtësisë, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Kjo mungesë e frikshme mbetet si një minë konceptuale në konceptet demokratike më shumë retorike të shoqërisë shqiptare deri më sot.
Kjo shpreh ankthshëm pse kultura jetike e ndëshkimit juridik nuk funksionoi as për grushtin e shtetit më 1998-n, as për të vrarët e Gërdecit, as për ata të demonstratës së 21 janarit. Pra ende politikja mbijeton e shkëputur nga juridikja. Kjo përbën një matricë përherë problematike në shoqërinë shqiptare.
Është një dimension kryesor negativiteti, ose ambiguiteti tipologjik.
………………………………………………………
Sa për ilustrim: Ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri dhe pasoja e tyre!
……………………………
…Tiranë, 14 Shtator 1998: Grushti i Shtetit – nga Sali Berisha në Shqipëri!
………………………………………….
Ngjarja e tretë lidhet me ndryshimet e befta dhe deformuese kushtetuese nga PS dhe PD në 2008-n. Tërë Shqipëria politike e vitit 2012, por edhe e vitit 2013, është e modeluar saktësisht dhe gati fatalisht nga viti 2008. Thelbi i thelbeve të këtyre ndryshimeve ka të bëjë me përparësinë e të emëruesve politikë të listave të kryetarëve të partive në raport me procesin real të zgjedhjeve, duke formalizuar dhe duke zbehur ekskluzivitetin e patjetërsueshëm të votimeve të elektorateve.
Pra kryetarët e partive “urbi et orbi” ngrihen mbi zgjedhjet popullore kushtetuese si institucion jashtë partive dhe caktojnë listën e kandidatëve për deputetë paraprakisht brenda partive, që elektoratet konkretisht ta miratojnë se sa ta seleksionojnë dhe ta votojnë.
Kjo e humbet karakterin individual të profileve dhe të figurave politike në ballafaqim me elektoratet poshtë, për t’i bërë ata servilë dhe të klonuar sipas besnikërisë tribale sipër ndaj kryetarëve përkatës. Kështu shtjellohet kryetarokracia, kurse meritokracia publike zhduket.
……………………………
Shqipëri: Debate të forta për reformën zgjedhore – në vitin 2008.
…………………………………
Ngjarjet e mësipërme zotëruan dhe zotërojnë shtrëngueshëm 20 vitet e politikës shqiptare. Fuqia e tyre prapavepruese është ende e gjallë, e prekshme, e ndjeshme.
Natyrisht që ka edhe ngjarje të tjera të vërteta, të ndërmjetme, ose kazuale, por jo me peshën madhore të ngjarjeve që unë i klasifikova si ngjarje të llojit të matricave konceptuale.
Ishin këto matrica edhe për ligjin e pronave, kufizimin e ekonomisë së shërbimit, privatizimet in extremis, mungesën e shfrytëzimit të pasurive energjetike dhe aseteve kombëtare për të strukturuar një Shqipëri ekonomike të denjë për partneritet në tregun europian si dhe për vonesat në kalendarin normal të integrimit.
Klasa politike shqiptare, në shumë aspekte, është treguar më tepër një klasë parapolitike, me vështirësi i është afruar politikës profesioniste, por një pjesë e saj ende nuk ka dalë nga pelenat e diletantizmit.
Sidoqoftë, këto 20 vjet, janë bërë shumë gjëra, për më tepër futja në NATO, së shpejti edhe statusi i kandidatit për në BE (për mendimin tim do të realizohet këtë vit) janë predikate të hapjes së Shqipërisë dhe ndikimit të globalizmit në përgjithësi si klimë dhe si integrim ndërveprues në shumë kahe dhe atribute, pra të audiencës dhe të interesimit institucional ndërkombëtar.
Për një histori shkencore të politikës shqiptare këto 20 vjet do të vërenim (objektivisht) një numër të pafund ngjarjesh virtuale që bëjnë katrahurë sot e gjithë ditën (një subjektivizëm të pafund.)
Kur do të ndalet ky hov? Kur do të dalë politika shqiptare nga hullitë e virtualizmit të politikanëve tanë kryesorë?
Këto pyetje kanë një padurim të vetëkuptueshëm.
Në kushtet kur opinioni publik është i brishtë, kur aksioni qytetar është i plogët, është pak e vështirë të jemi optimistë të përshpejtuar. Mediat e klientelizuara nuk mund të jenë pushteti i katërt siç e meritojnë të jenë funksionalisht dhe sidomos konceptualisht. Partitë e mëdha janë kthyer në klube të mbyllura dhe kjo dukuri sot është e dukshme dhe e kuptueshme haptas (vetëm këto parti nuk e kuptojnë ndoshta).
Monopolizimi i alternimit të pushteteve vetëm nga ky bipartizëm ka sjellë një asfiksi të nismave dhe të risive politike, pa të cilat politika në përgjithësi zbehet dhe vdes, myket dhe rutinizohet mjerueshëm.
Partitë e mëdha fuqizohen nga e kundërta e mbylljeve dhe dobësohen nga mungesa e hapjeve.
Partitë e mëdha janë të tilla në vizionet konceptuale dhe jo nga koniunkturat dhe fitoret formale numerike.
Virtualizmi që ngjan si suksesi i tyre mediatik është vdekja e tyre reale, për shkak të një dialektike të pandalshme dhe hakmarrëse në vetvete.
Mbas 20 vjetësh kërkohen ndryshime progresive nga shoqëria, nga tërë elektoratet, kjo do të thotë se, nëse partitë e mëdha nuk i dëgjojnë buritë e ndryshimeve, do të jenë të shurdhëta dhe të verbëta përpara së ardhmes, e cila nuk është aq e partive, por e gjithë shoqërisë pa përjashtim.
………………………………….
VIDEO’ILUSTRIMET I PËRZGJODHI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)