Prishtinë, 10. 07. 2015 – Që nga momenti kur u mediatizua se Kosova do të përgatitë padinë për gjenocidin që kreu shteti serb në Kosovë, opinioni publik shqiptar është “bombarduar” me qëndrime që mohojnë mundësinë e një padie të tillë. Negacionizmi, si neologjizëm që lidhet vetëm me mohimin e gjenocidit, shfaqet në një kon¬tekst mjaft specifik: atë të përpjekjeve për të mohuar gjenocidin kundër hebrenjve. Por ky nocion është adekuat edhe për gjenocidin që forcat serbe kryen në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.
Për lexuesin po sjell qëndrimin e Yves Tornon-it për këtë çështje. Ai vë theksin se “në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin(…) «Negacionizmi» nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës. «Negacionizmi» nuk fillon me komplotin kriminal që projekton vrasjen e një grupi njerëzor, por, kur gjeno¬cidi është kryer, atëherë kur e vërteta del në shesh, «negacionizmi» synon të shkatërrojë bindjen lidhur me krimin dhe të futë dyshime për vërtetësinë e krimit(…)
Si përfundim, “«negacionizmi» është organizim i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.”
Tani, kur përkujtojmë aktin e gjenocidit në Srebrenicë dhe kur shohim se përkundër fakteve të pakontestueshme Rusia mbetet pengesë për ngadhënjimin e drejtësisë, neve na mbetet punë e madhe që të ngadhënjejmë mbi negacionizmin e gjenocidit në Kosovë. Është obligim i secilit intelektual që të angazhohet në fushën e vet profesionale për të shpartalluar sistemin e gënjeshtrës që mohon gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ftoj secilin intelektual shqiptar që të lexoj së paku KAPITUJT 5 dhe 6’të të librit «Mashtrimi i Madh» të politologut Bardhyl Mahmuti, për të parë se në bazë të së drejtës ndërkombëtare spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe vrasjet në Kosovë përbëjnë aktet e dënueshme me Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.
Të hapet një debat i përgjithshëm intelektual dhe të sillen të gjitha provat e nevojshme që do të dëshmonin se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi.
Vetëm në këtë formë mund të shpartallohet strategjia e shkatërrimit të së vërtetës dhe të krijohet opinioni i favorshëm ndërkombëtarë për ta emëruar krimin e kryer në Kosovë me emrin adekuat: gjenocid!
__________________________________
SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
SHERADIN BERISHA: GJENOCIDI SI KRIM KUNDËR NJERËZIMIT DHE PËRMASAT E GJENOCIDIT NË KOSOVË TË KRYER NGA SERBIA (1998 – 1999)! FOTO+VIDEO
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=3652
***
SHERADIN BERISHA: PADIA E HASHIM THAҪIT PËR ‘GJENOCID KUNDËR SERBISË’ – ËSHTË NJË GËNJESHTËR E RADHËS!!!
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=3629