Pashtriku.org, 26. 07. 2015 – Shqipëria duhet ta padis shtetin grek në gjykatat ndërkombëtare, për gjenocidin e bërë ndaj Çamërisë dhe popullit autokton shqiptar. Para 71 vitesh (qershor 1944) brenda një jave u vranë dhe u masakruan 20% e popullsisë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër u dëbua nga vatrat e tyre shekullore. Gjenocidi grek ndaj Çamërisë ka filluar qysh nga koha kur kjo krahinë shqiptare u pushtua nga Greqia dhe është njëra ndër padrejtësitë më të mëdha ndaj kombit shqiptar, por edhe një ndër gjenocidet më të tmerrshme që njeh historia e njerëzimit.
Gjenocidi përkufizohet si një “shkatërim i paramenduar dhe sistematik në tërësi ose pjesërisht të një grupi etnik, racor, fetar ose grupi nacional”. Në Artikullin 2 të Konventës së OKB më 1948 përcaktohet: “Gjenocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht grupe kombëtare, etnike, raciale ose fetare duke vrarë pjesëtarë të atij grupi me qëllim eliminimin fizik pjesërisht ose totalisht”. Rezoluta Nr. 1674 e Këshillit të Sigurimit të OKB më 28 Prill 2006 e ngarkon KS të veprojë për mbrojtjen e qytetarëve në konfliktet e armatosura dhe të mbrojë popullatat nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimet etnike dhe krimet ndaj njerëzimit.
Vrasjet dhe masakrat masive, dhunimet kolektive, shkatërrimet e pronës, mohimi i pronës, dëbimet e shpërnguljet e dhunshme dhe asimilimi i orkestruar nga shteti grek ndaj çamëve dhe arvanitasëve auktokton dhe metodat e tjera çnjerëzore të përdorura nga Greqia në mënyrë sistematike përbëjnë atë që sot historia e njerëzimit e njeh si Gjenocidi grek ndaj Çamërisë. Qëllimi i Greqisë fashiste ishte realizimi i ëndrrës së saj për spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e zonave të banuara nga popullsia çame me origjinë shqiptare.
Për të mos harruar gjenocidin shekullor ndaj shqiptarëve të Çamërisë që u vranë, u masakruan dhe u dëbuan dhunshëm nga forcat greke, Republika e Shqipërisë duhet që të padis Greqinë për gjenocidin ndaj Çamërisë.
– Kontakti me autorin: [email protected]
=========================================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
ҪAMERINË NUK E HARROJMË!
Dëshmi të të mbijetuarve nga gjenocidi grek në Ҫamëri!
Në shtatorin e 1944 çetat zerviste të komanduara nga kolonel Kranja, etj., rrethuan nga të gjitha anët Spatarin. Të premten pas dreke në orën 11:00 allaturka zervistët hynë në katund. Në mëngjesin e ditës tjetër grumbulluan të gjithë popullin tej xhamia e fshatit, nga ana tjetër ushtarët filluan të grabisin e të çnderojnë gratë, vajzat e plakat. P.C 50 vjeçe mbasi e çnderuan dhe i morën paratë, i prenë flokët, veshët, e vranë në bahçen e saj, tek guri i Muçes. Në shtëpinë time qe familja e Sako Banushit nga Skopiana. Mbasi çnderuan gratë, i shpuan me thikë dhe në fund i vranë. Burrat që i kishin mbledhur në xhami, i shpunë në shtëpinë e Kocanit në Filat, ku i vranë në një gropë në fushën e Filatit…
Dervish Sulo nga Spatari
* * *
Më 18 shtator 1944 ikëm nga Filati dhe vajtëm në katundin Spatar, atje erdhën ushtarë zervista dhe më morën burrin pas tre ditë bashkë me gra të tjera shkuam në Filat për të parë burrat të cilët ndodheshin në burg . Në këtë kohë na vënë edhe neve burg ku na lanë një natë. Tjetrën ditë na morën dhe na shpunë në ikotrofie dhe burrat na i vranë në fushë të Filatit. Midis të tjerëve ishte edhe burri i jem Barjam Azemi vjet 48 edhe kunati tim Lahe Halil Azem. Në burgun tonë të grave zervistat zgjidhnin gratë që u pëlqenin dhe i ç’nderonin. Për këtë vrasje dhe ç’nderime kaq ç’njerëzore kërkojmë nga ai komision që të shkojë në vend dhe të hetojë përsa sipër.
Shabane Azemi – Delvinë më 26 shkurt 1947
* * *
Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të Martën dhe të mërkurën, ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma theri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma lirash dhe një palë vathë floriri si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë lesh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Fatime Prenjo – Delvinë më 26 shkurt 1947
* * *
Ne çamët e vendosur në Nënprefekturën e Sarandës të persekutuar nga repartet ushtarake të Napolon Zervës në qershor e shtator të vitit 1944 e shkurt mars të vitit 1945 mbasi lamë në Çamërinë tonë eshtrat e 100 vëllezërve motrave, baballarëve, nanave dhe çilimiqëve tanë, mbasi na u grabit e tërë pasuria tonë mbasi motrat dhe vajzat tona pësuan ç’nderimet më ç’njerëzore, emigruam në Shqipëri ku gjetëm përkrahjen më vëllazërore nga populli shqiptar. Vuajtjet tona nuk përshkruhen. Ne nuk e meritonim këtë trajtim, sepse edhe ne u radhitëm krahas popujve përparimtarë antifashist për zhdukjen e murtajës naziste. Ne i dhamë kauzës së përbashkët të kombeve të bashkuara repartet tona partizane dhe dëshmorët tanë. Kërkojmë që komisioni për shqyrtimin e kaq pësimeve tona të shkojë në Çamërinë tonë për të konstatuar së afërmi tragjedinë e popullatës çame. Atje do të diktohen vendet ekzakte të masakrave barbare, atje do të vihet ekzaktësisht gishti ujkut fashist atje do të dalin në dritë kockat e viktimave, atje do të duket begatia e Çamërisë sonë larë me djersën tonë dhe shkatërrimet përfundimtare të vatrave tona nga njerëzit e autorizuar të barbarëve zervista.
Komisioni: Ismail Halili, Dine Mani, Ferik Meço, Idriz Bajram, Mehlika Meti –
Delvinë më 27 shkurt 1947
* * *
Unë Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944 kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç, na burgosën në ikotrofio të Filatit ku nga uria vdiëq mëse 70 gra e çiliminj sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherfi Sulejmanit 50 vjeçare e cila vdiq nga druri si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koske pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zerves ç’nderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër.
Melika Met Sali – Sarandë më 27 shkurt 1947
* * *
Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushi me 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashku me gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.
Idriz Bajrami – Sarandë më 27 shkurt 1947
(Këto dëshmi janë botuar në librin: “Masakra në Ҫamëri – Përmbledhje dokumentesh” të autorit Kastriot Dërvishi, Shtëpia Botuese “55”)
PËRKUJTOHET 71 VJETORI I GENOCIDIT GREK,NDAJ POPULLSISE ÇAMË
____________________________________________
(Shtojcën e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)