AFËRDITA DERVISHI, PhD(C): SAKRIFICA E FEMRËS SHQIPTARE PËR LIRI

Prishtinë, 25. 08. 2015: (Në shenjë nderimi për të gjitha femrat shqiptare të cilat kanë kontribuar dhe kanë luftuar për kauzën e madhe kombëtare përgjatë brezave, sidomos luftëtareve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) – Gjysma e popullatës shqiptare, janë femra. Janë nënat, janë gratë, janë motrat tona. Këto nëna, këto gra dhe këto motra tona, nëpër gjithë rrjedhën e historisë shqiptare, kanë lënë shenjat e kujtesës historike. Kurse që nga formimi i kombit shqiptar, kanë lënë edhe shenjat e kujtesës kombëtare. Nënat, motrat, dhe gratë shqiptare, zgjodhën rrugën më të vështirë, rezistencën për dy arsye: e para si pjesëtare të shoqërisë së shtypur dhe e dyta si qenie njerëzore dytësore (të shtypura) përbrenda vet shoqërisë, duke qenë të pabarabarta në familje të gjakut dhe të burrit. Në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin krahë për krahë me djemtë, me burrat dhe me vëllezërit e tyre. Në luftën për lirinë e kësaj pjese të tokave shqiptare, ato janë sakrifikuar njësoj si djemtë, si burrat dhe si vëllezërit e tyre. Prandaj, ato janë pjesë e sakrificës madhore për lirinë dhe çlirimin e Kosovës në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997-1999.
H y r j e
Në lashtësinë e fillesës së ngjizjes së gjenezës së popullit shqiptar, paraardhësit tanë, Ilirët, kishin një grua mbretëreshë. Sado që ajo sundoi shkurt kohërisht, nga viti 230 deri më 228 para epokës së re, Mbretëresha Teutë, e cila nga historianët është quajtur edhe “Mbretëresha e Deteve”1 ishte udhëheqëse e mbretërisë së saj që ka mbetur në kujtesën historike të brezave që kanë ardhur pas, edhe për faktin se ka ruajtur me sukses kufijtë e mbretërisë së saj. Ajo u bë frymëzim i kësaj kujtese dhe është e tillë edhe sot e kësaj dite. Literatura evropiane, por edhe ajo ballkanike e shqiptare edhe sot e ka shpesh temë frymëzimi për veprat në letërsi, pikturë, skulpturë e vepra të tjera arti, që siç dihet, bëjnë tharmin e trashëgimisë shpirtërore të kulturës së një populli.

Studiuesi francez Pierre Cananez në hulumtimin e tij ka gjetur se femrat ilire kishin status të lartë dhe shpesh bëheshin udhëheqëse të grupeve fisnore.2 Nga dëshmitë e ndryshme epigrafike të Dodonës e të Butrintit, të shekujve VI-I para erës sonë, në Ilirinë Jugore gruaja kishte të drejta të barabarta me burrat, e në disa raste gëzonte më shumë të drejta se ata.3
Kombi shqiptar, përgjatë brezave ka pasur në themel çështjen kombëtare e cila vazhdimisht mblodhi njerëzit më të devotshëm të kombit të cilët për idealin kombëtar bënë sakrificën njerëzore.
Femra shqiptare ka qenë pjesë e të gjitha proceseve listorike nëpër të cilat ka kaluar shqiptaria. Nëna, motra dhe gruaja shqiptare ka qenë pjesëmarrëse aktive e të gjitha lëvizjeve për liri mirëpo nuk ja arritën të krijojnë vendin e përhershëm të gruas në sistemin që vinte pas. Pozita e barabartë e saj u pa vetëm në raste individuale kur ajo gjeti guximin, mori forcën në duar dhe luftoi kundër armikut me armë në dorë. Sa herë që ka pasur nevojë atdheu për t’i dalë zot, femra shqiptare ju ka përgjigjur këtij zëri dhe është rreshtuar krah për krah me burrat.
Sakrifica e femrës shqiptare në shekujt e lirisë së atdheut
Ajo ishte grua. Mbretëresha Teutë, pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron, u vu në ballë të ushtrisë dhe të shtetit Ilir. Nën udhëheqjen e saj u përtëri zhvillimi ekonomik, u përforcua pushteti qëndror, u fuqizua ushtria sidomos flota detare dhe anijet luftarake të saja të quajture “Liburne” ekzekutonin ligijin në detin Adriatik. Për sa kohë mbretëroi dhe komandoi, Mbretëresha Teutë, luajti një rol të rëndësishëm historik në bashkimin e konsolidimin politiko-shtetëror në përparimin ekonomiko-kulturor e në fuqizimin ushtarak të Ilirisë. Kishte edhe gra të tjera si Arduela e Mirdiës me shoqe të cilat nuk ju nënshtruan presioneve të kohës dhe luftuan kunëdr legjioneve romake. Ndërsa gratë e Sulit hidheshin nga shkëmbi për të mos u rënë në dorë ushtrive të Ali Pashës.
Nëna, gra, motra të tilla kanë qenë edhe Nora e Kelmendit, një luftëtare, e cila për jetën e të tjerëve dhe për ta mbrojtur nderin e vet, vret Vuçi Pashën, me gjakftohtësi ndërsa rojeve u kishte thënë se pashai nuk duhet shqetësuar se është në gjumë. Ajo, trimëresha e maleve, shkon me kal në Malësinë e madhe dhe u tregon atyre se ka vrarë pashain. Pastaj ka qenë, motra e Skënderbeut, Mamica, e cila i bëhet jo vetëm këshilltare të vëllait, kryetrimit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skëndebeut, por i bëhet edhe krahë lufte e krahë i veprimeve diplomatike, ka qenë Bubulina, një trimëreshë e rrallë e luftërave të Pashait të Janinës, por ishte edhe kapitenia e parë e anijes në Evropën e kohës, kur Ali Pashë Tepelena po krijonte pavarësinë e Arnautistanit, siç e quante ai, Pashallëkun e Janinës. Ka qenë luftëtarja e paepur e lirisë së tokave shqiptare, Qerime Halili Radisheva, e njohur në histori me emrin Shotë Galica. Ajo, nusja e maleve, u vesh si burrë dhe doli në mal të luftojë armikun. Smori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit ndërsa në vitet 1922-1923 luftoi për ‘zonën e mbrojtjes neutrale’ të Junikut e cila shërbente si bazë e kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.4 Shota, në vend të duvakut zgjodhi koburen, në vend të shtrojës zgjodhi malin, në vend të nusërisë zgjodhi luftën. Kjo ishte shumë e rëndësishme jo vetëm për luftën që po bënte kundër serbit, por, edhe për luftën kundër zakoneve që e përulnin femrën shqiptare. Trimëresha Shotë Galica, luftoi në Lëvizjen Kaçake për 12 vjet rresht, duke marrë pjesë në më shumë se 40 aksione të armatosura kundër serbit. Në vitin 1921, Shota bashkë me katër bashkëluftëtarë hyn brenda ne zyren e eprorit serb dhe e vret me dorë të vet5.

– Shotë Galica- 

Shotë Galica është simboli i qëndresës së femrës shqiptare dhe ndër emrat më të lavdishëm të heroinave të kombit tonë.
Në Luftën Antifashiste, gratë shqiptare u organizuan dhe krijuan organizatën Bashkimi i Gruas Antifashiste Shqiptare. Në këtë formë gratë shqiptare duke luftuar pushtuesin me armë në dorë, po i kundërviheshin mentalitetit konservator dhe patriarkal të përcjellë nga brezi në brez. Shumë nga ato e arsyetuan besimin me qëndresën dhe trimërinë e tyre. Trimëresha të këtilla kanë qenë Margarita Tutulani, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Ganimete Terbeshi, e shumë të tjera, të cilat qenë në gjendje të përballen me të gjitha vështirësitë dhe pengesat që sillte lufta e armatosur, prandaj, ato njëherë e përgjithmonë e hoqën mitin se gruaja është vetëm për të rritur fëmijë. Dhe lufta po vinte prapë në gjeografinë shqiptare. Pas afro një shekull robërie, Kosova ishte e shtypur, e përkulur, e pushtuar dhe mezi po merrte frymë shqip. Idealistët të rreshtuar në lëvizjet e ndryshme ilegale ishin largpamës dhe trasuan rrugën shumë të vështirë për ta filluar luftën për lirinë e Kosovës. Momenti i shumëpritur erdhi! Bijtë dhe bijat më të mira të kombit u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës. Femra shqiptare ashtu siç nuk ndenji indiferente asnjëherë ndaj kërkesave të atdheut për liri, ju përgjigj edhe luftës duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo mori në duar pushkën, mjetin me të cilin luftohet liria, siç e kemi ne shqiptarët zakon ta quajmë armën me të cilën bëhet lufta kundër armikut. Më tutje u derdh gjaku, edhe i dëshmorëve edhe i martirëve, edhe i martirëve fëmije, që të bëjë shenjat e lirisë së popullit shqiptar.

– Margarita Tutulani –

Edukata kombëtare dhe sakrifica e femrës shqiptare
Femra shqiptare edukoi breza, rriti trima e trimëresha, duke i bekuar ata ne rrugën e luftës, siç do ta bekonte nëna e saj ushtaren e UÇK-së, Hyrije Emini, duke i thënë: “Nana për Kosovën të ka lind e të ka rritë. Për Kosovën po të shkollon. Shko, bija e nënës, e jepe provimin atje në fushë të luftës. Pushka top t`u bëftë!“6. Nëna, gjyshja shqiptare, duke qenë shtylla e familjes, jo rrallë ka ditur të edukoi në frymë kombëtare trima, të krijoj luftëtarë sypatrembur, duke brumosur guximin, siç bëri, fjala vjen e madhërishmja lokemadhja e Mic Sokolit, apo nëna Emine kur i thotë të vetmit djalë, heroit Ahmet Haxhiu, Shko, Zoti ta dhashtë të marën, nana ta ban hallalll, vetëm i gjallë mos u dërëzo 7. Nuk është i vogël numri i këtyre nënave, të cilat me vetëdije kalitën luftëtarët e ardhshëm, të cilët do të vihen në themelet e lirisë së atdheut.
Thonë se nëse e ke vrarë shpresën, atëherë ke vrarë gjithçka. Me gjithë sakrificën e madhe dhe peripecitë që i ranë hise, populli ynë asnjëherë nuk e humbi shpresën. Shqiptarët, të cilët nuk e duronin robërinë dhe e donin me të vërtetë lirinë e vendit, zhvilluan një veprimtari të madhe ilegale nëpër vite. Femrat shqiptare asnjëherë nuk ndenjën anash. Ato zotëronin aftësitë intelektuale, por edhe frymën e lirisë kombëtare, për të parë se sistemi jugosllav ishte antishqiptar dhe kishin guximin për t’u përballur me terrorin serbo-sllav. Pjesëmarrja e femrës shqiptare në demonstrata, në lëvizjen ilegale, në aksione të vështira, jo rrallë solli persekutim, burgosje dhe maltretime nga më të ndryshmet si dhe vdekjen e saj, si fjala vjen vrasja e Ylfete Humollit në demonstratat e vitit 1990. Kështu, femra shqiptare, duke ecur vazhdimisht kah liria edhe e saj, do të ndryshonte konceptin e krijuar ndër vite për te. Ajo me punën, me mundin dhe me luftën e saj po fitonte vendin e saj në familje e shoqëri.
Gratë dhe motrat shqiptare u mobilizuan në rrethana të vështira, duke thyer tabutë e kohës e të njerëzve, të cilët prisnin se liria vjen me bisedime, ose kishin iluzione të tilla. Edhe në kohën e veprimtarisë ilegale, nënat e motrat shqiptare luajtën një rol të rëndësishëm. Kjo lëvizje çoi në fillimin e luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e UÇK-së ishte luftë e përmasës kombëtare, e organizuar dhe e zhvilluar pa përkrahjen e strukturave shtetërore të asaj kohe. Robëria e popullit dhe liria e atdheut ishte nëpërkëmbur dhe zëri i atdheut kishte ringjallur vetëdijen të ata që ishin të gatshëm të sakrifikohen për lirinë e tij. Lufta ishte e pashmangshme, ndërsa armiku nuk luftohej jashtë frontit, as jashtë gjeografisë së pushtuar. Kishte ardhur koha që me luftë të kthehej liria, e kjo do të bëhej vetëm duke ju bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata që do t’i bashkoheshin luftës e dinin se rruga deri te liria do të ishte e gjatë dhe e mundimshme. Siç do të thoshte akademik Rexhep Qosja “Te liria s’arrihet nëpër lule, po nëpër vuajtje e mundime të gjata”. Jo vetëm meshkujt, por edhe femrat shqiptare ju bashkëngjitën UÇK-së për të kryer borxhin ndaj atdheut. Ajo, bija e kombit, me të gjitha format e mundshme nga gatimi, përkujdesja për të plagosurit, përkujdesja për fëmijët dhe familjen, e deri te pushka luftoi për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e Kosovës së shtypur.
Pjesëmarrja e femrës në Luftën e UÇK-së
Në aksionet e luftës së përgjakshme në Kosovë, femra shqiptare ishte edhe në vijat e frontit ku derdhej gjaku për liri, ishte edhe në prapavijën e këtyre fronteve të luftës për të shëruar plagët e lirisë, ishte edhe aty ku duhej buka dhe veshmbathja për luftëtarët e lirisë, por edhe për pjesën e popullatës që zhvendosej sa nga një vend në tjetrin. Femra shqiptare, ishte edhe aty ku duhej të lindin fëmijët e lirisë së Kosovës, por ishte edhe aty ku ushtarëve të lirisë u duheshin gjerat elementare. Në të gjitha këto raste femrat shqiptare ishin aty edhe për të fisnikëruar shpirtin e tyre të shtypur ku më shumë e ku më pak, për ta fituar edhe lirinë e tyre dhe vendin që do t’u takojë në shoqëri e në shtetin që do të vinte.
Në Prishtinë, në disa lagje të saj, por sidomos në lagjen Kodra e Trimave, gratë, nuset, vajzat jo vetëm të këtyre lagjeve, por edhe ato që kishin ardhur nga zonat ku zhvilloheshin luftime, kishin ngritur grupe të vogla pune. Ato thurnin xhemperë leshi për ushtarët, thurnin çorapë, shalle, dorëza, nën këmisha, si dhe gje¬ra të tjera, jo vetëm të nevojshme, por shumë të domosdo¬sh¬me, sidomos për atë periudhë, dimri i vitit 1998, për ushtarët e lirisë që ishin kudo, në të gjitha vijat e fronteve të luftimeve, por ishin edhe në roje të objekteve dhe institucioneve ushtarake që ishin ngritur dhe po ngriheshin në këtë kohë. Më tutje, ata ishin edhe kontakti i parë me të huajt që vinin në zonat e luftës për të kontaktuar me luftëtarët e lirisë, që të mësonin më për së afërmi për qëllimet dhe gjendjen e organizimit të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ishin më shumë se 300 nëna, nuse e vajza që bënin këto punë dore, kurse materialin e siguronin sidomos pjesëtarët e Gueriles B.I.A. të Prishtinës.8 Në punën e tyre, në përkushtimin e tyre ishte gjithë fryma e lirisë që po vinte bashkë me pushkët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Në të shumtën e këtyre punimeve dore, kishte mbishkrime të ndryshme, që shprehnin gjithë adhurimin, gjithë dashurinë, gjithë bindjen se po vinte liria. Duke kryer këto punë dore, ato shtonin ornamente të ndryshme, si pushkë, portrete njerëzish të njohur nga historia jonë, emblema të UÇK-së, duke i përcjellë me përkushtime nga më të ndryshme si: Të lut¬më pushka! Të puth dorën me të cilën e mban pushkën! Të lumtë syri që gjuan armikun e lirisë sonë! Ta puthsha ballin që rri zgjuar natën! etj. etj.
Nënat, nuset, motrat e kanë dhuntinë e natyrshme që gjuhën e zemrës ta bëjnë edhe gjuhë të mendimeve të tyre, e cila ndonjëherë nuk dëgjohet, siç nuk është folur e as nuk është dëgjuar asnjëherë për këto gra të lagjeve të Prishtinës. Me këtë gjuhë dashurie, me këtë gjuhë të zemrës, ato bartnin të ushtarët e lirisë se ishin krahë tyre, se ishin mbështetja e tyre, se ishin pjesë e betejave për liri që zhvillonte ushtria çlirimtare e Kosovës.

Një pjesë tjetër e femrave lanë gjithçka dhe u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Historia jonë e luftës nuk ka kuptim pa sakrificën sublime të Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, e cila e dha jetën në vijën e parë të frontit (22 shtator 1998). Figura e saj prej luftëtareje dhe trimëreshe, personifikon shembullin më të mirë të femrës luftëtare në trevat mbarëshqiptare. Rruga e saj në ilegale ishte e gjatë, ajo e filloi që kur ishte në gjimnaz, e vazhdoi gjatë studimeve, pastaj kur punoi si profesoreshë, e cila rrugë në fund u kurorëzua me uniformën e UÇK-së, duke qenë njëra prej eproreve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xheva asnjëherë nuk u thye, as nuk u tërhoq, ajo ishte e papërkulur ndaj sakrificave dhe vështirësive që i pati hise të jetës, përkundrazi ishte ajo që ngrinte moralin te luftëtarët. Me datën 2 shtator 1998 ajo komandoi brigadën 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shpëtuar nga rrethimi dhe nga vdekja luftëtarët e brigadës. Ajo kishte marrë përvojë ushtarake edhe në luftën e Kro¬acisë ku ishte poashtu bashke me te shoqin Fehmi Lladrovci. Xhevë Krasniqi-Lladrovci, ishte ndër figurat më të përgaditura ushtarakisht 9, ishte gruaja shqiptare me titullin më të lartë ushtarak, ishte Gjeneralmajore.
Hanumshahe Abdullahu-Zymberi (Nushja), ishte profesoreshë e letërsisë shqipe. Ajo ishte aktivizuar në lëvizjen studentore, në lëvizjen ilegale, por veprimtaria e saj ishte e madhe edhe në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve. Në vitin 1998 i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Karadakut, bashkë me të shoqin, ndërsa nga muaji shtator 10, Nushja merr detyrën e përgjegjësit për zbulim dhe kundërzbulim. Më 15 prill 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë ofenzivën për të shkatërruar bazat kryesore të të UÇK-së, ndërsa Nushja me të shoqin dhe dy shoqërues bien në pritë dhe vriten nga forcat serbe.
Femra Dëshmore të Kombit janë krenari kombëtare
Në anën tjetër, që në marsin e vitit 1998, kur zhvillohen luftimet e ashpra te Jasharajt e Prekazit, kush mund të mohojë gatishmërinë, qëndresën dhe heroizmin e nënave, nuseve, motrave të familjes Jashari. Ato, ishin pjesë e luftës, pjesë e qëndresë dhe pjesë e heroizmit, që i dha Kosovës shenjën e madhe të filli¬mit të ardhjes së lirisë.
Ka plotë raste të femrave aktiviste të lëvizjes atdhetare të cilat lufta i zuri si nëna ose shtatzëna. U pikonte zemra gjak që nuk po mund të bënin zgjidhje për t’i lënë fëmijët nën përkujdesje të dikujt, për t’ju bashkangjitur luftës çlirimtare. Ato u detyruan të kujdesen për fëmijët, ndërsa kontributi i tyre për luftën u dëshmua në forma të tjera duke nisur nga gatimi, punët e logjiktikës së luftës e deri të strehimi dhe përkujdesja për të plagosurit dhe për viktimat e dhunës.
Ne sot e gezojmë lirinë falë luftës, sakrificës, gjakut të derdhur të të Dëshmorëve të Kombit, pra edhe të Dëshmorëve të Kombit që ranë në altarin e lirisë, më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, të cilët po i përkujtojmë sot. Ne sot e gëzojmë lirinë edhe falë gjakut të heroinave tona, të cilat lanë gjithçka dhe ju bashkëngjitën luftës së armatosur, e ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Të tilla janë: Xhevë Lladrovci, Zahide Jashari, Sala Sheremet Jashari, Hanumshahe Abdullahu–Zymberi, Hyrë Emini, Feride Jashari, Fatime Bazaj, Melihate Rama, Emsale Frangu, Afërditë Ukshini, Hadije Spahiu, Lumnije Raka, Yllka Domi, Luljetë Shala, Jehona Raka, Hadie M. Spahiu, Fatime Hetemi, Zylfije Gashi, Adile Jashari, Valdete Jashari, Lirie Jashari, Mukadeze Lika, Hida Hoti, Gjylsere Sahiti, Igballe Jashari, Melihate Rama, Mervete Maksutaj, Mihrije Jashari, Selvete Hamëz Jashari e shumë të tjera.
Ushtria pushtuese serbe, duke mos arritur ta zhdukë UÇK-në, filloi të zbatojë planin e saj për shfarosjen e shqiptarëve. Programi i shfarosjes ishte hartuar kaherë në Akademinë serbe të shkencave, dhe tashti po zbatohej për të satën herë brenda një shekulli. Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, u dhunuan mbi 20,000 gra e vajza shqiptare, në mënyrë shtazarake, me sadizëm të paparë. Këtë shifër, si për çudi e përmendin vetëm njëherë organet e Kombeve të Bashkuar, po kurrë më 11. Kurse shqiptarët, as sot e kësaj dite nuk merren në mënyrë institucionale dhe profesionale me dukurinë e dhunimeve në Kosovës, që është plaga më e rëndë e jetës sonë në liri. Këto femra të dhunuara janë vrarë më shumë se me plumb, ato janë vrarë për së gjalli dhe e kanë luftën afër çdo moment të jetës së tyre, ato janë viktima të gjalla të luftës sonë për liri. Ato,sot, bashkë me tmerret e luftës i vuajnë tmerret e përdhunimit dhe shumë nga ato janë privuar nga jeta normale edhe nga bashkëshortët apo të dashurit e tyre, të cilët i lanë ato. Ata që i lanë ato janë të dobët, shumët të dobët sepse vrasja me plumb është shumë e pastër ndërsa vrasja për së gjalli përmes dhunimit e poshtërimit është 10 fish më e rëndë. Atëherë pse nuk i mbrojtën ata gratë dhe nuset e tyre nga dhunimi? Një numër sish e kanë marrë si pjesë të luftës, në një rast njëri i thotë mjekes “Doktoreshë, unë ia di hallin…Me sytë e mi e kam parë kur i kanë marrë, kam qenë matanë bregut, duke përgatitur ushqim për ushtarët tanë…E di krejt çfarë i ka ndodhur, por jam pajtuar me këtë dhe kurrë nuk ia kam hapur këtë muhabet” 12 Ashtu siç thikat e pushtuesve masakruan, ashtu siç plumbat e tyre vranë shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive, ashtu edhe dhunuan femrat e pafajshme. Ku ka sakrificë më të madhe se kjo?! Edhe15 vite pas luftës, akoma nuk është ngritur një padi e jashtëzakonshme ndaj Serbisë vetëm për dhunimet.
Femra shqiptare dhe raporti i saj me familjen u dëshmua edhe gjatë luftës të jetë çështje kryesore e saj, sepse ishte nëna ajo e cila edhe nën plumba u kujdes të ushqejë fëmijët, të fshehë ata dhe të bëhet mburojë e gjallë para plumbave të shkjaut. Edhe kur ushqimi ishte mbaruar, nëna rrezikonte duke u munduar të gjejë një pikë qumësht a një kothere buke për fëmijët e saj. Tregimet rrëqethëse të nënave për përjetimet e tyre gjatë luftës, në male, në rrugë kah kufiri me shpresë se do të shpëtojë fëmijët e saj, janë të shumta. Nëna u bë mburojë e gjallë për fëmijët e saj, duroi gjithçka edhe poshtërimin e çnjerëzimin nga grupet serbe, vetëm e vetëm që të shpëtojë fëmijët e saj, e kjo është më shumë se sakrificë që të rrënqeth damarët e trupit.

Elena Gjika – Dora D’istria 

Energjia femërore e cila në mentalitetin tonë nuk është vlerësuar në nivelin e duhur, gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pa të jetë burim force e qëndrese. Sakrifica e femrës shqiptare meriton të vlerësohet lartë. Sakrifica e saj si para luftës duke u ballafaquar me burgje, persekutime, përndjekje, ashtu dhe gjatë luftës duke u ballafaquar me nëpërkëmbjen e nderit, plumbat e deri te gjymtimet e pjesëve të trupit, ishte e madhe.
Përfundim
Gratë dhe vajzat shqiptare përgjatë shekujve e kanë ruajtur të pastër gjakun e kombit dhe identitetin kombëtar. Një nga figurat më të mëdha të kulturës sonë e që është nderi dhe krenaria e kombit shqiptar është padyshim Elena Gjika. Ajo ishte cilësuar si krenaria e të gjithë shoqërive të civilizuara nga të huajt, mirëpo e veçanta e saj është se ajo qe e zonja të paraqesë dinjitetshëm portretin e kombit shqiptar duke ngritur me mjeshtëri vlerat, traditat, zakonet dhe trimërinë e kombit të vet. Ajo punoi përtej pendës dhe shkrimeve. Për veprimtarinë e Elena Gjikës dhe angazhimin e saj konkret rreth përgatitjeve për kryengritjet shqiptare të kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në qarqet Evropiane, arbëreshe e shqiptare, flitet pak.13 Mirëpo ajo ishte e angazhuar me një grup intelektualësh dhe arbëreshësh edhe në fazën e formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 14.
Historia e femrave shqiptare është histori e femrave të jashtëzakonshme, të cilat kanë pasur guximin intelektual dhe njerëzor të përballen me sfidat deri në sakrificë supreme. Kontributi intelektual dhe atdhetar i nënave, motrave, nuseve shqiptare, përgjatë historisë është gjykuar në raport me efektet që ka pasur për kohën kur kanë ndodhur dhe për ngjarjet në të cilat kanë marrë pjesë. Mirëpo, për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, asnjëherë nuk ka munguar gjykimi i veprimeve të saj në raport me mendësinë e gjinisë mashkullore, e cila shpesh bëhet vështirësi që kërkon sakrificë tjetër të femrës shqiptare. Pra, jo rrallë, veprimet e femrave të jashtëzakonshme, janë interpretuar në forma të ndryshme, megjithatë, shpirti revolucionar i tyre ka tejkaluar mbi të gjitha sfidat, për idealin kombëtar, për lirinë e atdheut dhe lirinë e nje¬riut. Puna dhe kontributi i shumanshëm i femrës shqiptare ka zënë vend në bërthamën e historisë sonë kombëtare dhe luftës për liri.
Andaj, nëna, nusja, motra shqiptare, e ka dëshmuar veten se është e denjë dhe luftëtare si babai, vëllai, a burri, të luftojë për atdhe, prandaj, ajo edhe sot në paqe dëshmon, se me punën e saj, me dijen dhe angazhimin e saj, e arsyeton plotësisht besimin që i jepet. Femra shqiptare me angazhimin dhe përkushtimin e saj në luftën për liri, përherë gjatë historisë, pra edhe në Luftën e UÇK-së, e ka lartësuar identitetin e kombit shqiptar!

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Gjakovë, 27 janar 2013

____________
B i b l i o g r a f i a
1. Grup autorësh, Elena Gjika dhe kultura shqiptare, Konferencë shkencore kushtuar Elena Gjikës, Prishtinë, 2011.
2. Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu, një jetë të tërë në lëvizjen ilegale, Prishtinë, 2001.
3. Raport i Kombeve të Bashkuara për viktimat e luftës në Kosovë, cit. sipas botimit të Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Prishtinë, 2003.
4. Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë. Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme, Tiranë, 2008, fq. 221.
5.Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim, Shemsi Syla, Portret i dëshmores Hanumshahe Abdullahu-Zymberi “Nushja”, Prishtinë, 2010.
6. Aurela Elmasllari, Femra shqiptare të spikatura…”Shote Galica”, postuar më 14 shkurt 2012 në: http://unitedstatesofalbania.net/ ?p =5797).
7. Myftar Memia, Nga lufta çlirimtare e Kosovës: Një luftëtare e UÇK-së, Revista “Mbrojtja”, 10/1999, Tiranë.
8. Rajna Kovaçi, Pozita e Gruas në Iliri .
9. Pierre Cananez (http://lushnja.gooforums.com/t1131-fuqia-e-femres-ne-shekujt-e-erret).
10. Sanije Gashi, Histori të tmerrit 1998-1999, Prishtinë, 2009, fq. 257-261.
11. Hanëmshahe Ilazi, A vriten engjëjt?! (vrasjet e fërmijëve në Kosovë).

…………………….
Fusnotat:
1. Sipas Rajna Kovaçit, në Studimin Pozita e gruas në Iliri.
2. http://lushnja.gooforums.com/t1131-fuqia-e-femres-ne-shekujt-e-erret (qasur më 23 shtator 2013)
3. Sipas Rajna Kovaçit, në Studimin Pozita e gruas në Iliri.
4. Aurela Elmasllari, Femra shqiptare të spikatura…”Shote Galica”, postuar më 14 shkurt 2012 në: http://unitedstatesofalbania.net/?p=5797)
5. Me pas Shota do t’ i thotë Azemit: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që i ka lënë pa vëlezëer, në emër të lirisë së Kosovës”! (Mehmet Bislimi, Shotë Galica-Qerime Halili 1895-1927).
6. Myftar Memia, Nga lufta çlirimtare e Kosovës:Një luftëtare e UÇK-së, Revista “Mbrojtja”, 10/1999, Tiranë.
7. Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu, një jetë të tëtë në lëvizjen ilegale, SHBP, Prishtinë, 2001.
8. Zahide Zeqiri, pjesëtare e Gueriles B. I. A. të Prishtinës. Bisedë, më 26 nëntor 2012.
9. Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë. Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtë¬zakonshme, Tiranë, 2008, fq. 221.
10. Marrë nga Veprimtaria e gruas në lëvizjen kombëtare për çlirim. Shemsi Syla, Portret i dëshmores Hanumshahe Abdullahu-Zymberi “Nushja”, Instituti Albanologjik Prishtinë, SHBPK, Prishtinë 2010
11. Raport i Kombeve të Bashkuara për viktimat e luftës në Kosovë, cit. sipas botimit të Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Prishtinë, 2003.
12. Sanije Gashi, Histori të tmerrit 1998-1999, Prishtinë, 2009, fq. 257-261.
13. Grup autorësh, Elena Gjika dhe kultura shqiptare, Konferencë shkencore mbajtur në UEJL, Prishtinë, 2011.
14. Po aty, fq. 17.

Afërdita DERVISHI, PhD(C)
Kolegji Universitar “Biznesi” Prishtinë.

###
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor kushtuar dëshmorëve të rënë më 27-29 janar 1999 në kufirin shqiptaro-shqiptar (mbajtur më 27 janar 2013) në Gjakovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura