Tiranë, 31. 08. 2015: (Ai që studion filologjinë, duke përjashtuar korologjinë, etnografinë, historinë e besimeve fetare, psikologjinë dhe vetë mitologjinë, nuk do të mund të hyjë kurrë në Faltoren tepër të lashtë të Fjalës – Xhuzepe Katapano) – Problemi, ndoshta më i vështirë i shkencës Historike është të zbulojë origjinën e emrave të popujve. Arsyeja është se emri, sikurse ADN e sotme, zbulon prejardhjen, moshën e ekzistencës dhe se çfarë ka trashëguar nga të parët e tyre. Për rëndësinë e veçantë që ka emri, do ta nisim këtë material pikërisht me pyetjen:
Nga e ka origjinën emri Shqipetar?
Në zanafill kjo pyetje u shtrua në shkrimet e studiuesve të huaj. Mbi bazën e njohurive që kishin mbi historinë dhe traditën e shqipetarëve, gjatë dy shekujvë të fundit, dolën në pah dy teza kryesore:
1- E ka origjinën nga gjuha që flasin shqipetarët;
2- Nga emri i shqiponjës në flamurin e Skënderbeut dhe luftrat e shekullit XV kundër Perandorisë Osmane.
Teza e parë: E nxjerr origjinën e emrit „shqipetar“ nga ndajfolja „shiptoj qartë“. Për herë të parë këtë përfundim e gjejmë tek L.Benlou (Louis Beonlew „La Grèce avant les Grecs, 1877) i cili i ndikuar nga mendimi i J.Xylander (Joseph Carl August Anton Aloys Ritter und edler von Xylander,1794-1854) pohon se fjala « shqiptar » ngjason me fjalën « shqiptoj ». Por e braktis shpejt këtë teori sepse nuk ishte shumë e besueshme.(1)
– Studiuesja Fatbardha Demi –
G.Weigand-i, dëshmon se “shqip” dmth flas qartë, kuptueshëm. Edhe gjeografi Eugen Oberhummer (1859-1944) dhe albanologu austriak Hahn janë të këtij mendimi. Gjermani Gustav Meyer, origjinën e fjalës e gjen tek fjala latinë “excipere”- kuptoj, mendim i pranuar edhe prej Jeriçek-ut. (“Die Balkanvölker”1917, f330) (2) Edhe në ditët e sotme, për emrin e shqipetarëve, në botimet e studiuesve dhe në Enciklopeditë e huaja, zë vend kjo tezë.(3)
Edhe disa studiues shqipetarë, të ndikuar nga albanologët e huaj e pranojne këtë origjinë të emrit.
Kristo Frashëri pohon se: Apelativi i ri lindi nga fjala shqip, të cilën e ndeshim që te Buzuku, “shqiptar”, ai që flet shqip, ai që e kupton gjuhën shqipe.(4)
Xhevat Lloshi: Emërtimet e reja për gjuhën, banorët dhe atdheun e shqiptarëve, janë formuar mbi bazën e ndajfoljes shqip: shqip, gjuha shqipe, shqiptar, Shqipëri.(5)
Bardhyl Demiraj (Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë): Nga ana kuptimore, folja shqipoj apo më drejt shqiptoj, siç gjëndet sot e përhapur gjërësisht në të folmet e shqipes, në zanafillë ka pasur domethënien “kuptoj, marr vesh”, siç e jep Hahni e Meyeri etj. (6)
Ka edhe pohime “shkencore” se: „Studiuesi me të drejtë u largohet formave romantike dhe madhështuese të shpjegimit të emrit etnonimik të shqiptarëve përmes një shënje, që nuk ka qenë ndonjë herë totem i shqiptarëve, SHQIPONJES apo formës së shkurtër, shqipes.(7) Si u bënë „Albanët-Shqiptarë“ Prof.dr.Shaban Sinani , Tiranë, 02. 03. 2010)
Për sa më sipër del se : Populli ynë e quajti veten Shqipetar sepse, anëtarët e tij flisnin qartë me njeri-tjetrin dhe e kuptonin gjuhën e tyre. Natyrshëm lind pyetja: Por edhe popujt e tjerë, e kuptonin qartë njeri-tjetrin në gjuhën e tyre, përse shqipetarëve u paska bërë përshtypje në mesjetë, kur dokumentohet emri Shqipetar, sa të vet-quheshin si banorë « që mirreshin vesh », dhe të braktisnin emrat mijëravjeçarë të stërgjyshërve të tyre?
Po t’iu drejtohemi dokumenteve të para shkrimore, vëmë re se, gjuhët nuk kishin emërtime, por përcaktoheshin në gjuhë « të njejta » të fiseve të caktuara dhe « të ndryshme » (barbare) të fiseve të huaja. Në shkrimet e Tit Livit lexojmë se: Aetoles, Acarnanes, Macedones “të tre popujt flisnin të njejtën gjuhë …” (8) Popujt dhe fiset që flisnin të njejtën gjuhë, e quanin veten, fise të së njejtës etni. Në një dokument të Aleksandrit të Madh, zbuluar nga Lucia Nadin (Muzeu Correr,Venedik) shkruhet : « Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, (…) pinjoll i FARËS së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujvë të tjërë të së njejtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qëndrore të Thrakës…» (9)
Në periudhat e mëvonshme, gjuhët u emërtuan sipas emrave të popujve, që e flisnin atë dhe asnjëherë s’ka ndodhur e kundërta, siç pohojnë studiuesit e tezës së parë. Pra , emërtimi i Kombit të shqipetarëve nuk e ka origjinën nga gjuha që është folur, por nga faktorë të tjerë thelbësorë.
BESIMI popullor- pohon Dhimitër Pilika- kudo në viset shqipetare e nderojnë shqiponjën si të shenjtë, të paprekshme (…) Atë e gjejmë në formë natyrale apo të stilizuar : mbi dru (arka, dollape, tavanë, djepe, lugë, furka, etj) ; mbi metal (kama, shpata, ene shtëpijake, zbukurime burrash dhe grash, pushkë etj) ; tekstil e lëkurë (opinga, rypa, kostume popullore, çorape, perde,qilima etj); gur (qemere, vatra, kamare).(10) Por edhe në këngë, valle, emra njerëzish, toponime dhe si simbolin kryesor të Kombit dhe Shtetit tonë. Natyrshëm lind pyetja: Për ç’arësye, një tezë e dështuar e shk.19, nxjer kryet në shk 21?
Tëza e dytë e shikon origjinën e emrit të Kombit tonë nga emri i shqiponjës. Ky mendim pranohet nga shumica e studiuesve dhe nga të gjithë shqip-folësit.
Për të mos u zgjatur, po rradhis disa autorë të kësaj teze. Sipas Maksimilian Lambertz-it (…)emri e ka origjinën prej “shqiponjës”, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut dhe është më tepër shprehje e kombësisë. (11)
Mehdi Frashëri (Historia e lashtë e Shqiperisë dhe e Shqipetarëve): « Me qënëse Skënderbeu në flamurin e tij kishte shqipen, ata që ndodheshin nën këtë flamur, u thanë shqipetarë» (12)
Eqerem Çabej (Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes): Shqipetarët quhen kështu pas shqiponjës… (13) etj.
Por përfaqsuesit e të dyja tezave, janë të një mendimi se emri Shqipetar është i periudhës së mesjetës. Dhimitër S. Shyteriqi : Për herë të parë « shqipetar » ,si emër populli, që nis të zëvëndësojë emrin « arbër » , haset tek « Concili provinciali » (bot shqip 1706,105,) « Kuvëndi i Arbërit » ; aty flitet për giuhën e Shqipetarëvet , në origjinal « Schippetarevet » ; Ndërsa emrin e vendit « Shqipëri » e gjejmë për herë të parë në fund të shk XVIII, në gojën e bejtexhiut kolonjar Hasan Zyko Kamberit. (14)
Kjo bindje e ka burimin , se ky emër nuk përmëndet për ndonjë fis apo vënd në dokumentet e periudhës greko-romake dhe se « Arbëreshët e Italisë e të Greqisë nuk e njohin emrin shqipetar , e kjo dëfton se ky nuk kish filluar të sundonte në Shqipërinë e mbarimit të Mesjetës”. (E.Çabei « Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes ») (15) Ky mendim mbizotron edhe tek autoret e huaj. Në Kongresin e III Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine (Athinë,1930) Petros A. Furiqis (Prejardhja e etnonimit arvanit) , pohon se: Iliria(…) ka të ngjarë rreth shekullit të X-të u quajt Albania dhe pas shk XV u quajt Shqipëria. (16)
Nathalie Clayer (Centre d’Etudes Turques, Ottomanes, Balkanique et Cetralasiatique, de France) pohon se : Emri Shqipëri është i vonë, zhvilluar vetëm pas shekullit të XV-të. (17)
Ky përfundim i « vulosur » tashmë nga shkenca historike, i ka shtyrë disa studiues europianë, ta arkivojnë dosjen e origjinës dhe lashtësisë së Kombit tonë, në sirtarin e “çështjeve të pazgjidhura”. Fallmerayeri : « Në kohët e erës së vjetër asgjëkundi s’përmendet as kombi shqipetar as atdheu i tyre. Origjina e këtij populli, si dhe natyra e gjuhës së tij diskutohet së tepërmi.”(18)
Shtrohet pyetja : A varet njohja e një fakti historik, vetëm në se ndodhet apo jo në një dokument të shkruar? Ky kriter ka qenë i vlefshëm, para dy-tre shekujve, kur akoma nuk kishin lindur shkencat e tjera studimore si gjuhësia, arkeologjia, tradita popullore dhe nuk merrej parasysh analiza llogjike, etj. Të vetmit që kanë pohuar të kundërtën, kanë qenë Rilindasit e fillim shekullit 20, si Sami dhe Naim Frashëri, Pashko Vasa etj. të cilët theksonin se EMRI SHQIPETAR është SHUMË I VJETËR. Si qëndron e vërteta historike ? Për të zbuluar lashtësinë e një emri, duhet vërtetuar barazimi „emri = simbol mitik“.
Shqiponja , simboli më i rëndësishëm parahistorik i Zotit
Një figurë është simbolike, pohon psikologu Karl Jang(Carl Jang), kur përmban diçka që qëndron më tej se sa pamja e saj e drejtpërdrejtë, e asaj që shikojmë. (19) Pra simboli i shqiponjës nuk duhet kuptuar thjesht si një zog i maleve, e për rrjedhojë shpreh shqipetarët që banojnë në një vend malor, siç mendohet jo rrallë herë. Sipas gjuhëtarit Petro Zhei ,” Të gjitha figurat simbolike, sa kohë që ne jemi e mbetemi në Botën reale, materiale janë të fshehura, të okultuara (të kallura), të groposura, të penguara, të ndaluara ,të padukshme…”(20)
Për t’i kuptuar simbolet, duhet të njohim besimin e krijuesve të tyre dhe çfarë kanë dashur të shprehin me to. Hapi i parë në këtë drejtim është pranimi i faktit se: a)Pellazgo-dardanët , ishin krijuesit e miteve të Europës para-historike që na kanë mbritur nga autorët e lashtë. b) Nga bota e gjallesave, shqiponja ka qenë “mjeti” me të cilën njeriu primitiv e ka “parë” Zotin.
Studiuesi i besimit të lashtë, M.Eliade pohon se “zogu” është një nga pamjet e shpirtit hyjnor, dhe «Në mitet, legjendat dhe ritet që lidhen me hyjnizimin në qiell (il « volo magico ») në të gjitha kontinentet, nga Australia, Amerika qëndrore deri në Zonat arktike, shprehet me krahët dhe pendët e shqiponjës». (21)
Shqiponja është një prej simboleve më të hershme të njeriut dhe Perëndia më e lartë e Druidëve. (22)
Të gjitha Perënditë më të fuqishme, në mite dhe skulpturat e para, në një hapësirë të gjerë gjeografike, janë të paraqitur si shqiponja, gjysëm shqiponja, me krahët apo kokën e saj dhe kanë qenë hënore. (më gjerësisht F.Demi Perëndesha më e fuqishme e të gjitha kohërave – në xhubletën e mirditores,2014)
Ne fotot poshte (nga e majta) kemi Perëndeshen hënore Sellena e tempullit të Dodonës me qeleshen shqipetare ; Mbreti Horos, i mbiquajtur Perëndia shqiponjë (Ḥr), ishte mbret i dinastisë së parë arkaike egjiptiane. Kulti i tij nderohej veçanrisht në qytetin e lashtë Nekhen, që në gjuhën kopte përkthehej “qyteti i shqiponjave” ; Emblemen e Pallatit të Dariusit I-rë në Suse. Sfera sipër me krahë shqiponje (Zoti), shpreh së ky mbret gëzon mbrojtjen hyjnore. Dy sfinksat poshtë, (me kokat e mbretit, që shikojnë në drejtime të kundërta, me krahë shqiponje dhe trup luani) tregojnë pushtetin e pakufijshëm të Dariusit të I-rë duke shprehur : Në tokë, Zoti jam unë !
(23) Sipas historianit te famshem te Aleksandrise, Filones, (30pK-45 pas K.) në « Quaestiones et Solutiones in Genesis » në besimin e lashtë Shqiponja përfaqsonte « Zotin e Dytë dhe Mënçurinë e tij »(24). Kjo është edhe arsyja se përse Zeusi paraqitet gjithmonë bashkë me shqiponjën. Figura e saj ka përfaqsuar jetën, vdekjen dhe ringjalljen, karakteristika këto të shpirtit hyjnor (fig.1 poshtë)
(25) Në besimin (pellazg)të Egjiptit të lashtë, Perëndesha shqiponjë (Dea Zog i M.Gimbutas), shprehte “ba” (shpirtin) dhe “sheut” (hijen) si dy elemente përbërës të njeriut.
Zogjtë në objektet e njeriut primitiv, vëren arkeologia Maria Gimbutas, simbolizojnë idenë se vdekja dhe ringjallja janë të lidhura pazgjithshmërisht, (26) . Këtë besim para-historik e gjejmë të shprehur edhe sot në folklorin e shqipetarëve. Në një festival folklorik zonal, një i moshuar nga Mërturi i Gurit (Pukë) paraqiti një valle , ku me krahët e hapur dhe duke dridhur gjithë trupin, shprehte shqiponjën që vdes dhe ringjallet përsëri. Banorët e zonës treguan se kërcehej kjo valle kercehej në malesi.(27)
Adhurimi i Shqiponjës, tek shqipetarët ka qenë i trashëguar nga të parët e tyre, siç e dëshmon edhe Eliani (De natura animalum, II, 140), i cili tregon se Mbreti i famshëm Pirro, rriste në banesën e vet si simbol stërgjyshor, një shqiponjë, të cilën e mbajti pranë vetes edhe pas vdekjes së shpendit. (28) Adhurimi i simboleve të caktuara të besimit, në lashtësi tregonin përkatsinë etnike të fiseve. Një dëshmi të këtij fakti historik, na e ka sjell Xh.Katapano: Kostandini i Madh (…) dhe të gjithë Perandorët e tjerë të Ilirisë, që sunduan pas tij, nën shenjën e Shqiponjës, janë të gjithë BOREAL, “Bijë të Dritës”(bij te Zotit-shen im) (29)
Mitet dhe arkeologjia, na dëshmojnë se shqiponja ka shërbyër si simbol i Krijuesit. Për rrjedhojë emri “Shqipetar”, që ka ne renjë emrin e saj është FETAR. Studiuesi L.Poliakov shkruan se :“Nuk është nevoja të sjellim prova që shumë emra popujsh të vjetër janë të njejtë me emrat e perëndive të tyre kombëtare”. (30) Këtë e pohon edhe Sami Frashëri (Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet,1899) : Kombi i tërë ka marrë emrin Shqipetar dhe vëndi ynë, emrin Shqipëri, fjalë të bëra prej shqipes Zogut të bekuar të Hyjit, që i faleshin prindërit e vjetër tanë, dhe që e kemi edhe në flamur. (31) Që nga “arti” i njeriut të Paleolitit, ( Il linguaggio della Dea M.Gimbutas ) e deri në ditët tona, Shqiponja së bashku me kryqin/yll, (fig.1 poshtë) ka mbetur simbol kryesor i Krijuesit, në art, në ndërtime (kisha, xhami) dhe veshjet e figurave më të larta fetare. (fig.2).
(32) Monedhë e periudhës romake 209 pK; Shqiponja tek shënjtëria e tij, Chrysostomos II, prelat i kishës së Qipros, komuniteti më i lashtë kristian pas Jeruzalemit; “Kryqit i vërtetë”, dhoma e relikeve të Kishës hebraike, Jeruzalem; Shqiponja dykrereshe ne Xhamine e Divrigi (Turqi).
Edhe në jetën e përditshme (në traditën popullore) e atë administrative, ajo zinte vëndin qëndror. Në mbretëritë iliro-epirote janë prerë mbi 72 seri parash metalike, miliona monedha me simbolin e shqiponjës, prodhuar në Foenike, Orik, Bylis, Apolloni, Dyrrah, Korkyra, Kasopa, Leukada, Akarnania (treva historike shqipëtare) etj. (foto lart) (33)
Duke marrë parasysh faktin se :
1- Shqiponja është simboli më i rëndësishëm i bësimit të njeriut primitiv ;
2- Se paraardhësit e shqipetarëve (pellazgo-ilirët) rradhiten ndër banorët më të lashtë dhe janë krijuesit e besimit të parë të Europës para-historike ;
3- Se gjuha shqipe, nga studiuesit emërtohet si gjuhë natyrale dmth e krijuar, jo nga ndonjë gjuhë tjetër, por që nga koha kur njeriu mësoi të flasë;
është jashtë llogjike të mendohet se, emërtimi shqipetar është i periudhës së mesjetës dhe mungon në shkrimet e historianëve të parë të lashtësisë. Këtë përfundim e vërteton emri EPIROTE dhe EPIR, për gjuhën, popullin dhe vendin e fiseve të etnisë shqipetare .
Ipe – Shqiperi dhe Miti i Krijimit të racës njerëzore
Duke folur për Epirin dhe banorët e tij, gjuhëtari Pr.Shaban Demiraj (Gjuhësia Ballkanike) pohon se: ”Pyetjes lidhur me fqinjët veriorë të grekëve të vjetër dhe gjuhës që flisnin ata, paraqitet tejet e vështirë, gjithnjë për mungesë të dokumentimit të tyre. Nga grekët quhej Epir (Epiros) “tokë”, për t’u dalluar nga ishujt përballë. Emri Epir pranohet në përgjithësi si një fjalë prej burimi grek, por ne nuk dimë se si e kanë quajtur vetë vëndësit këtë trevë (…) ku jetonin jo më pak se katërmbëdhjetë fise, nga të cilët më të njohurit kanë qenë haonët, thesprotët, amfillokët, mollosët, atintanët etj. … pyetjes se ç’gjuhë flisnin ata, është shumë e vështirë t’i jepet një përgjigje e argumentuar bindshëm” (34)
Për banorët e Epirit dhe gjuhën e tyre, Sami Frashëri na sqaron se Herodoti 484-420 pk), Plutarku (50-125 erës sonë), Straboni (58pk-25 erës sonë), Ptolemeu (Ptoleme Klod shk II erës sonë), Mallet Bron, George Hahn, Albert Dumont, vërtetojnë se Epiri që nga kohët e lashta ka qenë tokë shqiptare. Këtë fakt e deshmojnë edhe të dhënat statistikore të nxjerra me kujdesin më të madh nga organet qeveritare (të perandorisë Osmane – shën im) vitin e kaluar, me rastin e krijimit të nahijeve.(35)
Do të shtojmë edhe faktin se, në dokumentet e lashta për Gadishullin Pellazgjik (Ballkanik) emri Iliri dhe Epir është i kudo-ndodhur, në kohën kur nuk çfaqet gjëkundi emri Greqi, për ndonjë vend apo popull. Sipas Dr. Arif Mati, Hellenët e vërtetë nuk janë quajtur kurrë “grekë”. (Mikenet=Pellazg, f104)
Origjinën shqipetare te emrit Epir e dëshmon edhe gjuha. Filozofi Sami Frasheri duke folur për gjuhët e popujve në lashtësi pohon se: „Përparimi i sajuar dhe letrar (i gjuhës – shën im) ështe çfaqur më vonë, kurse gjendja e natyrshme, është ajo bazë“ .(36) Gjëndja natyrale e emrave dhe toponimeve është ajo që u trashëgua në mijra vjet në gojën e popullit.
Një dëshmi të tillë, na e sjell një legjendë çame e Thesprotisë mbi Pirron e famshëm, Mbretin e Epirit : “Kur Pirro qe i vogël e çuan tek mbreti i Shkodrës : “O mbret i nderuar/ t’u rritet nami e rrofsh e klofsh sa malet/ Kaha Iperoja na të kemi ardhur/ të t’besojmë kët zok të ipes / të na rritet ipje e vërtetë. (37)
Në fjalorin e gjuhës standarte shqipe , fjala IPE nuk ndodhet, por në dialektin tosk të Çamërisë, emërton shqiponjën dhe tregon, se si besimi para-historik ka ndikuar në krijimin e fjalëve të reja. Njeriu primitiv, duke parë shqiponjën si zogun e vetëm të lartësive të mëdha nga mund ta shikonte Krijuesin, e gjykoi si ndërmjetësin e tij me të Plotfuqishmin . Ky mit pasqyrohet në gjuhën shqipe tek emri i shqiponjës : IPE (i+pe), ku « i », sipas eruditit arbëresh Xhuzepe Katapano, “ në doktrinën e Thotit përfaqson Fuqinë Krijuese të Zotit është vetë FJALA”(38) + folja e kohës së shkuar – pashë/veta e dytë, njejës/ (ti) pe. Ky emër do të thotë : „Zotin pe“ dhe i përket periudhës zanafillore të shoqërisë njerëzore-matriarkatit. Emri “shqiponjë” nuk ka gjini mashkullore në gjuhën shqipe.
Tek arbëreshët, shqipetarët e Italisë, Shqiponja emërtohej AIN emër, i cili në besimin e lashtë përfaqësonte syrin e Krijuesit. Në gjuhen hebraike, arabe, caldaike dhe siriane , emri Ain tregon syrin (Appunti sui primi elementi di lingua ebraica. Gastone Ventura) (39). Syri në këto alfabete shpreh gërmën « O », me kuptimin e « hiçi-it » dmth asgjë (tabela poshtë). Hiçit në hebraisht i thonë AIN dhe shpreh Krijuesin që nuk mund të njihet. (40)
Heroglife egjipt/gërma hebraike /emërtimi hebr./gërm.fenikase. (41)
Studiuesi Petro Zhei (Shqipja dhe Sanskritishtja) pohon se : «Simboli 0 është ai i qëndrës, i Frymës, i Zotit » (42)
Emri AIN e gjejmë si toponim në Azinë e Afërt, si ῾Ain Zāra në Tripolitania, ῾Ain Giālūt në Palestinë. AIN quhej edhe qyteti Levit në tokat e tribuve të lashta Judaike. Për të flitet në Bibël (15:32 dhe 19:7). (43) Po ky emër, në Francë është toponim i një zone të gjerë arkeologjike të para-historisë (komunat Belley, Pérouges, Bourg-en-Bresse dhe Trévoux). etj.
Me anën e toponimeve dhe simboleve të njejta mitike, të gjetura në hapësira jashtzakonisht të madha gjeografike dhe që shpjegohen më të njejtën gjuhë dhe besim (siç është rasti ynë), ne mund të përcaktojmë përhapjen e fiseve dhe të besimit pellazg, në periudhat para-historike. Këtë fakt e vërtetojnë objektet arkeologjike. Në artin e popujve Aztekë të Amerikës, një rradhë me sy janë gdhëndur sipër shqiponjës së stilizuar (fig.1). Edhe në piramidat egjiptiane (fig.2), syri i madh qëndron mbi shqiponjën në qëndër, duke shprehur të njejtin mit: „Shqiponja është syri i Zotit“.
(44) Po e lemë përkohësisht emrtimin e shqiponjës në gjuhën arbëreshe AIN dhe të përqëndrohemi tek tema kryesore : Zbulimi i origjinës së emrit Shqipëtar dhe vjetërsisë së tij.
Sipas Xh.Katapanos, në zanafillën e njerëzimit, formimi i emrit mbahej si një art i shenjtë dmth besimtar. Me zhvillimin e shoqërisë primitive, emrit zanafillor të shqiponjës IPE, ju bashkangjitën fjalë të tjera, duke shprehur gjuhësisht, ndryshimin dhe pasurimin e miteve të besimit pellazg. Emrin Shqipetar (Schipetar, etj. në dokumenta) si emër i përbërë, mund ta risjellim në formën e lashtë: Sch + ipe + t‘ (të)+ar. Në kuptimin besimtar pellazg , kjo frazë lexohet : Fjala/Fryma Krijuese e Zotit Dritë.
Rruga e ndjekur: Sch = skep/sqepi ( ch latine, para zanoreve lexohet në shqip- k ) dhe gjuha e nxjerë dukshëm jashtë, tek shqiponja në flamurin tonë, shpreh mënyrën se si Zoti krijoi Botën me Fjalën/ Frymën Krijuese + e Zotit (i përfaqsuar nga fjala „ipe“-shqiponja) + t‘Ar-it. Kjo e fundit, nuk është mbaresë, por një fjalë-rrenjë e stërlashtë , e cila ndodhet edhe në fillim të emrit Arbër / Arban si emërtim i Zotit (Hyjit). Këtë na e dëshmon Petro Zhei : Një tjetër mënyrë referimi tek Qendra (Zoti-shën im) është edhe kjo : operatori i lirë (rrënja e pastër) AR në një sërë gjuhësh shpreh «parimin dritësor ». (45) Maks Myler (… shk19) thekson se emrat e shumicës së popujve arianë janë të përbëre prej fjalës “arë” (46), për të dëshmuar lidhjen ose origjinën nga Zoti.
Duhet theksuar se, rruga e ndjekur në studim, nuk bazohet thjesht në një hamendsim, por në „gjurmët“ që u trashëguan në besimet e mëvonshme dhe në objektet arkeologjike. Sipas Testamentit të ri : „Në fillim ishte Fjala dhe Fjala qe Zoti (…)të gjitha gjërat u bënë prej tij…“ (Giovanni 1,1-4 ) (47)
Siç dihet, arsimimi i popullit u bë një dukuri masive vetëm dy-tre shekuj para kohës sonë, dmth gjatë shk 19-20. Per rrjedhojë, simbolet mitike,me ndihmën e artit (gdhëndjet primitive, vizatimet në enë balte, skulpturat në metal, gur e mermer, pikturat murale, etj.), që nga koha e Paleolitit e deri në kohët moderne, kan luajtur rolin kryesor për të përhapur dhe përjetsuar besimin dhe mitet. Ky fakt dëshmohet në objektet e shumta arkeologjike, punimet ndërtimore dhë artistike që kanë mbritur deri më sot. Për të shprehur dukuri jo materiale, siç është „fjala“ apo „fryma“ me të cilën Zoti krijoi botën dhe banorët e saj, „artisti“ i lashtë përdori llogjikën. Ai e shprëhu mendimin mitik, duke paraqitur organin e njeriut që e prodhon fjalën dhe e nxjerr me forcë frymën: gojën e hapur në maksimum dhe gjuhën e dalë dukshëm jashtë (fig.1,2,3 poshtë). Në Fjalorin e Dhjatës së vjetër shkruhet: Gjuha, një simbol për të folurin. (48)
(49) (nga e majta)Kalendari i Aztekëve ; Arti etrusk ; Perëndia Bes (Tempulli i Denerës, Egjipt) Sipas studiuesve, Perëndia Bes ka qenë i pranishëm në të gjitha periudhat e besimit të lashtë egjiptian.
Deri në kohën e Faraonit Akhenaton (Dinastia XVIII,viti 1350 pk) është paraqitur më krahët e shqiponjës; Stema e familjes së Kastriotëve në mesjetë, me shqiponjen dhe yllin mbi kokat e saj; Flamuri i sotëm i Kombit dhe Shtetit shqipetar.
Kjo gjetje e njeriut primitiv, për të pasqyruar këtë mit të besimit, nuk njihet nga studiuesit e arkeologjisë dhe historianët, por e gjejmë të shprehur në një këngë të mrekullueshmë arbëreshe kushtuar Shqiponjës. Kjo këngë është mbledhur në Helladë (Greqi) nga prifti arbëresh, At Anton Belushi (Ricerche e studi tra gli arbërori dell’Ellade da radici arbëreshe in Italia a matrici arberorë in Grecia):
Mëmë e mirë e Perëndeshë/ ç’akjë do kë fort të do/ neve t’mjerët mos harro/ edhe mbajna në kujdes; Sa të rrojëm nën hjes tënde/ e nga skjepi të pështruarë/ veldit t’onë tue kënduar/ me gëzim edhe me besë. (Mëmë e mirë dhe Perëndeshë/ nga ai që fort të do/neve të mjerëve mos na haro/dhe na mbaj me kujdes; Sa të rrojmë nën hijen tënde/ të dalë (krijuar) nga sqepi (fryma-fjala) yt /vëndit tonë do t’i këndojmë me gëzim dhe besë) (50)
Në mbështetje të kësaj kënge dhe të mitit, do të sjell edhe një dëshmi tjetër. Shqipetarët e Iperisë (Epirit) gjuhën e tyre e emërtojnë „gjuha e Zogut“ (Ipes/Shqiponjës). Në një letër të Panajot Kupetorit dërguar Karl Reinholdit, më 25 të Shen’mitrit 1857 (25.10.1857) i shkruante “Kalofsh mir’ edhe shëntoshë ! Dje mora një kartë nga Zotëria e-jote, e shum’u gëzuashë ,çë më kultove e më shkruajte edhe ndë gjuhë të zogut, undrë si thonë Arbëreshtë… (51)
Në fund të këtij rrugëtimi gjuhësor, mitik dhe të traditës, kemi të drejtë të pohojmë se: Fiset e lashta pellazge e quajtën veten „iperotë“ dhe pastaj „shqipetar“ në lashtësi, nisur nga simboli besimtar i Shqiponjës, për të treguar origjinën e tyrë nga Zoti dmth „Jemi bij të Zotit!“. Këtë origjinë besimtare të banorëve, e kanë treguar studiuesit e huaj të shk19 në librat e tyre: Shqipetarët e quajnë veten, « bij të shqipes ».(52) Sipas Andre Leroi-Gourhan,(Le Geste et la Parole) : Miti gjenealogjik është forma e parë e reflektimit historik. Kështu anëtarët e një grupi njerzor “e kanë origjinën” nga një perëndi, nga një hero apo një kafshë. (53)
Për sa më sipër, emri i lashtë i Kombit tonë – SHQIPETAR – sipas besimit pellazg, shpreh MITIN e KRIJIMIT, nga Fjala / Fryma e Zotit-Dritë (siç thuhet edhe në Bibël).
Këtë fakt e dëshmojnë edhe mitet : Iperione (Shqiponjë) paraqitet si krijues i natyrës : Hënës, Diellit dhe Agimit (la Luna,il Sole, l’Aurora ; Hesiode, Theog, 371; Diodoro V, 66 (54) Paraqitja e emrit të shqiponjës, si një figurë mashkullore, tregon ndryshimin e miteve në periudhën e patriarkatit. Në mitet e mëvonshme , shqiponja mbahet si stërgjyshe e Adamit, prej të cilit e kanë origjinën njerëzit që populluan Botën. Ky mit njihej edhe në Mesjetë. (55) Sipas autorëve të tjerë (Hygin, Fables;Pausanias, Description de la Grèce.) Iperone është ati i Titanëve(56) (Titanët ishin pellazge). E rigjejmë, si krijuese të racës njerëzore, në mitin e Deukalionit dhe Pirrës, emri i së cilës (siç do ta shikojmë në pjesën e II), do të thotë shqiponjë. Ky emër përdoret edhe sot e kësaj dite vetëm tek shqipetarët, por në gjininë mashkullore –Pirro, dhe ruhet në emrin e saj origjinal tek gjinia femërore – Shqipe. Kjo legjend ishte e njohur në gadishullin Pellazgjik (Ballkan), sidomos në Epir dhe zonën e Thesalisë (57). Në periudhën e kristianizmit, zhduket emri i shqiponjës dhe të gjithë popujt e tokës e kanë origjinën nga tre fëmijët e Noes,(Sem, Kam e Iafet) Genesi (X, 1-32).
Të gjithë emërtimet që njihen historikisht për shqipetarët dhe paraardhësit e tyre Pellazgo-Ilirët, lidhen me Mitin e KRIJIMIT : Pellazg – të lindur prej dheut (ar-ës); Ar+ban / Ar+bër : i banun/i bërë nga Ar-a/dheu; Ilir/Yll-ir shpreh origjinën nga Zoti/Ylli. Ylli = Drita Hyjnore.(58) Al+ban/Al+ba(ë)ri (titulli i gazetës së arbëreshëve/Itali, fig.poshte): të banun/ të bërë nga Al; ku Al apo EL (Eb.) në fjalorin esoterik përkthehet Zoti (59).
Emrin e Zotit, Al dhe të shqiponjës AIN, e gjejmë si toponim të qytetit 4.000 vjeçar në Emiratet e Bashkuara Arabe : Al-ʿAyn (العين), qe shkruhet edhe Al-Ain, në kuptimin besimtar do të thotë „Zoti – Shqiponjë“. (60)
Përfundimi i parë: emri SHQIPETAR është i lashtë dhe pasqyron zhvillimin e besimit të parë të hapsirës mesdhetare, atij Pellazg dhe është një emer FETAR. Origjina e tij buron nga fjala para-historike IPE, e cila shpreh gjuhësisht simbolin e Krijuesit – Shqiponjën. Ky emërtim, i trashëguar tek shqipetarët e sotëm, shpreh MITIN e KRIJIMIT të njeriut, fakt që vërtetohet edhe nga emërtimet e tjera historike të Kombit tonë: Pellazg-Arbër-Ilir/Yllir-Alban, të njohura në të gjitha trevat tona kombëtare, si emërtime të së njejtës etni. Emri i shqiponjës në gjuhën shqipe është dokumenti i pakundërshtueshëm i autoktonisë dhe origjinës pellazgo-ilire të Kombit dhe gjuhës sonë. Rruga e formimit të tij në gjuhën shqipe, dëshmon se në zanafillën e historisë njerzore, emërtimi mbahej si një art i shenjtë, ku BESIMI dhe GJUHA , kanë shprehur dhe përsosur njëra-tjetrën.
***
Mbasi u munduam të zbulojmë nëpërmjet gjuhës, besimit, miteve, arkeologjisë dhe traditës së Kombit tonë, origjinën e emrit SHQIPETAR, mendoj së materiali do të ishte i mangët, po të mos përmëndet rëndësia e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe sidomos e dialekteve të saj, nga keqtrajtimi që i bëhet fjalorit të saj nga ana e medias elektronike, intelektualëve, gjuhëtarëve dhe botuesve të teksteve (pa i përgjithsuar). Me të drejtë studiuesja Mirela M. Sinani shtron pyetjen: Çështja është që tingujt dhe rrokjet themelore që mbartin kuptimin rrënjë të fjalës, duhet të mbeten të paprekura… A duhet flakur tej thesari i gjuhës së gjallë, pse kështu kanë vendosur dikur disa gjuhëtarë ? Si mund të pretendojmë lashtësi të gjuhës sonë, kur heqim lidhjet me elementët më të vjetër gjuhësorë. (61) Kjo ka ndodhur edhe me emrin e popullit tonë, i cili deri në fillim të shk. 20 shkruhej Shqipetar.
Gazetë e shqipetarëve në Bukuresht, 1889(62).
Sot shkruhet Shqiptar, me arsyetimin se kështu e flet populli. Heqja e zanores « e », solli deformimin e rrënjës së lashtë « ipe ». Dihet se në të folurën e përditshme populli, jo vetëm i « ha » zanoret ose bashtingëlloret, por edhe u ndryshon vëndet apo i braktis ato. Kjo dukuri e njohur, gjatë rrugëtimit historik të njerëzimit, solli krijimin e dialekteve tek fiset e së njejtës etni, deri edhe të gjuhëve të reja, që sot përcaktohen si familje gjuhësore si psh gjuhët neolatine. Me krijimin e gjuhëve standarte (shk.19-20), rrënjët e fjalëve, në shkrim « u mbrojtën » nga deformimet e të folurës popullore.
Atëhere, për ç’arsye në drejt-shkrimin e ditëve të sotme, duhej të zhdukej rrënja kryesore e emrit Shqipetar? Si pasojë bashkë me rrënjën « ipe », humbi origjina dhe kuptimi mitik (i Krijuesit-shqiponja) i emrit të popullit tonë, duke i hapur rrugën tezës së dështuar dhe antishkencore të shk.19 : « shqiptoj qartë ». Për fat, emri i vëndit – SHQIPERI, e ruajti gërmën “e” dhe rrënjën e saj para-historike.
Por, «muzeu» i gjuhës sonë, për emrin Iperi/Shqipëri , nuk i ka treguar akoma të gjitha thesaret e tij…
Fatbardha Demi ([email protected]) – 26.06.2015.
(VIJON…)
_______________
FATBARDHA DEMI: SHQIPE-RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (PJESA E PARË)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4383
***
FATBRADHA DEMI: SHQIPE-RI, EMRI PARAHISTORIK I ZOTIT, NË BOTËN MODERNE (PJESA E DYTË)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4384
Balance: Power, business, relationships
The best site about Power business relationship