Prishtinë, 15. 09. 2015: Duke filluar këtë udhëpërshkrim për rrugëtimin tim dhe të Gresës – brenda ditës – në Qytetin Muze të Gjirokastrës, fillimisht përshëndes gjithë stafin editorial të portalit “Pashtriku.org”, i cili edhe pse 2000 km larg vendlindjes, punon pa u lodhur, duke frymuar shqip në çdo pore të jetës shqiptare!
… Gjirokastrën atë ditë shtatori e gjetëm të lagur nga shiu i prajshëm, dhe duke ecur pikat çukisnin lehtë mbi kalldrëmin e lëmuar! Rrugicat e qytetit të shtruar dukshëm me kalldrëm, janë një karakteristikë e llojit të veçantë, dhe të lënë gojëhapur me qëndrueshmërinë e tyre ndër shekuj!
-Ua !Këlthiste Gresa me habi!
Po, si është e mundur që të kenë formë të njëjtë dhe të jenë radhitur kaq mirë njëtrajtshëm njëra pas tjetrës gjithë këta gurë të lëmuar (?!) duket të kenë qenë ata mjeshtër të rrallë, për ta bërë këtë vepër mahnitëse rrugore? – pyeste gjithë entuziazëm Gresë arkitektja, e cila disa muaj më parë kishte diplomuar në këtë shkencë, dhe synon të bëhet një arkitekte e shkëlqyer në të ardhmen e saj!
Gresa nën prizmin e saj profesional, po me të njëjtin entuziazëm shihte ariktekturën interesante të shtëpive të vjetra të qytetit! Gjersa ajo po mahnitej me këtë vlerë të veçantë, mua mu kujtua fjala ‘avlli’, të cilën shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij më të fundit “Mëngjeset në Kafe Rostand” e kishte cilësuar si fjalë pa përkatësi, sepse duke u bartur nga një popull tek një tjetër – në Ballkan, kishte humbur përkatësinë e saj! Por, në Gjirokastër avllitë kanë karakteristika shumë origjinale dhe unikate në konstruktimin ndërtimor të tyre! Në këtë kuadër edhe kulmet e shtëpive me rrasa guri përbënin një rrallësi në arkitekturën ndërtimore, prandaj me të drejtë qyteti mori emrin “Qyteti në Gurë”!
Rrugët e kalldrëmosur që degëzoheshin njëra me tjetrën, të çonin gjer në majen më të lartë të qytetit, atje ku të priste hijerëndë në madhështinë e saj – Kalaja e Gjirokastrës! Gjatë rrugëtimit takuam shumë vizitorë që flisnin në gjuhë të ndryshme si: holandishtë, gjermanisht, anglishtë, portugalishtë, rusishtë, boshnjakishtë, dhe në të tjera gjuhë që s’mund t’i definoja dot!
– Gresë arkitektja në Gjirokastër –
Sapo të futesh brenda mureve hijerëndë të kalasë së gurtë (që në kronikat e kohës përmendet se është ndërtuar në vitin 1336) të “vizatohet” ambienti ku mbahet Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.
***
Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në datat 8-16 tetor, në Kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pas këtij festivali, ku morën pjesë të gjitha rrethet e vendit në çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës janë zhvilluar rregullisht FFK-të. Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë, në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhese u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 mbartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit. Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 shtator deri në 29 shtator 2009.
– Autorja Elife Podvorica në kalanë e Gjirokastrës –
***
Momenti kur e vë hapin e parë në skenë para së cilës të pret publiku, bëhet një përplasje e furishme emocionesh për të arritur suksesin e dëshiruar mbi dështimin e mundshëm për arsye të ndryshme. E përbashkëta e gjithë këtyre emocioneve, është çasti i parë me publikun, që s’harrohet kurrë dhe mbetet si thesar me vlerë diku në kthinat e kujtesës së çdo artisti që e provon! Por…, është shumë e dhimbshme kur gjakon për këtë çast dhe nuk të jepet mundësia!
Disa artistë nga Kosova, kanë shpalosur aftësitë e tyre me shumë emocione nëpër skenat e ish-Jugosllavisë, si: në Zagreb, Sarajevë, Valevë, Beograd, Lubjanë, dhe gjithandej Europës, por jo edhe në Gjirokastër! Siç duket disa gjenerata janë penalizuar të zhvillojnë artin e tyre aty ku duan, sepse ngjarjet dhe proceset historike, fatkeqësisht s’kanë qenë në anën e tyre! Dhe kjo…nuk kompenzohet me asgjë!
***
Të magjepsur nga historia e Kalasë, morëm rrugën tatpjetë nëpër kalldrëmet e rrugicave që të shpiejnë tek dy gjëra shumë të rëndësishme!
– Heeej! Bërtiste Gresa plot admirim! Nuk më ka rastisur që një rrugë të bartë emrin e një figure të madhe, dhe ai të jetë ende gjallë!
Teksa shihja emrin e rrugës, m’u kujtua pyetja e një mikeshe të Ismail Kadaresë që ia kishte bërë në një rrugë të Parisit.
Ajo me habi e drojtje e kishte pyetur :
– Po Ty, të do apo s’të do populli yt?!
Dhe kjo pyetje, teksa shihja rrugën e gurosur me emrin e tij, sikur më vinte në vesh si jehonë e ca tingujve në shuarje!
Në turmën e këtyre turistëve të shumtë që sot po gëlonin nëpër qytet, doja shumë që të ishte me ne edhe mikja e tij, dhe të lexonte Emrin e rrugës “Ismail Kadare”! Kadare vërtetë e ka merituar! Lum Gjirokastra për birin e saj! Ai tani nuk jeton më këtu, sepse jeta dhe arti i tij si shkrimtar me përmasa botërore, e ka përcjellur në rrugën 63 në Paris për 25 vjet me radhë, por megjithatë vendlindja e tij e nderon, sepse Ai e nderoi Gjirokastrën duke bartur me vete mallin e këtyre ngjyrave të kockave kudo që ai hapëron!
E dimë të gjithë ne shqiptarët se Gjirokastra është vendlindja e Ismail Kadaresë, por edhe e Enver Hoxhës, si dy personalitete për gjithë shqiptarinë! Gjersa i ndjeri Enver Hoxha e ruante dhe e kishte mbyllur vendlindjen vetëm për veten e tij, Ismaili e kishte hapur atë për gjithë botën! Sepse, me namin e tij prej shkrimtari, ka tërhequr interesimin dhe kureshtjen e turistëve të huaj, të cilët edhe gjatë vizitës sime me Gresën, po prekin gjurmët e fëmijërisë së tij, nëpër këto rrugica kalldrëmësh, dhe po i përjetësojnë si kujtim me objektivat e aparateve të tyre fotografike!
***
Menjëherë pas shtëpisë së I.Kadaresë, ndalesa e radhës ishte Shtëpia Skënduli “Skenduli House”, një banesë historike gjirokastrite e familjes Skënduli, e ruajtur që nga shek.XVIII! ”Ciceroni” pa u lodhur dhe me pasion na flet për historikun e shtëpisë dhe të familjes Skënduli. Është pasardhës i gjeneratës së nëntë i kësaj familjeje! Ai është martuar në këtë shtëpi, dhe dhoma e tij s’ka dëshirë të fotografohet, ndërsa cdo cepë tjetër i shtëpisë objektohet (shenjëtohet) nga fotoaparatët “paparacë” të vizitorëve!
Foto nga shtëpia!
Gjatë rrugëtimit tonë – në ardhje e shkuarje – nga Gjirokastra kemi parë shumë vetura me tabela nga qytete të Kosovës, të Maqedonisë dhe Malit të Zi, dhe kjo tregon se Qytetin Muze të Gjirokastrës e vizitojnë pa ndërprerë shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare.
Vitin e kaluar, Gjirokastrën e festivaleve kombëtare, për herë të parë e kishte vizituar edhe mikja ime Sadetja (motra e Dëshmorit Afrim Zhitia), e cila në një moment kur po kënaqej në një shtëpi tjetër të vjetër, ashtu sikurse shtëpia e familjes Skënduli, pasi kishte përqafuar plakën 82 vjeçare, ulet dhe me lot në sy nga gëzimi dhe entuziazmi thotë: “O më leni bre ta shijoj dhe të kënaqem edhe për sytë e dikujt tjetër (të vëllaut Afrim Zhitia – sh.b) që nuk mundi ta shihte si unë që e shoh sot! Më leni ta prek ëndërrën e Tij”…
– Sadete Zhitia në një familje gjirokastrite –
Dhe është e vërtetë! Dëshmorët A.Zhitia, Z.Pajaziti, Hyzri Talla, I.Konushevci, e shumë të tjerë dëshmorë që e deshën Shqipërinë, ikën në amshim pa e vizituar Gjirokastrën!
…………..
…………………………
Ishte kjo një vizitë e shkurtër por, e paharruar një ditore në Gjirokastër…! U larguam nga ky “qytet gurë” për t’u rikthyer edhe një herë tjetër!
================================================