PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (I)

Prishtinë, 30. 09. 2015: Si vazhdimësi e grupeve të mëhershme ilegale patriotike shqiptare në Kosovë ishte edhe Organizata patriotike ilegale “Grupi Revolucionar”, që u formua në vitin 1972. Në aktgjykimin e anëtarëve të grupit nuk thuhet se me cilën datë është formuar organizata, por, dihet me saktësi se organizata u formua nga patriotë të njohur të jetës ilegale. Po shënojë renditjen sipas përgjegjësisë dhe në harkun kohor 73-82 të anëtarëve të Komitetit Drejtues të Organizatës. Kadri Osmani (73-74); Mehmet Hajrizi (73-82); Xhafer Shatri (73-74); Binak Ulaj (73-74); Feriz Seferaj (73-74); Gani Sylaj (74-79); Hydajet Hyseni (74-82); Kadri Zeka (75-82); Sherafedin Berisha (75-77); Jakup Krasniqi (80-82); Berat Luzha (80-82); Bejtullah Tahiri (81); Nezir Myrtaj (81-82); Basri Musmurati (81).
Grupi Revolucionar kishte formuar si pjesë të vetën organizative një komitet të studentëve në pranverën e vitit 1974 në përbërje: Xhafer Shatri – përgjegjës, dhe anëtarët Rexhep Malaj (zëvendës), Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani.
Grupi Marksist-Leninist i Kosovës (vazhdues i GRK), më 1978 kishte formuar përveç Komitetit Drejtues edhe Komitetin Ekzekutiv në përbërje: Ismail Syla, Jakup Krasniqi, Saime Isufi, Bejtullah Tahiri, Jashar Hajrizi, të gjithë këta me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shpërndan edhe një trakt.
Organizata e GRK-OMLK është formuar në fillim të viteve 70 dhe ka pushuar veprimtarinë më 1982. Kryetar i saj (1973-74), ka qenë Kadri Osmani dhe pastaj në periudhën 1974-1982 – ka qenë Mehmet Hajrizi.
Disa nga këta edhe më herët kishin qëndruar në burgjet e Serbisë, andaj nuk ishte krejt e rastësishme pse edhe përcilleshin nga njerëzit- hije edhe pas daljes nga burgu. Qëllimi i organizatës ishte që në mënyrë të organizuar të punohej ilegalisht me masat e gjera, për të krijuar në të ardhmen një klimë të përshtatshme në të cilën do të mund të sendërtoheshin synimet shekullore që Kosova dhe pjesët shqiptare nën ish- Jugosllavi të bashkoheshin dhe në një të afërme të shpejtë të bëheshin pjesë e pandashme e shtetit amë- Shqipërisë. Për punë sa më të suksesshme ilegale dhe për të ruajtur konspiracionin e thellë të anëtarëve, udhëheqja e organizatës anëtarëve të vet u caktoi pseudonimet dhe punën e mëtejshme e organizuan në formë të “tresheve“.

Kadri Osmani – Kryetar i parë i GRK (1973-74)

Ndërkohë përpiluan dhe shtypën “Paraprojektin” e organizatës ilegale. Në fillim të tij, nën 1, thuhej: “Grupi Revolucionar” është grup paraprijës i Partisë së ardhshme, që do të lindë nga elementet më të shëndosha, të cilat do të jenë pararojë e popullit në luftë për bashkimin e atdheut. “Grupi Revolucionar“ veprimtarinë e vet e orienton drejt zgjerimit të radhëve – si kusht vendimtar për krijimin e partisë pararojë. Në vete do të përfshijë elementet më revolucionare të popullit tonë, të cilat, nën udhëheqjen e kësaj “Partie”, përmes revolucionit të armatosur, do të luftojnë për bashkimin nacional. “ Grupi Revolucionar “ për veprimtarinë e vet është përgjegjës para popullit. Në “ Paraprojekt “ u përfshinë edhe: 1. Anëtarësia dhe marrëdhëniet në “ Grupin Revolucionar “, 2. Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të grupit, 3. Mënyra e veprimit dhe kushtet për punë në ilegalitet të thellë, 4. Fondi i “Grupit Revolucionar”, 5. Mënyra për përfitimin e anëtarëve të rinj etj.
Në punën e mëtejshme të anëtarëve të organizatës bie në sy sidomos veprimtaria botuese e saj. Duke pasur parasysh rrethanat historike në të cilan vepronin radhët ilegale dhe mungesën e përvojës së shtypit të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës së pas LDB, ndërmarrja për një shtyp të tillë ishte sa e vështir aq edhe e guximshme. Me potencialin intelektual që kishte, anëtarët e organizatës morën qëndrim që të botonin edhe buletinin “Zëri i Kosovës”. Por, për të nxjerr një gazet apo revistë, ato jo vetëm që kërkonin veprimtar të penës, të përgatitur profesionalisht dhe të qartë në dijet teorike, por edhe teknik të shtypjes e bazë për ta strehuar e përdorur sigurt. Qysh më 1973, “Grupi Revolucionar” kishte filluar përgatitjet për nxjerrjen e një organi të saj.
Pas shumë diskutimeve në grup, ishte vendosur që organi i organizatës të quhej “Zëri i Kosovës”. Më 1974, grupi ilegal nxori numrin e parë të saj, të pagëzuar me emrin “Zëri i Kosovës”, ashtu edhe siç ishin marr vesh. Ilegalistet fillimisht mendonin se kjo gazetë njëherë do të jetë edhe zëri i vërtet i popullit të Kosovës. Gazeta “Zëri i Kosovës”, numri i parë i saj doli me 1 shkurt 1974 . Dhe fillimisht kishte 32 faqe, të shtypura në makinë në fletë A-4.
Të gjitha shkrimet që u botuan në këtë gazetën “Zëri i Kosovës” janë të nënshkruara me pseudonime, për hir të konspiracionit. Nëpërmjet shkrimeve që u botonin në të, bëhej apel që populli të mos duronte padrejtësitë e shumta, sulmohej sistemi okupues jugosllav dhe udhëheqësja më e lartë e saj . Në mënyrën më reale paraqiteshin raportet ndërnacionale, zhvishej nga fetishi vëllazërim- bashkimi, i çirrej çdo maskë pushtetarëve si dhe sistemit: në ekonomi, në kulturë, në arsim dhe në shkencë.
Në faqen e parë paraprin thirrja “Popuj të robëruar në gjithë botën, ngrihuni në revolucion!”, po në të njëjtën faqe janë të vizatuara drapri e çekani, emri i gazetës, shqiponja dy krenare, një vizatim i autorit Gani Sylaj, me dy të rinj, njëri me flamurë e një bombë dhe vajza me pushkë në nishan dhe mbi ta fjalia “Liria nuk falet, por fitohet me gjak”.
Shkrimet në revistë fillojnë me editorialin “Fjala hyrëse”, shkruar nga Gjin Dukagjini (Binak Ulaj). Editoriali i revistës përfshinte tri faqe tekst, dhe në të elaboroheshin arsyeja pse u vendos që të dalin me këtë revistë dhe se si ndodhi tradhtia nga ana e Jugosllavisë dhe popullit shqiptar iu mohua çdo e drejt për vetëvendosje duke filluar prej aneksimit të tokave shqiptare. Në të thuhej se “Përmes flakës e tymit të barotit, bijtë shqiptarë duke dhënë jetën në fushën e nderit, vulosën me gjakun e tyre fitoren e lirisë. Pas kësaj ngjarje më të shënuar në historinë e popullit tonë nuk vonoi shumë dhe tradhtia e revizionistëve jugosllav duel në shesh. Gjaku i dëshmorëve të rënë në luftë u shkel në mënyrën më ç’njerëzore. Ideali i përbashkët u tradhtua nga klika titiste. Nën tytën e armëve u vendos “në bazë të vullnetit “ e drejta e vetëvendosjes. Prej asaj kohe, nën parullën e “vëllazërim-bashkimit”, mbi popullin shqiptar në Jugosllavi, u luajt loja e diskriminimit nacional dhe e asimilimit të plotë” . Artikullshkruesi në vazhdim na bënë me dije se shtypi jugosllav në vend që ta informoj opinionin ashtu siç i ka hije, ai boton dezinformata, ”duke e kthyer atë në një armë të rrezikshme në shërbim të klikës në fuqi “.
Ndërsa, ata që shprehnin haptas qëndrimet e tyre, dhe nuk pajtoheshin me ato që trumbetonte shtypi i vendit “mbylleshin e në disa raste edhe zhdukeshin” . Në shkrim jepen shpjegime se, shtypi në vend që të jetë tribunë e shprehjes së dëshirave dhe shqetësimeve të popullit “shtypi jugosllav shqetësimet e masave i kamuflon me dredhi, ndërsa dëshirat varrosën”. Duke e bërë analizën e informimit në Jugosllavi, autori thotë se “Në kundërshtim me këto receta , lexuesi ynë kërkon të shkruhet qartë dhe me guxim për çdo gjë, të shkruhet me vërtetësi në mënyrë të gjallë, të shkruhet duke qëlluar në shenjë, pa balancim frazash, pa ujë, pa fjalë boshe e frazeologji të thatë” . Anëtarët e “Grupit revolucionar” në bazë të shkrimeve vërehen se janë të pakënaqur, me informatat nga fusha e shkencës dhe me faktet historike që iu servohen opinionit. ”Shtypi revizionist jugosllav i shtrembëron faktet historike, mohon traditat kombëtare të popullit tonë”. “Shtypi jugosllav” për artikullshkruesin është një gabim dhe një mëkat për opinionin ngase nëpër mes tij, e ç’orientojnë rinin tonë të mirë dhe të devotshme, edukimit dhe emancipimit i japin kahe krejt tjetër, ngase ata i kanë llogarit e veta në krejt këtë dhe bëjnë apel se “psikologjia e punëtorit dhe fshatarit janë të ndjeshme ndaj çdo gjëje të huaj, andaj shtypi ynë duhet të përshkohet nga fryma e morali…”.
Ata janë optimist, dhe shpresën më të madhe e kanë tek rinia “ se shumica e rinisë sonë janë të ndërgjegjshëm për detyrat e larta që kanë ndaj atdheut. Për këtë arsye, sado që të na mohojnë lirinë, zjarrin e saj nuk e shuajnë dot nga zemrat tona. Ky zjarr do ti djeg gjithë armiqtë e atdheut tonë, gjithë armiqtë e lirisë sonë.” Dhe në fund të artikullit thuhej “Populli nuk e ka humbur shpresën dhe as që do ta humbë. Të nisur nga pikësynimi për të kryer sa më me nderë detyrën tonë prej revolucionarësh ndaj atdheut, kemi vendosur për botimin e këtij organi. Përmes tij jemi përpjekë dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi flakë për flakë edhe përmes shtypit luftës sonë të shenjët për çlirimin tonë kombëtar dhe bashkimit me atdheun tonë të dashur.” Siç shihej edhe nga vet fjala hyrëse, se e tërë kjo edhe ishte qëllimi i botimit të kësaj reviste, ku edhe u apelonte në bashkëpunim nga popullata.
Artikullshkruesit vinin në përfundim se edhe informimi i drejt ishte faktor i rëndësishëm për të përgatitur popullin shqiptar, për të realizuar aspiratat e kahershme për çlirimin e atdheut.
Në katër faqe tekst të revistës, bëhet fjalë kryesisht për “Letrën e Titos” të shkruar nga autori “Selman Karadaku” (Xhafer Shatri), pasi se faqja e pestë në revistë mungon, do ta bëjë prezantimin vetëm të këtyre faqeve që janë gjetur në Arkivin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, në dosjen e të dënuarit politik – Kadri Osmanit. Në vazhdim të shkrimit thuhej se “Letra e Titosë dhe e Byrosë Ekzekutive, është një manifest demagogjik i dorës së parë, pas daljes të së cilës, në mjetet e informimit jugosllav si në radio, në televizion, në shtyp dhe në mbledhje të ndryshme, më fjalët më pompoze flitej për të drejtat që i janë dhënë klasës punëtore, si edhe për vendin e rëndësishëm që duhet të zë ajo në shoqërinë jugosllave, “kritikohen” ata që e kanë shfrytëzuar, bëhen “autokritika” e marrëzira të tjera. Por, a thua vallë, ku na paska qenë gjerë më tani autori i Letrës me gjithë lakejët e tij?” pyet autori i shkrimit
Pasi se epet një prezantim i situatës në Jugosllavi, autori i shkrimit vije në përfundim se “Letra e Titos” është një lloj riorganizimi dhe mobilizimi i lukunisë së ujqërve që quhet LKJ, dhe siç po shihet fronti i saj është i hapët. Këtë e vërteton edhe praktika e përditshme kur shqiptaret bëjnë një jetë me të drejta minimale qytetari. Në vend të grabitësve të djersës dhe gjakut të masave punonjëse u burgosën dhe u hodhën nga puna qindra e mijëra kundërshtarë politik. Edhe pse shteti- Jugosllavi me receta të ndryshme u mundonte të dilte nga kriza, megjithatë në batakun që kishte rënë nuk kishte shpëtim, andaj “Kriza e thellë politike, ekonomike dhe shoqërore, që po brente nga themelet regjimi titist, gjendja e rëndë që ekziston sot në Jugosllavi, i ka shtuar edhe më shumë vuajtjet e popujve jugosllav, por në mënyrë të veçantë ajo ka shtuar vuajtjet e mjerimet e popullsisë shqiptare e cila ndodhet nën shtypjen e dyfishtë kapitaliste dhe shoviniste të serbomdhenjëve. Titistët pas Letrës famëkeqe e kanë shtuar edhe më shumë veprimtarin armiqësore antishqiptare”.
Në vazhdim thuhej se të gjithë, pa dallim, duhet luftuar politiken destruktive të Titos, ngase “është detyrë e shenjët e popullit shqiptar të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, veçanërisht e rinisë revolucionare, të cilët gjendën nën zgjedhën e rëndë titiste, të luftojnë për pavarësinë kombëtare dhe për bashkimin e atdheut tonë. Ne, nuk guxojmë t’i harrojmë kurrë të këqijat dhe fatkeqësitë që i ka shkaktuar xhelati Tito popullit tonë, atdheut tonë…” përfundon autori.
Përveç faqeve ku trajtohen problemet politike, në gazetë, anëtarët e grupit ilegal shkruanin edhe për çështje organizative të tyre. Një shkrim të këtij lloji për çështje organizative në faqet e revistës na e sjell autori me pseudonimin “Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi, që shkrimin e vet e kishte rrumbullakuar në tetë faqe tekst. Në pjesën e shkrimit “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve” prezantohet në pika të shkurtra organizimi i celulave dhe angazhimi i anëtarëve për të zgjeruar radhët e organizatës me anëtarë të rinj. “Aty ku ka shtypje në popull, ka lëvizje për t’iu kundërvënë shtypjes. Këto janë dy forca që veprojnë njëra në tjetrën dhe kjo e fundit gjithmonë fiton “ , vije në përfundim autori i tekstit. “Duke qenë i tradhtuar dhe i shtypur në mënyrën më të egër nga revizionistët jugosllavë, populli shqiptar nën robërinë jugosllave, është e pamundur të mos lëvizë, të mos luftojë armiqtë e tij, nga një anë dhe është e sigurt fitorja e tij në këtë luftë, nga ana tjetër” .
Në këtë shkrim njoftohen lexuesit se me luftën ilegale që bëjnë bijtë dhe bijat më të mira të kombit kanë tri qëllime kryesore të cilat janë :1. Çlirimi kombëtar, 2. Çlirimi shoqëror dhe nën 3. që është edhe më e rëndësishmja –Bashkimi me shtetin amë. Dhe vijnë në përfundim se vetëm qëllimi i fundit i jep kuptim të plotë dy të parave. Në nëntitullin tjetër “Celulat revolucionare” , autori thotë se ato janë shkëndijat të cilat formojnë zjarrin e madh te revolucionit.
Në celulën revolucionare mund të organizohen nga tre-pesë apo më shumë vetë për të punuar sistematikisht në shërbim të çështjes. Nuk është mirë të jetë numri i madh i të angazhuarve në celula, sepse mundë të ndodhë të bije në sy të armikut lehtë. Çdo punë që bëhet në celulë ajo planifikohet dhe studiohet mirë që më parë. Për ti kryer punët si duhet dhe më mirë është e nevojshme, porosit artikullshkruesi, që takimet të caktohen që më parë me aktivistet e celulave. Si përgatitje paraprake për takim (mbledhje të celulës) duhet caktuar koha e sakët dhe vendi ku mbahet takimi. Largësia kohore prej një takimi në tjetrin duhet të jetë më së largu dhjetë gjerë në pesëmbëdhjetë ditë.
Por, thuhej më tej se mbajtja e takimeve mund të rregullohet edhe sipas nevojës. Koha më e përshtatshme për takim mendohej se ishte mbrëmja, duke pasur parasysh se në atë kohë njerëzit vizitohen më shumë në mes veti dhe përcjellja policore evitohet më lehtë. U propozonte që të kihet kujdes edhe vendi se ku mbahen takimet. Duhet siguruar që vendi për takim të jetë shumë i sigurt. Por është e nevojshme që vendet për takime të ndërrohen shpesh. Gjatë takimit çdo anëtarë duhet të jetë i kujdesshëm për punën dhe obligimet që i merr para organizatës dhe anëtarësisë.
Organizimi i punës në mbledhje duhet të bëhet sipas një rendi të caktuar paraprakisht. Kështu e gjithë puna e një mbledhjeje duhet të përmblidhet në disa pika kryesore që duhet të trajtohen në mbledhje:
1. Raportimi mbi punën teorike dhe praktike te çdo aktivisti, vështirësitë që ka pasur dhe sukseset që ka arritur nga takimi i fundit gjerë në atë që mbahet. T’i bëhet analizë kritike e gjerë dhe e thellë çdo aksioni praktik. Të mos tolerohen lëshime pa arsye në punën teorike apo praktike, dhe, po ndodhi kjo të merret qëndrim. Përgjegjësia para detyrave duhet të jetë e madhe si në planin personal ashtu edhe në atë kolektiv.
2. Leximi i punimeve me shkrim dhe bisedat rreth tyre. Përveç që duhet caktuar literaturën që duhet ta lexojë çdo aktivist nga takimi, duhet të caktohen edhe tema të ndryshme për të cilat shkruajnë aktivistët e caktuar apo të gjithë. Kështu secili merr një temë për të cilën ka njohuri dhe mund të flasë, e punon me shkrim dhe në mbledhje e lexon para shokëve. Të tjerët, që po ashtu e kanë lexuar materialin për atë temë, japin mendimet e veta, analizojnë mirë punimin që të përvetësohet dhe të mos lëshohet ndonjë gabim. (Kjo metodë pune e sugjeruar këtu, u bë praktikë jo vetëm në këtë, por në gjithë organizatat, por edhe nëpër burgje.) Temat duhet të jenë të natyrës së ndryshme dhe aktuale.
3. Caktimi i detyrave për kohën gjerë në takimin tjetër. Kjo është pika në të cilën ndahen detyrat që duhet të kryejë celula gjerë në takimin tjetër, gjegjësisht detyrat e çdo aktivisti veç e veç. Për kryerjen e këtyre detyrave të merret vendim. Nuk duhet të lejohet asnjë qëndrim formal ndaj vendimeve. Qëndrimi formal në punën e mbledhjes apo në vendime do të thotë mos përgatitje për mbledhjen. Është detyrë e secilit të mendojë çdo kohë për çështjen dhe në takim të vijë me mendime konkrete, të sakta, i përgatitur, vetëm shumica e përbërjes së celulës mund të marrë vendim. Duhet pasur kujdes që punët të mos monopolizohen vetëm në duart e ndonjërit apo të disave nga pjesëtarët e celulës. Të mos mungojë po ashtu iniciativa dhe guximi që të veprohet. Detyrat duhet të kuptohen drejt nga secili. Është e nevojshme qe të organizohet mirë si metodë pune, çështja e kontrollit në zbatimin e vendimeve nga çdo njëri. Ky kontroll duhet të jetë sa rigoroz aq dhe shoqëror dhe ndihmës.
4. Të ndryshme. Kjo do të ishte pika e fundit e mbledhjes në të cilën shqyrtohen problemet e ndryshme. Në këtë pikë caktohet edhe vendi dhe koha në të cilën duhet të mbahet mbledhja e ardhshme. Në fund, gjithë punës së mbledhjes është mirë ti bëhet një rezyme e shkurtër. Mbledhjen e udhëheqë njëri nga shokët, por jo gjithmonë i njëjti, ajo të bëhet me radhë. Që celula të ketë një platformë politike e organizative të shëndosh dhe të jetë në nivel, pjesëtarët e sajë duhet të bëjnë një punë të gjerë teorike e praktike.
Për të vazhduar me tej, se e tërë puna duhet përshkohet nga një vrull revolucionar dhe nga një frymë praktike në veprimtarinë ilegale, ajo vlente si në planin teorik ashtu edhe në atë praktik. Propozonin se duhet ikur nga plogështia dhe të angazhoheshin në gjallërimin e punës për ta mbajtur konstant atë në organizatën ilegale. Nëpër mes shtypit anëtarët e organizatës ilegale parashihnin se “me punën e përditshme dhe sistematike dhe duke e vënë gjoksin pengesave e vështirësive dhe duke i kapërcyer ato me durim, dhe në fund revolucioni i armatosur do ta çojë çështjen tonë drejt në fitore”, është për tu admiruar besimi i tyre, në ato vite të rënda robërimi, shpresa e madhe në fitore.
Që të arrihet kjo, thuhej më tej në shkrim, masat e gjëra duhet të kuptojnë drejtë nevojën e lëvizjes dhe të lëvizin në momentin e duhur, prandaj, para anëtarëve të organizatës, si celulë revolucionare, ishte edhe një detyrë e madhe- lidhja e ngushtë me masat. Në revistë këshillohej që masës së gjerë t’iu shpjegohet gjendja në të cilën ndodhet populli, shkaqet e saja, t’ua zbulojmë fytyrën e vërtetë, aq sa ka mundësi, tradhtarëve dhe shfrytëzuesve të popullit duke lënë që nevojën e lëvizjes dhe organizimin ilegal ta kuptojnë ata vet. Të gjitha këto duhet të bëhen më përgatitje solide dhe me mjeshtëri e profesionalizëm. Në raste të këtilla është e mundur që veprimtarët të përcillen nga agjentët ose të qëllojnë aty rastësisht, prandaj kërkohej syçelëti dhe kujdes maksimal nga vetë anëtarët e organizatës.
Kombinimi i punës legale me atë ilegale, si metodë e punës, preferohej më së tepërmi nga Grupi Revolucionar i Kosovës, dhe këtë metodë e propozonin që të zbatohet në celula. Propozonin që anëtarët e “Grupit Revolucionar”, të futen ne ndërmarrjet e ndryshme dhe të bashkëpunojnë sa më shumë me punëtorët, me fshatarët, me rininë, me studentët, me intelektualet etj.
Aty ku kishte organizim ilegal, ndikohej që anëtarët e saj të ishin më aktiv. Ndërsa, aty ku nuk kishte veprimtari ilegale, me mençuri depërtonin në ato rrethe dhe ndihmonin që të formoheshin degët, dhe ndikonin që të anëtarësoheshin sa më shumë anëtar. Kështu, me pjesëmarrjen aktive të anëtarëve të grupit në shumë shoqëri legale të punëtorëve, zejtarëve, studentëve, etj, ndikonin që të ndryshonin lëvizjen e tyre nga ajo spontane në atë të organizuar duke hequr indiferencën politike. “Të marrim pjesë dhe të ndikojmë edhe në grupet e ndryshme letrare, në shtypin legal etj”, . Dhe propozonin se ata duhet të ishin gjithmonë kreativë e frymëzues, edukues dhe mobilizues për luftë çlirimtare. Ata ishin shumë të bindur se pa luftë nuk do të ketë zgjidhje të çështjes kombëtare shqiptare. E vërteta e shqiptarëve frymonte gjithkund, se e vërteta e tyre ishte e vërtet e gjakut, e vërtetë që u dëshmonte nëpër mjet gjakut të derdhur me shekuj
Që të kenë lidhje të mira me popullin, propozonin anëtarët e GRK, se duhet të krijojnë celula të reja. Kështu , në ndërmarrje të ndryshme, te punëtorët, duhet të formojnë celula revolucionare të cilat janë si kusht vendimtar për luftën në përgjithësi. Këto celula duhet të kenë interesimin për kushtet e punës të punëtorëve, pagën e tyre, mënyrën e jetesës, mënyrën e shfrytëzimit nga pushteti, ta ngrejë nivelin politik të punëtorëve, të organizojnë në forma të ndryshme të kërkesave të punëtorëve, të organizojnë greva dhe t’iu prijnë atyre etj.
Kritikën dhe autokritikën Këshilli Drejtues propozonte ta kishte si metodë edukimi dhe ngritjeje, dhe të mos i fshihnin gabimet e të metat që u paraqitnin kohë pas kohe, por ti gjejnë shkaqet dhe ti evitojnë ato. Ishin për një transparencë të plotë në mes veti. Të mos ngurrojnë kurrë në kritikën e hapur dhe shoqërore.
Forma kryesore e punës së tyre dhe më e preferuara ishte puna konspirative, prandaj preferonin të mos e lëndojnë e gjymtojnë atë, sepse lëndimi i tyre dëmtonte rëndë celulën, dhe dëmtonte keq çështjen për të cilën ishin angazhuar. Autori propozonte që të ishin konspirativë në çdo punë që bëjnë si ndaj organeve të ndjekjes ashtu edhe ndaj të tjerëve, kur ajo ishte e nevojshme.
U angazhonin që më të madhe të bëjnë organizimin e mirë të punës. Të planifikojnë punën që do ta bëjnë për një vit, për një muaj, për një javë, madje edhe punën e një dite të vetme. Anëtarët e GRK, nga këto të dhëna na del se kishte një disiplinë të madhe e rigoroze si në organizim po ashtu edhe në veprimtarinë ilegale. Për celulat propozonin që të kenë plan-programin që duhet shqyrtuar rregullisht dhe vazhdimisht të përmirësohet poçes paraqitet nevoja. Kishin kujdes maksimal që në përcaktimin e detyrave të mos jenë të njëanshme, të kishte detyra si në drejtimin teorik ashtu edhe në atë praktik pa bërë as më të voglin dallim në mes të anëtarëve të grupit. Nga celulat kërkohej që kohë pas kohe të raportohej mbi veprimtarin e anëtarëve të celulës. Në mënyrë të hapur të paraqiten t’metat dhe gabimet eventuale që mund të ndodhin, të zbulohen shkaqet dhe të gjenden mjetet për ti përmirësuar dhe evituar ato.

Të bëhet përgjithësimi i eksperiencës dhe të përcaktohen detyrat e reja në mënyrë të barabartë. Këshillonin anëtarësinë që mos të dehen me sukseset dhe të mos dëshpërohen e demoralizohen me disfata. Fitoret i merrnin për bazë që të shërbejnë për suksese të reja, kurse disfatat e humbjet si cytje për të mbledhur e mobilizuar forcat, pa humbur kohë që të kalojnë nga disfata në ofensivë. Nuk duhet humbur kurrë besimin në forcat tona i porositnin anëtarët, se ata ishin optimist duket edhe nga kjo, se në fitoren e tyre ishin shumë të sigurt dhe të bindur.
Gjatë punës ilegale, ilegalja shqiptare preferonte të ishin luftëtar të rrebet, po ashtu edhe armiq të përbetuar të mendjemadhësisë e arbitraritetit, të arrogancës e gjaknxehtësisë, të subjektivizmit e ambicieve personale, frymës së komandimit e karrierizmit, atribuimit të meritave vetës e hedhjes të tjerëve gabimet e të metat dhe neglizhencës, frymës për tu dukur e frymës së lëkundjes dhe të oportunizmit, të demoralizimit dhe të mos vendosjes, frymës së përçarjes dhe të çorganizimit e shfaqjeve dhe koncepteve tjera të dëmshme për punën e tyre në celulat revolucionare. Kjo luftë ndaj këtyre dukurive negative zaten edhe ishte e domosdoshme dhe duhej të ishte në rend të parë për të bërë me sukses tjetrën: luftën e hapur kundër armikut.
Pas një pune të gjatë teorike e praktike, anëtarët e organizatës “Grupi Revolucionar” mendonin se celulat e tyre të formuara në formë të “tresheve” , duhet të fillonin zgjerimin e radhëve të tyre. Dhe mendonin se në këtë mënyrë në organizatën e tyre bënin futjen e gjakut të ri. Nga kjo del se, pjesëtarët e celulës që e bënin këtë aktivitet ishin të aftë të vlerësonin drejtë cilësitë, të mirat dhe të metat e aktivistëve të rinj. Ata ishin njohës të mirë të kritereve të shëndosha për të kryer këto punë të rëndësishme dhe të madhe. “Nuk duhet pasur nguti në asnjë mënyrë në këtë drejtim që në radhët tona të mund të futen elementet të rastit si dhe njerëzit tjerë që nuk janë për këto radhë sepse forca jonë qëndron në rend të parë në cilësi dhe pastaj në sasi” , thuhej në shkrimin “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve” shkruar nga “Lekë Kraja”(Mehmet Hajrizi).
Çdo anëtar i ri që hynte në radhët e grupit, ishte e nevojshme që ta kuptonte nevojën e organizimit të lëvizjes dhe ta konsideronte veten si ushtar besnik e i devotshëm në shërbim të popullit gjerë në vdekje. Ata, ishte e preferuar që ta shohin e masin mirë rrugën që ishte shumë e vështirë dhe me plotë pengesa e rreziqe, që kishin përpara dhe të kaliteshin mirë në çdo pikëpamje për ti përballuar të tëra këto me sukses. Ky edhe ishte kushti i dorës së parë, për anëtarin e ri të organizatës.“Çdo njeri prej anëtarëve më të vjetër, por edhe ata që hyjnë të rinj në radhët e organizatës, duhet të jenë në rendë të parë nxënës të zellshëm të çështjes kombëtare” , kërkonte artikullshkruesi. Të jenë pra, revolucionar e patriotë të devotshëm, që nuk njohin kurrë lodhje për çështjen në shërbim të popullit dhe të atdheut. Vetëm njerëzit me cilësi të këtilla mund ti shërbejnë çështjes së pazgjidhur dhe vetëm këta persona mund të jenë në radhët e lëvizjes dhe organizimit ilegal, sugjeronte artikullshkruesi. Zgjerimi i radhëve në organizatë u bënte në atë mënyrë që çdo pjesëtar i celulës formonte nga një celulë të re apo “treshe” siç e quanin ndryshe. Që të ruhej konspiracioni, nuk duhej të njiheshin anëtarët e grupit të njëri tjetrit dhe pjesëtarët e celulës që bëjnë zgjerimin e radhëve. Sipas një rregulle të pa shkruar në organizatë, ata mund të flasin për cilësitë, sjelljet dhe vështirësitë që kishin në punë me shokë të rinj, por në mënyrë të përgjithshme pa u treguar shokëve kush janë ata. Kjo edhe ishte parimi kryesor që ishte mase e domosdoshme për funksionimin e grupit ilegal.
Të kërkosh nga të tjerët që t’i njohësh për së afërmi pjesëtarët e celulës së re në të cilën bënë pjesë shoku i yt dhe të bësh atë, sipas shkrimit del se “ta lëndosh haptas konspiracionin”. Kjo ishte edhe dobësia më e madhe që rrezikonte veprimtarin ilegale të vetë organizatës. Qëndrimi bazë i organizatës që vlen të përmendet ishte edhe kjo se ndihma për ti dhënë shokut, sidomos atyre që posa ishin rekrutuar, orientimi dhe udhëzimi i drejt ishte mase i domosdoshëm. Ofrimi i ndihmesë në ngritjen e nivelit teorik, në kapërcimin e pengesave dhe të vështirësive, të kontrollimit në punën dhe për bindjen e tyre për ndreqjen e gabimeve ishte çdoherë i mirëseardhur. Formimi i një numri të madh të celulave, lindi nevojën e një qendre të përbashkët te tyre e cila duhej të koordinonte dhe të drejtojë veprimtarinë e tyre. Kështu lindi nevoja e formimit të “Grupit revolucionar” i cili përbëhej nga përfaqësuesit e celulave në veprim. Të tëra këto udhëzime dhe detyra i bënte të njohura për opinionin e gjerë, i bënte personi që vepronte ilegalisht me pseudonimin “Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi). Që për ta zbuluar ishte shumë e vështirë si nga ana e UDB-es, po ashtu edhe nga vetë anëtarët e grupit. Kush qëndronte prapa këtij pseudonimi me gjasë e dinin vetëm një numër i caktuar ilegalësh.
Në një faqe të revistës “Zëri i Kosovës”, që mbante titullin “Plagët tona”, shkrimi me titull “Papunësia dhe kurbeti plagë të rënda në Kosovë” e shkruar nga “Lekë Kraja”(Mehmet Hajrizi), që konstatonte në mënyrë alarmante se “Kosova është rajoni më i pazhvilluar në Jugosllavi. Prapambeturi ekonomike e kësaj krahine ka bërë që popullsia e saj të katandiset në një varfëri të mjerueshme. Lartësia e investimeve dhe tempoja e zhvillimit nuk patën kurrë hapin e viseve tjera të Jugosllavisë, kështu që Kosova ngeli “vendi i zhvilluar midis të pazhvilluarve” . Papunësia në këtë shkrim paraqitet në bazë të të dhënave statistikore që i prezanton Enti i Statistikës në Serbi (flet autori për vitin 1974, shënim i SK-B), papunësia ka qenë dhe vazhdon të jetë një peshë e rëndë e ekonomisë së kësaj krahine. Sipas të dhënave statistikore, sot, vetëm 7,6% të popullsisë kosovare janë të inkuadruar në punë në sektorin shoqërorë. (Nëse këtë e krahasojmë me republikat tjera të Jugosllavisë, do të kemi: 17,8% në Slloveni, 30% në Maqedoni, 15% në Serbi. Nga kjo që prezanton autori del se shkalla e papunësisë në Kosovë është dy herë e gjysmë më e madhe se mesatarja jugosllave.
Nga numri i madh i të papunëve, okupuesi e kishte të qartë se ky numër i madh paraqet problem politik, social dhe shoqëror për tërë vendin, prandaj në agjendën shtetërore u imponua nevoja që këtë numër duhet zvogëluar. Dhe u gjend zgjidhja, sipas analistit me pseudonim “Lekë Kraja”, “në vitet e 60 filloi në masë dërgimi i fuqisë punëtore nga vendi ynë në shtetet e jashtme, ku ata do ti nënshtroheshin shfrytëzimit të egër të padronëve perëndimor. Në vitin 1964, në botën e jashtme u dërguan 410 (katërqind e dhjetë) punëtorë nga Kosova. Mirëpo, për fat të keq brenda një kohe të shkurtër ky numër i mërgimtarëve tanë në botën e jashtme, pesëfishohet në 2o48 veta. Dhe vetëm gjatë viteve 68-69 në vendet e Evropës dërgohen 10.739 punëtor nga Kosova. Në Republikën Federale Gjermane u punësuan 8.442 veta. Papunësia ishte akoma e madhe, ushtria e të papunëve sa vije e shtohej. Andaj, pushteti iu frikonte trazirave sociale në Kosovë, andaj kjo edhe ishte shkaku që u shtua shitja e fuqisë punëtore në vendet perëndimore” . Në shkrim konstatohet se më vitin 1971 në botën e jashtme kishte mbi 24.000 punëtorë kosovar. Në kohën kur u shkrua artikulli, është fillim viti 1974-shit, dhe autori dëften se në këtë kohë nga Kosova në emigrim (të punësuar në botën e jashtme) ishin mbi 40 mijë punëtor, prej tyre 90% ishin shqiptar, që janë përcjell në mënyrë të organizuar nga entet për inkuadrim, ndërsa shumë punëtor shkojnë në mënyrë stihie, kurse shumë të tjerë nuk kalojnë kufijtë e shtetit, por punojnë në republika të tjera të Jugosllavisë .
Edhe pse rrugët e perëndimit filluan të mbushën me fuqi punëtore shqiptare, prapë se prapë, në Kosovë papunësia shtohej, kështu në bazë të analizës që na e prezanton “Lekë Kraja “ (Mehmet Hajrizi), thuhej se “ Në Entet për Inkuadrim kërkojnë punë përmbi 37.000 vetë (85% e të cilëve nuk kanë kurrfarë kualifikimi). Sipas statistikës, Kosova ka 45.000 banorë aktivë, kurse rezervat e fuqisë punëtore arrijnë në 15.000 veta. Dhe nga kjo që u tha më lartë vijmë në përfundim se këto janë fakte shqetësuese të gjendjes ekonomike të punëtorit tanë, të jetës së tij të mjerë. Edhe më e keqe, më e mjerueshme ishte gjendja e punëtorit të punësuar në sektorin privat. Shumica e këtyre punëtorëve punojnë më gjatë se që është orari i caktuar, e puna e tillë nuk trajtohet si e zgjatur. Këta punëtor, pastaj nuk i gëzojnë as të drejtat e sigurimit social e as të drejtën e njohjes së punës së tyre në stazhin për pension.” Dhe, thjesht thënë punëtorët e pa punë kishin ngelur në mëshirën e fatit. “Kosova kishte kurbetçinj gati në të gjitha shtetet perëndimore”, konstaton autori. Nga numri i përgjithshëm i të inkuadruarve në punë, në vitin 1970, në botën e jashtme të punëtorëve kosovar, ishin 7,8% nga territori i Prishtinës, 8,7% nga Mitrovica, nga Prizreni ishin 13,5%, nga Gjakova 15,4%, nga Peja 15,8%, nga Ferizaj 12,4%, dhe nga Gjilani ishin 26,4%.”

VIJON…

_______________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4478
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4479
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4480
***
Librin në formatin PDF mund ta lexoni këtu:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-basha-zeri-kosoves.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura