PËLLUMB GORICA: SINONIMET E NJË SHPIRTI TË TRAZUAR

Tiranë, 27. 10. 2015: Shënime rreth vëllimit poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës) – Të shkruash për librin e parë të një një autori, do të thotë ta rivendosësh atë në një konteks vlersues me të tjerët. Jemi të ngopur me qindra libra dhe letrarë, por risitë që sjellin ata janë të pakta. Në labirinthet e pafundme të shprehjes së ndenjave poetike, mendimi kritik duhet ta thotë fjalën e tij. Po botohen vepra letrare mediokre, e pa asnjë vlerë artistike, por edhe me tematikë të përsëritur, pra një nivel i ulët i artit, sepse nuk mund të vlersosh një libër nga ana e jashtme: kopertina, cilësia, titulli, emri. Ajo është si fasada e një ndërtese, por pa kushte komode jete. Impakti i parë, dashuria për të fillon kur e shfleton. Dhe është kënaqësi kur lexon një libër të mrekullueshëm si ky i Hamdi Skejës, duke zbuluar pak nga pak vlerat e tij shpirtërore dhe poetike.
Janë disa fakte që e bëjnë më të këndshme leximin e vëllimit poetik “ Ekstremume ”, të Hamdi Skejës.
-Përputhja midis ndjenjës dhe arsyes,për të krijuar një realitet të besueshëm poetik. Arsyeja dhe ndjenja që e kompensojnë njëra tjetrën, ku shpesh atë që le mangët apo nuk e rrok arsyeja si koncept logjik e kompenson, ndjenja, emocioni, pasioni e vrulli shpirtëror. Shpesh herë thotë Xhefersoni “ Zemra ka arsye që arsyeja nuk i njeh “ Kjo nuk ndodh me vëllimin në fjalë.
-Vëzhgimi zhbirues, intim i një realiteti jetësor, që çdo sy i zakonshëm mund të rrokë. Zhbirimi poetik i mjedisit vjen natyrshëm nëpërmjet një njohje, një detaji të elemeteve të natyrës, dhe kthehen në vargje frymëzuese përmes një sinqeriteti krijues intim.
-Peizashi i dashurisë, që është mbizotërues në vëllimin poetik “ Ekstremume ” mbeshtetet në një peizash të koklavitur përpjekjesh e pasionesh, ku i pari shërben si ndriçim i të dytit, e i dyti shërben si ushqim për të parën.
Por,të tre këto motive realizohen jo vetëm nëpermjet një gjetje të qelibartë poetike, edhe në konceptin real, intim e simbolik të mjedisit jetësor. Ajo që e dallon poetin Hamdi Skeja është edhe një tjetër veçori, guximi për të rrokur tema, problematika e fenomene të vogla në dukje, por që në fakt janë oksigjen që ushqejnë jetën. Duke shfletuar në detaje vëllimin poetik “ Ekstremume ”, të Hamdi Skejës takohemi artistikisht në një mozaik shpirtëror, i cili është rrethuar nga mistere ndenjash që kërkojnë një çelës për t’i zbërthyer ato. Çdo krijim i tij flet për një emocion, për një enigmë ndenjash, por, edhe një mbështjellje shpirtërore. Autori zbulon përmes figurës, idesë, mendimit, e muzikalitetit të vargut, shpirtin dhe botën e vet. Detajet jetësohen e herë abstragohen nëpërmjet një figuracioni dhe lartësohen të konkretizuara ndjenjërisht, duke lidhur reciprokisht arsyen e shëndoshë. Por ato herë kanë një masë të caktuar mendimi dhe herë një limit të tillë të kapërcyer gjithashtu. Edhe kur poeti duket sikur bën lojë fjalësh, ai prap nuk i largohet ndjesisë dhe rregullit poetik.
Nga pesë ciklet e ndara të vëllimit poetik, “ Ekstremume ” të Hamdi Skejës, ai për dashurinë është më i ndjeshmi, më i arriri artistikisht, me një sensibilitet njerzor që të bën ta duash jetën në çdo qelizë të saj. Për autorin ndjenja e dashurisë është zbukurimi i shpirtit. Jo me kot poeti një cikël të bukur poezish ia dedikon kësaj ndjenje, që në shekuj ka ‘‘mposhtur’’ njerëzimin. Përmes një aliteracioni të fuqishëm, ku gjithmonë urëlidhëse është ndjenja dhe arsyeja poetike, autori mundohet të përputhë ekstremitetet e të lartësojë portretin e dashurisë së vërtetë: “ Dashuroj Dashurinë e dashurisë/Përjetoj përjetimin e përjetësisë ”.
Është kjo dashuri jetike, e domosdoshme për vazhdimësi e arritje fitoresh, se ndryshe “ Vdes vdekjes së vdeksisë ” e nuk mund të “ Ringjallesh prej ringjalljes së dashurisë! ” Burimi i ngadhënjimit e i mposhtjes së gjithçkaje të keqe në jetë, është vetëm një, dashuria, sepse siç thotë dhe poeti kur ai është “ Plakur prej dhimbjes ” së plagëve të jetës, përsëri është rinuar dhjetëfish nga puthja dashurore. Poeti abandonon çdo pengesë, çdo vështërsi e përshtirosje për të shijuar deri në fund bukurinë e jetës, dhe “ Prangat e dashurisë ” i duron “ sepse ato nuk e lenë të jetë rob i vetmisë ”.
Në ciklin tjetër me një titull mjaft të gjetur “ Rrugë kotësie ”, poeti thekson se në labirintet e jetës gjen edhe trishtim, pakënaqësi, urrejtje, mosrelizime, që nuk është e lehtë për tu përballuar. Me mendje dhe zemër, me këmbë dhe me shpirt, poeti ecën në “ Rrugë kotësie ” pushon pak “ Në lëndinën e fatit të zi ” përballet me “ Zhgënjime të rënda të jetës ” dhe trishtohet përsëri kur nuk arrin të shoh dritë në shpirt. Poeti shtjellon praninë e mendimit, se është kotësia një element i kësaj bote që herë të çmend me mendësitë e kulluara, herë të mbyt me prapësi budallallëqesh kotsie. Ndaj dyshues poeti pyet “ Çdreq bote është krijuar me kështjella padrejtesie ” retorike kjo që të kujton dyshimin hamletian “ Që të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çeshtja ”, në “ Këtë botë të çthurur pa moral.” Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj. Jeta shpeshherë nuk është ashtu siç shkruhet,por ashtu si merr frymë, ashtu si bie ose lartësohesh, ashtu si qan ose si qesh. Janë pikërisht, të pashkruarat e jetës që të bëjnë të meditosh, të vuaj apo si gëzohesh. Sepse ndodh që gjatë përplasjes me dallgët e realitetit i “ Shembet çatia e ëndrrave ” humbet disi fillin e udhëtimit për ku je nisur,dhe bie në një plogështi, por ai as vet nuk do ta pranojë kur deklaron “ Si eca kështu, pa zbuluar kush jam, çfarë kam në shpirt ”. Poeti endet në rrugët bardhë e zi të jetës, të kuqe e të gjelbër, dhe kërkon të kap të bardhën e të braktisë të zezën, megjithatë fati e katandis në honin gri“ E kuqja e shpirti e gjakosur dhe gri dhimbja e prarosur ” – shkruan ai…
Mbas ciklit të dytë “ Rrugë kotësie ” poeti dikur e mbledh veten, mposht dhimbjen dhe trishtimin, hallet e paudhësitë, e pasi është rrëzuar “ Kalldrëmeve të dhembjes ” del në një horizont plot dritë e thërret i ngazëllyer “ Mbijetova ” duke gdhendur si një diçiturë të një ardhmërie plot shpresë vargjet: “Kur u ktheva në fillin e shpresës / për jetën u shërova …/ Mbijetova! ”
Natyrisht kjo poezi dhe të tjera i ngrenë hymne shpresës. Ato janë edhe refleksionet e mozaikut të ndenjave. Thërrmijat e tyre janë mbështjellë edhe me mëllef ndaj padrejtësive të kohës. Tek poeti ndjehet ky zhgënjimi për kohën që po jetojmë, e cila shmang vazhdimisht humanizmin, dhe është e parapanushme si bota e “ baltëzimit ” siç e quan ai. Sipas poetit, baltëzimin se duron as gëzimi as mjerimi, as vdekja, as mashtrimi. Thirrja e poetit është e thjeshtë dhe e sinqertë; “Mos baltëzo! ” Ndaj ai përherë ngre një piedestal shqetësimi kujdestar : “ I baltëzuari baltëzon, gëzimin dhe mjerimin përballë njerzimit.”
Poeti e mbyll vëllimin poetik me ciklin “ Rrënjët e mija ”ku bën jo vetëm një sintetizimin të një jete që iku, por dhe jep idenë e vazhdimësisë së traditave e ripërtëritjen e brezave. Diku gjen vargje të dobëta, prozaizëm pa figuracion, por ka dhe vargje që të frymëzojnë, të ngjallin nostalgji e njerzillëk, kur shkruan; “ Tek molla s’vijnë më burrat e vjetër/ të ulen këmbëkryq si dikur/, trishtueshëm erdhi një kohë tjetër / e vend të mollës është vënë një gur. ”
Autori, duke u shkrirë në rrëfimet poetike, që i ka bërë pjesë të vetvetes, tregon lidhjen me vendlindjen, hyn dhe bisedon me të, e “Shtëpinë, më se gjej si atëherë”, por shton idenë se familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe çel lulet e rëndësishme të shoqërisë. “ Ti ëndrra, qënia, shpirti im, /falë teje jetës i vura emrin gëzim.”
Më mirë se kaq nuk mund të përshkruhet lidhja midis brezave e traditave, përkushtimi familjar, lufta e vazhdueshme për të mbajur ndezur prushin e tyre.
Para se ta mbyllim këtë analizë ta shkurtër për vëllimin poetik “ Ekstremume ”, mund të përmendim disa të meta, që nuk ja zbehin vlerat poezisë të Hamdi Skejës. Së pari, poeti mund t’i shmangej deri diku rënjes në një pesimizëm e fatalizëm të pajustifikuar, në disa raste deri në ekstrem si : “ eca me ç’fat …”, “ fati im është pa fat…”, etjer. Së dyti, në mjaf raste ka përsëritje mendimi, ndjenjash e ide në të njëjtat poezi, ku fare mirë mund të vendosej në libër vetëm njëra nga ato. P.sh mendimi i të shprehurit tek “ Pesha e natës ” është përsëritur edhe tek poezia “ Zhgënjimi ” ashtu siç ndodh në anologjinë midis poezive të tjera. “ Rrugë e trishtuar” dhe “Ma thoni ”. Ka ndonjë poezi të varfër artistikisht si “ Mall mërgimtari ” ku poeti ndoshta, duke mos e njohur në intimitet kalvarin e kurbetit, që nuk po i ndahet edhe sot shqiptarëve, bie në prozaizëm e folklorizëm, kur shkruan vargjet si : “ Mërgimi më ka drobitur as gjumi i natës s’më zë ”. Por në përgjithësi poezitë kanë një figuracion origjinal të mbushur me metafora e krahasime djaloshare, që të mbeten në mendje. Mbisundon vargu koçiz, me idenë kryesore që përshkon, se kjo jetë ka nisur e do vazhdojë midis ekstremiteteve dhe vazhdimsisë së brezave, gërshetimit të madh të arkaikes me modernen, dhe se të jetosh nuk është thjeshtë luftë, por dhe fat.
Një moment tjetër në këtë vëllim poetik, janë vlersimet modeste të miqve për figurshmërinë e kësaj poezie befasuese, që është një përpjekje për të ndërtuar ndërmjet tyre sinonime, e për të vështruar të vërtetat e padukshme dhe të prekshmen njerzore. Rruga e zbërthimit të tyre natyrisht është një qëllim në vetvete, i dimesioneve të shpirtit, dhe një kredo për autorin.
Ne i urojmë autorit libra të tjerë po kaq të bukur, dhe vëllimit poetik “Ekstremume” rrugë të mbarë në duart e lexuesëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura