REXHEP KASUMAJ: FRIKA ME QENË QYTETAR I LIRË! (Mbi një soj të robnisë)

Berlin, 09. 11. 2015: 1. Kemi dëgjuar ndër vite shumë sintagma mbi magjinë e politikës dhe mundësitë e tejandejme që jep pushteti i saj. Në përskajim të thjeshtësuar, do të thuhej se ajo është një levë mjeshtërisht e fortë: për shpirtërat e mirë dhe për ata të liq. Për të parët – që ti shërbejnë përulshëm atyre që i përfaqësojnë dhe për të dytët – që të nëpërkëmbin brutalisht ose lëmueshëm, të drejtat e tyre. Galeri e të dytëve, ndërkaq, e shumtë si armatë krimbërore, vuan kompleksin e niçeanizmit primitiv. Përjetojnë, ashtu, ekstazën barbare të dorëvënjes mbi fatet e të tjerëve: duke i poshtëvënë, vjedhur e përbuzur që, të tillë, i shndërrojnë mandej në qenje turmash amorfe tek s’ndjejnë më as dhimbje, as dëshirë, as zemëratë e as shpresë…

2.
Që këtej rezulton, me gjasë, arsyeja pse kjo tipologji hierarkësh, i tmerrohet statusit të qytetarit të lirë. Nuk e imagjinojnë dot humbjen e kënaqësisë që u jep sadizmi shtetëror, i ushtruar me zell mbi kopenë zgjedhore. Por, njëkohësisht, megjithë akumulimin e pakufi të frerëve pushtetarë, i gërryen poaq, një frikë e thellë që kujdestaron prorë në ndërgjegjen e errtë… Është droja zhbiruese se, sado e flashkët, turma ose anonimati i heshtur mund të formulojë një ditë pyetjen e, fill pas saj, akuzën fatale: deri kur? E tutje: a erdhi koha e përballjes me bëmat që i kishin krusmuar përdhé?! Dhe, më pas, si thotë Libri i Vjetër, dita e fundit e keqe, bën të harrohen të gjitha ditët e lumtura të ikura. Pikërisht nga mneri i kësaj të mbramës ditë, shmangin e shtyjnë ata rikthimin e statusit të humbur të qytetarit të lirë. Ndaj dhe, duan shkallare të epërme nomenklature: të pakufizuar me Fuqinë dhe të pafund me Kohën. Janë ato që mbajnë çelësat e shpëtimit nga një hata tronditëse, pse civiliteti i tyre mund të mos jetë nderëplotë dhe as i lirë. Por, megjithatë, prapë më vezulluese ngjan kjo robni sfilitëse se tirania e jetës së shfronësuar qytetare, në pritje të ca hekurave të tjerë…
3.
Kështu do të meditoja në këto orë kur era fryn tërbueshëm dhe vjeshta me ansamblin e bukurisë së pikëlluar, nuk jepet dot… Do të përsiasja, jo pa deshpërim, tek pashë lajmin e zi, se Isaja e Hashimi, një duo infernalisht komplementare, gatiten të ndërrojnë rolet e tyre. Ata paskëshin betonuar paktin për të ndjekur maninë e ligë putiniste të përhershmërisë. Kryetar i përjetshëm, historik (pa histori), i nderit, legjendar (pa prekur ende muzgun e jetës) – janë floskulat që mbushin ambientin politik provincial… E njeriu, posa merr pakëz frymë nga thënja prehëse biblike, kujton sëmbueshëm një tjetër varg, tashmë, agollian: “ditës së nesërme që s’më erdhi kurrë, do i lë takim në varrezë…”!
4.
Vërtetë, si do të dukej formati i tyre civil? Pa supore. Grada. Ofiqe. Shpurë. Vetura të zeza. Tullacë të armatosur që i rrethojnë… Dhe a do ti shohim ndonjëherë? Apo, ndoshta, ata do të zbresin poshtë, por ne s’do mrekullohemi për ti parë më… Kushedi, do qëndrojnë në larginë. Pas perdesh me tela… Diku përtej ngjyrave të jetës..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura