Tetovë, 11. 11. 2015: Banorët e rajonit të Pollogut dhe në veçanti të qytetit të Tetovës, një kohë të gjatë ndeshen me një përbindësh, i cili seriozisht e kërcënon jetën e tyre. Kjo kuçedër e dalë nga thellësitë e kohës, e ngritur siç duket nga pluhuri i helmit shovinist të elaborateve për zhdukjen e qenies sonë në këto hapësira. Dhe si të mos e besojmë se ky projekt i kobshëm është pjellë e urrejtjes patologjike të qarqeve që një kohë të gjatë sillen si hije morti në këto anë; herë me vrasje e terror, herë me uri e shpërngulje, herë me luftë të hapur e herë të fshehtë, me të vetmin qëllim: zhbërjen e qenies sonë nga këto hapësira.
Kjo kuçedër që po sillet këndej pari, e pangopur me gjakun e mijëra viktimave ndër vite e shkuj, kësaj radhe kërkon haraç më të madh nga banorët e këtij rajoni. Nuk zgjedh viktima, as ndër ata që sapo vinë në këtë botë, vetëm pse janë qenie e huaj, numra të shndërruar në frikë patologjike; për ata që nuk e zgjedhin viktimën nga gjuha e raca, as nga soji e prejardhja; mjafton të jenë qenie të lëvizshme në këto hapësira, ku duhet të kalojë hija e ëndrrave të tyre pushtuese.
Sa herë u ngrit zëri i popullatës së kësaj ane për rrezikun që i kanoset, por askush nuk e morri këtë seriozisht. As ata që duhej ta parandalonin këtë mortajë, ta luftonin dhe ta zgjidhnin në dobi të popullatës së pambrojtur.
Me qindra herë u tha me zë protestues se ky problem kërkon zgjidhje; se duhet të sigurohet frymëmarrje dhe ajër i pastër për banorët e kësaj ane; të mos u merret dhunshëm së paku ajo që ua ka falë natyra dhe asgjë më tepër. Por kjo u hesht për një kohë të gjatë, u mbyll në sirtarët e organeve kompetente për të mos u hapur kurrë, sikur të bëhej fjalë për qenie të parëndësishme, të cilat vetëm i rëndojnë kësaj toke dhe nuk i shërbejnë askujt.
Me mijëra herë u tha, u përsërit, u apelua në ndërgjegjen e fjetur të politikanëve dhe u kërkua nga opinioni i gjerë, se kjo popullatë është në rrezik dhe kërkon ndihmë e përkrahje, vetëm për ta siguruar qenien fizike, shëndetin dhe jetën e vet, të familjeve dhe fëmijëve.
Vetëm disa ekspertë e ngritën zërin në mbrojtje të kësaj popullate, se vërtet i kanoset rreziku për jetë; se veç po shfaqen shenjat e përhapjes masive të sëmundjeve vdekjeprurëse; se zhduket pa mëshirë flora e fauna e këtij nënqielli, se prishet baraspesha e domosdoshme ekologjike për vazhdimin e jetës në këto hapësira; se këtu gjithçka po sillet mbrapshtë, e mbuluara nga mjegullat e helmit dhe mospërfilljes.
Shumë gazetarë shkruan për këtë problem, ndërsa ata që janë më përgjegjës për këtë gjendje vazhduan të heshtin, sikur kjo të ishte një shfaqje filmi për një ngjarje diku lag, e ndodhura në një vend dhe një kohë tjetër, jo sot dhe këtu mes nesh.
Se po luhet me fatin e kësaj popullate të pambrojtur, e lënë në mëshirën e fatit, tani më e kemi të qartë të gjithë, sikur e kanë të qartë edhe shumë përkrahës dhe dashamirë që vazhdojnë të protestojnë zëshëm gjithandej për zgjidhjen e këtij problemi, i cili rëndon një kohë të gjatë mbi shpatullat e kërrusura të kësaj popullate të lënë në harresë dhe në mëshirën e fatit.
Mos trajtimi i këtij problemi vazhdon dita-ditës ta rëndojë situatën me përmasa shqetësuese, duke mos lënë as shpresë për zgjidhjen e tij për një kohë të gjatë. As organet e pushtetit dhe organet gjyqësore nuk u treguan të gatshme të ndërmarrin masa të nevojshme, të garantuara edhe me ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi, që t’i thuhet ndal kësaj kuçedre që vjell helm ditë e natë mbi qiellin e Pollogut me gjysmë milioni banorë.
Është koha e fundit kur mund të mos vlejë më asnjë apel; ku nuk ka hapësirë as për lutje dhe kërkim mëshire; më së paku nga ata që bëjnë seri me këtë fatkeqësi.
Është koha kur duhet të ngrihet vetë dragoi i egërsuar dhe ta godasë kuçedrën që mbjell vdekje strehë më strehë e derë më derë mbi popullatën e kësaj ane.
Nuk ka mbetur shumë kohë për emocione, ankesa dhe vajtime, por duhet guximshëm të ngrihemi në këmbë, për jetë a vdekje kundër këtij përbindëshi që kërkon shfarosjen tonë, të familjeve dhe fëmijëve tanë. Dhe kjo duhet të merret shumë seriozisht, sa nuk është tepër vonë. Do të ishte mirë sikur të kishim udhëheqës të denjë të na përfaqësojnë, pora ta heshtën dhe bënë sikur asgjë nuk ndodh këtupari dhe me ne. Atëherë, po nuk e mbrojtëm ne vetveten, kush duhet të na mbrojë neve?
Nga e gjithë kjo që u tha nga ekspertët dhe u shkrua e transmetua në mediume, duhet të marrim vetëm një mësim: Të ngrihemi të gjithë si një trup, me një zë e një qëllim, pa dalim kombi e feje, bindje politike apo çfarëdo përkatësie, ta godasim fuqishëm kuçedrën, sa ajo nuk na ka shtrirë për vdekje të gjithë neve.
Asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme se vetë jeta e banorëve të kësaj ane. Asnjë problem këtu nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet përfundimisht problemi i helmimit masiv në Tetovë dhe rajonin e Pollogut.
Prandaj, ta ndihmojmë lëvizjen e qytetarëve për shpëtim nga kjo situatë, që ka paralajmëruar protesta masive në ditët e ardhshme.
Mos hezitoni të ndihmoni dhe ta jepni kontributin tuaj pa kursim, se bëhet fjalë për jetën tuaj!
Mos flini deri sa nuk dihet se të nesërmen a do gdhiheni i gjallë nga helmi që përhapet mbi shtëpitë dhe familjet tuaja!
Ndihmoni për krijimin e një fronti sa më i gjerë, me të gjitha shoqatat, subjektet dhe individët që mund të ndihmojnë, t’ia ndalim hovin mortajës që nuk zgjedh moshë, gjini, komb as fe, parti as bindje politike!
Vdekja e kërcënon secilin prej nesh, pa dallim, prandaj, ngrite zërin për mbrojtjen e jetës tënde, të afërmve dhe familjes tuaj!
Zëri i shumicës është zëri i arsyes, i drejtësisë që duhet të triumfojë mbi të keqen dhe krimin!
Përhapeni fjalën kudo, në rrugë, në shkolla, xhamia, tubime e ndeja me të afërmit, që sa më larg të depërtojë jehona e protestave për të drejtën që ju takon: ta mbroni jetën dhe dinjitetin tuaj dhe të gjithë banorëve të Tetovës dhe Pollogut!
Organizoni sa më tepër debate në televizione, radio, gazeta dhe mediume të tjera, kudo ku mund të depërtojë zëri i arsyes!
Zgjoni edhe ta që janë të fjetur e të pa interesuar, se nuk dinë çfarë bëjnë dhe kujt t’i besojnë: i ka helmuar keq propaganda e pushtetit!
Përcillni udhëzimet për protesta dhe bëhuni pjesë e pandarë e tyre!
Protestoni në mënyrë dinjitoze dhe të kulturuar, le të kuptojë e gjithë bota për gjenocidin ekologjik mbi ne!
Mos harroni se nuk ka asgjë më tepër vlerë se jeta e juaj që ua ka falë Zoti, ta përmbushni me devotshmëri, humanizëm, vepra të mira e të dobishme!
As Zoti nuk i donë ata që heshtin dhe ia kthejnë shpinën të keqes, ligështohen para fatkeqësisë, përulen dhe dorëzohen para shërbëtorëve të djallit!
Mos bëhuni viktima të propagandës se koha nuk pret, siç nuk pret vdekja të ju përcjell në rrugë pa kthim, juve dhe të afërmit tuaj më të dashur!
Bëjeni këtë edhe për kafshët dhe shpezët, për të gjitha gjallesat, të cilat juve u njohin për zot në këtë botë!
Bëjeni këtë për natyrën e bukur që na e ka falë Perëndia, ta ruajmë dhe mbrojmë si pjesë të jetës sonë!
Ngrite zërin fuqishëm deri në fitoren përfundimtare mbi përbindëshin që mbjell vdekje, se vëllezërit tanë kudo që janë do të jenë me ne!
Edhe bota e qytetëruar do të jetë me ne, kur t’i themi: NDAL HELMIMIT MASIV NË TETOVË E POLLOG!