Durrës, 12. 11. 2105: (Letër nipit tim Aleksandar Daboviq) – Sandër, e lexova materialin që më dërgove. Sigurisht që ka interes të shumanshëm të studiohet një anije gjigante lufte e fundit të shekullit XVIII, 50 metra e gjatë, 13 metra e gjërë, me 177 pjesëtarë të ekipazhit dhe me 70 topa në bord, e cila, e ngujuar në ishullin e Korfuzit, e pat kontrolluar, në atë kapëcyell shekujsh, Ngushticën e Otrantos dhe e cila kish për kapiten një Vicko Daboviq, llagapi i të cilit ka shumë të ngjarë të rrëfejë edhe lidhje gjaku me fisin tonë të madh.
Por unë do të ndalem këtu vetëm në disa prej atyre që janë shkruar në faqet e atij dokumenti.
E dhëna e parë, që na intereson tash, është se, banorët me rrënjë patronimike DAB, janë vendosur në vendbanimin ZALLAZ, në shpinë të Dobrotës, diku në mesin e shekullit XVI ose pak dhjetëvjetësha më parë.
Shekulli XVI është koha kur në hapësirat tona ka shumë lëvizje popullatash. Shkaqet duhen kërkuar te përplasjet e mëdha në shekujt XV e XVI.
Perandoria Sërbe kish marrë fund që në shekullin XIV. Principata e Balshajvet ishte shpërbërë tashmë. Epopeja Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte shuar fizikisht, sado që shpirtërisht nuk u shua kurrë. Veç Balshajvet dhe Zezë-Cërrnojeviqëvet (që ishin arbër), feudalë të ndryshëm sllavë, si Stefan Vukçiq Kosaça, Stefan Llazareviqi e të tjerë, lëviznin me forcat e veta, duke pushtuar apo zotëruar herë njërën, herë tjetrën pjesë të këtyre anëve.
Perandoria Osmane i kish pushtuar Sërbinë dhe Bosnjen qysh në vitin 1459, si edhe thuajse krejt Arbërinë, qysh në vitin 1479, por mbetën pa u pushtuar Ulqini, Tivari dhe ajo që më vonë u quajt Albania Veneta e që nënkuptonte Grykat e Kotorrit dhe një pjesë të bregdetit deri afër Tivarit. Kështu, as me vitin 1571, vit kur u pushtuan Ulqini e Tivari, po të shihet hollë, nuk mund të thuhet se u pushtua krejt Arbëria, sepse, e quajtura Albania Veneta mbeti deri në fund e papushtuar prej turqvet.
– Albania Veneta –
Në të 2 shekujt, për të cilët po flas, XV e XVI, Republika e Venedikut kish mbetur e vetmja shpresë e krejt kësaj hapësire, sado që edhe ajo ish një shfrytëzuese e pamëshirshme dhe përfitonte nga rasti se kjo popullatë kish rënë ngushtë, si nga kërcënimi osman, ashtu edhe nga përpjekjet e sllavëvet për të mbizotëruar mbi arbërit, qoftë edhe në kushte robërie për vete.
Sllavët, në të gjitha kohët, edhe kur kanë qenë vetë të robëruar, janë munduar të sundojnë e robërojnë të tjerët. I ngjan kjo një të burgosuri të keq, i cili rreh të burgosurit e tjerë.
Krejt ajo situatë e atyre 2 shekujve, ngjan me situatën e sotme të po këtyre vendeve. Popujt e Ballkanit Perendimor, veçanërisht shqiptarët, kanë rënë ngushtë para kërcënimit ruso-sllav dhe atij të quajturit ekstremizëm islamik. Perendimi e shfrytëzon këtë ngushtësi tonën dhe na e rrjep lëkurën.
Në një të tillë gjendje edhe kanë ndodhur shpërngulje të shumta pikërisht në drejtim të bregut lindor të Adriatikut, si stacion i parë drejt vendevet të Evropës Perendimore. Disa prej familjevet të shpërngulura, nga ato që e kanë ndier veten disi të sigurta në Fjordin e Kotorrit, kanë ndenjur aty, duke u bërë subjekte të një historie shumë interesante në shekujt në vazhdim.
Te patronimi (llagapi, pranemri) DABOVIQ, prapashtesën -VIQ e shpjegojmë lehtë, por rrënjën DAB- e kemi vështirë ta shpjegojmë. Prapashtesa -VIQ vjen prej emrit latin VIKUS (vicus), që do të thotë vendbanim (Shih fjalorin latinisht-shqip: VICUS, 1.lagje qyteti, rrugë; 2.fshat; 3, pronë, bashtinë, fermë). Kjo fjalë latine, në formë prapashtese, është përhapur thuajse në të gjitha gjuhët sllave dhe sot merret si një nga shenjat e përkatësisë sllave, pa shikuar se ç’rrënjë ka llagapi përkatës, e cila doemos duhet të jetë tregues më i rëndësishëm se sa prapashtesa. Sa i përket rrënjës DAB-, atë e hasim si emër njeriu, si antroponim, gjithandej nëpër dokumente, në të 2 shekujt XV e XVI, por unë ende nuk e di cili është kuptimi i saj.
Hartuesit e atij studimi (me vlerën e një informacioni tepër të dobishëm), emrat e njerëzvet dhe pranemrat e tyre i konsiderojnë si dëshmi se ata banorë të Grykavet të Kotorrit ishin KROATË. Sigurisht, ata as që e kanë quajtur të nevojshme të shtyhen më thellë në analiza, por lënda që na kanë ofruar, na shërben mjaft mirë edhe për zbërthime e thellime të mëtejshëm.
Emrin e vendndalimit të parë të DAB-ëvet, ZALLAZI, besoj se e shpjegon mjaft qartë gjuha shqipe, nga rrënja ZALL-, me kuptimin guralecë lumi a deti, që lidhet me latinishten SABULUM dhe që prej arbërishtes ka kaluar edhe në gjuhët sllave. (Shih G.Majer: Fjalori etimologjik, Tiranë 2007, f.548). Nuk besoj se ka lidhje me foljen sllavishte ZALLAZITI, me perendue (dielli).
Ky shpjegim na lejon të mendojmë se “DABOVIQTË”, të vendosur në afërsi të Dobrotës, ndoshta në shekullin XV apo në fillim të shekullit XVI, i kanë vënë vendbanimit të vet, të ri, emrin në gjuhën arbërishte dhe kjo tërthorazi na çon te mendimi se ata mund të kenë qenë arbër. Edhe prapashtesa –AZ te toponimi ZALLAZ, vjen praj prapashtesës arbërishte –ËZ(Ë, si COP-ËZ, VESH-ËZ (në Shestan VEZHZË, pjesë e parmendës), GURR(Ë)-ZË. Kjo prapashtesë e arbërishtes ka konkorduar (përkuar) me shumë fjalë të italishtes dalmatine që mbarojnë në [-IC(A)], (-IZZ(A), por te toponimi ZALLAZ (ZALLËZË) ky konkordim (përkim) nuk ka ndodhur.
Një dukuri tjetër që, banorët e Grykavet të Kotorrit, të përmendur në këtë shkrim, i afron, në pikëpamje të prejardhjes, me traditën arbo-shqiptare, është shoqërimi i emrit të personavet me emrin e të jatit: Ivan Matov (1710-1730), Juraj Kërstov (1714-1721), Juraj Stijepov (1732), Tripo Markov (1710-1735), Matija Petrov, Lluka Gërgurov, Vicko Nikolin, Marko Tripov, Matija Jurjev (1759), Stijepo Petrov (1766), Bogdan Shpirov (1852-1937), Nikolla Josipov (1766). Në Shestan, por edhe në krahinat e tjera shqiptare, e përdorin të njëjtën mënyrë emërtimi: Marku j Nik’s ose Mark Nika, Gjergji Zefit, Preçi Kol’s, Sela j Hys’s. Imz.Karlo Poteni, arqipeshkëv i Tivarit, me përkatësi gjermane, e ka përmendur këtë dukuri tonën me theksim të veçantë dhe me një lloj habie. Por, po prej kësaj forme emërtimi, ne shqiptarët i kemi edhe shumë nga llagapet tanë, si dhe shumë emra vëllazërishë apo lagjesh. Pervukanj (nga Pera j Vuk’s), Preçnikanj (nga Preçi Nik’s), Gjurperanj (nga Gjura j Per’s), Vukmarkanj (nga Vuka j Markut), Gjokmarkanj (nga Gjoka j Markut), Perçobanj (nga Pera j Çob’s), Haslika (nga Hasan Lika), Gjepalaj, Gjokola, Gjoleka, Hadërgjonaj. (Këta 4 të fundit janë sot llagape familjesh myslimane, me prejardhje të qartë të krishterësh.)
Të njëjtin konstrukt identiteti e kanë pasur edhe shumë familje malaziase, krijuar, ose nën ndikimin e arbërvet ose duke qenë vetë me prejardhje arbërish.
Në tekstin, të cilit po i referohemi, jepen njoftime për konflikte të shumtë midis perastinëvet, që shumica dëshmohen me prejardhje arbërore, dhe ulqinakëvet, arbër të islamizuar. Kjo ka ndodhur sepse Perqandoria Osmane, sapo e pushtoi Ulqinin në shekullin XVI, e vuri atë në shërbim të politikës së vet.
Jo vetëm ulqinakët dhe perastinët apo risanasit, por të gjitha trevat bregdetare të Adriatikut, e kanë pasë traditë piraterinë qysh prej shekujvet të hershëm të Ilirisë. Kujto këngën shestanase “Larg ma lulldonjin nji vashë/ Larg e larg-e përte detit”. Ilirët, veçanërisht adrianët (ardianët), edhe pasuritë materiale e monetare, edhe gratë, edhe skllevërit, i siguronin me pirateri në viset e tjerë të Mesdheut dhe pikërisht piraterinë tonë e përdorën romakët si kazus beli (casus belli) për të sulmuar Ilirinë.
Turqit osmanë e shfrytëzuan këtë traditë të Ulqinit antik, traditë gjithsesi të mbrapshtë, dhe e vunë atë kundër lundërtarëvet të Evropës Perendimore. Perastinët, gjithashtu me proveniencë iliro-arbrore, iu kundërvunë, më me mjeshtëri se kushdo tjetër, piraterisë ulqinake, si edhe asaj tripolitane.
Shtrohet tash, krahas pyetjes: Pse u myslimanizuan arbërit e Ulqinit?, edhe pyetja: Pse u kroatizuan arbërit e Kotorrit? Shkaku është i njëjtë për të dyja palët. Iliro-arbërit nuk arritën të krijonin INSTITUCIONIN E VET ETNO-IDEOLOGJIK (të cilin unë po mundohem ta krijoj tani).
Arabëvet ua krijoi institucionin etno-ideologjik Muhamedi në shekullin VII, duke kompiluar dhe përshtatur në gjuhën arabe Dhjatën e Vjetër (Biblën izraelite) dhe pjesërisht Dhjatën e Re. Sllavëvet ua krijuan institucionin etno-ideologjik Cirili dhe Metodi, duke predikuar krishtërimin në gjuhën sllave. (Nuk po hyj tash në hollësitë e këtyre 2 ngjarjeve të mëdha, që kanë luajtur dhe po luajnë rol të madh në historinë botërore e, nukleisht, pikërisht nukleisht, këtu në këto hapësira ku po jetojmë ti edhe unë.) Për fatin tonë tragjik, ne iliro-arbërvet, nuk pati kush të na e krijojë me kohë një të tillë mekanizëm vetëmbrojtës.
Sërbët pravosllavë, grekët ortodoksë dhe osmanët myslimanë, kanë ushtruar dhunë ndaj nesh, për të na i ndryshuar besimin, ose edhe besimin edhe gjuhën, ndërsa kroatët, popull jo krejt sllav, por kryesisht i sllavizuar nën ndikimin vendimtar të gllagolashëvet, përgjithësisht mund të themi se nuk kanë ushtruar dhunë drastike ndaj iliro-arbërvet. Rrjedhimisht, as ndaj atyre me rrënjën e pranemrit DAB-. Këta janë sllavizuar, gjegjësisht kroatizuar, fare thjeshtë, nën ndikimin e kishës në gjuhën kroate, të cilën, ndonëse jo me zë të lartë, e ka përkrahur vetë Vatikani.
Në materialin që më ke dërguar, gjenden edhe disa pranemra (llagape, patronime), të cilët ngjan se rrënjët i kanë prej gjuhës arbërishte: Kolloviq prej Kolë, Nikolla Jançiq apo Gjançiq prej i gjanë, Ivan Baloviq (balë lidhet me i bardhë), Sheroviq, ndoshta prej sherr, Andrija Zaniq dhe Toma Zanoviq, afrohen me foljen shqipe ME ZANË ose me emrin mitologjik iliro-arbro-shqiptar ZANË (zanë malesh), i cili duket se lidhet me emrin e së famshmes perendeshë DIANA të kohëvet shumë të largëta. Ne në Shestan e kemi Malin e Zanavet, ku, përveç qenievet mitologjike, askush tjetër nuk mund të jetojë.
Me dashuri, axha Gjokë.
Durrës, 8 nëntor 2015