GJOKË DABAJ: NË VORBULLËN E PËRPJEKJEVET TË KOTA?!

Durrës, 23. 11. 2105: Kur njeriu gjendet në një vorbull, çfarëdo vorbulle, vorbull uji, vorbull erërash, vorbull ngjarjesh, gjëja e parë që i shkon ndërmend, është: A do të dalë dot dhe si do të dalë andej?! Ka raste kur njeriu e krijon vetë një vorbull, zakonisht duke u përpjekur të kryejë një punë, sipas tij, të rëndësishme, të madhe, të domosdoshme etj. Në popull, kësaj përpjekjeje i thonë, ironikisht, me ba ish pa pasë pula.
Me një etiketim më të lehtë, kjo mund të quhet edhe vorbull përpjekjesh apo vorbull tentativash. Përpiqesh, rrotullohesh rreth vetes, rreth njerëzish, ndaç edhe rreth krejt botës, dhe thua: A do të mund ta kryej këtë punë që e kam nisur, apo po e harxhoj kohën kot?!
Në këtë fillim nëntori, unë u ndodha pikërisht në një të atillë situatë, të cilën e kam krijuar vetë.
Ka shumë vite që jam munduar të gjej një rrugëdalje EFIKASE për kombin tim, për kombin, të cilit i përkas dhe të cilit i kam kushtuar jo pak pjesë të jetës sime. Para 4 vjetësh e botova një libër me titull “Strategjia e shqiptarëvet”. Institucionin që doemos duhet ta themelojnë shqiptarët, e kam titulluar (në këtë libër) PËRKUJDESJA GJITHSHSHQIPTARE.
Kam pritur që të ketë jehonë. Kam pritur që atdhedashës të tjerë të merren me këtë temë, të inicuar prej meje. Ta miratojnë ose ta hedhin poshtë idenë time të shpallur në atë libër. Kam pritur që analistë të ndryshëm të shkruajnë për idetë që shtrohen në atë libër, sepse nuk bëhet fjalë për strategjinë e një familjeje, as për strategjinë e një firme a kompanie. Bëhet fjalë për strategjinë e një kombi!
Nuk ndodhi ashtu. Libri pati shumë pak jehonë.
Ku është shkaku?!
Mos nuk kam thënë atë që duhej?!
Mos nuk kam ditur t’i shpreh idetë e mia?!
Nuk është asnjëra prej këtyre. Unë kam thënë atje pikërisht atë që duhej thënë dhe rruga shpëtimtare e kombit shqiptar është pikërisht ajo që, në vijat themelore, e kam projektuar në atë libër. Shkaku i heshtjes ndaj atij libri është, se kombi shqiptar tani ndodhet në përpëlitje. Kombi shqiptar në këto dekada e ka humbur busullën dhe ka mbetur i lebetitur, si ata klandestinët që po mbyten ditë për ditë nëpër detrat tanë.

Tiranë, 21 gusht 2013: Gjokë Dabaj, autori i librit “Strategjia e Shqiptarëvet”, gjatë takimit me kryeredaktorin e pashtriku.org, Sheradin Berisha.
Për një fëmijë që ka rrëzik të vdesë dhe që do të mund ta shpëtonte një ndërhyrje kirurgjikale, mblidhen në çast disa mijëra euro. Është veprim nga më të lavdërueshmit! Po për një komb që po merret nëpër këmbë e që rrëzikohet të shuhet, pikërisht në kohën kur duhet të mbetet gjallë, përse shqiptarët nuk po japin as para, as angazhim të çfarëdo lloji tjetër?!
Janë me mijëra shqiptarët që shqetësohen, madje alarmohen për gjendjen, por janë me dhjetëra mijë që mendojnë vetëm për veten dhe as që u shkon mendja që shumë nga punët tona duhen zgjidhur bashkërisht. Janë me dhjetëra mijë që problemet ua kanë faturuar pushtetarëvet. “Atyre u takon t’i zgjidhin këto punë”, thonë ata. Një pjesë e madhe e bashkëkombësvet i shajnë qeveritarët dhe mendojnë se me aq e kanë kryer detyrën e vet. Shqiptarë të tjerë, me shumicë, përpiqen të krijojnë shoqata e shoqëriza, herë këtu e herë aty, herë me një synim e herë me një tjetër. Shpeshherë edhe me synimin për të përfituar për vete. Ka edhe nga ata që kanë provuar të angazhohen në shkallë kombëtare, por programet e tyre kanë aq shumë të meta, madje të meta themelore, sa praktikisht ngecin që në zanafillë.
Marrë në përgjithësi, shqiptarët e sotëm i karakterizon, ose egoizmi, ose indiferentizmi, ose disfatizmi, duke mbetur përjetësisht në shkallën e “analizavet filozofike”, pa horizont dhe, rrjedhimisht, pa kurrfarë rezultati konkret.
Egoizmi dhe shkurtpamësia, individuale dhe kolektive, po e lëshojnë kombin tonë në rrugë pa krye. Në një theqafje me pasoja të papërfytyrueshme! Mjafton të shohim vetëm njërën prej qindra statistikash që po na i nxjerrin sytë ditë e përditë: Qindra mijë fëmijë, në Shqipëri dhe në botë, lindin shqiptarë dhe s’u mësohet asnjë fjalë shqip. I kam parasysh mu në Tivar! Nuk u flasin fëmijëvet shqip, se u vjen turp me qenë shqiptarë!
***
Në pjesën e parë të nëntorit, i printova, një fragment të librit “Strategjia e shqiptarëvet” dhe një përmbledhje shkrimesh që i kam publikuar në kohë të ndyshme, lidhur me PËRKUJDESJEN GJITHSHQIPTARE. Fragmenti i librit, me titull ”Institucioni i Përkujdesjes Gjithshqiptare”, përmbahet në 28 faqe A4. Pas tij vjen shkrimi me titull “Përkujdesja Gjithshqiptare, platformë”, me jo plot 8 faqe. Në vijim është shkrimi me titull “Njësitë vendore të përkujdesjes shqiptare”, me 4 faqe. Pastaj “Fjalëmira e Gjuhës Shqipe”, 7 faqe, “Arkitektura e një Fjalëmire të Gjuhës Shqipe”, me 5 faqe, dhe në fund “Askush të mos mendojë se është lehtë”, pak më shumë se 9 faqe. Gjithsej materiali i printuar ka 62 faqe.
Ua kam shpërndarë 24 të njohurvet të mi, që mendoj se duhet të marrin pjesë në mbledhjen nismëtare të themelimit të këtij institucioni, jetik për të ardhshmen e kombit shqiptar. Kuptohet, pëderisa, pas publikimit të platformës, nuk ka pasur reagim publik në përkrahje ose jo, njerëzit që do të ftoheshin në mbledhjen nismëtare, do të ishin kryesisht të njohurit e mi ose të rekomanduar prej dikujt. Kisha përgatitur edhe 25 copë të tjera të materialit që sapo e përshkrova dhe mendoja që ajo mbledhje duhej të mbahej, simbolikisht, në Shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 28 Nëntor 2015.
Shkova në Prizren, shkova në Prishtinë, u ktheva në Tiranë, shkova në Klos e në Burrel, shkova në Elbasan e Strugë, shkova edhe në Vlorë. Sytë e njerëzvet, të cilëvet ua dorëzoja platformën time, mbeteshin përgjithësisht të pavendosur dhe me një shprehje pasigurie. Sigurisht që kishin të drejtë.
U lodha shumë, më tepër shpirtërisht se trupërisht, dhe paratë m’u mbaruan. Mbeti bosh portofoli im i grisur, deri sa të marr pensionin.
Profesor Agim Vinca më shkruan: “Projekti yt është për të shpëtuar kombin shqiptar, është një religjion kombëtar, por mundësitë e vënies në jetë janë të pakta. Sidoqoftë, edhe publikimi e bën punën e vet.”
Profesor Emil Lafe më shkruan se e ka lexuar me vëmendje materialin, por edhe ai mendon se nuk mund të realizohet, sidomos për shkak të financimit që kërkohet.
Deputeti Bedri Hoxha i bie fare shkurt, por me përmbajtje të plotë: “Unë vij në mbledhjen nismëtare dhe sa herë që të shihet e nevojshshme. Jap edhe kontribut, aq sa kam mundësi. Ai edhe e ka sponsorizuar librin “Strategjia e shqiptarëvet“. Por ku t’i gjesh njerëzit si Bedriu!?
Përkrahje ka gjetur ideja ime, qysh në fillim, edhe te Sheradin Berisha, kryredaktor i portalit „pashtriku.org“, si dhe te patrioti e veprimtari i palodhshëm, miku im i hershëm, Kadri Rexha.
Edhe mjaft të tjerë, prej atyre që ua shpërndava platformën, e di që vijnë, por ata nuk mjaftojnë. Duhen më shumë njerëz. Duhen njerëz nga radhët e personalitetevet të shquar të të gjitha fushave: autorë veprash me karakter strategjik, historianë, gjuhëtarë, sociologë, publicistë, analistë, autorë veprash të artit, letrar, skenik, muzikor e figurativ, njerëz që përfaqësojnë kombin tonë nëpër botë, duhen shumë njerëz nga shqiptarët e kamur, që të bëjnë sponsorizimet e domosdoshëm, duhen gazetarë të shumtë dhe duhen sidomos djem të rinj e vajza të reja, nga ata që po u dridhet shpirti për fatet e kombit tonë.
E ndjeva veten si duke u mbytur në këto përpjekje për të bërë diçka, që kombi im duhej t’i kish kryer shumë kohë më parë. Duke u mbytur, jo për fajin tim, por për fajin e atyre bashkëkombësvet të mi, të cilët, o nuk po dinë, o nuk po duan të bëjnë atë që të duhej të bënin. A është kjo një vorbull e përpjekjevet të kota?! / Durrës – 23 nëntor 2015 – Gjokë Dabaj.

LEXONI LIBRIN “STRATEGJIA E SHQIPTARËVET” – NË FORMATIN “PDF”:

***
GJOKË DABAJ: STRATEGJIA E SHQIPTARËVET
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/strategjiaeshqiptarevet.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura