BRIKENDA REXHEPI: SI BËHET SHTETI?! KOSOVA KA NEVOJË PËR NDIHMËN E TAJVANIT!

Prishtinë, 13. 12. 2105: Tajvani ka pesë vjet që është liruar nga vizat për zonën Schengen, pa qenë në Evropë fare. Lehtësi të tilla i ofrojnë edhe 148 shtete e territore, ndonëse nuk e njohin si shtet. Tajvani ka nënshkruar 79 marrëveshje bashkëpunimi me BE-në dhe me anëtaret e saj prej fushës së arsimit, doganave e tarifave, sigurisë së ushqimit e deri të programet për hulumtim e zhvillim. Është partneri i shtatë më i madh aziatik i BE-së, ndërsa BE-ja është e pesta më e madhja e Tajvanit. Kosova ka nënshkruar me BE-në një MSA të kushtëzuar me negociata me Serbinë, duke ia futur vetes dy këmbët me një këpucë dhe duke u lavdëruar me këtë. Dita-ditës po dëshmohet se marrëveshjet me Serbinë nuk i kanë marrë seriozisht as Brukseli e as Prishtina, për dallim prej Beogradit. Dhe për t’ua hapur sytë të gjithëve për shkeljet e vetë standardeve evropiane me këto marrëveshje, Kosova u desh të bëhet gaz brenda e jashtë Kuvendit. U desh që qytetarët pa viza të saj të rrinë e të durojnë ndërhyrjet e frikshme të burrave të forcave speciale policore.
***
Në Azi është një shtet që e ka njohur Kosovën, por Kosova nuk e njeh atë. Kjo as që do ta njohë dhe një gjë të tillë as që ia kërkon ky shtet.
Tajvani është një ishull 180 kilometra në juglindje të Kinës. Është shteti i pestë më i zhvilluar ekonomikisht në Azi dhe një vend demokratik për dallim nga Kina. Tajvanin e njohin 21 shtete anëtare të OKB-së si dhe Vatikani. Me këto shtete ka lidhur marrëdhënie diplomatike, pra ka 22 ambasada. Me shumë shtete që nuk e kanë njohur bashkëpunon nëpërmjet zyrave përfaqësuese dhe konsullatave. I ka të hapura 58 seli të tilla nëpër vendet më të fuqishme botërore, të cilat, për të mos ia prishur qejfin Kinës, quhen përfaqësi të Taipeit që është kryeqyteti, dhe jo të Tajvanit. Këto përfaqësi kanë thuajse të gjitha karakteristikat e ambasadave, veç emrin nuk e kanë të tillë.
Kosova është shteti më i pazhvilluar ekonomikisht në Evropë. Atë e njohin rreth 111 anëtare të OKB-së. Në 25 prej tyre ka ambasada që emrin e kanë të tillë, por karakteristika të një përfaqësimi të denjë diplomatik mund të ketë veç një pakicë. Dhjetë prej tyre nuk kanë fare ambasadorë apo i kanë me mandat të skaduar. Skandalet banale nuk mungojnë po ashtu. Kosova ka pasur rastin të hapë edhe ndonjë përfaqësi te vendet që nuk e kanë njohur, siç është rasti me Greqinë, por nuk e ka shfrytëzuar si mundësi.
Krahasimi i Kosovës me Tajvanin nxjerr në pah ekstreme të dhimbshme. Një vend i bllokuar të cilin guxojnë ta njohin veç shtetet miniaturë që Kina nuk ka as nga t’i kapë për t’i shantazhuar, ia del që joformalisht ta duan të gjithë. Kosova, një vend që e njohin shumica e shteteve më të forta në botë, ia del t’i irritojë të gjithë.
Këto ditë ministri kosovar i Integrimeve evropiane e publikoi në “Kohën Ditore” një shkrim ku në mënyrë të butë paralajmëroi se mund të mos ketë rekomandim për liberalizim vizash as këtë vit. Ka disa vjet që Qeveria po luan me nervat e qytetarëve në këtë letër. Kosova përpiqet të shfajësohet se ka pasur më shumë kushte për të plotësuar se vendet e tjera, derisa sillet si e verbër karshi faktit që po shkelë rekordet e korrupsionit, po del e para në Evropë për eksport terrorizmi dhe mezi po i mban qytetarët brenda pa i ikur.
Nga ana tjetër, Tajvani ka pesë vjet që është liruar nga vizat për zonën Schengen, pa qenë në Evropë fare. Lehtësi të tilla i ofrojnë edhe 148 shtete e territore, ndonëse nuk e njohin si shtet. Tajvani ka nënshkruar 79 marrëveshje bashkëpunimi me BE-në dhe me anëtaret e saj prej fushës së arsimit, doganave e tarifave, sigurisë së ushqimit e deri të programet për hulumtim e zhvillim. Është partneri i shtatë më i madh aziatik i BE-së, ndërsa BE-ja është e pesta më e madhja e Tajvanit.

Kosova ka nënshkruar me BE-në një MSA të kushtëzuar me negociata me Serbinë, duke ia futur vetes dy këmbët me një këpucë dhe duke u lavdëruar me këtë. Dita-ditës po dëshmohet se marrëveshjet me Serbinë nuk i kanë marrë seriozisht as Brukseli e as Prishtina, për dallim prej Beogradit. Dhe për t’ua hapur sytë të gjithëve për shkeljet e vetë standardeve evropiane me këto marrëveshje, Kosova u desh të bëhet gaz brenda e jashtë Kuvendit. U desh që qytetarët pa viza të saj të rrinë e të durojnë ndërhyrjet e frikshme të burrave të forcave speciale policore.
Edhe këtu dalin në pah ekstremet e dhimbshme mes dy shteteve.
Para më shumë se një viti e gjysmë edhe në Tajvan pati pakënaqësi për disa marrëveshje që qeveria e këtij vendi i kishte bërë me Kinën. “Lëvizja studentore e Lulediellit” e përbërë nga studentë dhe grupe të shoqërisë civile e bllokoi parlamentin, e dikur edhe qeverinë në kundërshtim të Marrëveshjes për shërbime tregtare me Kinën, të cilën partia në pushtet KMT e kishte dërguar për miratim në legjislativ pa e specifikuar mirë. Protestuesit e “Lulediellit” konsideronin se ky pakt tregtar është i pamenduar mirë dhe i paanalizuar, dhe si i tillë do ta dëmtonte ekonominë e Tajvanit; do ta bënte atë më të brishtë ndaj ndikimit politik të Pekinit. Ndërsa përkrahësit e marrëveshjes me Kinën thoshin se investimet kineze në Tajvan do të çonin përpara ekonominë e vendit; se detajet e paspecifikuara mirë të mënyrës së zbatimit të marrëveshjes mund të përpilohen në favor të Tajvanit; dhe se tërheqja nga kjo marrëveshje duke mos u ratifikuar në legjislativ do ta dëmtonte kredibilitetin ndërkombëtar të Tajvanit. Edhe ajo që pasoi duket sa e afërt aq edhe e largët për veshin e një kosovari. Një dallim është se në Tajvan aktivizmi erdhi nga qytetarët e atyre iu bashkua opozita, ndërsa në Kosovë shoqëria ka harruar fare se si duket aktivizmi. Një dallim tjetër është se protesta nuk u shqua për dhunë. Dallim përbën edhe qasja e pushtetit. Ndonëse KMT-ja kishte shumicën në Kuvend dhe mund ta luante lojën e numrave, ndali procesin e ratifikimit të marrëveshjes.
Përfaqësues të qeverisë megjithatë ende japin fakte e shifra në favor të marrëveshjeve duke thënë se argumentet e kundërshtarëve nuk janë bindëse. “Nëse lejojmë ardhjen e frizerëve kinezë në Tajvan, ata kur t’ua lajnë flokët klientëve ua lajnë edhe trurin”, është ilustrimi të cilin teknokratët qeveritarë nuk e pranojnë si domethënës. Por ata kuptojnë plotësisht pozitën e ligjvënësve. Thonë se ata janë përfaqësuesit e njerëzve që i kundërshtojnë marrëveshjet dhe duhet t’u përgjigjen kërkesave të tyre. Procesi është lënë pezull.
Ky është versioni i thjeshtëzuar i një krize që sa është e ngjashme aq edhe dallon nga ajo në Kosovë.
Derisa Kosova në mënyrën më naive përpiqet të bëjë diplomaci, duke injoruar thuaja plotësisht Tajvanin, në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi kanë thënë se njohjen nuk e presin, sepse e dinë që Kosova nuk është në pozitë të favorshme, por janë të hapur për bashkëpunim të çfarëdo forme.
Kosova më së shumti ka nevojë për ndihmën e Tajvanit. Ajo ndihmë nuk është as në para e as në mbështetje diplomatike. Është ndihmë në mentorim se si duhet bërë shtet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura