(Durrës, 27 korrik 2012 – Po na del e domosdoshme tash të bëjmë disa sqarime lidhur me ndonjë publikim timin dhe të ndonjërit prej miqvet tanë, në faqet e këtij portali ose edhe gjetkë. Por dua, që në fillim, t’u kërkoj bashkëkombësvet që do të përmenden këtu, të mos m’i marrin për keq vërejtjet që do të bëj, edhe në rast se ndonjëra prej tyre nuk është bindëse.
Le ta fillojmë që nga më e lashta. U tha aty që Prof.E.Çabej ka pohuar se shqiptarët janë të ardhur dhe kjo u cilësua si gafë e tija. U bë mirë, në krah tjetër, që u dha si citat teksti pak më i zgjëruar, në mënyrë që lexuesi të mund të mbështetet jo veç te fjalia e shkëputur, por edhe te konteksti.
Në kontekstin e shprehjes “edhe shqiptarët janë të ardhur në viset e tyre historikë”, shihet që Prof.E.Çabej thotë, pohon, se, megjithatë, shqiptarët JANË KËTU në kohën e grekëvet dhe në kohën e romakëvet. Në gjithë veprën e tij Prof.E.Çabej e ka mbrojtur tezën që shqiptarët në këta vise janë AUTOKTONË, relativisht autoktonë, së bashku me grekët e lashtë dhe me latinët. Më tutje, mbi bazën e dëshmivet gjuhësore të njohura prej tij, duket se nuk ka dashur ose nuk ka mundur të shkojë.
Prof.Eqrem Çabej
………………………………………………
Gjithsesi, fjalia “edhe shqiptarët janë të ardhur…” do vështruar në kuadër të teorisë mbi lëvizjet dhe përhapjen e popujvet të quajtur indoevropianë. A janë paraardhësit e shqiptarëvet një popull i quajtur INDOEUROPIAN, siç mendohet edhe për paraardhësit e popujvet të tjerë të Europës, përveç hungarezëvet dhe finëvet? Shtrohet, pra, pyetja: Banorët e vendbanimit prehistorik psh të Maliqit, ata të etapës I e II, a kanë qenë apo jo INDOEUROPIANË? Banorët në Shpellën e Trenit, ata më të hershmit, pastaj ata të Bubanj-Krivodolit, të Diminit të Thesalisë, të Kamnikut të Kolonjës, a ishin të ashtuquajtur INDOEUROPIANË? Fundja, njerëzit e Krapinit dhe ata të Neandrentalit, të para tridhjetëmijë vjetësh, a kanë qenë INDOEUROPIANË, të quajtur ashtu prej dijetarësh?
Në anë tjetër, pellazgo-ilirët a janë pasardhës të drejtpërdrejtë të parahistorikëvet të Maliqit, Trenit, Kamnikut etj, apo edhe më thellë në kohë, të Krapinit e Neandrentalit? Për këto, duhet të shikohet çfarë kanë thënë e thonë, arkeologët, antropologët, me ndihmën sidomos të gjenetikës, dhe dijetarë të tjerë të fushavet përkatëse. Por unë mendoj se, kur Prof.E.Çabej thotë që “edhe shqiptarët janë të ardhur”, ai e thotë këtë pikërisht me këtë kuptim, me kuptimin që të parët tanë kanë ardhur këtu, janë vendosur këtu, si edhe popujt e tjerë të quajtur INDOEUROPIANË. Nëse mendohet që shqiptarët nuk janë indoevropianë, atëherë kjo do shtruar e zgjidhur THEMELISHT, por nëse i rrimë pohimit që edhe protoshqiptarët janë të ardhur në Evropë, si të gjithë indoevropianët e tjerë, atëherë thënia e Prof.E.Çabejt nuk mund të merret si gafë. Madje edhe po të vërtetohet se protoshqiptarët janë një popull i këtushëm, autokton, qysh para dyndjes së popujvet të tjerë, prapëseprapë, thënia e Profesorit nuk mund të quhet gafë, sepse ai mbështetet në një teori në atë kohë ende të parrëzuar. Duhet të dallojmë mirë ç’janë GAFAT dhe ç’janë pikëpamjet shkencore, që mund të jenë të kundërshtueshme ose të pakundërshtueshme. Tjetër janë GAFAT tjetër janë pikëpamjet shkencore, të cilat kundërshtohen ose nuk kundërshtohen. Do të shohim në një reagim timin të ardhshëm, lidhur me një studim të Prof.M.Pirrakut. Aty kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për ato çfarë unë i quaj GAFA. Aty ka një mendim shkencor, gjithmonë shkencor, jo antishkencor, i cili, pas mendimit tim, ose edhe pas mendimit të ndonjë tjetri, duhet të diskutohet.
E vetmja vërejtje që duhet t’i bëhet këtu Prof.E.Çabejt, është përdorimi i emërtimit SHQIPTAR në vend të fjalëvet pellazgo-iliro-arbro-shqiptar, iliro-arbro-shqiptar ose thjeshtë parashqiptar. Por ky s’është gabim vetëm i tiji. Këtë gabim e kanë bërë e po e bëjnë thuajse të gjithë.
Në shkrimin tim “Entuziazmi patriotik dhe gafat në shkencat e albanologjisë”, pata përmendur emrat e një plejade dijetarësh të këtyre fushave, për të cilët thashë që ata, si cilësi të përbashkët, kishin kujdesin ndaj asaj që shkruanin. Desha të tërheq vëmendjen aty, që sudiuesvet në vazhdim, ndonëse këta janë të thirrur për të prurë në këto fusha të shkencës GJËRA TË REJA, nuk u lejohet, nuk është as kombëtare, as shkencore, as e moralshme, të përqëndrohen vetëm e vetëm te të metat ose edhe gafat eventuale të asaj plejade dijetarësh. Studiuesit në vazhdim, është fjala për studiuesit shqiptarë të sh XXI, duhet në radhë të parë të pohojnë ç’gjë e kanë thënë mirë paraardhësit e tyre dhe pastaj, natyrisht, të vënë në dukje edhe gjërat që ata i kanë thënë gabim dhe që nuk i qëndrojnë dot kritikës shkencore.
……………………………………
Po sjell këtu vetëm disa shembuj, sa për ilustrim. Për Prof.E.Çabejnë unë kam pasur dhe kam nderim të veçantë. E kam pasur edhe mik personal, për aq sa mund të shtrihej miqësia jonë në atë kohë. Por asnjëherë nuk e kam privuar veten nga e drejta për t’i bërë edhe atij vërejtjet e rastit. Psh më kujtohet që i pata shprehur njëherë mendimin tim NDRYSHE lidhur me shpjegimin që ai i kishte bërë fjalës KËRSHËNDELLA, Krishtlindje. Kam pasur madje edhe objekcion lidhur me mënyrën se si u fut në drejtshkrimin tonë teza e tij mbi ambigjeninë, tezë, e cila më vonë solli në gjuhën shqipe jo pak mbrapshtesa. Dhe s’janë vetëm këto vërejtje. Nëpër shënimet e mi mund të gjenden me dhjetëra. Megjithkëtë, Prof.E.Çabej në fushë të gjuhësisë, krahas Prof.A.Budës në fushë historisë, mbetet njëri ndër korifejtë e asaj plejade shkencëtarësh vërtet dinjitozë në shkencat e albanologjisë.
Kam pasur, kam ruajtur dhe kam ardhur gjithnjë duke e shtuar nderimin tim ndaj Prof.S.Rizës. I shtyrë pikërisht prej një të këtillë devocioni, në radhë të parë ndaj dashurisë që kish Prof.S.Riza për gjuhën shqipe dhe për patriotizmin e tij të pakundshoq, punova mbi veprën e tij më se 2 vjet, hartova fjalorin e fjalëvet të tija të veçanta dhe e botova atë fjalor, duke e titulluar “Fjalori i Selman Rizës”. Mirëpo, me gjithë nderimin që kam ndaj tij dhe që ai nderim nuk zvogëlohet kurrsesi, unë nuk kam qenë dhe nuk jam i një mendjeje me mënyrën se si e bënte ai polemikën. Prof.S.Riza është tepër i ashpër, është tepër i rëndë në kritikat që u bën kolegëvet të vet. Në të kundërt të metodës së tij, metodë që sidomos midis politikanëvet tanë është shndërruar tashmë në sëmundje kanceroze, unë them që, kur të na paraqitet domosdoja për të bërë sqarime, t’i bëjmë sqarimet, por gjithmonë duke pasur kujdes për të mos e lënduar tjetrin. Kam, doemos, edhe të tjera vërejtje në adresë të atij Profesori aq të respektuar.
Këto ishin edhe arsyet, arsyet që kërkojnë përkujdesje, që unë, në shkrimin tim para këtij, me titull ”Entuziazmi patriotik dhe gafat në shkencat e albanologjisë”, nuk desha të përmend emra dhe nuk prura shembuj konkretë gafash të atilla, për të cilat po bëja fjalë. Ndërsa tash, duke parë që, sidoqoftë, duhet prurë ndonjë shembull, po i përmend disa raste, duke u kërkuar sinqerisht autorëvet që të mos ma zënë për të madhe mua, por të veprojnë në të kundërt, të bëjnë përpjekje për të rishikuar atë që kanë shkruar dhe të kenë kujdes që të mos bëjnë më asi lëshimesh në të ardhshmen.
* * *
Brahim Avdyli
………………………………
Miku im i kahershëm, Brahim Avdyli, në një shkrim të publikuar po këtu te “Pashtriku”, pohon që dinastia e NEMANJIQËVET ishte një “DINASTI SHQIPTARE”. Është e vërtetë që kjo dinasti zhupanësh, më vonë kralash, mbyllur në fund disfatisht me një perandor, selinë vet të parë e ka pasur në një qytezë të quajtur Rrasë. Pra, në një trevë arbërore, apo, ndoshta më saktë, trevë autariate. Por kjo nuk do të thotë që ajo dinasti i ka përkitur etnitetit tonë. Qyqja i lëshon vezët në foletë e shpendëvet të tjerë. Ajo dinasti, pas të gjitha të dhënavet të derisotme, ka qenë një dinasti sllave, e lindur dhe e fuqizuar në trojet e Ish-Ilirisë prej rrethanavet që ia kishte krijuar pushteti qendror bizantin. Pushteti qendror i Perandorisë Bizantine sundohej qysh prej shekullit VII kryesisht prej etnitetit grek dhe punonte vazhdimisht në dëm të etnitetit tonë, i cili pat qenë një nga bashkëthemeluesit kryesorë të asaj perandorie. Me qëllim që ta kish më të sigurtë qëndrimin në krye të Bizantit, oborri perandorak bizantin i favorizonte me të gjitha mënyrat sllavët, megjithëqë edhe ata shpeshherë, pasi fuqizoheshin, ktheheshin kundër atij oborri.
Emri i NEMANJËS, sado që ne nuk e dimë etimologjinë e tij, kurrsesi nuk mund të shpjegohet me fjalën arabo-turke NUMAN apo NIMAN, siç pohon Brahim Avdyli. Do të duhen edhe 300 vjet që turqit osmanë të shfaqen në këto anë.
Emri SËRB nuk mund të shpjegohet kurrsesi me fjalën perse SERBEZ (serbest). Ky emër, emri i SËRBËVET, përmendet ndër dokumente qysh në sh VI, ndërsa fjala SERBEZ do të mund të vinte këtu 9 shekuj më vonë.
Emri ALBAN nuk mund të ketë lidhje me oronimin ALPE,-T. Emri ALBAN (Albani,-a), është thjeshtë përkthim në latinisht i emrit të të quajturit “fis” ilir të BARDHINËVET, emër ky që në disa burime haset me formën PARTHIN, pra, me tingujt B e DH të shurdhuar.
As emri ARBËN (ARBËR), nuk mund të ketë lidhje me fjalën ARË, fushë, siç mund të kenë thënë edhe autorë të tjerë më parë. Ky emër vjen, pas mendimit tim, nga forma *BARDHËNË (krs. BARDHIN,-Ë,-ËT), me një metatezë midis tingujvet B e R dhe me humbjen e tingullit DH, dukuri fonetike këto, të cilat kanë vepruar në shekujt VIII e IX, si rezultat i përzierjes së ilirishtevet me të folurat sllave. Enklavat sllave tashmë kishin arritur të zgjeroheshin në dëm të vendbanimevet të ish-ilirëvet.
Një pjesë e shembujvet që solla këtu, edhe mund të diskutohen, por, psh emri i NEMANJËS, emri i SËRBËVET, apo lidhja e emrit ALBAN me oronimin ALPE, nuk mund të vihen në diskutim. Ato, siç paraqiten prej autorit B.Avdyli, janë GAFA të mirëfillta. Prej të këtilla GAFAVE studiuesi duhet të ruhet shumë.
* * *
Po marr tash edhe disa shembuj të tjerë, nxjerrë nga libri i njërës nga studiueset tona më të zellshme, znj.E.Kocaqi, “Roli pellazgo-ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve evropiane”, botuar në Tiranë në vitin 2007. Nuk po shtyhem në analiza të shumta. Lidhur me këtë e kam pasë shkruar një vështrim goxha të gjatë qysh në 2008-n, por nuk e kam botuar. Po sjell vetëm nja 5-6 shembuj, duke mos mohuar aspak as qëllimin e mirë që ka znj.E.Kocaqi, as vlerat që kanë tezat e saja interesante. Por duhet të pranojmë se në atë libër ka edhe një kalë me të meta, nga ato që nuk mund të emërtohen ndryshe, veçse GAFA, të cilat s’ka zot që të mund t’i mbrojë.
Elena Kocaqi
……………………………..
Në f.16-17 kemi këtë fjali tmerrësisht të parregullt: “Fjala Kretë mund të shpjegohet edhe me fjalën KRET e shqipes, që tregon kryet apo kokën, pasi ajo është komanduesja e Egjeut dhe e Mesdheut Lindorë, ndoshta mund ta ketë marrë këtë emër se është në krye të të gjithave.” Forma KRETË është një formë nëndialektore e gegërishtes, trajta e shquar e emrit KRYE,-T. Është gafë që nuk duron kurrfarë kompromisi. Ishulli i Kretës është aq plot me toponime që shpjegohen me gjuhën shqipe, sa del e nevojshme të dërgohet atje një grup specialistësh të kësaj fushe për të bërë hulumtime shterrues. Por jo të shpjegohen emrat në mënyrë kaq joprofesionale.
Në f.37, fjalën VAPOR, anije me avull, e nxjerr të prejardhur nga emri VAPË,-A, sepse, “kur del avull, bëhet vapë”. Por emrin VAPA, pa prapashtesën -OR, e kanë: italishtja, rumanishtja, sllavishtja jugore qendrore. Latinishtja e ka edhe si folje: VAPORO, me avullue. Që të pohohet se kjo fjalë ka shkuar në latinishten nga ilirishtja, duhen analiza bindëse. Pse të jetë e ilirishtes e të mos jetë e latinishtes rrënja VAP? I ç’natyre është formanti -OR i latinishtes? Veç kësaj, anija me avull është një arritje teknike e Perëndimit në shekujt e vonë. Shqiptarët as që kanë marrë pjesë në emërtimin e këtij lloji anijesh.
Znj.E.Kocaqi arrinë deri aty sa edhe emrin FARAON, që vjen nga egjiptishtja e vjetër PER’-O, e shpjegon me shqipen FARA ONË, me kuptimin fara e jonë. (f.81) Përemri pronor (E) JONË, që vjen nga bashkimi i një dëftori me një vetor, *AJO E NE, a mund të jetë aq e moçme sa emri FARAON? Veç kësaj, forma ONË është një formë nëndialektore e Shqipërisë së Mesme, e cila nuk mund të jetë më e hershme se periudha e sundimit osman. Edhe fjala FARË, me kuptimin e saj të figurshëm, racë, soj, nuk mund të jetë 4-5-mijë-vjeçare. Të mos flasim për thelbin kuptimor të emrit FARAON, që nuk pajtohet kurrsesi me domethënien e togfjalëshit FARA JONË, raca jonë.
Në f.87 emrin e AFRIKËS znj.E.Kocaqi, e shtyrë nga një eufori e admirueshme, por skandaloze, e quan të shpjeguar me 2 fjalë të gjuhës shqipe: A plus FRIKË, ku A-ja është forma gege e shkurtuar e foljes ME QENË (ASHT, është), në vetën e parë të kohës së tashme dëftore, dhe arsyetimi është ky: “AFRIKA edhe sot është E FRIKSHME me lloj-lloj kafshësh të egra”. Gafë e mirëfilltë në fushën e etimologjisë.
Emrin KAROVANA (CAROVANA), znj.E.Kocaqi e shpjegon me emrin KARVAN, të cilin në shqip e bie prej emrit KARRO dhe prej foljes VANË, shkuan, ikën. Nuk merret fare parasysh e dhëna që të tjerë dijetarë fjalën KARVAN e kanë konsideruar si fjalë të persishtes dhe se kjo fjalë ka hyrë në shqipet shumë vonë, në krahasim me emrin KAROVANA, atje ku ai përdoret. Nuk shikohet fare, mund të shërbejë apo nuk mund të shërbejë një vetë e tretë shumës e kohës së tashme dëftore si element fjalëformues, etj.etj. (f.106 e në vazhdim).
Fjalën PLURALE autorja e “përkthen” me PLURALIZËM dhe e shpjegon me fjalën shqipe PLUHUR. (F.129).
A ka studiues që nuk do t’i quante GAFA të këtilla “etimologji”?! Pikërisht te të këtillë shembuj, si këta të mikut tim B.Avdyli, të znj.E.Kocaqi e mjaft të tjerëve, e kisha fjalën, kur shkrova artikullin “Entuziazmi patriotik dhe gafat në shkencat e albanologjisë”. Jemi vërtet fatkeqë që nuk kemi institute, të cilët të merren sistematikisht me të këtilla punë, me ndihmat konkrete, gjithsesi dashamirëse, që do të duhej t’u ofroheshin autorëvet, para se shkrimet e tyre të dilnin, të themi, kaq lakuriq në sytë e lexuesvet. Në sytë e lexuesvet, të cilët, të shtyrë gjithkështu prej patriotizmit, janë të prirur për t’i bërë të vetat edhe fantazitë më të shfrenuara.