Bern, 01. 02. 2016: Herë me dasht, herë mos me dasht! Njerëzit mund të të duan ose edhe të të mos duan. Dhe mund ta njohin ose jo politikën, por zakonisht ngjet edhe e para edhe e dyta, edhe të duan edhe nuk të duan. Të duan atëherë kur kanë ndonjë dobi prej teje dhe kinse të duan atëherë kur je në pozitë të nxjerrësh gështenja nga prushi për ta. Ndërkaq nuk të duan fare atëherë kur u thua: “Mjaft më! E tepruat!” (U.Hoti)
Kush nuk e ka përjetuar këtë raport ndërnjerëzor, duke u ndier një herë i dashur, pastaj i urrejtur, apo nga një grup i caktuar i dashur dhe i mbivlerësuar, ndërsa i urrejtur dhe nënvleftësuar nga një grup tjetër?! Ai i cili nuk e ka përjetuar këtë kontradiktë në shoqërinë tonë, them që nuk ka jetuar fare. Sipas përvojës sime, njerëzit të duan kur të konsiderojnë të vetin, dhe kur kanë nevojë të identifikohen me ty. Njerëz të tillë, të paaftë për të bërë diçka vetë, duke vepruar në mënyrë simbiotike me ty, i krijojnë vetes iluzionin se janë duke vepruar edhe vetë. Ndërsa një kategori tjetër e njerëzve, nuk të duan pikërisht për faktin pse je i tyre, për të vetmin shkak pse iu takon atyre. Derisa të parët, gjithçka të veten e mbivlersojnë, të dytët gjithçka të veten e nënvleftësojnë. E rëndësishme është se në të dy rastet, vlerësimi nuk është objektiv, dhe nuk bazohet ne arsye.
Sipas Erich Fromm, në rastin e parë bëhet fjalë për narcizmin pozitiv, ndërsa në rastin e dytë për narcizmin negativ. Në të dy rastet gjykimi është i shtrembëruar. Në atë pozitiv, i veti smadhohet dhe mbiçmohet, ndërsa i huaji, injorohet, dëbohet, madje dhe mohohet. Ndërkaq në narcizmin negativ, ndodh e kundërta. Këtu, i veti nënçmohet dhe injorohet, ndërsa gjithçka e huaja mbivlersohet. Edhe këtu, gjykimi është gjithsesi një paragjykim. Sikur këta njerëz do të ishin të vetëdijshëm, për natyrën e shtrembëruar të gjykimeve të tyre, pasojat nuk do të ishin kaq negative. Të jetosh në një mentalitet, ku disa të duan vetëm për faktin se je i tyre, ndërsa të tjerët, për të njejtën arsye nuk të duan, dmth për shkak se je i tyre, kërkon vërtetë forcë titani. Sips Isabelle Fillozat, psikoterapeute klinike, autore e shumë librave, ka nje alfabet për emocionet. Mësimi i këtij alfabeti, të bën të shkolluar, nëse nuk e mëson, mbetesh analfabet. Sipas kësaj autoreje, arsya pse njerëzit nuk dinë të duan, qëndron në faktin, sepse të duash është ndjenjë aktive dhe kërkon harxhim të energjisë. Ndërsa ka kaq shumë xhelozi në mes njerëzve, sepse të xhelozojnë munden njerëzit edhe pa shkollë, si parazit, pasivisht dhe pa harxhim te enërgjisë.
Vetëm nëse arrijmë të zhvillohemi në rrafshin emocional, do të mund të bëjmë dallimin, në mes të dashurisë së vërtetë prej asaj narcistike. Kjo njohje do të na shpiente në fusha edhe më të errëta të qenies, për të zbuluar komplekse të tjera të shumta, që na karakterizojnë edhe si popull, si psh kompleksi i inferioritetit, apo ndjenja e madhështisë së rrejshme, pastaj mosrespektimi i vlerave tona autentike në njërën anë, dhe pëlqimi i gjthçkaje të huaj, në anën tjetër.
Dhe në fund, meqë dashuria ndaj atdheut është emocion i qetë dhe i qëndrueshëm, nuk e ka herë me dasht, herë mos me dasht, apo edhe me dasht edhe mos me dasht, e ndonjëherë mos me dasht fare. Atdheu sot është shumë më shumë i rrezikuar nga vetë ne, nga kjo dashuri e jona e rreme, sesa nga çfarëdo lloj pushtuesi i jashtëm totalitar.