Pashtriku.org, 03. 02. 2016: Këtu nuk mund të mos theksohet se është për të ardhur keq që gjuhëtari shumë serioz prof Selaman Riza në veprën „Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore“ s’e përmend as emrin e poetit, së paku, në cilësinë e të parit shqiptar që e shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe, për t’iu kthyer sërish pas një çerek shekulli kësaj fushe me një të re, edhe nëse s’ka qenë „plotësisht serioze për kohën përkatëse“ e cila megjithatë, siç u tha edhe më lart ajo tërhoqi vëmendjen e gjuhëtarëve të shquar që u përmendën më sipër, ndër të cilët edhe vetë Sami Frashëri: „As njëri nga parardhësit e Kristoforidhit nuk pati dozën e duhur të kualifikimit profesinal (nënvizuam dy fjalët e fundit me qëllim që të mos keqkuptohemi as nga devotët e diplomës, as nga entuziastët e talentit) për t’u bërë i pari hartues plotësisht serioz për kohën përkatëse i gramatikës përshkruese të gjuhës s’onë: Këtë meritë historiko-kulturore na mendojmë se e bashkëpjesëtojnë gati barazisht midis tyre dy autorët vendas, Konstandin Kristoforidhi dhe Sami Frashëri (Autori dhe vepra e cituar më lart. F. 6).
Ç) DE RADA LEKSIKOGRAF…
Gjuhësia shqiptare në themelin e saj e ka leksikografinë, ndërkaq gurin e parë aty e vuri Frang Bardhi me fjalorin e tij latinisht-shqip i botuar me 1635. Pas tij, gjuhëtarë të huaj e shqiptarë e begatuan këtë fushë me vepra të tilla, cilësia e të cilave varionte për arsye të ndryeshme. Por vepra më e rëndësishme, e hartuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte fjalori i gjuhës shqipe i K. Kristoforidhit.
Ndërkaq, „Fjalori i rapsodive“ i botuar me 1884, dëshmon për përkushtimin e De Radës që edhe nga ky kënd të bëjë përpjekje për t’i ndriçuar disa nga veçoritë thelbësore të gjuhës shqipe. Studiuesi, nga më të pasionuarit, e poliedrikut, nga më të rrallët në kulturën shqiptare, J. Kastrati thekson se vepra ishte „ pak e aspak e njohur“, prandaj „ për të nuk është shkruar ndonjëherë në literaturën tonë gjuhësore“. Vepër e paktë në vëllim, me jo më shumë se njëmijë fjalë, por me vlera të veçanta. Cilat janë ato? Së pari, pasi e ka „ veçauar elementin vendës nga përzierjet e huaja“ (citati i vet De Radës), ka marrë guximin t’i pasqyrojë edhe në rrafshin kronologik huazimet jo vetëm të tri greqishteve, qysh po dua t’i quaj, po edhe latine, sllave e s’po shkoj më tej. Ky këndveshtrim i të kaluarës së shqipes konsiderohet si i pari në historinë e gjuhësisë shqiptare (J. K. Vep e cit. f. 103).
De Rada edhe këtu, duke mbrojtur mendimin e vet se gjuha shqipe është bijë e pellazgjishtes, i del zot autoktonisë së popullit shqiptar, prandaj edhe e kishte të drejtën e pakontestueshme për të jetuar si komb i pavarur në trojet e veta. Rreth këtyre që sapo u thanë, studiuesi i përmendur më lart, për të qenë sa më i besueshëm para lexuesit, ka cituar disa fragmente nga vepra e De Radës. Për të njejtat arsye po e bëë edhe unë të njëjtën punë me katër-pesë rreshta: „…shumë fjalë të tjera tingëllojnë, pastaj, qysh prej asaj kohe të largët, para se të vinin helenët, si fjalë të një gjendjeje fqinjësie dhe afrie të pellazgëve… Me qenë se helenët zunë vendin e pellazgëve e me qenë se të dy popujt mbetën të përzier, – siç janë ende- shkëmbyen shumë fjalë qysh motit, që në lashtësi“ (J. K. Vep. E cit. f.104).
„Fjalori i raspsodive“ është një vepër që me atë mori trajtash e variantesh dialektore, të cilat përbëjnë panoramën e të folmeve arbëreshe, mosha e të cilave shtrihet nëpër shekuj paraqet interes shkencor, gati të barabartë për degët e gjuhësisë shqiptare që për lëndë studimi e kanë evoluimin e fjalës shqipe si në rrafshin fonetik e dialektor, ashtu edhe në atë morfologjik e leksikor.
D) DE RADA DHE GJUHA E NJËSUAR LETRARE
Mendimi i shprehur dekada më parë se nëse shkrimin e shqipes që zë fill në përmasa të gjëra me „Mesharin“ e Buzukut e që vijoj pa asnjë „Vakum“ deri në ditët tona, mund ta „vështrojmë si histori e gjuhës letrare shqipe, atëherë atë do ta ndanim në dy periudha të mëdha – në peridhën parakombëtare dhe në atë kombëtare“ (A. Kostallari: Mbi disa veçori strukturore… në Studime mbi leksikun I Tiranë, 1972 f. 7), është krejt i padiskutueshëm. Edhe „kufiri“ mes tyre – gjysma e parë e shekullit XIX – gjithashtu. Për hir të së vërtetës, sa u përket këtyre dy konstatimeve të sapo theksuara duhet thënë se, në vija të përgjithshme janë vënë në dukje edhe më përpara. Për këtë që u tha nuk e shoh të arsyeshme asnjë referencë. Po, i rëndësishëm është fakti se autori i cekur më sipër i ka analizuar shkencërisht, si asnjëherë më parë, veçoritë e të dy periudhave në të gjitha aspektet.
Në „ pentagramin“ e Programit politik e kulturor të Lëvizjes Sonë Kombëtare që u përpunua në vazhdimësi nëpër dekadat e atij gjysmëshekulli e që u kristalizua me formimin e LSHP dhe me dokumentet që ajo i miratoj, gjuha shqipe zinte vend të rëndësishëm. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe sepse rilindasit, në radhë të parë, gjuhën e tyre amtare e shihnin, me të drejtë, si shenjën e parë të njësisë kombëtare dhe, së dyti, e dinin se pa zhvillimin e saj të gjithanshëm nuk mund t’i relizonin detyrat që ia kishin vënë vetëvetes. Prandaj, gjuha e përbashkët letrare nuk mund të mbetej jashtë përkushtimit të tyre (I. Ajeti „ E. Çabej dhe studimet e gjuhësisë shqiptare në „Gjurmime albanologjike“, Prishtinë, 2009 f. 19)
Jeronim De Rada, jo vetëm si njëri ndër pionierët e Rilindjes e njëkohësisht si njëri nga më të shquarit e asaj Epoke, siç u tha më lart, me ndihmesat e tij për alfabetin, për origjinën e gjuhës shqipe, për strukturën e saj fonetike dhe gramatikore, e, siç do të shihet më poshtë me poemat, me publicistikën dhe me veprat e zhanreve të tjera, i kontribuoi si rrallë kush tjetër përparimit të gjithanshëm të gjuhës shqipe. Prandaj, çështja e gjuhës së përbashkët letrare nuk mund t’ishte jashtë preokupimeve të tij. Përkundrazi, ai u përpoq ta trajtojë me të njëjtin interesim sikur çështjet e theksuara më lart.
De Rada mendimin rreth gjuhës së përbashkët letrare e ka shprehur përveç se tjetërkund edhe në letërkëmbimin që kishte me gjuhëtarin e shquar arbëresh Dhimiter Kamarden. Për kërshërinë e lexuesit po theksoj se shkëmbimi i mendimeve midis dy personaliteteve më të shquara arbëreshe rreth të gjitha problemve me përmasa kombëtare shtrihet në më shumë se dy dekada. U takuan disa herë në vitet e fundit të gjysmës së parë të shekullit të tyre për të vazhduar pastaj me laps e letër deri sa ky i dyti shkoi në përjetësi. Nuk u pajtuan fare për disa çështje, ndër të cilat ishte edhe ajo edhe shqipes së përbashkët letrare. Po fillojmë me këtë të fundit e ndonjë tjetre do t’i kthehem më poshtë. De Rada e mbronte me këmëngulje mendimin se e folmja arbëreshe e Kalabrisë duhej t’ishte baza e gjuhës së përbashkët letrare shqipe, sepse shqipja n’atdheun e të parëve të tij e të të gjithë arbëreshëve ishte bastardhuar krejtësisht si pasojë e pushtimit të vendit prej mësë katër shekujsh. Këtë pikëpamje gjuhëtari arbëresh e kundërshtonte me të njëjtin kuti që përdorte De Rada për ta mbrojtur mendimin e vet. Shpresa e këtij të fundit që mund të quhet edhe iluzion ishte se „ …një ditë do të vinte një shkrimtar i madh, një gjeni, i cili do të themelonte gjuhën e përbashkët shqipe“. Në këtë pikë dy arbëreshët e shquar „pajtoheshin“. I vura thonjëzat fjalës së fundit, sepse ai dakordim, në thelb, ishte edhe mospajtim për arsye se, deri sa Kamarda e priste, për De Raden ai shkrimtari i madh, ai gjeniu kishte arritur – ishte vetë ai. Poeti i madh, duke e marrë shembull Homerin, i cili, sipas tij, ndonëse i lindur jashtë trojeve helene, ishte themeluesi i kulturës së tyre. “Kështu do të jetë edhe për Shqipërinë“ këmbëngulte De Rada. Pra, gjuha e veprave të tij, do të bartet në trojet etnike dhe do të bëhët gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Kamarda ia kontestonte, ndër të tjera, edhe vendlindjen e Homerit, duke e argumentuar se shtatë qytete helene grindeshin mes vete duke e arsyetuar se cila prej tyre ishte vendlindja e poetit gjenial.
Është e habitshme se si De Rada mund të imagjnonte se në gjysmën e dytë të shekullit XIX shqipja e këndej Adriatikut ishte bastardhuar! E pa parashikueshme për një personalitet të tillë! Edhe më i habitshëm është fakti tjetër, se poetit nuk ia tërhiqte vëmendjen, se vet arbëreshët e Kalabrisë e lexonin me vështirësi të mëdha, për të mos thënë se nuk mund ta lexonin fare poezinë e tij, prandaj as nuk mund ta shijonin artin që shprehej në ato vargje, për shkak të gjuhës së vështirë që e përdorte. Prandaj, mund të thuhet pa ngurim se De Rada për çështjen e gjuhës së përbashkët kombëtare propozonte zgjidhjen më anakronike të mundshme, më antishkencore, prandaj edhe më antihistorike. Megjithatë, nuk mungojnë raste kur dijetarë dhe atdhetarë të mëdhenj në rrugëtmin e tyre të vështirë mund të rrëshqasin në ato përmasa që nuk priten prej tyre. Prandaj mund të befasohesh deri në atë shkallë sa që „të mbetesh pa mend“. Por nga e çastit si paradigmë e të pallogaritures, ajo gjendje shndërrohet në të përhershme me një reflektim të kundërt sa herë t’u kthehesh veprave të tyre të jashtëzakonshme, para të cilave nuk mund të mos përkulesh. E, e tillë ishte edhe ajo e De Rades.
Tani, do t’i kthehem asaj shpresës së Kamardës, të cilën e quajta iluzion në kuptimin që vetëm gjuha e një shkrimtari të madh do ta zgjidhte çështjen e shqipes së përbashkët letrare. Rrugëtimi i saj nëpër dekadat e një shekulli e dëshmoi këtë. Megjithatë, ajo shpresë e gjuhëtarit të shquar shprehte parandjenjen ogurmirë se „ditët e mira paskëtaj vijnë“. Dhe ato erdhën; I solli Naim Frashëri, apostulli tjetër i shqiptarizmës i cili në kuadrin e Kauzës Kombëtare me veprën e tij të gjithanshme e sidomos atë letrare e ngriti gjuhën shqipe në atë shkallë që s’kishte qenë asnjëherë më parë. „Bilbili i gjuhës sonë/s’do dëgjonet tjetër kurrë“ lemeriste poeti i Sheperit të Zagorisë, sapo mori mandaten se idhulli i tij e i gjithë shqiptarëve i kishte mbyllur sytë për gjithmonë. E pas një çerek shekulli, poeti i liqenit me vargje krejt të papërsëritshme ia këndoi himnin: „… Ti rapsod që pranë shqipes dit’ e nat’ i lodhe ballët… sepse hir të perndishmë kish kuvendi yt, Naim, Ajo këng’ e tepërlumtur që më s’pati shëmbëllim…“. Pse të vazhdojmë me punimet e gjuhëtarëve të nderuar të cilët vetëm sa e zbërthenin përmendoren e ngritur në vargjet e mësipërme! Çerek shekullin e Naimit, ndonëse e ndjeu, Kamarda fatkeqësisht nuk e priti – De Rada e përjetoi. Edhe dy tri fjalë për dyshen e sapo përmendur arbëreshe: Për takimet e para me gjuhëtarin e rrallë të kohës poeti i madh shkruante: Shqiptar i vërtetë në zemër e në mendime. Ndërkaq Kamarda për poezinë e De Rades: Nga ana tjetër përveç vlerave jo të zakonshme të poezisë prej nga frymëzohet, shkrimet e këtij lëvruesi të palodhur përmbajnë fjalë shqipe që mund të mblidhen me aftësi e dituri“. Edhe diçka nga ajo vister mospajtimesh „ Kështu që, sipas jush, duhet besuar se shqipja e vërtetë u gjendka vetëm në kolonitë arbëreshe…
Por ndoshta është i kotë debati midis nesh, sepse nuk besoj t’arrij t’ju bind… Por kjo nuk duhet të na pengojë që ne të jemi miq dhe, mundësisht, ta ndihmojmë njëri – tjetrin…“ i shkruante Kamarda poetit të madh. Për të vazhduar në letrën e fundit sipas J. Kastatit „Fort i dashuri De Radë, kam marrë letrën tuaj… unë e kam pritur me gjithë zemër themelimin e një shoqërie të tillë si preludin dhe si fillimin e një bashkimi real mes shqiptarëve… Të më keni si një nga miqtë e tu…“ Këto fragmente të shkurtëra i radhita këtu më sipër për të parë se dy arbëreshët e shquar pavarësisht nga mospajtimet e shumta për aspekte të ndryshme të çështjes kombëtare e vazhduan bashkëpunimin, e respektuan njëri – tjetrin dhe asnjëherë nuk ranë në ato pozita që më së paku muund të quhen të mjera.
Shkurt, mendimin e De Radës, për gjuhën e përbashkët letrare, përveç Kamardës, i cili për këtë çështje kishte edhe një mendim tjetër se „Duhet pyetur më përpara vet kombi në vet truallin e vet“, e kundërshtuan edhe arbëreshë të tjerë. Ndër ta Zef Skiroi shrehej tekstualisht: „Gjuha e De Radës nuk është dhe nuk do të jetë kurrë letrare e shqiptarëve“. Kundërshtimet mbështeteshin në argumente të cilat në vetvete përmbanin edhe rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes. Prandaj ajo betejë problemin e gjuhës së përbashkët letrare e çoi së paku një hap më përpara. Në këtë aspekt mund të thuhet pa ngurim se edhe De Rada e dhe kontributin e vet të pakontestushëm.
II
A) DE RADA POET
Maja e lisit deradian, gjethet e të cilit nuk do të vyshkën asnjëherë, është vepra e tij poetike. Mund të thuhet kështu për arsye se në të hapet faqja e re e letërsisë shqipe, hapet epoka e letërsisë gjithëkombëtare. Pra, me atë vepër është shënuar një kufi historik, një kthesë në kulturën shqiptare përgjithësisht. Prandaj, sa herë të shkruhet rreth çështjeve të kësaj natyre, vepra poetike e De Radës do të vlerësohet, siç është vlerësuar edhe deri tash, si themeli i epokës së re në letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Muza deradiane sajoi një vepër madhore në kuptimin e plotë dhe më të gjerë të kësaj fjale. Ajo shquhet me një gjerdan vlerash artistike, të cilat, siç do të shihet më poshtë, studiuesit kanë marrë guximin për t’i krahasuar me ato të letërsisë europiane të periudhave të ndryshme. Prandaj, mund të thuhet edhe kjo se pas 400 vjetësh, pra, pas Marin Barletit, De Rada është i dyti nga gjiri i kombit shqiptar që u bë pjesë e kulturës europiane. Duke iu qasur së afërmi kësaj vepre më duhet ta përsëris se për shkak të natyrës së punimit, jam i detyruar që veçoritë dhe vlerat e saj t’i trajtoi vetëm në vijat e përgjithshme. Dhe, për të mos i mbetur borxh lexuesit, për sa thash më lart, do të jap opinionin e disa shkrimtarëve dhe studiuesve europianë. Do të përqendrohem, pra, vetëm në tri poemat e tij kryesore, duke i kapërcyer edhe „ moterzimet“ e tyre, ndonëse ndonjëra edhe me titull tjetër, konsiderohet si vepër e veçantë.
„Këngët e Milosaos“ Muza e jashtëzakonshme, po e përseris, në njëren dhe formimi kombëtar që e mori në bankat e kolegjit, ku përveç të tjerëve, e pat për mësues edhe t’ iatin, në anën tjetër rezultoi me poemën „Këngët e Milosaos“. Të tri motivet e saj – patriotik, shoqëror dhe erotik janë të gërshetuara në ato përmasa sa që mund të konsiderohen si lëgurë e poemës në këtë aspekt. Cili është boshti i saj? Pa dyshim ai patriotik, sepse pavarësisht nga „përqindja“ e tyre në 32 këngët e kësaj vepre, ndonëse edhe në këtë aspekt e ka „shumicën“ është zhvillimi i subjektit nëpër leqet dhe udhëkryqet e tij prova që dëshmon atë që u tha më sipër: Në këngën e tretë e bija e Kallogresë duke e konsideruar Milosaon si prijës e quan „flamur“. Siç dihet, heroi lëshon kushtrimin: „erdhi dita e Arbërit“ dhe në fund bie në altarin e atdheut. Një shembull të tretë që e provon çështjen që po e trajtojmë do ta paraqesim më poshtë; ndonëse në vepër ka shumë të tjerë.
Tematika dhe koha e zhvillit të ngjarjeve: Përpjekjet e popullit shqiptar për ta çliruar vendin nga pushtuesit turq dhe vendeikas në çerekun e parë të shek. XV; Më sakt në vitin e lindjes së Kryeheroit shqiptar, pra, me 1405 dhe përfundon me 1423. (J.K Vep e cit f. 235)
Nuk mund ta shtjellojmë zhvillimin e subjektit, përveç ndonjë rasti të rrallë që ka përmasat e ndonjë kthese e që përcakton edhe të ardhmen e personazheve. As idilet e dashurisë midis dy të rinjëve , të cilat, nga aspekti artistik janë të rralla nuk kemi mundësi që t’i përshkruajmë. Kjo vlen edhe për personazhet e veprës. Njëri prej dy rasteve të pashmangshme në kuadrin e subjektit është „barrikada“ që dy të rinjët nuk kishin si ta kapërcenin për t’i realizuar ëndrrat e tyre për një jetë të përbashkët familjare. De Rada fiksionit si një nga veçoritë më të rëndësishme të artit letrar i jep trajtën e një fatkeqësie natyrore – Shkodra goditet nga një termet, pasojet e të cilit ishin të rënda. Përveç të tjerave shtresat shoqërore njëjtësohen, prandaj edhe Milosao, bir i sundimtarit të qytetit tashmë të rrënuar, ishte i barabartë me Rinën – bijë e një familjeje fshatare. Mbase, në këtë mënyrë poeti e shprehte edhe idealin e tij shoqëror. Këtu përfundojnë fiijet e këtij motivi.
I dyti: Milosao midis dy zjarresh – Detyra ndaj atdheut në njërën dhe dashuria e paskajshme për Rinën në anën tjetër. Për të dalë nga gersherët e kësaj dileme, e dilemes hamletiane, nëse mund ta quajmë kështu, në kuptimin më të gjerë të fjalës, e ndihmojnë nëna – Zonja e Madhe bashkë me të bijën e Kallogresë: „ Në qytet tash gjithë duan – të marrësh pjesë me t’arbreshët – kundër të huajit“. Milosao, i kthyer përkohësisht nga lufta, me ndërgjegje të vrarë, me që s’e kishte kryer detyrën ndaj atdheut në ato përmasa që kishte dëshiruar nëna e tij: „ … Kryelarta nënë e shkretë – pat besim t’isha në ballë – për çlirim të Shkodrës sonë – prej halldupit Venedik“. Prandaj, vendos që amanetin e nënës ta çojë në vend. Heroi bie në altarin e atdheut: „ Frye erë e maleve – rrëzoi hijeshinë e lisit – gjaku im të lumi i Vodit… Kushtrim ky që e lëshoi poeti për të gjithë shqipatrët kudo që gjendeshin për t’i rrokur armët për çlirimin e atdheut nga pushtuesi. Motra – Fjalët e fundit që heroi arriti t’i shqiptojë: „ Hapnje o ushtarë tendën – të shoh Shkodrën dhe time motër“. Me kaq më duhet ta përfundoi „rrëfimin“ edhe për personazhet.
De Rada, për të krijuar këtë vepër dhe të tjerat pas saj u mbështet dhe u frymëzua nga këngët popullore arbëreshe, për mbledhjen e të cilave dha ndihmesën e vet krah paraardhësve të tij. Në këtë aspekt poeti është në të njejtën linjë me shumicën e romantikëve europianë, të cilët visarin popullor e konsideronin si vlerë të veçantë të kulturës së popujve që e kanë krijuar gjatë shekujve. Në radhë të parë është fryma kombëtare e atyre këngëve popullore që e përshkon tërë veprën poetike të De Radës: Epoka që i këndohet në ato këngë është ajo e Skënderbeut. E njejta tematikë, e njejta epokë. Edhe struktura kompozicionale me fragmentaritetin që e karakterizon poezinë e De Radës aty e ka burimin, bashkë me arsenalin e figurave poetike. Edhe natyra me pamjet e saj të larmishme, me pejsazhet e fushës, të detit përbën një segment tjetër të rëndësishëm të kësaj vepre. Edhe në këtë aspekt vepra e De Radës përkon me atë të romantikëve europianë.
Me botimin e poemës „Këngët e Serafina Topisë“ De Rada „liçencohet“ si poet i madh. Përveçse me titullin – emrat e personazheve kryesore janë pjesë e tij – të dy veprat e kanë të përbashkët edhe tematikën me dy motivet të cilat e përbëjnë thelbin e përmbajtjes së tyre: Luftën heroike të shqiptarëve për lirinë e vendit dhe idilen e dashurisë në mes dy të rinjëve në të dy veprat.
Një tjetër veçori e përbashkët është mbështetja e poetit si në të parën në këngët popullore arbëreshe. Ndërkaq, e re në të dytën është se lexuesit i del përpara, qoftë edhe në shkallë epizodike figura e Skënderbeut. Një tjetër veçori që karakterizon poemën e dytë është se De Rada aty ka ngritur një nga çështjet më të rëndësishme për fatet e kombit në çdo kohë. Emri saj ishte bashkimi, ideal ky për të cilin duhej të përpiqeshin shqiptarët, pavarësisht çmimit që mund të kishte në rrethana të ndryeshme. Në vepër kjo porosi përcillet me vendimin e vështirë që Serafina nga Arta vendosi ta marrë, duke e flijuar dashurinë e zjarrtë që e kishte për Bozdarin dhe duke u martuar me princin nga veriu Nikollë Dukagjinin; me qellimin e vetëm që t’i bashkojë dy skajet e atdheut në luftë kundër pushtuesit. Këtu mund ta tërheqim një paralele midis dy poemave në kuptimin e vështirësive për t’i realizuar synimet e veta. Derisa në „Këngët e Milosaos“, siç u tha, „barrikadën“ De Rada e mënjanoi përmes fiksionit që konkretizohet me tërmetin në të dytën e paguan çmimin të dy protagonistët.
Grishja e poetit ishte misionare meqë edhe gjatë Rilindjës, si në kohën e Skënderbeut përçarja pat marrë përmasa shqetësuese. Prandaj, duke e bërë të vetin kushtrimin e De radës, Rilindasit e ngritën në apoteozë. Ajo, me Mitkon e Jubanin, me Vreton e Kristoforidhin, për të mos vazhduar me emra të tjerë arriti kulmin me „ marsejezën“ shqiptare, siç e pagëzoi studiuesi i njohur A. Uçi poezinë e Pashkë Vasës „ Mori Shqypni e mjera Shqypni“. Nuk mund të kapërcehet në këtë aspekt trinomi frashëriot, bashkë me Mjedën për vargjet antologjike „ … Prej Tivarit e n’prevezë – nji a giuha e kombi nji“ ( Shih kumtesat e A. Uçit e Dh, S. Sh. Në Konferenca Kombëtare e Studimeve për LSHP, 1878 – 1881, Tiranë, 1979, f. 67-82; 173-183).
Po të kihet parasysh pesha e asaj epidemie për fatet e kombit e të atdheut, De Rada poet me këtët segment të veprës së dytë poetike merr përmasat e një ideologu të çështjes kombëtare. Në rrafshin artistik çastet dramatike që i përjetojnë Bozdari e Serafina janë të një vlere që vetëm mund të lakmohet. Vepra është një poemë epiko – lirike e dendur me përshkrime të larmishme të personazheve dhe veprimeve të tyre. Në krahsim me „Këngët e Milosaos“ numri i personazheve në këtë poemë përveçse më i madh është shumë më i larmishëm. Sa për protagonistin Bozdar Stresin studiuesit theksojnë se është figura më madhore e poezisë deradiane. Ndonjëri prej tyre e konsideron aq të skalitur artistikisht sa që është i denjë për pendën e Shekspirit. Numri i personazheve që parakalojnë nëpër faqet e poemës nuk është shumë i madh. Përveç Skënderbeut e Bozdarit mund të përmenden këtu edhe Nikollë Dukagjini, Davadesa, Goneta, Serafina, po se po, Astiri etj.Megjithëse në poemë nuk mungon ndonjë skenë që paraqet epizode të jetës intime të poetit, boshti tematik i saj është Çështja shqiptare në të gjitha aspektet.
Vepra jetësore e De Radës është „Skënderbeu i fat“, të cilën poeti e mbajti në tavolinë afër një gjysëm shekulli. Vargjet e saj të para janë të viteve kur u botua „ Këngët e Milosaos“, gjatë asaj periudhe poeti e përpunoi vazhdimisht. Projekti i tij ishte i habitshëm, synonte shkrimin e një epopeje jo vetëm për Skënderbeun por për atdheun e të parëve dhe kombit të cilit i përkiste. Nga aspekti strukturor dhe kompozicional ishte projektuar jo më pak se në 12 libra, nga të cilat arriti t’i botojë vetëm gjashtë prej tyre. „ Gjon Huniadi“ e cila u zbulua pas vdekjes së poetit dhe pesë vëllimet tjera, dorëshkrim gjenden sipas deradianit të mirënjohur J. Kastrati në Bibliotekën Qytetare të Kopenhagenit.
Kërkues i pamëshirshëm ndaj vetvetës, De Rada në vitet e pleqërisë së tij të thellë iu kthye prapë veprës, ndonëse ajo kishte një çerek shekulli jetë në duartë e lexuesve. „Nuk mund të më gjykoni me drejtësi, po nuk e lexuat edhe njëherë këtë poemë timen të reformuar. Aty pasqyrohet një faqe e jetës e ndryeshme dhe e vetme pas asaj që na ka dhënë Homeri pagan“, shkruan De Rada para se të shkonte në përjetësi. Këso note, siç do të shihet më poshtë, i dhanë poetit tanë disa nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë europiane të asaj kohe. Prandaj, mendojmë se rreshtat e mësipërm duhet t’i kuptojmë më tepër si një përceptim të poetit, i cili, së paku e ndjente që kombit dhe kulturës së tij po i linte trashëgim një monument letrar të përmasave homerike. Rrugëtimi i heroit në tri poemat e De Radës: deri sa në të parën asnjë rresht për të, pra, as emri i tij, në të dytën epizodik, kthimi i tij në Krujën legjendare, ndërkaq, në të tretën, që në titullin e saj. Lexuesi i kohës nuk mund të mos ishte i befasuar me faktin se Skënderbeun do ta takojë në ato përmasa që mund të quhet episodik. Atëherë, kush përjetësohet në „ Skënderbeu i pa fat“? Përjetësohet qëndresa mitike e popullit shqiptar në mbrojtje të atdheut; përjetësohet lavdia e atij shekulli që e mban emrin e tij në historinë tonë. Po ai shekull ishte edhe i pa fat se pas vdekjes së kryeheroit vendi ra nën kthetrat e pushtusit i cili, solli me vete atë zezonë që zgjati më tepër se katër shekuj. Po i kthehem befasisë së mundshme të lexuesit që e theksova më sipër: Është ajo e paqëndueshme? Jo. Argumenti: Në shumicën e veprave letrare të gjinisë epike apo dramatike që për titull kanë një emër të përveçëm, real apo të imagjinuar, ai është strumbullari i saj tematik rreth të cilit zhvillohen ngjarjet. Epilogu i tij ngërthen porosinë e veprës, idenë e autorit për çështjen e shtruar, e çfarëdo karakteri qoftë ajo. Mendojme se De Rada bashkë me epokën e ka përjetësuar edhe kryeheroin, emrin e të cilit e ka vu si titull të poemës. Ky prosede nëse mund ta quajmë kështu, është për t’u konsideruar si një nga vlerat artistike të veprës.
A mund ta kapërcejmë këtu Naim Frashërin, respektivisht poemën e tij „Historia e Skënderbeut“? Jo. Poeti i ka „dalë borxhit“ kryeheroit me përmasat që i ka dhënë në veprën e vet. Pra, në këtë aspekt kemi një dallim thelbësor midis dy poetëve të shquar. Të dy poemat i karakterizon historicizmi. Këtë të fundit në ato përmasa sa që një studiues i letërsisë shqipe e ka quajtur poemën „…një histori e vjershëruar“. Dihet se në aspektin artistik historicizmi është një nga të metat më të dukshme të çdo vepre letrare. Për t’i shpëtuar kësaj ai ind duhet të mbështillet me skena të larmishme që i përkasin fiksionit deri në atë shkallë sa ai të duket si një fije e hollë. Megjithatë, lavdia e dy titanëve të Rilindjës Kombëtare nuk zbehet aspak nëse vihen në dukje mangësitë që vërehen në veprat e tyre.
Duke iu kthyer prapë poemës së De Radës me qëllim që ta mbylli edhe rëfimin për të, me sa më pak rreshta po përpiqem t’i theksoj disa nga veçoritë thelbësore të saj. Së pari, gjysma e parë e shek. XV është koha në të cilën zhvillohen ngjarjet e veprës; ndërsa vendet, e tërë Shqipëria, nga Veriu deri në Jug dhe përtej saj deri në Azi. Nuk mund ta përshkruajmë atë mal ngjarjesh, në të cilat pasqyrohet ajo mori përsonazhesh. Megjithatë, po theksoj se për të parën herë poeti ia paraqet lexuesit kryeheroin në këngët e para dhe pikërisht përmes fjaëve të babait të tij, i cili, lëngonte në shtratin e vdekjes: „ Ai do të vijë – e do t’i vrasë në shtëpi – që të na shpëtojë – me fat të bardhë për ne…“ Dhe në njërën nga këngët e radhës De Rada, tash, përmes fjalëve të të vëllait Reposhit e vë në rolin e shpetimtarit të kombit: „ Tashti, emri i shqipatrit – mbështetet te ti – e po kështu edhe shtëpia jonë“. Në anën tjetër, në vargjet e këngëve të tjera poeti e vë në dukje me epizode artistikisht të goditura se edhe heroi e dinte mirë detyrën dhe përgjegjësinë që ia kishte ngarkuar historia, prandaj vendosi për t’u dalë zot: „ Sot po ju lë, o besnik – të mi, me bujarët tuaj“…
De Rada e pasqyron edhe anën intime të Skënderbeut përmes të idileve të dashurisë me Frozinën kur ishte ende në shërbim të Sulltanit. Mendojmë se kjo është ndër cilësitë e veçanta të poemës. Numri i personazheve që i afrohet dyqindëshit, burra e gra nga vendet e ndryshme e në role pozitive e negative i japin veprës përmasa të gjera. Dhe, në fund, mbështetja në këngët popullore arbëreshe bashkë me fragmentarizmin janë veçoritë thelbësore që, siç është thënë edhe më sipër e karakterizojnë tërë veprën poetike të De Radës. Ideja e çlirimit të vendit që përçohet përmes përmbajtjes së saj, poeti synonte ngritjen e vetëdijës kombëtare te shqiptarët e shek. XIX; është kushtrimi që ai lëshoi për t’i rrokur armët kundër pushtuesit.
Vepra, në saje të përkthimit që i bënte vetë poeti në gjuhën e vendit ku jetonten u bë pjesë e letërsisë europiane, të cilën edhe e vlerësuan lart disa nga përfaqësuesit e saj më të njohur. Prandaj, nuk mund të mos citohen këtu disa prej tyre: Po e nisi me V. Hygoin: „Kush dëshiron të shoh plotësimin e poezisë romantike moderne, të lexojë këngët e Milosaos të zotëri Jeronim de Radës“ ky citat ka një histori të cilën po e shtjelloi sa më shkurt që është e mundur. Arbëreshi i njohur Vinçenc Dorsa punimin rreth „ Serafina Topisë“ e nis me tekstin e mësipërm por studiuesi italian Gualtieri, i cili edhe vet e çmoi lart poezinë e De Radës duke theksur ndër të tjera se „ Vdekja e Bosdarit është e denjë për pendën e Shekspirit se „ Skënderbeu i pafat“ korrespondon me „Legjenda e shekujve“ të Hygoit, pohimin e Dorsës e konsideron të paqenë. Ndërkaq, peripetitë e asaj historie i mbylli studiuesi Jup Kastrati, i cili pohon se tekstin e romantikut të madh francez e kishte lexuar në revistën „II Calbrese“ në vitin 1981 (shih referencën nr 20 në Vep. e cit më lartë f.262). Po, ende s’e kryem me Hygoin i cili me A. Dymanë e kanë quajtur De Radën Dante ose Homer i shqiptarëve.
Vlerësimi i tyre, deri tash, nuk është vënë në pikëpyetje nga ndonjë studiues por kur dhe në ç’rrethana ai e lexoi poezinë e De Radës nuk është ndriçuar deri tash. Megjithatë, një kufi është dhënë: konsiderata është më e hershme se ajo e Lamartinit e shprehur me 1844 (Dh. S Sh. Vep. E cit f. 182), i cili i entuziasmuar por, pa dyshim, edhe i befasuar me vlerat artistike të arbreshit të shquar nuk u përmbajt pa shprehur admirimin e tij: „Zotëri, jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërimi poetik e politik midis jush e meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të rikthehet. Unë s’kam tjetër meritë veç se të parandjej këtë dhe të bëjë urimet e para për lirinë e për ngjalljen e Shqipërisë. Ju, me këtë më shpërbleni për së tepërti“.
VIJON…
_________________
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /1/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4943
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /2/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4944
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /3/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4945
***
HASAN UKËHAXHAJ: JUBILEU I NJË APOSTULLI
(NË 200 VJETORIN E LINDJES SË JERONIM DE RADËS) /4/
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=4946