GJOKË DABAJ: LETËR MIKUT TIM BRAHIM AVDYLI

(Pashtriku.org, 30. 07. 2012) – I dashuri miku im Brahim! E lexova reagimin tënd. Më ranë në sy veçanërisht 2 shprehje të tuat: “E kam lexuar pak” dhe “Do të mundohem t’i kundërvihem”. Nuk është puna për të lexuar pak, duhet lexuar shumë, dhe nuk është puna për t’iu kundërvënë njëri-tjetrit. Këtë mendim unë e kam shprehur edhe në 2 shkrimet e mi lidhur me këta probleme, botuar te “Pashtriku”.
Puna është për të sqaruar njëri-tjetrin e, madje, shumë më e rëndësishme është të sqarojmë, jo me keqmbetje, as me sens personal, por me gjakftohtësi dhe, sa të jetë e mundur, shkencërisht, nëse ato që themi janë të argumentuara apo jo. Puna, pra, është, nëse unë kam të drejtë, kur, psh, makrotoponimin UKRAINË e quaj iliro-albanizëm dhe në ke ti të drejtë, kur emrin vetjak NEMANJË e shpjegon me fjalën arabo-turke NIMAN, gjegjësisht NUMAN, dhe nëse etnonimi SËRB mund të shpjegohet me fjalën perso-turke SERBEZ. Nuk ka shumë rëndësi për mua e për ty kjo gjë. Madje as për miqësinë tonë, sepse unë shpresoj që ne të 2 do të mbetemi miq edhe në të ardhshmen.

Dinastia e Nemanjiqëve
———————————————–

Lidhur me vërejtjet e mia në adresë të znj.E.Kocaqi, prapë nuk ka e nuk mund të ketë asgjë personale. Gjithë puna është te ata shqiptarë ose të huaj, që i lexojnë ato që ne i kemi shkruar. Znj.E.Kocaqi unë e vlerësoj si një studiuese patriote dhe këtë nuk mund t’ia heqë askush. Por kjo nuk duhet kuptuar sikur asaj, meqë është një zonjë e motivuar shumë me patriotizëm, nuk duhet t’i bëhen vërejtje dashamirëse. 2 librat e tjerë të saj unë nuk i kam lexuar, por në librin e cituar, duhet të pranojmë që ajo ka 1 thes me gabime. Kjo duhet në radhë të parë të shqetësojë vetë atë, ashtu siç shqetësohem edhe unë, duke pasur frikë se mos kam shkruar në veprat e mia diçka që nuk i qëndron së vërtetës. Kjo duhet të na preokupojë të gjithëvet. Edhe ti ke 1 thes me gabime e pasaktësi në të 2 këta shkrime që ke botuar këtu te “Pshtriku”. Lexoji, o burrë, ato që shkruan! L.N.Tolstoji e ka rishkruar me dorë 12 herë “Ana Kareninën”, roman disa qindra faqesh. O.dë Balzaku nuk publikonte asnjë vepër pa e kaluar e pakta 7 herë nëpër duar.
Megjithkëto, ti ke të drejtë, kur thua që unë nuk t’i kam bërë këto vërejtje më parë ty personalisht. Mirë do të ishte të të isha drejtuar më parë ty dhe, nëse je fyer për këto, unë të kërkoj ndjesë. Por nuk dua kurrsesi të më thuash që i ke shpjeguar mirë emrin e NEMANJËS dhe emrin e SËRBËVET. Aty ke bërë 2 gafa të mëdha. Për mendimin tim, shpjegimi më i besueshëm për etnonimin e SËRBËVET është fjala latine SERVUS, shërbëtor, shërbyes. Se si ka hyrë ky etnonim në gjuhët e evropianëvet vendës, është një problem që do analiza më të zgjeruara, sepse haset një pengesë qysh në informacionet e Prokopit të Cezaresë.
Shumë të fala miqësisht, Gjoka.
Durrës, 28 korrik 2012
P.S. Meqë është e nevojshme të njihet publikisht qëndrimi ynë, këtë letër po ia çoj edhe “Pashtrikut”. Vetëkuptohet që edhe ti mund të shkruash.Gj.

…………………………………………

(ILUSTRIMET JANË TË PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura