Pashtriku.org, 15. 02. 2016: Shkrimtari dhe poeti tetovar – Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë sjell para lexuesve dy librat e tij më të rinj, përmbledhjen me poezi “Besa” dhe romanin e tij të parë “1803”.
Vëllimi i tij më i ri poetik, i pesti me radhë “Besa”, përmbledh 81 poezi lirike, me motiv të dashurisë. Romani me një titull kodik “1803” është romani i parë i autorit, i cili sipas autorit duhet të vazhdojë edhe me dy pjesë të tjera. Botues i të dy librave është Shtëpia Botuese “Fishta” nga Prishtina.
Për këto dy vepra të Xhelilit recensione, vështrime dhe kritika letrare kanë shkruar shkrimtarë dhe autorë të njohur në skenën krijuese shqiptare.
Recensenti i vëllimit poetik “Besa”, Engjëll I. Berisha shkruan: “T’i dëftosh botës me dritën e shpirtit tënd, më së shumti refleksioni poetik e ka këtë fuqi. Pikërisht kur ndodhesh në mes fjalës dhe veprës, e që dëshiron t’i bësh një, në mes braktisjes e dashurisë, e që dëshiron t’i arsyetosh, në mes synimeve dhe veprimeve, e që dëshiron t’i kulmosh, besoj se është gjendje sa e jashtëzakonshme e një krijuesi, po aq edhe art i vërtetë, me prurje idesh pozitive. Mu në mes tyre ndodhet edhe fjala poetike e krijuesit Besim Xhelili, shumë voluminoze në strukturime shprehjesh, që nuk e ka për herë të parë këtë paraqitje, por, e vargon rruzaren e tij në rrathët e mendimit që nuk i ndalen e nuk i shuhen lehtë.”
– Shkrimtari dhe poeti tetovar, Besim Xhelili –
Shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Nana Rama, redaktore e librit thotë: “Xhelili është kujdesur të shfletojë deri në thellësi, botën e brendshme të njeriut, si qenie jo thjesht ekzistenciale, por si qenie me një galeri të pafund ndjenjash, dëshirash, dashurish, provokimesh, joshjesh, humbjesh, pritjesh, distancash. Mirëpo, autori sërish gjen një shteg brenda vetes, sepse është diku një buzëqeshje që zbardhë, vetëm për t’ia çelur ditën si mëngjeset…dhe Ai…i dorëzohet tërësisht fatit.”
Shkrimtari dhe gazetari Demir Reshiti shkruan: “Duke e jetuar përditshmërinë e jetës, autori fut brenda saj gëzim, ngrohtësi, fat dhe energji të pabesueshme jetësore. Autori është i vetëdijshëm se jeta nuk është vetëm këngë e pa ndërprerë, por ajo ka edhe ngjyra të zeza. Ai këto momente përpiqet që t’i kapërcejë sa më shpejt që është e mundur, t’i largojë nga përditshmëria e tij.”
Prend Buzhala gjithashtu ka bërë një vështrim për vëllimin me poezi të Xhelilit dhe shkruan: “Besim Xhelili e pasuron edhe procedimorin poetik të diskursit të tij lirik. Kësisoj, folësi lirik, që ligjëron për ndjesinë e dashurisë nga një kënd intim, të drejtpërdrejtë, i drejtohet subjektit lirik, femrës, shpesh në veten e dytë, herën tjetër rrëfen në veten e parë, që na shfaqet njësi shpalim-meditim ndjesish. Erosi i tillë është një burim i pasur idealizimesh dashurore, burim fisnikërie e bukurie, ekstaze, vetëdijesimi, burim ndjesie që arrin majat e një fuqie kozmike…”.
Në anën tjetër Prend Buzhala si recensent i romanit “1803” shkruan: “Të dy protagonistët e dashuruar (njihen e takohen rastësisht në një orë letrare), kanë familjet e tyre, kanë fëmijët dhe jetën e tyre bashkëshortore… dhe autori e ruan sensin e masës në këtë ndërthurje kaq të ndërliqshme e të ndjeshme raportesh e marrëdhëniesh: në dashuri nuk bën të ndjehet i lënduar askush, sipas atij parimit aristotelian, “E bukur është ajo që është harmonike”!
Protagonistët e jetojnë dhe e përjetojnë jetën e tyre emocionale përafruese, si dhe dëshirat e tyre; për ta nuk ka kohë, as natë, as ditë, as të djeshme e as të ardhme, ka vetëm çaste të mbushura me bukurinë e emocionit (bisedat me telefon, emailet, letrat, poezitë, thëniet dashurore, video-bisedat, deri te takimet e rralla… largësia zhduket); ata e pranojnë këtë ndjesi që i jep kuptim jetës së tyre. E pranojnë në çdo kohë e në çdo minutë, në rrugëtim, në shtëpi, në ambiente pune a familjare…”.
Promovimi i këtyre dy veprave do të bëhet në takimet letrare të Lidhjes së Krijuesve në Mërgatë, më 12 mars 2016 në Hamburg të Gjermanisë, për të vazhduar në maj në Vjenë, në Zvicër, e pastaj gjatë verës në vendlindje.
Përndryshe Besim Xhelili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, merret me shkrime dhe shërbime të ndryshme kompjuterike. Ka të botuara katër vëllime me poezi si: “Emocione”, Tetovë 1996, “Unë në në sytë e tu”, Shkup 2007, “Baladë e ngrirë”, Prishtinë 2012 dhe “Mes luleve dhe lotit”, Prishtinë 2013. Nga viti 2011-2015 ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë si dhe është anëtar i PEN Klubit austriak.
Kontakti dhe porositja e librave: www.besimxhelili.at dhe [email protected].